Home | Opinion | Demokraci e dergjur!

Demokraci e dergjur!

image
Sepse vetë fakti që Sejdiu kishte shkelur në mënyrë “serioze” Kushtetutën e vendit, flet për atë që kemi pasur edhe vakuum e edhe krizë institucionale.

 

 

 

 

Beqë Cufaj

 

Mund të na vetëlavdërohen sa të duan përfaqësuesit e institucioneve vendore, por edhe ata të zyrave ndërkombëtare në Kosovë, se situata e krijuar pas dorëheqjes së Fatmir Sejdiut nuk ka krijuar “vakuum institucional” e as “krizë të funksionimit të shtetit”. Të dy këto argumente mund të qëndrojnë po të mos ishte kjo një fyerje e inteligjencës sonë - vdekatarëve të zakonshëm dhe votuesve potencialë. Sepse vetë fakti që Sejdiu kishte shkelur në mënyrë “serioze” Kushtetutën e vendit, flet për atë që kemi pasur edhe vakuum e edhe krizë institucionale.

Por, me këtë çështje nuk kemi pse merremi më. Për datën 27 shtator 2010 - kur Presidenti i Republikës dha dorëheqjen, do të gjykojnë librat e historisë së juridiksionit, por edhe ato të sprovave tona për këtë shtet të ri dhe demokracinë e brishtë në të.

Ajo që tashti duhet të na preokupojë dhe është duke na lënë pa mend e pa gjumë - është pasoja e vendimit të Gjykatës pas hapit të drejtë të Sejdiut. S’ka as matematikë numrash, por as logjikë politike se si të procedohet më tej.

Është tragjedia dhe komedia e këtij vendi kur njeriu sheh se si politikanët, ose thënë edhe më mirë krerët e të gjitha partive politike në njërën anë dhe moria e diplomatëve perëndimorë në anën tjetër, qe më shumë se 3 ditë vrapojnë nga ndërtesa në ndërtesë, nga zyra në zyre, gjithnjë të ndjekur nga përfaqësues të “pushtetit të katërt” (medieve) për të mësuar diçka më shumë. Thashethemet, të cilat ende nuk kanë arritur të shpërndahen me shpejtësi “twiter”-i, por për këtë përmes “faceboook”-ut, SMS-ve e kanaleve të tjera të shpejta të komunikimit, nuk kanë të ndalur. Kurse këta politikanët tanë "takohen".

Tërë kjo situatë e krijuar nuk flet për papjekurinë e demokracisë së re të Republikës sonë, por shumë më tepër e nxjerr në pah një sëmundje të vjetër, një dergjim, i cili këtë vend e ka kapluar qe më shumë se dy dekada. Sepse Kosovës, partive dhe strukturave tona politike nuk u shkon përshtati asnjë krahasim as me vende të “demokracive të moçme” e as atyre me transformimet e “reja” të dy dekadave të fundit.

Këtu duhet të ndalemi.

Te gjuha, sjellja, autokracia dhe sprova për kopjim që në njërën anë Fatmir Sejdiu, si me Presidencë ashtu edhe me LDK, por edhe Hashim Thaçi, sidomos me gjuhën dhe bagazhin politik - “Kosova shtet demokratik dhe sovran”, janë munduar ta “trashëgojnë” nga Maximo-Lideri i ndjerë i Kosovës, Ibrahim Rugova. Por ja që edhe koha e shumë më tepër rrethanat nuk u dolën si aleate për ta çuar deri në fund atë kopjim ndoshta edhe të pavetëdijshëm dhe për këtë kaq naiv, që të jemi në situatën që jemi. E cila për ne duhet të jetë vetëm lehtësuese, sepse diçka lëvizi dhe kjo koniunkturë shkoi, kurse si për Sejdiun ashtu edhe Thaçin është një horror i vërtetë. Shkaku: kurrë më nuk do të jetë siç ishte deri tashti. Për të dytë.

Prandaj, po na del që Kosova, edhe pse shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, ka nevojë jo vetëm për “Dragodanin”, por para së gjithash nuk ka as vizion, as strukturë, as thellësi, as qëndrueshmëri dhe para së gjithash s’ka pjekuri demokratike për të kaluar transicione të kësaj natyre.

I pëlqeu dikujt a jo, situata në të cilën prej së hënës në orën 14:30 kur Sejdiu “shkoi” nga Presidenca në LDK, na nxjerr në pah një klasë politike, e cila jo vetëm që me popullin, qytetarët, taksapaguesit dhe votuesit, ka humbur çdo kontakt, por ajo faktikisht po del që është më se e papërgjegjshme. Nuk bëhet as parti e as shtet (e lëre më zgjedhje!) prapa dyerve dhe me këtë edhe me teorinë e konspiracionit ku “askush nuk di asgjë dhe çdokush di çdo gjë”.

Diplomatët perëndimorë në Prishtinë mund po ashtu edhe t’i mallkojmë si pjesë të kësaj demokracie që dergjon kështu, por ata na e përplasin për fytyre që vetë i kemi “zgjedhur” këta që i kemi!

Pikërisht për këtë shkak, kjo klasë e kastë politike është kaq e frikësuar, sepse ky dergjim është i fundit. Kurse dënimi edhe për këtë sjellje të pashembullt të këtyre ditëve do të jetë më tepër se ndëshkues. Nga taksapaguesit dhe votuesit, të varfrit dhe të papunët, të mashtruarit dhe të tradhtuarit.

Kosovës i duhet infuzion i ri dhe njerëz të rinj. Fytyra që janë shkolluar brenda e jashtë dhe janë treguar të suksesshëm, si në Kosovë, ashtu edhe diasporë.... Me këta njerëz që sot i kemi në krye - shtet nuk mbahet. Na e dëshmuan dhe po na e dëshmojnë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00