Home | Opinion | Shkelësit e shtetit

Shkelësit e shtetit

image
2010. Njëzet vjet më vonë. Republikën dhe Kushtetutën po na e dhunojnë – horizontalisht dhe vertikalisht.

 

 

 

 

Ernest Luma

Më kujtohet shumë mirë se dikur (1989/1990), kur ishte e “gjallë” hiena e ftohtë, e trishtë dhe në bronz e Vojo Llakiqeviçit në oborrin e shkollës sonë, ishin të rëndësishme, jetike dhe me shumë peshë për ne Republika, Kushtetuta, Demokracia, Liria. Tash janë devalvuar (zhvleftësuar) aq shumë këto kategori, dhe vendin e tyre e kanë zënë pasioni i shfrenuar dhe pangopshmëria pas pushtetit, tenderët, korrupsioni, ryshfeti, duke ma shpërfillur pamëshirshëm shtetin tim, nga koka deri në këmbë. Në veri Shtetin dhe Kushtetutën time po e dhunojnë hijenat dhe bastardët - kushërinjtë e Vojo Llakiqeviqit, e në jug e këndej po e shkelin shpërfillshëm kushërinjtë e mi – Presidenti dhe Kryeministri i Republikës. Kështu, së paku, foli Gjykata Kushtetuese e Republikës sime

I.

“Republikë, Kushtetutë – ose më hatër, ose me luftë!”, ishte sllogani i popullit të Kosovës në demonstratat masive të viteve 1989/1990. Isha nxënës i klasës së gjashtë apo të shtatë, në shkollën fillore që atëherë mbante emrin e një partizani të “vëllazërim-bashkimit”, “Vojo Llakiqeviç”. Mbiemri i tij ishte shumë i rëndë të mbahej në mend dhe deri vonë, jo vetëm unë, por të gjithë nxënësit e paraleles sonë, e kishim të vështirë ta shkruanim drejt. Në vitet e mëvonshme, shkollës iu dha një emër që i shkonte më shumë për shtati, ai i kolosit tonë kombëtar, Zekeria Rexha. Këtë ndërrim emrash në shkollë unë s’e mbaj në mend. Por, mbaj në mend se atmosfera po ndërronte dhe se busti dhe emri gjithnjë e më i ftohtë, i vështirë dhe kurrë i shkruar drejt nga ne, i Vojos, do të zëvendësohej më një tjetër, më të pëlqyeshëm. Shkolla sot e mban emrin e ri, atë të kolosit gjakovar.

Vitet 1989/1990 ishin interesante dhe plot dinamizëm për Kosovën, ashtu edhe për qytetin tonë dhe, natyrisht, kjo atmosferë depërtonte gjithnjë e më shumë edhe në klasat dhe korridoret e shkollës sonë, në oborrin në hyrje të së cilës, busti i Vojos dukej që përditë e më shumë mërrolej. Në ndërrimin e pasdites, në të cilin zakonisht e mbanim mësimin, kah ora e katërt apo e pestë, ishte bërë rregull ato ditë që brenda klasave tona të mësimit të depërtonte zhurma e demonstruesve të shumtë, të cilët bashkë me mijëra punëtorë të fabrikës së konfeksionit, ish-“Napredakut” (më duket edhe ky emër është i ndërruar sot, pos në letrat e Agjencisë Kosovare të Privatizimit), e mbronin statusin e Kosovës nga rrënimi i mëtejmë dhe grabitja e autonomisë prej regjimit të një satrapi të ri që veç kishte filluar të ngre krye në Beograd.

Një nga thirrjet e demonstruesve që më bënte më së shumti përshtypje ishte ajo: “Republikë, Kushtetutë – ose më hatër, ose me luftë!”. Ky adresim, në të njëjtën kohë mbronte atë që po na e rrënonte Millosheviqi dhe kërkonte atë që na kishte takuar për 40 vjet me radhë, Republikën. Deri në atë moment nuk guxonim as në ëndërr ta shihnim, ndërsa ishte shumë emocionuese kur e dëgjonim këtë fjalë tek buçiste rrugëve të qytetit.
Për dy gjëra, kishim nisur të ndërtonim një bindje dhe përfytyrim tonin. Ora e historisë ndërronte temë në klasë, dhe arsimtari ishte i detyruar të na shpjegonte çka është Republika dhe çka është Kushtetuta, çka është Statusi e çka është Statuti.

