Home | Opinion | Tirana dhe zgjedhjet në Maqedoni

Tirana dhe zgjedhjet në Maqedoni

image
Në fakt, Maqedonia nuk është një shtet i huaj, i largët dhe i parëndësishëm. Bëhet fjalë për një shtet fqinj, ku më e pakta, një e katërta e popullsisë janë shqiptarë, pra janë bashkëkombësit tanë. 

Nga Afrim Krasniqi

Lajmi se dje filloi zyrtarisht fushata elektorale për zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, fqinjin tonë lindor, nuk bën pjesë në lajmet kryesore politike të medias apo debateve politike në Tiranën zyrtare, politike e publike.

Kështu ka ndodhur në shumicën e rasteve kur kemi pasur të bëjmë me zgjedhje politike në vendet fqinje, përfshirë edhe Maqedoninë, Greqinë apo Malin e Zi.

E kundërta ka ndodhur kur ka patur zgjedhje presidenciale në SHBA e Francë, apo zgjedhje parlamentare në Gjermani, Itali, Britani e ndonjë vend tjetër të rëndësishëm europian.

Kjo sjellje bën pjesë në traditën e krijuar, sipas të cilës, qytetarët shqiptar, sidomos ai që krijon opinion publik apo ndjekës i tij, gjithnjë janë më të interesuar për politikën e madhe globale, për fatet e shteteve të mëdha, sesa për politikën lokale dhe fatet e shteteve të vogla, edhe kur këto të fundit kanë lidhje specifike me ne.

Në fakt, Maqedonia nuk është një shtet i huaj, i largët dhe i parëndësishëm. Bëhet fjalë për një shtet fqinj, ku më e pakta, një e katërta e popullsisë janë shqiptarë, pra janë bashkëkombësit tanë.

Për këtë shkak, çdo zhvillim pozitiv e negativ në Maqedoni, reflektohet edhe në marrëdhëniet midis dy vendeve dhe, më tej, edhe në zhvillimet politike dhe negative në rajonin e përbashkët ku jetojmë.

Vetë zgjedhjet presidenciale në Maqedoni, pavarësisht natyrës së organizimit shtetëror e rolit të Presidentit, janë një ngjarje me rëndësi dhe me interes direkt edhe për shtetin shqiptar.

Shteti shqiptar ka dy rrugë: ose duhet të qëndrojë larg zhvillimeve në Maqedoni dhe të sillet ndaj tyre, p.sh., siç sillet ndaj zgjedhjeve presidenciale në një vend të panjohur të Afrikës apo Azisë, ose duhet të qëndrojë pranë këtyre zhvillimeve dhe të sillet ndaj tyre, p.sh., siç i takon një shteti serioz dhe një politike të përgjegjshme.

Gjatë 18 viteve të ekzistencës së shtetit maqedonas, shteti shqiptar ka mbajtur çdo variant të mundshëm qëndrimesh: nga ndërhyrja direkte në jetën politike shqiptare në Maqedoni, deri në bojkotimin dhe injorimin e plotë të saj.Kështu, fillimisht u mbështet çdo kërkesë e grupimeve politike shqiptare të drejtuara nga N. Halili. Në mesin e viteve '90-të ndërhyrja direkte e qeverisë së Tiranës solli ndarjen e PPD-së në dy parti, krijimin e një partie të re shqiptare dhe fundin e organizimit njëpartiak brendashqiptar.

Më 1999-ën dhe 2001-shin, politika zyrtare e Tiranës u përfshi në jetën politike në Maqedoni, në rastin e parë për shkak të luftës së Kosovës dhe në rastin e dytë, në mbështetje të një force të re politike, të dalë nga luftëtarët e UÇK-së. Raste të tjera të ndërhyrjes direkte kanë qenë ato të krizave midis dy shteteve (ngjarjet e vitit 1993-1994, ngjarjet e vitit 1997, etj.).

