Media e së ardhmes
Me vetëm 20 mijë ekzemplarë që botohen çdo ditë, të gjitha gazetat ditore të Kosovës nuk mund të lavdërohen fare me përhapjen e lajmit.
Artan Haraqija - Gazetar
Kosova ka pasur një zhvillim të madh të medias gjatë dekadës së fundit. Sidoqoftë në media, ata që kanë pasur një zhvillim marramendës janë gazetarët, idividualisht.
Gazetarët kosovarë kishin një detyrë me plot rreziqe që të shkatërronin listën e gjatë me pyetje që nuk guxohej të bëheshin. Njëherë ishte kohë e rrezikshme për Kosovën që të prekeshin disa tema, disa ishin “patriotë” që kanë luftuar ndërsa tash “kanë” të drejtë të vjedhin paratë e popullit. Miqtë ndërkombëtarë në anën tjetër gjithmonë e vajtonin dhe vazhdojnë ta vajtojnë të mallkuarin “stabilitet politik”. Kjo kohë, ndonëse ende jo tërësisht e tejkaluar, ajo po shkon drejt zhdukjes. Sot, çdo herë e më shumë një gazetari kosovar po i nevojitet vetëm një kompjuter dhe lidhja me internetin, asgjë tjetër. Nëse patjetër duhet pasur parasysh zhvillimin teknik të medias, kjo e fundit gazetarinë kosovare do ta ndihmojë duke i ofruar mundësinë që të shpëtojë nga politikat redaktuese të ndikuara nga njerëzit e politikës apo nga donacionet e miqve ndërkombëtarë.
Edhe pse ende jo shumë e vërejtshme, ajo që tashmë ngadalë e sigurt po pushton tregun medial janë agjencitë e lajmeve në internet, “website”-et i dhe rrjetet sociale. Zëvendësimi po ndodhë edhe me televizionin, mediumin më të fuqishëm deri më sot në Kosovë, me gjithë freskinë që mund të kenë sjellë në këtë treg lajmet e Klan Kosovës.
Vendi ynë ku mosha mesatare e popullatës vlerësohet të jetë diku mes 25 e 27 vjeç nuk e ka aspak problem përdorimin e kompjuterit apo internetit. Shtoja kësaj edhe qasjen e lirë dhe të ngadoshme në internet, agjencitë e internetit bëhen pothuajse perfekte për informim me aktualitet dhe më shumë. Përpos kësaj, nëse e llogarisim edhe dinamikën jashtëzakonisht të shpejtë të jetës, sot, kosovarët nuk duan të detyrohen të dëgjojnë për intervista “ekskluzive” të shefave të shtetit çdo mbrëmje në lajme qendrore. Është bërë thjeshtë e padurueshme ku çdo herë e më shumë në “intervistat” e tilla flitet thuajse Kosova është vendi më i përparuar dhe ku gënjeshtra është bërë si buka e përditshme.
Përpos kësaj, askush nuk ka dëshirë të detyrohet të pres një javë emisionin apo edhe botimin e gazetës ku ndonëse lejohet zbardhja e gënjeshtrave të përditshme të vendorëve, ato të ndërkombëtarëve, ekziston vullneti, të shihen me sy më pozitiv. Kosovarët, çdo herë e më shumë kanë dëshirë që atëherë kur duan apo kanë mundësi ata vet, të informohen, jo atëherë kur e imponon një orar i caktuar.
KosovaLive - Telegrafi - gazetat online... - Indeksonline...
Ajo që dikur përfshinte vetëm KosovaLive-in dhe disa të tjera, pak më vonë ju shtua edhe agjencia që zuri vend bindshëm në agjendën ditore të kosovarëve, telegrafi.com. Nuk ka person, të çfarëdo moshe apo gjinie që nuk mund të gjejë diçka interesante për vete në këtë agjenci informative, ndërsa koha me të cilën ofrohet informacioni s’ka ku shkon më e shpejtë. Garë Telegrafit në shpërndarjen e informacionit nuk i bëjnë fare gazetat ditore apo kushdo nga mediat e njohura në Kosovë. Me vetëm 20 mijë ekzemplarë që botohen çdo ditë, të gjitha gazetat ditore të Kosovës nuk mund të lavdërohen fare me përhapjen e lajmit.