Terminologjia e politikës ditore, gradualisht bëhej pjesë edhe e leksioneve tona në shkollë, kurse orët e historisë (por edhe të lëndëve të tjera), në pjesën më të madhe të kohës i shndërronim në shpjegime për historinë që po ndodhte. Kohën që duhej kushtuar mësimit për “herozimat” e Boshko Buhës, Sava Kovaçeviqit, Vojo Llakiçeviqit (që përkundër vullnetit tonë vazhdonte të qëndronte në bust si hije vampiri para shkollës), “madhështisë” së betejave të Neretvës e të Sutjeskës dhe qenit besnik që i kishte shpëtuar jetën Shokut Tito në njërën nga këto beteja, kishim filluar ta mbushnim me bashkëbisedimet për rëniet në demonstratat që ndodhnin ato ditë në Gjakovë dhe në mbarë Kosovën.

E komentonim rënien heroike të para disa muajve të Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, të barrikaduar në një bodrum banese në Prishtinë, deri në frymën dhe plumbin e fundit. Flisnim për rininë e hershme, të falur për Kosovën, të Ylfete Humollit që ra në një demonstratë në Podujevë, për guximin e Fatmir Kërleshit e të Xhevat Hoxhës që ranë te Parku i Lirisë, në Lagjen e Gecës, në qytetin tone...
Këta, me jetët e tyre po i shkruanin togfjalëshat “Kosova-Republikë”, “Liri-Demokraci”, “Republikë, Kushtetutë – ose më hatër, ose me luftë!”. Dhe, qysh në ato vite të vështira (1989/1990), si fëmijë, e kishim krijuar bindjen se sa të shenjta, sa domethënëse janë për ne Republika (shteti ynë) dhe Kushtetuta. Kishim filluar të ndërtonim vizionin tonë se sa të paprekshme do të jenë, se si do t’i ruajmë kur t’i arrijmë këto.

II.

2010. Njëzet vjet më vonë. Republikën dhe Kushtetutën po na e dhunojnë – horizontalisht dhe vertikalisht. Edhe pse ndryshe nga projeksionet ideore të adoleshencës së hershme të gjeneratës sime, edhe Republika e edhe Kushtetuta, janë dukshëm më të brishta (ashtu siç na i dizajnoi një viking nga Skandinavia). Por, edhe si të tilla dhe boll anemike, ato po shkelen, po shpërfillen. Sigurisht që arsyet dhe rrethanorët e bëjnë të veten. Në veri (andej lumit Ibër), Republikën dhe Kushtetutën po na e dhunojnë famëkëqijtë e ashtuquajtur “Rojat e Urës” dhe dofarë strukturash paralele, do hiena që na u përvodhën edhe në këtë shekull. Ata përditë po e përpijnë nga një copë republikë, dhe po e shkelin në sy të botës dhe të qeverisë së Republikës rregulluesin e jetës sonë – Kushtetutën. Ata bastardë, janë kushërinjtë e Vojo Llakiqeviqit që s’e ka më as bustin e as emrin në shkollën time fillore, janë pasardhësit e Boshko Buhës, të Sava Kovaçeviqit e të Millosheviqit.

Në jug, disa të tjerë, që po rrinë serbes në krye të Republikës, po sillen keq me Kushtetutën. Këta, ndoshta nuk po e dhunojnë, por po e shkelin. S’po i përmend këtu obligimet që i kanë ndaj Republikës, me Kushtetutë, dhe që duhet t’i kryejnë Presidenti, Kryeministri (Qeveria) dhe Kuvendi i Republikës, ndër të cilat janë shtrirja e shtetit në të gjithë territorin, respektimi dhe implementimi i përpiktë i Kushtetutës së Republikës nga qoshja në qosh, dhe shumë të tjera, sot kur gati po i mbushim tri vjet shtet.

Obligimet kryhen me takat. Dhe ata këtë punë e bëjnë aq sa e kanë takatin. Por, shkelja e Kushtetutës, ashtu si dhe respektimi, ndodhin me vullnet. Pak ditë më parë u tha troç se i pari i qeverisë së vendit e shkeli me të dy këmbët këtë dokument të shenjtë të shtetit tonë. Në Rahovec. Një Gjykatë që e mbron Kushtetutën, solli verdiktin se rikthimi arbitrar i Qazim Çeskës në postin e kryetarit të Komunës së Rahovecit, ishte ilegal dhe shkelje e rëndë e Kushtetutës së Republikës së Kosovës nga Kryeministri i vendit. Gjykata që e mbron Kushtetutën foli drejt, pa iu nënshtruar kurrfarë presioni politik a atmosferik.
Këto ditë, po pritet edhe një tjetër fjalë e saj. Tash në bankë e ka, jo kryeministrin dhe rastin e mbyllur Çeska, por kreun juridik, moral, reprezentativ dhe politik të vendit – Presidentin.

