Mbresat nga vizita e bërë mëmëdheut
Plazhi i bukur i Durrësit me përplot turistë që ngjanin në bleta, i bënte ballë numerozitetit të turistëve, si dhe nxehtësisë së madhe.
Ardian Ramadani
Është komb interesant kombi shqiptar. Përpos që është shoqëruar për shekuj me radhë me fatkeqësi të ndryshme, i ndarë padrejtësisht në më shumë shtete, i dënuar t`i jetojë, por edhe t`i kundërshtojë padrejtësitë, e Berlinit, Londrës, Versajës dhe Jaltës, ky komb ka arritur që t`i bëjë ballë sfidave të ndryshme të imponuara nga gjeopolitika dhe nga rrethanat e ndryshme. Ky komb ka nxjerr nga gjiri i vet bij e bija të shkëlqyer-a që kanë qenë dhe janë udhërrëfyes dhe shëmbëlltyrë edhe për kombet tjera përreth, por edhe më gjerë. Kësisoj Pirro i ynë, Leka i Madh, Skënderbeu, e shumë e shumë të tjerë për të përfunduar tek Nënë Tereza në ditët e sotshme, lëre që tentohen të përvetësohen, por shikohen me admirim dhe glorifikohen edhe nga kombe të tjera, që mëtojnë të ndërtojnë historinë e tyre duke u vetërrënuar.
Për të mos dalë nga tema, ditë e bukur me diell, ditë e nxehtë e korrikut, vendosa t`i bëjë vizitë mëmëdheut, Shqipërisë londineze. Pasi kaluam pa problem kufijtë që në të dy anët banohen me shqiptarë, hymë në territorin e shtetit amë, që frymonte kudo shqip dhe që ndërtohej çdo ditë e më shumë me(pa) leje. Kësisoj më bëhej zemra mal që më në fund edhe Shqipëria ndërtohej dhe ndryshonte, ndërkaq kujtimet e hidhura që më ndjekin mbrapa, me ato imazhet e mjera të viteve 1992-93 atëherë kur për herë të parë vizitova mëmëdheun e gjorë, kishin filluar të harroheshin. Në momentin kur hyra në tokën e shenjtë shqiptare e përjetova edhe udhëtimin tim nëpër kohë, atëherë kur në vitin jo shumë ta largët 1992, vizituam Shqipërinë me familje. Të uritur për të parë Shqipërinë, ngase e kishim të ndaluar më përpara ta kujtonim, e lëre më të vizitonim, më kujtohen imazhet e këqija të asaj kohe, kur u futëm në tokën shqiptare në vendkalimin e Qafë Thanës dhe ku doganieri shqiptar u desh që të pasurohej me ca marka, ngase nuk kishte i gjori, posa kishin dalë nga kolapsi ekonomik komunist, e duhej të mbijetonte disi.
Unë si fëmijë çapkën që isha, duke e menduar Shqipërinë time të kujtimeve të mia fëmijërore, sikurse seriali i Beverlli Hillsit, u pata shokuar me imazhet e varfra në hyrje në tokën shqiptare. Varfëri, ngjyrë e verdhë që simbolizonte në vdekje, shtëpi të varfra, pa kulme, njerëz të zinj prej varfërisë, Poema e Mjerimit më doli para syve të mi, policë me flokë të gjata me pantallona ta pa hekurosura, rrugë të ngushta vetëm për biçikleta edhe atë vetëm për një kah, e lëre më për furgonin Ford që e kishim ne, bunkerë në të gjitha anët që kishin hapur gojët të gatshëm të gëlltitnin fate njerëzish, të ndërtuara në kohën e Enver Hoxhës, në kohën kur Shqipëria ishte e armiqësuar me të gjithë, lypës nga të gjitha anët, mezi arritëm për shumë orë në qytetin turistik të Durrësit. Përpos hotel “Adriatikut” tjetër gjë të ndërtuar si duhet nuk mund të shihja. I hidhëruar tejmase me realitetin e hidhur, e pyetja babin tim se vallë kjo na ishte Shqipëria, e ai i gjori më përgjigjej vazhdimisht se Shqipëria kjo nuk ishte, edhe pak edhe pak dhe do të arrinim në Shqipërinë e vërtetë. Tentonte të më jepte kurajë mua, por edhe vetes prindi im, i cili u shokua edhe vet personalisht me pamjet trishtuese.