Shumica e qeverive të Tiranës, të majta e të djathta, kanë investuar shumë në mbështetjen e një krahu politik shqiptar në Maqedoni, kundër një krahu tjetër, gjithashtu shqiptar.

Ajo parti dhe qeveri që respektonte Nevzat Halilin, sulmonte Arbër Xhaferin, ajo që mbështeste Arbër Xhaferin, sulmonte Ali Ahmetin, ajo që mbështeste Ali Ahmetin sulmonte Mendu Thaçin dhe kështu me radhë.

E drejta e shtetit shqiptar për interesim direkt në zhvillimet demokratike në Maqedoni është e drejtë kushtetuese, e drejtë politike dhe e drejtë morale. Kushtetuta e Shqipërisë, neni 8, detyron shtetin shqiptar të mbrojë "të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj".

Kushtetuta e shtetit shqiptar njihet nga shteti maqedonas dhe çdo shtet tjetër europian, kështu që edhe ky detyrim kushtetues njihet dhe, praktikisht, pranohet nga shumica e shteteve fqinje me ne.

Rëndësia e Tiranës zyrtare në zhvillimet brendashqiptare në rajon (Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi) pranohet zyrtarisht edhe nga shtete e institucione të rëndësishme ndërkombëtare.

Kështu, p.sh., janë të shumta rastet kur SHBA-ja, BE-ja, KE-ja apo shtete e institucione të tjera, i kanë kërkuar Tiranës zyrtare të influencojnë në vendimmarrje të ndryshme të faktorit shqiptar në Kosovë, Maqedoni e Malin e Zi.

Rasti më i fundit për Maqedoninë ishte kërkesa për influencim për nxitjen e pjesëmarrjes në votime të shqiptarëve të Preshevës apo për rivendosjen e dialogut ndërpartiak shqiptar, pas protestave që shoqëruan zgjedhjet parlamentare 2006 në Maqedoni.
Partitë politike, lidershipi dhe institucionet politike shqiptare në Maqedoni, janë tërësisht të pavarura në vendimmarrjen e tyre.

Askush, përfshirë Tiranën zyrtare, nuk ka të drejtë të influencojë direkt në vendimmarrje, por shumëkush, përfshirë Tiranën zyrtare, kanë të drejtë të këshillojnë qëndrime, të cilat mendohet se mund të jenë në të mirë të tyre të përbashkët.

Nëse ky mekanizëm do të kishte funksionuar me rëndësinë dhe në kohën e duhur, shqiptarët nuk do të kishin dalë me disa kandidatë për presidentë, pa asnjë platformë konkrete bashkëpunimi dhe në nivel të zgjedhjeve lokale, me konkurrencë të ashpër në qytete të rëndësishme, ku, për këtë shkak, mund të ndodhë që shumicat shqiptare të drejtohen nga pakicat maqedonase.

Ajo çfarë mund të bëjë Tirana zyrtare, ishte mbajtja e një qëndrimi neutral ndaj garës brendashqiptare në zgjedhjet politike në Maqedoni.

Ka ikur koha e qëndrimeve militante dhe ndarëse, kur Tirana priste me nderime zyrtare udhëheqës të veçantë shqiptarë në Maqedoni, dhe përmes komunikatave të shtypit apo mediave zyrtare, sulmonte rivalët e tyre politikë brendashqiptarë.

Në zgjedhjet e fundit parlamentare në Maqedoni, u pa njëfarë njëanshmërie e Tiranës zyrtare në favor të njërës parti, gjë që indirekt u përsërit edhe në javët e fundit në prag të zgjedhjeve presidenciale.

Megjithatë raporti midis anësisë dhe paanësisë, vitet e fundit, vijon të peshojë shumë më tepër në favor të paanësisë në raport me dy partitë kryesore politike shqiptare në Maqedoni.

