Home | Opinion | Të gjithë të moralshëm, përveç njërit !!!?

Të gjithë të moralshëm, përveç njërit !!!?

image
"Sex-Politica" po plas sot, por ajo është fenomen dhe lakuriqësitë e së majtës dhe "haremet" shpesh herë të shitura si modernizma, nuk mund të gëzohen dot përpara këtij skandali të së djathtës që në fakt nuk bën gjë tjetër, por e çon problemin në majë, sepse ndjeshmëria është e madhe.

Nga Besi Bekteshi

 


Me sa pak kënaqemi, kur skandali merr përmasa, të cilat nuk mbahen dot si nga pushteti dhe ato që kërkojnë pushtetin, por edhe ato që kanë në një farë mënyre tmerr pushtetin. Veprimi i menjëhershëm i Berishës ndaj ministrit të Kulturës vetëm mbasi ka parë pamje filmike dhe ka dëgjuar edhe batutat është një nga momentet që në qeverisjet tona duhesh bërë disa dhjetëra herë, por me sa duket me “moralin” në këtë vend askush nuk mund të tallet. Pavarësisht se ish Ministri kishte treguar se është një person arrogant dhe i pa përtypshim në mënyrë decizive si titullar i pikërisht “Kulturës” tonë kjo gjë nuk kishte rënë në sy.


Joooo... me moralin në këtë vend nuk mund të “luajë” askush. Kjo është shumë “lehtësuese dhe qetësuese” dhe mbase të gjithë do të mbetemi të kënaqur. Tanimë edhe nga shumë testata të mëdha mediatike botërore, Shqipëria ka dalë me “faqe të bardhë”, sepse një ministër i Berishës që thotë shumë herë “Qeveria Ime” ka shkaktuar një skandal seksual. Pra, një skandal i tillë ka bërë xhiron e botës dhe tashmë ato që në fakt ja përgatitën me anën e një Ministri i cili “ e ka të vështirë të dallojë një gazetare nga një femër problematike” patjetër thonë “qeveria e tij”. Natyrisht që nuk është mirë të “birësohet apo pronësohet” në mënyrë të tillë qeveria e Këshilli i Ministrave, sepse pastaj kur plasin skandalet të duhet të kthehesh pas për të menduar se “nuk janë të gjithë të tuat”. As që bëhet fjalë që si në qeveri, shtet, dhe të gjithë pushtetet nuk janë të gjithë kaq emotivë dhe të uritur-seksi sa të bien në të tilla gracka gati-gati banale, ku nuk do të binte as një drejtor i vogël në shtetin tonë, që sekretaren e ka zgjedhur me këmbë të gjata, rreth 20 vjeçe dhe me gjoks të ngritur. Por është e “bukur” strategjia se si mund të degradohet “qeveria ime” e Sali Berishës. Kur plaste në Gërdec, Berisha nuk shkarkoi asnjë dhe mbas 24 orëve Rama i rreh shpatullat. Nuk është shumë zgjuarsi të kuptosh se kjo rrahje shpatullash do të thotë “vazhdo mik me qeverinë tënde”.


U ngritën furtuna për një ngjarje që shkatërroi dhe vrau, por edhe kishte brenda hije dhe skorie korrupsioni, por nuk ka gjë dhe nuk ndodhi e nuk do të ndodhë ndonjë gjë e madhe, sepse Berisha u mbrojt. Ato që përgatisin të tilla pamje skandali me moral e duan Gërdecin, si “investim” moral në “qeverinë time” të Berishës. Sepse patjetër mendojnë se një diçka e afërt do t’ju ndodhë edhe atyre vetë ose e kanë në plan ta përgatisin më bukur. Nejse...! U ngrit Fazlliç dhe korrupsioni i tij  nga ato që duan “xhiron mediatike të botës”, por Berisha përsëri u mbrojt vetë dhe ato që akuzonin, binin fakte për tu mbrojtur ligjërisht edhe nga një jo profesionist në jurisprudencë. Pastaj “Jali” dhe BB- ja. Por edhe këtu Berisha u mbrojt, sepse kishte ligjin e të pa “lejeve” dhe natyrisht akuzat shkonin deri te qenësia e akuzës në erë dhe me të tretë me faj brenda. Po së bashku është transformuar kushtetuta dhe ligjet dhe këtu “morali” nuk është thyer, sepse nuk ka mundësi që shumica të thyej “moral”.