Ngasjet e makinave me shpejtësi të madhe, nuk `na pengonin edhe aq. Shqipëria posa kishte filluar të merrte frymë më lirshëm, por ishte në tranzicionin e thellë, në fazën kur ky tranzicion gëlltite fate njerëzish. Të vendosur në një banesë ku shëtitshin lirshëm zvarranikë të ndryshëm, të cilët flinin me ne, mezi u pajtuam me një realitet të tillë. Ditëve të plazhit, ku nuk kishte shumë turistë, nuk shihje asgjë, përpos bërllokut pa kontejnerë, erë që kundërmonte dhe në vriste veshin muzika turbo folk serbe e Cecës apo e Lepa Brenës. Prindi im dhe ca kosovarë të irrituar desh donin të bëheshin copa me ca qytetarë shqiptarë të Durrësit, që dëgjonin këtë muzikë pa mos çarë kokën fare, për sharjet dhe ofendimet e bërë nga prindi dhe kosovarët. Ata arsyetoheshin që politika nuk ka lidhje me muzikën. Ndërsa, Kosova gjakosej dhe mezi merrte frymë nga thundra serbe e regjimit serb të Milosevicit. Ne në Maqedoni, ishim po ashtu të eksponuar përballë një politike represive të qeverisë maqedonase, ku gati se çdo vit inskenoheshin veprime antishqiptare nga qarqet sllavomaqedonase, me urdhrat serbe dhe vriteshin si asgjë shqiptarët, e këta vëllezërit tanë dëgjonin muzikë serbisht. Na thoshin që jemi të marrë, që politika nuk kishte asgjë me këngën, që flamuri ishte vetëm një leckë, ndërsa për këtë flamur vriteshim e persekutoheshim ne jashtë atdheut secilën ditë të gdhirë.
Po, ç`të bësh, nuk mundeshim asgjë të bënim më shumë. Të eksponuar përballë këtyre realiteteve të hidhura, na e rregullonte paksa qejfin e prishur gjuha e folur aq bukur, saqë ia kishim zili edhe shitëses së fiqve, e cila na “detyronte” me qejf të blinim fiq për shkak të komunikimit të rrjedhshëm të shqipes së bukur. Prindi im, në ndërkohë ende debatonte me njerëz të ndryshëm për Enver Hoxhën, sistemi i të cilit posa ishte bërë pjesë e historisë. Unë arsyetoj qëndrimet e babait tim dhe shokëve kosovarë, që mbronin fanatikisht Enverin edhe në ato momente, si edhe më herët, ngase për ne që gjendeshim jashtë atdheut amë, Shqipërisë, Enveri dhe Shqipëria ishte kibla kombëtare, dhe shpresa për të mos u asimiluar në kombin jugosllav të Titos. Edhe, nuk pushonin së ndaluari refrenet, “Më mirë komunist i Enverit, se i Titos”. Për të mos hyrë më thellë se a kishim të drejtë a jo, unë mendoj se kjo na ka mbajtur neve shqiptarëve jashtë trungut amë në kohezion, debatet sa vinin e shtoheshin. Kishte njerëz që lavdëronin Enverin, disa e shanin, të tjerët as që donin ta përmendnin.
Këto imazhe që mu kthyen për ca momente në memorien time, nuk më penguan që për dallim prej atëherë kur udhëtimi zgjaste me orë të tëra, të arrijë në qytetin e bukur të Durrësit për shumë pak kohë, vetëm për 5 orë, ngase tani mëmëdheu ndërtohej në të gjitha anët, e posaçërisht rrugët, që ia kalonin edhe Maqedonisë sonë bile. Është për tu admiruar kjo, me të vërtetë të bëhej zemra mal kur shihje Shqipërinë që po ndryshonte secilin vit më shumë. Ndërtimet e ndryshme me ose pa leje, kishin zëvendësuar pamjet e trishtueshme të vitit 92, që mu patën ngulitur thellë në mendjen tim. Ato pamje i kalonin së kaluarës. Tani, hoteli orientues Adriatik, ishte hoteli më i vogël, në krahasim me të tjerët rreth tij. Më bëhej zemra mal ku në të gjitha anët shihja restorante dhe kafene shqiptare, si “Prizreni, Tetova, Gostivari, Kumanova, Prishtina......” e që më bënin të përjetoja me vete Shqipërinë Natyrale dhe ta sodisja pa u ndalur. Në të katër anët muzikë shqipe, në vend të Cecës së dikurshme.