Aktualisht, fushata presidenciale për kryetarin e shtetit maqedonas, ka nisur, zyrtarisht, me pjesëmarrjen edhe të tre kandidatëve zyrtarë shqiptarë.

Kandidatët shqiptarë janë ish-ministri Imer Selmani (Demokracia e RE), ish ministri Agron Buxhaku (Bashkimi Demokratik për Integrim) dhe Mirushe Hoxha (Partia Demokratike Shqiptare), e ardhur nga jeta akademike. Krahas tyre janë edhe katër kandidatë maqedonas, dy prej të cilëve, Gjorgji Ivanov i VMRO-DPMNE-së dhe Lubomir Ferçkovski i LSDM-së, kanë shanset reale për të pasuar në detyrë Presidentin aktual, Branko Cervenkovski.

Partitë shqiptare i kishin të gjitha mundësitë që, me kompromis e marrëveshje, të binin dakord për një kandidat të vetëm. Kjo është përgjegjësi kryesisht e partisë më të madhe shqiptare, e partisë që është në pushtetin qendror, në qeverisje.

Ato, gjithashtu, i kishin mundësitë, që, në rast mosmarrëveshjesh për kandidatin, të testonin në publik veten e tyre me kandidatët më potencialë të mundshëm. Shqiptarët nuk kanë ende vota për të zgjedhur një President shqiptar në Maqedoni.

Më 2004-ën, dy kandidatët shqiptarë për President, Gëzim Ostreni, BDI dhe Zydi Xhelili (PDSH) fituan përkatësisht 134,048 vota ose 14.8% dhe 78,269 vota ose 8.6%. Së bashku, ata fituan rreth 23-24% të votave, ose 16% më pak se kandidati i dytë i partive maqedonase.

Megjithatë, ata kanë vota të mjaftueshme për të influencuar dhe përcaktuar fituesin e garës presidenciale në Maqedoni. Ky është, gjithashtu, një potencial i madh politik, i cili mund të jetë më efikas për realizimin e kërkesave kushtetuese shqiptare sesa konferencat e shtypit me akuza e kundërakuza midis vetë partive shqiptare.
Interesant është edhe një fakt tjetër.

Nga tre kandidatët shqiptarë për president, dy prej tyre kanë qenë ministra dhe, si të tillë, në vite të ndryshme kanë kryer vizita zyrtare e partiake në Tiranë. Megjithatë, deri tani, asnjëri prej tre kandidatëve nuk ka kryer një vizitë kortezie në Tiranë me cilësinë e kandidatit presidencial.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe më 2004-ën, me dy kandidatët e atëhershëm për president, Ostreni dhe Xhelili. Kjo mund të jetë pjesë e strategjisë së tyre politike, por gjithsesi, megjithëse njoh shumë arsye për të udhëtuar si mysafir zyrtar drejt Tiranës dhe pse jo edhe Prishtinës, nuk njoh asnjë arsye për të bërë krejt të kundërtën.

Ashtu siç nuk shoh arsye pse Tirana zyrtare nuk investon në ndryshimin e kësaj tradite negative dhe në heqjen dorë nga politika e pritjes dhe e paskomentimit të zhvillimeve politike në Maqedoni.

Vizitat në vendet fqinje, edhe kur nuk bëhet fjalë për vende të së njëjtës kombësi, janë praktikë normale e të gjitha vendeve dhe e të gjithë kandidatëve presidencialë.

Ato janë rast për të paraqitur vizion fqinjësie e bashkëpunimi, si dhe për të fituar mbështetje e besueshmëri, e cila nuk ka pse të konsumohet përmes një të treti, qoftë ai edhe kryetar partie.

E njëjta këshillë vlen edhe për Shqipërinë e Kosovën, ku kandidatët për presidentë e kryeministra (edhe pse Presidenti në këto vende zgjidhet në Parlament, pra nuk zhvillon fushatë elektorale), duhet të respektojnë institucionet dhe politikën fqinje, sidomos atë brendashqiptare.