Tani vjen puna se ku duhet goditur ashpërsisht “qeveria ime” e Berishës, që askush mos të ketë në mëdyshje prishjen e moralit të saj. Normalisht kjo gjë bëhet shumë mirë kur një Ministër i kësaj qeverie bën skandal seksual, sepse vetëm kështu pa bashkëpunim dhe rrahje shpatullash, vendoset drejtësia në vend. Kapadaillëku i qeverisë me të vërtetë që bie shumë së bashku me aksionet e saj në publik prej të tilla momenteve, dhe “kurthi” është më se normal që mund të kryhet kur ka edhe elementë të tillë në qeveri. Kurthi gjithmonë në thonjëza, sepse nuk do shumë mund të gjesh të tillë “dhelpra” që bien kollaj në kurthe.


Patjetër që kjo gjë është përgatitur dhe paralajmëruar mediatikisht edhe për skandale të tjera dhe Berisha e di që mediatikisht ai mund të jetë i fortë, por janë edhe të tjerët që kanë pothuaj aq, në mos më shumë, investime në pikërisht medie si të shkruara dhe të para. Në këtë mënyrë diçka shkrepi që Berisha të shkarkonte një ministër dhe tani Patozi thotë se “nuk përfaqëson moralin e një qeverie, sjellja personale e një ministri”. Tani është vonë për të bërë deklarata të tilla edhe pse është, ose mund të jetë e vërtetë. Një moral të tillë “rekrutimesh” të vajzave të reja e ka i gjithë shteti ynë në çdo anë të vendit e për më tepër në Tiranë. Nuk do shumë kontrolle për këtë gjë. Mjafton të shikosh shumë sekretare dhe ato që shërbejnë në punë që janë afër titullarëve në shumë nivele dhe kupton se “është një moshë e përcaktuar, një staturë fizike mbi mesataren e bukurisë, një përkujdesje që një e tillë e punësuar e shtetit të jetë me kompetenca të forta të shefi” etj., etj. Jo nuk ka filluar me demokratët kjo gjë, dhe jo vetëm në lartësitë e qeverisjes në kupolë. Ka kohë ky “rekrutim” dhe shtrihet në pushtetet lokale, në universitete, në drejtori të vogla, në komuna dhe pasohet edhe nga biznesi që në fakt imiton kot shtetin, sepse nuk ka nevojë. Shkurt muhabeti është “modë” që rekrutimet e vajzave të tilla të bëhen në saj të mendimit seksual i cili pastaj tenton ti “shërbejë shtetit dhe shoqërisë”.

Imagjinoni se çfarë force mund të ketë një femër e tillë e cila “sundon” shefin dhe ka inat bie fjala “një dramë apo film apo edhe koncert”, apo një investim diku. Kjo “sekretare apo specialiste” e ku di unë se çfarë posti mund të mbajë, të bën që të lodhesh kot për të prosperuar me të vërtetën dhe faktin, sepse ka ajo më shumë fakte dhe të vërteta... Mjafton ti shikosh se si vishen dhe drekojnë apo pushojnë me bazë” rrogat e tyre” të punonjëseve të shtetit, dhe kupton se çfarë janë të zonjat të bëjnë. Natyrisht nuk janë të gjitha dhe natyrisht nuk mund të përgjithësohet, por se janë bërë shumë dhe mbijnë kudo me “kriteret e tyre” të larta, kjo tashmë është evidente. Kësaj radhe ja kanë vënë stërkëmbësin Berishës apo ja ka vënë ai vetes nuk ka rëndësi, por e rëndësishme është se po fillon lufta e vërtetë e fushatës elektorale dhe eleganca e goditjeve të tilla me sa duket, ka filluar edhe te ne. Ku është “morali” i një ç’moralizimi të tillë qeverisës? Po ka një moral që tenton të justifikojë përpjekjet e mëdha të një sistemi politik që ndahet në maxhoranca që kanë brenda një opozitë të tyre, dhe që e ajo e ka katapultuar diku lart. Pastaj ka ndërhyrje midis një sistemi “mur qeverisës” që është shpesh herë paradoksal dhe “qorr” për të shikuar ndarjen nga njerëzit dhe afërsinë me korrupsionin. Një pjesë opozite që komandon sisteme mediatike dhe ka ndihmë edhe nga jashtë që nuk është e zonja të dëmtojë qeverisjen me të vërteta korruptive dhe vrastare dhe tenton ato “morale” nga që me të parat, është në afërsi edhe vetë. Në një farë mënyre është goditur moralisht një ish Ministër që e ka merituar të largohet, sepse ka kohë që i vendos “bomba” vetes dhe këtë “trimëri” të fundit në video e meritonte për të treguar edhe problemet e tij “psiko-moraliste” si një “profesor” në këtë drejtim, që duhet të marrë leksione nga “brigadieri” më i fundit injorant i fushës në kohë të Enverit, që këtë punë bënte “mbas mullarit”.


