Kushtetuta dhe vakuumet e saj
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mënyra e shkarkimit të Presidentit të Republikës së Kosovës është shumë komplekse.
Sadik Haxhiu
Pas vendimit jo zyrtar të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, se Kryetari i Republikës së Kosovës z. Fatmir Sejdiu ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, pasoi dorëheqja e tij. Me dorëheqjen e z. Sejdiu u vërtetua se përkundër shkeljes së vazhdueshme të kushtetutës dhe ligjeve nga ana e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore ngadhënjeu drejtësia e vonuar. Në anën tjetër presidenti i Republikës më të marrë vesh për vendimin e gjykatës, përdori urtësinë, ku në konsultim edhe me miqtë ndërkombëtar dha dorëheqje duke mos pritur që për këtë vendim të votohet edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Shtrohet pyetja? Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, a është dashur të jap dorëheqje Presidenti. Përgjigjja është mjaftë komplekse, sepse kushtetuta me asnjë paragraf nuk e parasheh se Presidenti mund të jap dorëheqje. Hartuesit e kushtetutës ( lexo “baballarët e kombit”) sigurisht kanë prejudikuar se presidentët e Kosovës nuk japin kurrë dorëheqje, apo nuk mund të vdesin kurrë në detyrë… apo jo?! Dhe, nëse nuk është sanksionuar me kushtetutë mundësia e dorëheqjes, a do të duhej të pranohej dorëheqja e Presidentit dhe si është dashur të veprojë Kuvendi i Kosovës?! Besojë që për këtë situatë të krijuar nuk do të mund ta gjejë fillin e lëmshit as Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Republikës së Kosovës me nenin 90, paragrafët 1,2,3, parasheh mungesën e përkohshme të presidentit nga detyra si dhe me nenin 91 paragrafët 1, 2,3, shkarkimin e presidentit, por jo edhe vdekjen e mundshme ose dorëheqjen e tij. Ka shumë kushtetuta që nuk e parashohin shprehimisht vdekjen apo dorëheqjen e presidentit, por nga dispozitat koncize të tyre nënkuptohen këto situate të mundshme.
Bie fjala Kushtetuta e Francës, neni 7, paragrafi 3 thotë: në rast se posti i Presidentit të Republikës është vakant, për çfarëdo arsye, ose për shkak të ndonjë ndalimi të konstatuar nga Këshilli Kushtetues, funksionet e Presidentit të Republikës, ushtrohen përkohësisht nga Kryetari i Senatit dhe në rast se ky i fundit ndalohet t’i ushtrojë këto funksione, funksioni i Presidentit ushtrohet nga Qeveria. Pra, sipas këtij definimi posti vakant i Presidentit të Republikës nënkuptohet, kur presidenti nuk mund ta ushtrojë detyrën përkohësisht; kur jep dorëheqje; kur vdes; apo kur shkarkohet nga organi përkatës i përcaktuar me kushtetutë.
Kushtetuta e Italisë, kreu i III neni 86 paragrafi 2 thotë: në rast të ndalimit të përhershëm, vdekjes ose dorëheqjes të Presidentit të Republikës, Funksionet e Presidentit të Republikës, në çdo rast kur ai nuk mund t’i kryej, ushtrohen nga Kryetari i Senatit. Kjo Kushtetutë parasheh shprehimisht mundësinë e dorëheqjes dhe vdekjes së Presidentit, të cilat mundësi nuk i parasheh Kushtetuta e Kosovës as shprehimisht as të nënkuptuar.
Po ashtu Kushtetuta e Kroacisë, kreu IV, neni 97 paragrafi 1 thotë: në rast të vdekjes, dorëheqjes ose ndalimit të ushtrimit të funksionit të tij, vendimin duhet ta vërtetoj Gjykata Kushtetuese. Me propozimin e Qeverisë së Kroacisë, funksionet e Presidentit të Republikës së Kroacisë duhet t’i ushtrojë përkohësisht Kryetari i Parlamentit të Republikës së Kroacisë.
Në tri kushtetutat e sipërpërmendura, dorëheqja dhe shkarkimi ose nënkuptohen në mënyrë precize, siç është rasti i Francës ose janë të përcaktuara shprehimisht siç është rasti i Italisë dhe Kroacisë.
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës mënyra e shkarkimit të Presidentit të Republikës së Kosovës është shumë komplekse. Sipas nenit 91, paragrafi 2, procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës mund të iniciohet nga 1/3 e deputetëve të Kuvendit të cilët nënshkruajnë një peticion i cili shpjegon arsyet për shkarkim. Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos për ketë çështje Brenda (7) ditësh nga marrja e peticionit.
Shtrohet pyetja, sa Gjykata Kushtetuese i ka respektuar dispozitat e Kushtetutës për interpretimin e kushtetutshmërisë të peticionit të deputetëve për shkelje të rëndë të supozuar të kushtetutës, gjatë ushtrimit të funksionit të dyfishtë të Presidentit të Republikës, z. Fatmir Sejdiu. Gjykata Kushtetuese jo vetëm që nuk e ka respektuar afatin kohor për nxjerrjen e vendimit brenda shtatë ditëve pasi ka marrë peticionin nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës, (sepse ajo ka vendosur pas disa muajve); por ajo ka bërë edhe një shkelje të rëndë duke lejuar që opinioni të njoftohet me aktgjykimin e rastit në fjalë, para se ai të shpallet zyrtarisht. Pra, njeriu i parë i shtetit njoftohet nga mediet, para se të njoftohet në vijën zyrtare nga Gjykata Kushtetuese. Në ketë rast vetë Gjykata ka bërë shkelje të nenit 116, paragrafi 3 dhe 4 të Kushtetutës, ku thuhet se përveç nëse është përcaktuar ndryshe me vendim të Gjykatës Kushtetuese, shfuqizimi i ligjit, i aktit ose i veprimit hyn në fuqi në ditën e publikimit të vendimit të Gjykatës.
Krejt në fund, neni 116, paragrafi 1 i Kushtetutës thotë: vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për gjyqësorin dhe të gjithë personat dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Nëse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme, atëherë shtrohet pyetja: a ka mbështetje juridike që një vendim juridik i Gjykatës Kushtetuese i formës së prerë t’i nënshtrohet votimit nga një organ më i lartë përfaqësues politik – Kuvendit të Kosovës. Këtu na paraqiten dispozita kolizive në mes të nenit 91, paragrafi 3 dhe nenit 116, paragrafi 1.
Kjo është Kushtetuta e Republikës së Kosovës e hartuar ( përkthyer keq nga anglishtja) nga “baballarët e kombit” me ndihmën e “ekspertëve” me renome ndërkombëtare nga fusha e së Drejtës Kushtetuese.
(Autori është doktorant i shkencave juridike)
Comments (0 posted)
Post your comment