Është folur e përfolur shumë, në gjithë këto vite, se Presidenti, një jurist dhe intelektual me nam i vendit tonë, po e shkel Kushtetutën e Republikës, me të dy këmbët – duke qëndruar me njërën në Presidencë dhe me tjetrën në krye të partisë së tij. Ditë më parë, disa deputetë të ndërgjegjshëm të Kuvendit të Republikës, duke dashur t’u japin fund diskutimeve kryq e tërthorë për këtë temë, kërkuan verdiktin e Gjykatës Kushtetuese. Dhe, përkundër skepticizmit të madh te një pjesë e opinionit dhe shpresës së kacavarur të vetë Presidentit, po flitet me të madhe se Gjykata do të flasë fer, edhe kësaj radhe. Ajo pritet të konstatojë shkeljen e shtetit (Kushtetutës) nga lideri tjetër i tij, nga hiç më pak se Presidenti i Republikës.

III.

Shteti në gjyq. Askush prej nesh, në klasën VII/7, në shkollën fillore që mbante bustin me emrin e ftohtë dhe mbiemrin e komplikueshëm të Vojo Llakiqeviqit, nuk e kishte paramenduar se pas njëzet vjetësh do të vinim deri këtu. Pas ndërrimit të busteve dhe të heronjve nëpër shkolla, retushimit të mbishkrimit cirilik nga titullarët e dyqaneve tona, kthimin e shqipes aty ku e kishte vendin e pritur një shekull, në krye të logos me Republikë e Kushtetutë (të cilat fillimisht u shkruan me jetët e reja të Afrimit, Fahriut, Ylfetes, Fatmirit, Xhevatit…), ishte e pakuptimtë të paramendohej se shteti dhe pergamenat e tij do të dhunoheshin kaq trishtueshëm nga hienat e veriut dhe do të shkeleshin kaq shpërfillshëm në jug, nga dy të parët administrativë e politikë të tij – nga Presidenti dhe Kryeministri.

Ndonëse këto nuk janë shkeljet e para e as të vetme të parisë sonë mbi Kushtetutën, megjithatë, janë dy shkelje jo të lehta dhe dy shembuj jo të mirë, të cilët u vërtetuan në gjyq. Po ç’do të ndodhte në vendet me demokraci të vërtetë, nëse Kryeministri dhe Presidenti do ta shkelnin Kushtetutën? Tash kjo është tema që kërkon përgjigjen e vet, pas verdiktit të gjykatës.

Më kujtohet shumë mirë se dikur (1989/1990), kur ishte e “gjallë” hiena e ftohtë, e trishtë dhe në bronz e Vojo Llakiqeviqit në oborrin e shkollës sonë, ishin të rëndësishme, jetike dhe me shumë peshë për ne Republika, Kushtetuta, Demokracia, Liria. Tash janë devalvuar (zhvleftësuar) aq shumë këto kategori, dhe vendin e tyre e kanë zënë pasioni i shfrenuar dhe pangopshmëria pas pushtetit, tenderët, korrupsioni, ryshfeti, duke ma shpërfillur pamëshirshëm shtetin tim, nga koka deri në këmbë. Në veri Shtetin dhe Kushtetutën tonë po e dhunojnë hienat, kushërinj e Vojo Llakiqeviqit, e në jug e këndej po e shkelin shpërfillshëm kushërinj e mi – Presidenti dhe Kryeministri i Republikës. Kështu, së paku, foli Gjykata Kushtetuese e Republikës sime.

Sa keq! Sa dhimbshëm! Sa devalvueshëm për shtetin, për ëndrrën tonë! Sa ftohtë! Sa njëjtë, si në kohën e Vojo Llakiqeviqit, si në kohën e Republikës. Kosovën dhe Kushtetutën po ma dhunojnë në të gjitha anët dhe të gjithë, si atëherë, si sot. Kush po çohet i pari. Po më duket që, për ta çuar në vend amanetin e Ylfetes, Afrimit, Fahriut, Fatmirit, Xhevatit…, prapë më duhet të dal në rrugë: “Republikë, Kushtetutë – ose më hatër, ose me luftë!”.

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00