Home | Opinion | Liberalizmi dhe kriza globale botërore

Liberalizmi dhe kriza globale botërore

image
Liberalizmi, në esencën e tij, paraqet ideologjinë, sipas së cilës, shteti duhet të ketë vetëm një qëllim, mbrojtjen e të drejtave themelore të njerëzve.

Nga Qani Aliu

 

Në një takim të ekonomistëve dhe bankierëve në Nju Jork, biznesmeni i njohur amerikan me prejardhje çifuto-angleze, Xhorxh Soros, në lidhje me krizën globale botërore deklaroi “ky është fundi i kapitalizmit liberal”. Ai këtë deklaratë e mbështeti në situatën aktuale në të cilën gjendet ekonomia botërore, që nga tetori i vitit të kaluar dhe atë pas ngjarjeve në Uolstrit.

Liberalizmi, në esencën e tij, paraqet ideologjinë, sipas së cilës, shteti duhet të ketë vetëm një qëllim, mbrojtjen e të drejtave themelore të njerëzve. Fillimet e liberalizmit janë që nga periudha e iluminizmit që kishte për qëllim t’i kundërvihet sistemit feudal dhe në të vend të rëndësishëm kanë iluministët francez: Ruso, Volter, Didro dhe Monteskie. Liberalizmi, si ideologji, formën e plotë në kundërshtimin e absolutizmit e merr në Britaninë e Madhe, ku përfaqësuesit e kësaj ideologjie pohojnë se individi i lirë paraqet bazën e stabilitetit politik të një shteti. Këtë koncept e zhvilloi mendimtari i njohur anglez Xhon Loku. Në pjesën e dytë të shekullit XIX, paraqiten dy drejtime që kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin e mëvonshëm të liberalizmit.
Përfaqësuesi më i rëndësishëm i drejtimit të parë është Adam Smith, i cili shfaq mendimin e tij: “më të fuqishëm do të jenë ata kombe ku individëve u jepet mundësi të realizojnë iniciativën personale”. Ai ka qenë ithtar i zhvillimit të ekonomisë në parimin “laisser faire” dhe përzierjes minimale të shtetit në funksionimin e tregut të lirë.
Përfaqësuesi i drejtimit të dytë është Zhan Zhak Ruso, i njohur me idenë e tij si njeriu në esencë që nga lindja është i lirë, me çka në themel i tronditi monarkitë e atëhershme absolute.

Karakteristikat themelore të liberalizmit:

Pushteti kushtetues
Demokracia përfaqësuese
Shteti juridik
Mbrojtja e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe
Tregu i lirë

Pas Luftës së Dytë Botërore, kapitalizmi liberal ishte tejet i suksesshëm në zhvillimin ekonomik të vendeve perëndimore. Mirëpo, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, tek këto vende shuhet frika nga ndonjë sistem alternativ ekonomik dhe politik, siç ishte ai socialist.
Gjatë rivalitetit me ekonominë socialiste, kapitalizmi blinte qetësinë sociale gradualisht duke ngritur standardin shoqëror të shtresave të ulëta. Mirëpo, pas rënies së socializmit, mori fund nevoja për të bërë lëshime para kërkesave sociale të klasës punëtore. Kështu që pushuan ta shpërblejnë punën e punëtorëve dhe ngritjen e pagave duke vazhduar me praktikën kapitaliste të kompensimit dhe stimulimit të kapitalit me anë të aksioneve dhe dividendës. Pronarët e mjeteve të prodhimit vazhdojnë në këtë mënyrë të grumbullojnë pasuri me mjetet e tyre (tokën, materialet, makinat, kapitalin) dhe duke shfrytëzuar punën e të punësuarve.

Për fat të keq kapitalizmi i cili në demokracinë perëndimore paraqet mënyrën themelore të prodhimit merr kahje ultraliberale, që në praktikë do të thotë se të punësuarit fitojnë gjithnjë e më pak, ndërsa aksionarët gjithnjë e më shumë. Kjo padrejtësi e krijuar ka qenë bazë për zhvillimin e ciklit negativ në kapitalizmin liberal në këtë situatë shtresat e ulëta kanë gjithnjë e më pak mjete për ekzistencë kurse shtresat e larta grumbullojnë kapital dhe kanë likuiditet të lartë.