Plazhi i bukur i Durrësit me përplot turistë që ngjanin në bleta, i bënte ballë numerozitetit të turistëve, si dhe nxehtësisë së madhe. Tani, unë (A.R.) 26 vjeçar, nuk isha ai fëmiu mistrec, siç më quanin atëherë ca miq të babi tim, po isha rritur dhe kyçesha lehtë në diskutime me turistët shqiptarë nga të gjitha Shqipëritë e tjera. Për këtë gëzohesha tej mase. Po ajo që më shqetësonte dhe më hidhëronte më shumë ishte ndarja e madhe dhe divergjencat ndërshqiptare. Thjesht kishte të tillë, që shprehnin mllefin ndaj kryeministrit Sali Berisha (përkrahës dhe simpatizues të socialistëve) për gjoja vjedhjen e votave dhe mos hapjen e kufijve, për politikat e gabuara dhe për koketimin e tepruar me kosovarët. Në anën tjetër dilte tjetri, përkrahës i demokratëve që i thoshte këtyre që i kishte oponentë, se ju doni ta rrënoni Shqipërinë, nuk doni bashkim me Kosovën, po doni marrëdhënie shumë më shumë me grekun dhe serbin, apo italianin. E unë, dëgjoja këto debate që më vrisnin veshin dhe që më shqetësonin tej mase. Në anën tjetër fërkimet mes shqiptarëve të Kosovës nuk ndaleshin asnjë moment, ku kishte të tillë që i dëgjoja duke glorifikuar figurën e Hashim Thaçit, Azem Sylës, Xhavit Halitit, Ramush Haradinajt etj, si dhe të tjerë që glorifikonin figurën e Ibrahim Rugovës, Ahmet Krasniqit, Tahir Zemës..... duke më lodhur edhe më shumë.
Po, kur vinte puna për Maqedoni, kishte po ashtu edhe në mesin e tyre nga Maqedonia që kapeshin shumë keq për atë se cila parti qeveriste më mirë, disa mbronin PDSH-në, disa BDI-në. Ndërsa vëllezërit tanë nga Shqipëria dhe Kosova, na këshillonin që të ruajmë gjakftohtësinë e të ruhemi për sllavomaqedonasit. Këtu kishin të drejtë, po unë u thosha vazhdimisht që ne merrnim yrnek (shembull) nga ju të Shqipërisë dhe Kosovës, e ata ma kthenin: “Ore, ne kemi shtet e ju nuk keni”. Pjesërisht ishte ashtu, po pjesërisht jo, ngase edhe ne shqiptarët nga Maqedonia, që llogariteshim si të tjerë nga ata të Shqipërisë dhe Kosovës, ndiheshim të braktisur së pari nga partitë tona politike, e pastaj edhe nga mëmëdheu Shqipëri dhe atdheu Kosovë. Nuk arrinim ta kuptonim se ishim të njëjtë, shqiptarë të Shqipërisë Natyrale, Etnike, të Madhe..., por të ndarë padrejtësisht.
