Home | Opinion | E ardhmja e dyshimtë e shqiptarëve

E ardhmja e dyshimtë e shqiptarëve

image
E treta e ashtu quajtura Federata Ballkanike, do të përfshinte Juglindjen e Evropës - kryesisht të banuar me popuj sllave.


Nga Doc. Gani Asllani

Ditëve të fundit në mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato që merren me çështjet ballkanike, si dhe në disa media të rajonit po ashtu, janë shfaqur disa parashikime interesante të shërbimeve ti inteligjencës nga stacione të ndryshme ndërkombëtare. Dy prej tyre kanë tërhequr më së shumti vëmendjen. I pari që rrodhi nga Moska dhe që parashikon shkatërrimin deri në thermim të SHBA-ve si pasojë e krizës ekonomike, dhe i dyti që ka dalë nga CIA e ku parashikohet që pas vetëm 11 vjetësh Evropa do të hyjë në një rend të ri politik, me ndarje në sferat e interesit ekonomik, por nisur nga bazat fetare.

Për çështjen e parë, thuhet se SHBA-të do të shpërbëhen aq keq saqë disa rajone edhe brenda vetë shteteve të tanishme politike do të kërkojnë shkëputje, ndërsa Teksasi, Kalifornia dhe Gjeorgjia (ajo në SHBA e jo ajo në Kaukaz) do të mbeteshin disi fuqi rajonale. Dominim pastaj në kontinentin Amerikan nuk do të kishte sepse vendet e Amerikës Latine merren kryesisht si demokraci të brishta dhe jostabile, kurse Kanadaja fqiu verior i SHBA-ve nuk do të mund të merrte supremacinë, sepse Kwebeku do të ndahej prej sajë duke ia zbehur relativisht fuqinë ekonomike asaj.

Në parashikimin e dytë ardhur nga CIA dhe i shumëtrumbetuar nga mediat e rajonit, Evropa parashihet të ndahet në tre zona. E para, e ashtuquajtura Evropë Perëndimore, do të përbëhej nga Gjermania, Franca , Britania e Madhe, vendet e Beneluksit dhe Austria . Evropa e dytë do të quhej Evropa e Re, dhe do të shtrihej nga Estonia dhe Lituania në veri, dhe do të vazhdonte përmes Çekisë e Sllovakisë deri te Hungaria dhe Sllovenia, në jug. Evropës së re pastaj do të duhej t’i bashkëngjitej edhe Kroacia.

Kjo pjesë e Evropës, në realitet, do të përfaqësonte Evropën katolike lindore, gjegjësisht Monarkinë e dikurshme Habsburgiane,dhe ajo do të ishte nën ndikimin ekonomik të Gjermanisë dhe nën mbikëqyrjen ushtarako-politike të SHBA.

E treta e ashtu quajtura Federata Ballkanike, do të përfshinte Juglindjen e Evropës - kryesisht të banuar me popuj sllave. Rrjedhimisht, Federata Ballkanike do të përbëhej nga Rumunia, Bullgaria, BeH, Mali i Zi, Maqedonia, Greqia, Shqipëria dhe Kosova. Për shkak të rëndësisë politike dhe strategjike që kanë gadishujt, Skandinav, Apenin dhe Iberik, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Finlanda, Islanda, Italia, San Marino, Malta dhe Spanja e Portugalia do të mbeteshin të pa kontrolluar, por në asociim ushtarako ekonomik me SHBA-të dhe Evropën Perëndimore, kurse ish vendet e Bashkimit Sovjetik përpos shteteve Baltike, do të vazhdonin të mbesin satelitë të Rusisë.