E vetmja mënyrë për të dal nga kjo situatë, është që shtresat e ulëta të huazojnë sa më tepër kredi nga bankat. Asnjëherë më parë nuk ka pasur intensitet më të lartë në huazimin e mjeteve tek bankat duke krijuar një iluzion të ekzistimit të parajsës së konsumit. Kredimarrësit kryesisht rrjedhin nga shtresat e ulëta përkatësisht nga klasa punëtore. Kapitalizmi natyrisht ç’do herë synon profitin, ndërsa ultraliberalizmi përkundrazi synon hiper-profitin. Kjo më së miri mund të ilustrohet me raportin në mes të punës dhe kapitalit në shpërndarjen e mbivlerës gjatë fazave të ndryshme të zhvillimit kapitalist. Një periudhë të gjatë ky raport ka qenë 70% në favor të të punësuarve, ndërsa 30 për qind në atë të punëdhënësve.

Në vitet e 80-ta situata dalëngadalë ndryshon në të mirë të kapitalit, ndërsa në vitet e 90-ta ky dallim edhe më shumë thellohet në interes po ashtu të kapitalit p.sh.: në SHBA në vitin 2000, profiti i kompanive është rritur në mbi 40 për qind, kurse mëditjet e punëtorëve vetëm 4,5%. Dilema që shtrohej në këtë rast ishte se ky dallim në mes të aksionarëve dhe të punësuarve në ndarjen e profitit a mundet vazhdimisht të rritet dhe më tej. Logjikisht ky dallim në masë të madhe është dashur ta ngadalësojë zhvillimin ekonomik, mirëpo në fakt ndodhi e kundërta zhvillimi ekonomik ngrihet edhe më tej dhe gjithë kjo shpjegohet me marrjen e kredive nga ana e të të punësuarve, të cilët mjete më vonë nga bankat shfrytëzoheshin si kapital për të plasuar në prodhim. Kjo shihet edhe nga rritja e marrjes së kredive të familjeve në SHBA ku atje i shmangen recesionit ekonomik. Njëjta gjë ndodh edhe me vendet tjera ku është ushtruar presion i madh te bankat që të lejojnë kredi të freskëta të të punësuarve të cilëve pagat mujore reale gjithnjë janë në stagnim.

Në sistemin ultra-liberal parimi i kapitalit është ky: të zvogëlohen pagat e punëtorëve në mënyrë permanente dhe duke ju dhënë kredi sa më shumë dhe sa më të shtrenjtë. Sigurisht se mbështetja e konsumit nëpërmjet dhënies së kredive mund të sjell deri te shembja e gjithë sistemit financiar dhe shenjat e para janë në përfshirjen e bankave hipotekare në SHBA.

Kriza e tanishme me vete sjell dhe këto probleme të rëndësishme

1. Në kushte e globalizimit botëror kompanitë e mëdha multinacionale bëjnë transferin e kapitalit në Azinë Lindore ku fuqia punëtore në krahasim nga vendet prej nga rrjedh kapitali është për 40% më e lirë dhe kështu krijojnë profit enorm. Si rrjedhojë e kësaj në vendet e zhvilluara është rritur shkalla e papunësisë.
2. Problemi i dytë është kriza monetare që nga viti 1971 me vendimin e presidentit amerikan Nikson dollarit i hiqet baza e arit. Për ti financuar luftërat e veta SHBA-të kishin shtypur një masë të bankënotave e njëjta gjë ishte bë edhe me bonat e thesarit që për para të gatshme SHBA-të i kanë shitur në tërë botën për ta mbuluar deficitin e madh dhe borxhet. Kështu në vitin 2008 deficiti buxhetor në SHBA kishte arritur në 13000 miljardë dollar ose aq sa është bruto prodhimi shoqëror p0ër një vit në këtë vend.

Shkaqet esenciale të krizës ekonomike botërore janë:

Mungesa e rregullativës, karakteristikë e ideologjisë neoliberaliste 
Zvogëlimi i aftësisë blerëse të qytetarit si rezultat i ofrimit të kredive pa mbulesë 
Shanset për profit më të madh nga rreziku më i madh
Globalizmi dhe transferi i kapitalit nga perëndimi në lindje

Sipas mendimit të shumë teoriticientëve funksionimi i kapitalizmit në formën e tanishme është i pamundur pas kësaj krize dhe sistemi i cili do të mbijetojë këtë krizë në të ardhmen do të jetë ndonjë formë e kapitalizmit shtetëror. Kjo argumentohet me intervenimin e presidentit Bush në nacionalizimin e disa bankave si dhe ndarja e 800 miliardëve dollarë për tejkalimin e krizës nga presidenti Obama. Me deklaratën e cituar të Xhorxh Sorosit për mbarimin e kapitalizmit liberal nuk pajtohen shumë ekonomist eminentë bashkëkohorë, kurse ata mbështeten në fuqinë e ripërtëritjes të kapitalizmit i cili që nga viti 1929, ka numëruar mbi 13 kriza të cilat janë tejkaluar me sukses.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
4.00