Home | Opinion | Politizimi i historisë

Politizimi i historisë

image
Nuk është politizimi i institucioneve i vetmi problem i shoqërisë kosovare, problem edhe më i madh është tendenca e përvetësimit të vlerave kombëtare.

 

 

 

 

Adrian Çollaku

 

Megjithatë, të gjitha mund të justifikohen deri në një shkallë, por marrëzia e gjithë kësaj zallahie është politizimi i universiteteve publike. Ky i Prishtinës kohën e fundit është bërë tepër labil, ndërsa marrëzia më e madhe është në Universitetin e Prizrenit, i cili akoma pa ia nisur punës është bërë arenë luftimesh politike.

Në Kosovë pothuajse çdo gjë është politizuar. Duke filluar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve, shkollat, institucionet qendrore e komunale, ndërmarrjet publike, ambulancat, QKUK-ja, dyqanet, policia, ushtria, madje edhe rojat e pyllit. Megjithatë, të gjitha mund të justifikohen deri në një shkallë, por marrëzia e gjithë kësaj zallahie është politizimi i universiteteve publike. Ky i Prishtinës kohën e fundit është bërë tepër labil, ndërsa marrëzia më e madhe është në Universitetin e Prizrenit, i cili akoma pa ia nisur punës është bërë arenë luftimesh politike.

Përplasja e javës së kaluar ndërmjet partnerëve të koalicionit në nivel qendror, PDK-së dhe LDK-së, për atë se kush duhet të udhëheqë me Universitetin publik të Prizrenit, flet më së miri për tendencat që kanë partitë në pushtet për politizimin e këtij institucioni arsimor. Vetë fakti i emërimit të Adem Sallaukës për sekretar të këtij universiteti, i cili njihet si njeri i afërt me PDK-në, ka dhënë sinjalet e para se ky universitet shumë shpejt do të futet në dorë të politikës, përkundër asaj që në krye të universitetit të dytë publik në vend do të jetë një rektor ndërkombëtar. Dhe ky fakt, si duket ka “prekur” zyrtarët e LDK-së, më saktësisht deputetin e saj, Arsim Rexhepin, i cili para disa ditësh i ka bërë një “vizitë” të shkurtër menaxhmentit të UPZ-së, duke ua përkujtuar atyre se “marrëveshja” ka qenë që postin e sekretarit ta marrë partia e tij, ndërsa atë të zëvendësrektorit ta marrë PDK-ja.

Në këtë situatë nuk ka rëndësi se kush çka do të marrë, por e rëndësishme është se politizimi i tij ka filluar ende pa ia nisur punës.

Nuk është politizimi i institucioneve i vetmi problem i shoqërisë kosovare, problem edhe më i madh është tendenca e përvetësimit të vlerave kombëtare.

Tendencat për përvetësimin e meritave për shpalljen e pavarësisë, pastaj për sigurimin e njohjeve dhe së fundi edhe për mendimin pozitiv të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, flasin për mentalitetin e kësaj qeverisjeje dhe për një propagandë politike të paparë deri tani.

Ka keq e më keq!

Përpos tendencave për politizim të çdo gjëje, në Republikën e Kosovës ka ndodhur diçka edhe më e rëndë - shkrimi i librave historikë sipas preferencave politike. Libri i Historisë për klasën e 5 të shkollave fillore, të autorëve F. Rexhepi dhe F. Demaj, në njësinë mësimore ku flitet për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, është censuruar, gjegjësisht është ndryshuar teksti i këtyre autorëve. Në këtë njësi, teksti që thotë se Pavarësia e Kosovës është shpallur nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, është zëvendësuar me tekstin që thotë se Pavarësia e Kosovës është shpallur nga kryeministri, Hashim Thaçi.

Dhe kështu tërë meritat për shpalljen e pavarësisë i janë atribuuar kryeministrit, edhe pse kjo është në kundërshtim me të vërtetën historike dhe me çdo standard të historiografisë moderne, ngase Thaçi ka lexuar vetëm tekstin e deklaratës së pavarësisë, e cila është miratuar më pas nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend. Pavarësisht se kush e ka bërë censurimin e këtij libri, kjo formë e tillë na kujton format komuniste të qeverisjes.

Nëse ky trend i politizimit të gjithçkaje dhe përvetësimit të meritave për çdo të arritur të shtetit të Kosovës do të vazhdojë edhe për disa vjet, atëherë me të vërtetë ekziston rreziku që si shtet dhe si shoqëri të mos kemi asgjë të përbashkët me vendet demokratike. Ngase demokracia në Kosovë po e ka shumë të vështirë të funksionojë. Të paktën tani për tani!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0