Me keqardhje ka një keqkuptim midis koncepteve të shtetit, të vendit fqinj, të institucioneve legjitime të tyre dhe të marrëdhënieve e preferencave personale në politikë.

Konkretisht, kohë më parë, një kryetar i rëndësishëm i një partie shqiptare sulmoi ashpër Presidentin e Kosovës, për një ide të tij të propozuar në takim me homologun e Shqipërisë.

Duke e shpjeguar në atmosferën tradicionale brendashqiptare, sulme të tilla edhe mund të kapërdihen, por duke patur parasysh se bëhej fjalë për Presidentin e një vendi dhe shteti të pavarur, i cili njëherësh është bashkëkombësi yt, sulmi ishte i nxituar, i pamatur dhe i papranueshëm.

Në një plan më të gjerë, NATO-ja dhe Bashkimi Europian, në kriteret kryesore të pranimit të anëtarëve të rinj, kanë marrëdhëniet e miqësisë dhe bashkëpunimit intensiv. Bashkëpunimi kërkon hapa konkretë, projekte konkrete, mirëkuptim real, dialog konstruktiv e të vazhdueshëm, seriozitet dhe respekt reciprok.

Përtej retorikës skematike për shumë vende të rajonit, vijon të konstatohet sëmundja e interesit të madh për dëgjueshmëri, bindje bashkëpunim intensiv me Brukselin, gjë që është pozitive, por, ndërkohë, nuk ka të njëjtin zell e angazhim në bashkëpunimin midis vetë vendeve të rajonit.

Edhe në raport me Maqedoninë, shteti ynë, p.sh., ka zhvilluar disa samite e raunde bisedimesh për energjinë, bashkëpunimin kufitar apo miradministrimin e liqeneve midis dy vendeve, por ende asnjë konferencë të përbashkët për integrimin real të shqiptarëve në shtetin e shoqërinë maqedonase, në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit dhe dokumentet e njohura ndërkombëtare.

Së fundi, duhet nënvizuar se politika shqiptare në Maqedoni ka krijuar një model të ndryshëm politik nga modeli i Tiranës apo i Kosovës.

Në Maqedoni, asnjë parti shqiptare nuk e ka selinë në kryeqytetin e vendit, ekziston një numër i madh partish të krijuara sipas parimit, "një qytet, një parti", partitë e mëdha janë të gatshme për koalicion qeverisës me të majtën dhe të djathtën maqedonase, retorika politike midis udhëheqësve partiakë është shumë e ashpër, shpesh edhe e shoqëruar me konflikte, si dhe partitë shqiptare në Maqedoni janë të vetmet në botën shqiptare, të cilat qeverisin me delegim, pra ku liderët e tyre nuk marrin poste ekzekutive në qeverisje.

Secili lider shqiptar zhvillon fushatë me emrin e tij, me ekipin e tij, me logon, foton dhe spotin e tij elektoral, por asnjëri nuk ka qenë asnjëherë ministër, funksionar i lartë në qeveritë e koalicionit apo as kandidat për president në zgjedhjet direkte presidenciale. Madje, ata nuk kanë konkurruar dhe drejtuar as në bashkitë dhe komunat e fituara nga partitë e tyre.

Do të ishte gabim nëse vlerësohet se ky model është më i keq apo më i mirë sesa modelet e Tiranës dhe të Prishtinës. Çdo parti, çdo faktor politik, në përputhje me kushtet, rrethanat dhe synimet politike, zgjedh vetë modelin më të përshtatshëm.

E rëndësishme është që modeli të funksionojë jo vetëm për arritjen e qëllimeve pragmatiste, siç janë marrja dhe ushtrimi i pushtetit, por edhe qëllimi më i madh, krijimi i institucioneve të qëndrueshme politike e shtetërore, e mekanizmit dhe sidomos imazhit të një politike efektive, të besueshme dhe thellësisht europiane.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00