Mbaj mend një bisedë të shkurtër shumë kohë më parë me Berat Buzhalën, drejtorin e gazetës Express, i cili pranon që gazeta botohet në shumë pak kopje, por gjatë ditës gazetaexpress.com klikohet nga qindra mijëra njerëz. Ndërsa në mbrëmje po aq klikime e shkarkojnë gazetën ditore që ofrohet falas në internet, në formën origjinale se si edhe botohet. Sot,kjo gazetë, në bazë të sajtit të saj në internet citohet jo vetëm nga gazetat por në përgjithësi mediat vendore e shumë ndërkombëtare. Të njëjtin shembull e kanë ndjekur edhe dy të tjera, Koha Ditore dhe Zëri. Koha.net sidomos gjatë kohës kur gazetari Arben Ahmeti bëri bujë të madhe me shkrimin për ministrin që hetohet për korrupsion, e bëri gati të panevojshëm botimin e gazetës në letër. Ndërsa Zëri në anën tjetër ofroi edhe një risi tjetër, blogun. Duke përdorur një gjuhë që mund ta kuptojnë jo vetëm Akademia e Shkencave dhe disa profesorë të gjuhës shqipe, gazetarët e Zërit ofrojnë detaje dhe opinione të punës së tyre për temat që karakterizojnë jetën tonë të përditshme. Pjesëmarrja e kosovarëve me komente është e jashtëzakonshme.
Tash vonë për të verifikuar atë që e thashë krejt në fillim, zhvillimin marramendës individual të gazetarëve është agjencia më e re, Indeksonline.com. Fidan Rama, gazetar i Radio Dukagjinit dhe Besnik Ramadanaj, gazetar dhe zëdhënës i “KDI” me ndihmën edhe te disa gazetarëve tjerë më të mirë të vendit me një iniciativë tërësisht në baza vullnetare nisën agjencinë më të re të lajmeve në Kosovë. Ky veprim tregon pjekuri dhe arritje jashtëzakonshme profesionale që iu mundëson të lartpërmendurve ecjen edhe vetëm, nëse herëdo kur shefat ose “miqtë” ndërkombëtarë ju sjellin në majë të hundës.
Unë, ju dhe “Facebook”
Ajo që deri më sot vlerësoj se ka dhënë kontributin më të madh të shpërndarjes së informacionit pa pasur pengesa nga politika apo profiteret e pashpirt të donatorëve ndërkombëtar është rrjeti social, Facebook. Pa kurrfarë dyshimi mund të them se debatet e shumta që kam bërë më qindra njerëz në Facebook kanë pasur përfshirje disa herë më të madhe se çdo kronikë që kam përgatitur në televizion. Facebook e ofron edhe një mundësi më shumë se net-agjencitë në Kosovë, vendosjen e videove të ndryshme në të. Bile lirisht mund të them se edhe vendosja e kronikave apo intervistave në këtë rrjet social kanë nxitur reagim shumë më të madh se sa transmetimi në televizion ku punoja me kontratë. Aty duhet të keni kujdes vetëm nga “voajerist” që regjistrohen pa fotografi apo ata që regjistrohen me fotografi/harta dhe ofendojnë të tjerët pse e duan flamurin e Kosovës.
Mediat botërore tashmë e kanë pranuar edhe publikisht që rrjetet sociale po zëvendësojnë mediat klasike, bile në raste edhe vet ekipet e tyre. CNN, tash vonë ka nisur të përdorë edhe njerëzit e rëndomtë për informacion përmes formatit “i-report”. Duke shfrytëzuar këtë format CNN arrin që të marr pamje edhe informacione vetëm pak minuta pas katastrofave natyrore apo tragjedive siç ishte rasti me tërmetin në Haiti. Dhe e dini çka, ajo që i bënë rrjetet sociale si FB apo Twitter edhe më të jashtëzakonshëm është qasja shumë e lehtë në to. E vetmja gjë që kërkohet është një kompjuter apo vizita në një nga dhjetëra internet kafetë e lagjes ku banon dhe lajmi del. Pa pengesa të servilëve të Thaçit, miqtë ndërkombëtarë, etj, etj, etj...
Comments (0 posted)
Post your comment