Debatet vazhdonin çdo ditë, ku disa lavdëronin Enver Hoxhën, disa shanin atë si bashkëpunëtorë të serbëve dhe rusëve, disa e glorifikonin duke thënë se shpëtoi Shqipërinë, siguroi kufijtë qind për qind, arsimoi gjeneratat, hapi shkolla, ndihmoi në edukim dhe arsimi..., e disa e akuzonin për mbyllje të Shqipërisë, tradhti të interesave kombëtare, luftë të klasave.... Disa lavdëronin mbretin Ahmet Zogu për diplomacinë siç e quanin ata të shkëlqyer, për interaksionet dhe marrëveshjet me fuqitë perëndimore që na ndihmuan tani në Kosovë, e disa e shanin duke nxjerrë në pah marrëdhëniet e tija shumë të mira me Jugosllavinë, shitjen e Shën Naumit, vrasjen a patriotëve shqiptarë: Bajram Curri, Avni Rrustemi, Luigj Gurakuqi..., po këta të tjerët arsyetoheshin që kjo ishte luftë për pushtet. Ec, e bjeru në fije. Në anën tjetër disa thoshin që Skënderbeu ishte mit dhe duhej të ç’mitizohej, ngase sikur të lidhej me Turqinë në atë kohë shqiptarë do ët kishte sot më shumë, se gjoja ai ishte figurë krishtere e jo kombëtare, se gjoja mbante aleance me serbët ku motra e tij ishte e martuar me serbomalazezë... e çka e çka tjetër, që gjoja kishte lindur në Mat, e jo në Dibër siç mëtohej nga Kristo Frashëri dhe suitat e Nexhmije Hoxhës, e të tjerë që thoshin që ka lindur në Krujë dhe që e mbronin si figurë kombëtare që ishte.
Habia më e madhe më ndodhi, kur dëgjoja gojë të liga që shanin Nënë Terezën, e disa që e mbronin, po momenti kulmor më ngjau kur dëgjova nga një gojë shqiptari se Esat Pashë Toptani na ishte patriot, ngase ai e paska shpëtuar Shkodrën duke vrarë 5000 malazezë dhe duke mbrojtur qytetin, ndërsa Hasan Prishtina, që nuk paska arritur ta mbajë të çliruar Shkupin, na qenka tradhtar. Ai vazhdonte të më sqarojë që Avni Rrustemi e paska vrarë Esat Toptanin me urdhër të Shërbimit të huaj francez, duke mos u dënuar për këtë asnjëherë, ngase Esati nuk qenka pajtuar me vendimet e Versajës. Ec, e mos u çmend. E në anën tjetër argumentet si breshër kundër këtij njeriu, për figurë e Esat Toptanit, si njeri tradhtar që mori dënimin e merituar nga patrioti shqiptar Avni Rrustemi. Koka më dhembte. Çdo ditë e njëjta gjë, të njëjtat debate. E thash vet me vete, “ flasim shqip e nuk merremi vesh dot. A shqiptarë jemi të gjithë, ka sa ditë që debatojmë, e jemi aq larg njëri- tjetrit me qëndrime saqë nuk mund të na bashkojë dhe të na puq asnjë fuqi mbinatyrore”. Hidhërimi im dhe i mikut tim nga Shkupi kulmonte kur vëllezërit tanë nga Shqipëria na quanin “maqedonca”, duke na identifikuar me shtetin-komb Maqedoni, duke mos e kuptuar se edhe ne ishim shqiptarë hiç më pak se ata, ndërsa këta të tjerët nga Kosova mburreshin që flitnin “kosovarisht”, si dhe që kishin krijuar shtetin-komb kosovar të Migjenit, Halilit dhe Nexhmedinit. Eu, bre ec e mos dil mendsh.
Debatonim e debatonim. Në momentin kur afroheshim njëri me tjetrin, largoheshim sikurse uji dhe vaji. Dhe, duke ardhur fundi i pushimeve, arrija në konkluzionin me të cilin fatmirësisht u pajtuan të gjithë vëllezërit e mi shqiptarë nga të gjitha Shqipëritë, që përderisa ende jemi aq larg me qëndrime, bindje dhe ide, me veprime, të flasë zëri i arsyes, zëri unik koheziv, zëri argumentativ dhe zëri i së vërtetës, atëherë kur të kuptohet se jemi një, me gjithë dallimet e imponuara, edhe pse unë dhe shqiptari nga Kosova dinim përmendësh edhe fshatrat e Shqipërisë, e ky vëllai ynë nga Shqipëria nuk dinte ku është Kumanova, e ai tjetri mendonte se është afër Graçanicës, e kështu me radhë, pra me gjithë këto dallime minore dhe madhore, duhet të kemi parasysh se jemi shqiptarë, si dhe se ideali ynë është Shqipëria Një, apo United States of Albania, duke përfshirë Maqedoninë shqiptare, Kosovën Lindore, Plavën, Ulqinin, Tivarin dhe Tuzin, Çamërinë, Kosovën dhe Shqipërinë londineze.
Comments (0 posted)
Post your comment