Çfarë nevoje ishte të largohej për skandal seksual, kur nuk duhej vendosur ministër për karakterin e tij arrogant, prepotent dhe psikologjikisht jo të qëndrueshëm!!? Mirëpo sa “të zgjuar” në fushën e seksit prosperojnë dhe jo vetëm në qeverisje, por edhe në drejtime të tjera, dhe kanë po të njëjtën staturë morale si të Pangos?? Kuptohet se si meshkuj nuk vlejnë asgjë dhe ndërtojnë “sex story-t” e tyre me postet që fatkeqësisht kjo shoqëri dhe partitë ju japin. Nga ana tjetër çfarë janë të tilla skllave që prosperojnë në disa prej këtyre “impotentë në moral” që deklarojnë se “janë si ato të fushës” që kujtojnë se seksi, është detyrë shtetërore dhe i lidhur me postin që kanë? Vetëm në këtë drejtim video është me moral, sepse politikisht këtu nuk ka kurrfarë morali as për të ndrequr, sepse na ka përfunduar morali për shumë gjëra akoma më të rëndësishme se sa kjo.


Dhe nuk na e ka ndjerë fare!! Kur them “ne” kam parasysh gjerësinë politike të posteve dhe ngrehinës së madhe të pushteteve. Jashtëzakonisht mirë që distancohen një pjesë e politikanëve dhe përfaqësuesve të popullit nga një njeri pervers që nuk ka drejtpeshim as mashkullor për të kuptuar se “seksi” është një realitet tjetër nga puna në zyrat e shtetit edhe pse “gazetarja” i ka shkuar në shtëpinë e tij të madhe. Të tillë njerëz duhet të largohen nga zyrat dhe karriget jo vetëm qeverisë, por të ndiqen edhe në çdo zyrë tjetër, duke ngritur një sistem si në botën e qytetëruar, ku një sekretare dërgon në burg një drejtor për ngacmim seksual. Madje aty ka filluar situata e frikës se po ta shohin disi më ëmbël sekretaren, të akuzon “se me ngacmove seksualisht”. Sepse është çështje “seksi” dhe jo dashurie, e cila pastaj ka një interpretim tjetër dhe moral tjetër.


Kuptohet se një gjë e tillë fyen rëndë edhe ato gra dhe burra të shumtë që me shtetin dhe karrigen e tij e kanë seriozisht dhe janë në ushtrinë e të moralshmëve dhe kjo ushtri fillon që nga veshja, e cila duhet të jetë me domosdo një uniformë e ndarë nga Pub-i dhe mbrëmja apo diskoteka. Po ne po lejojmë shkollat të jenë të tilla dhe zyrat po ashtu, dhe pastaj dalin të tillë pangistë që premtojnë punë me rroba banje. Me këtë goditje që kanë dhënë nuk kanë dërmuar vetëm Pangon dhe qeverinë e Berishës, por të gjithë shoqërinë që lëngon nga pa morali kryesisht politik, dhe financiar e që bisht i të dyjave patjetër, është skandali seksual. Në këtë pikë me të vërtetë ju duket vetja të “gjithëve të moralshëm përveç njërit”!!? Kësaj radhe Berisha ka treguar se është jashtë shprehjes “qeveria ime”, por është krejtësisht brenda drejtimit të qeverisë me moral politik dhe shoqëror.


Kushedi zgjat kjo gjë, sepse përditë afrohet “28 Qershori” dhe ka me sa duket akoma vende për të qenë pikërisht në drejtim të tillë moral. “Sex-Politica” po plas sot, por ajo është fenomen dhe lakuriqësitë e së majtës dhe “haremet” shpesh herë të shitura si modernizma, nuk mund të gëzohen dot përpara këtij skandali të së djathtës që në fakt nuk bën gjë tjetër, por e çon problemin në majë, sepse ndjeshmëria është e madhe. Jo nuk mund të gëzohet askush, sepse është një turp për të gjithë.


 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00