Por sa janë afër realitetit këto parashikime!?! Për çështjen e parë; atë të shpërbërjes së SHBA-ve, edhe analistet më fatalist që ka bota nuk e parashohin një gjë të tillë. Në fakt ka kohë që amerikanët e kanë mësuar se bashkimi bën njëmend fuqinë, dhe se fuqia e tyre është pozitivisht e reflektuar edhe në jetën e tyre të përditshme, dhe jo vetëm në ndikimin që vendi i tyre mund të ketë në OKB apo Organizata të tjera ndërkombëtare.
Një parashikim i tillë shihet qartazi që ka ardhur nga ata që me shkatërrimin e Amerikës e shohin Rusinë të ngrihet në superfuqi e vetme e botës, pra ata që thjesht ëndërrojë të ndodh diçka e tillë pa u kapur pas realitetit.

Parashikimi i dytë ndërkaq vije nga CIA dhe ka të bëj thjesht me zonat e interesit dhe dominimin ekonomik e tregtar të shteteve të mëdha.

Praktika të tilla të ndarjes së rajoneve janë zbatuar qysh me ndarjen e madhe të Perandorisë Romake, por edhe më rishtazi me konferencën e Teheranit gjatë vitit 1943 kur Rusvelti, Stalini dhe Çërçilli ndanë zonat e ndikimit pas Luftës së Dytë Botërore.

Një organizim i tillë do të bëhej bazuar në principet ekonomike, ku tregu sa më i gjerë do të diktonte investime sa më të mëdha në atë entitet politik. Marrë nga këndvështrimi politik i situatës së sotme në kontinentin e vjetër, një gjë e tillë duket fare e pa imagjinueshme pasi shumë nga popujt në fjalë, “armikun e parë e kanë fqinjin e tyre të parë” por një dekadë në politikë është shumë dhe asocione të tilla politiko ekonomike edhe mund të ndodhin, vetëm mund të marrim shembull nga Bashkimi Evropian!

A ka menduar kush që derisa ushtarët e forcave aleate binin si kallinjtë e grurit nga kosa e bujkut në Somë apo Dunkirk, popujt e po atyre ushtarëve të krijonin një bashkim politikash legjislative, politike, tregtare dhe kulturore aq sa deri diku të humbnin edhe sovranitetin e shteteve të tyre në kuptimin klasik të fjalës?

Pika më interesante në këtë mes për kombin shqiptar është federata ballkanike e cila do ti gllabëronte shqiptarët duke i minimizuar tërësisht ata në ndikimin e tyre politik, ekonomik, social, kulturor e ushtarak, pasi që të ndarë në pesë shtete dhe askund me stabilitet politik dhe ekonomik, shqiptarët do të ishin pa mëdyshje grupi i parë i marxhinalizuar.

Edhe në qoftë se ky skenar nuk ndodh, siç beson shumëkush, atëherë duhet marrë në perspektivë çështja e pa zgjidhur shqiptare dhe problemet e saj. Duhet shqyrtuar me seriozitet se a përfunduan marrëveshjet e Konçulit, dhe Ohrit, si dhe pakoja e Ahtisaarit zgjidhjen e çështjes shqiptare. E nëse mendojmë kështu atëherë pashmangshëm e kuptojmë se përgjigjja është negative. Si rrjedhojë do të ishte më mirë që të dalim nga lokalizimi i vrerosur që na ka përfshirë dhe në kohën e globalizmit të mendojmë edhe në një aspekt tonin global, pra çështjen shqiptare në tërësi.

Pa realizimin e bashkimit kombëtar të Shqipërisë natyrale, neve do të jemi vetëm një gur shahu në shabllonët politik që vizatojnë fuqitë e mëdha për dominim. E siç e kemi parë nga historia jonë e batërdisur nga luftërat shabllone të tilla kanë qenë përherë kundër nesh, dhe kam përshtypjen se ashtu do të vazhdojnë të mbeten, prandaj me një zë të vetë, por politikisht, ushtarakisht, ekonomikisht dhe strategjikisht të fuqishëm edhe miqtë do na përkëdhelnin më shumë dhe edhe armiqtë do na merrnin më seriozisht.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00