Erdhën, ishin, ikën, por nuk u koritën!
Koalicionet midis subjekteve politike ndërtohen dhe rrënohen varësisht nga interesat strategjike!
Behxhet Sh. Shala
Dorëheqje apo tërheqje
Me urdhër të kryeplakut të LDK-së, z. Fatmir Sejdiu, të gjithë ministrat, zëvendësministrat e kësaj mëhalle politike kanë dhënë dorëheqje dhe janë larguar nga vendet e tyre të punës! Kur të analizohet situata dhe zhvillimet që dikush i quajti shumë dramatike atëherë këto dorëheqje është dashur të merren si diçka shumë serioze, që, përpos që i rrezikojnë proceset demokratike e rrezikojnë edhe vet shtetin e Kosovës duke i paralizuar institucionet e këtij shteti të udhëhequr nga bossët ndërkombëtarë! Nuk mbajë mend që në një shtet normal të veprohet në këtë mënyrë! Koalicionet midis subjekteve politike ndërtohen dhe rrënohen varësisht nga interesat strategjike! Dorëheqja për shkak të përgjegjësisë apo ndjenjës se keni qenë i keqtrajtuar nga partneri i koalicionit janë dy pole të kundërta që e refuzojnë njëra- tjetrën në vendet ku zbatohet edhe vetëm shkronja D e demokracisë. Ndërkaq në shtetet që janë gjysmë koloni siç është Kosova ky është një arsyetim i pranueshëm apo faturë me të cilat mbulohen të gjitha minuset financiare dhe politike!
Po të ishte dorëheqja si shprehje e përgjegjësisë personale apo partiako – politike atëherë, pa asnjë dyshim do të duhej të largoheshin edhe disa ministra të partnerit të koalicionit e që nuk janë aspak çuna të mirë dhe djem për së mbari! Dorëheqja për shkak të përgjegjësisë në Kosovë është diçka e panjohur madje lirisht mund të them se është diçka e ndaluar! Disi si ajo Molla e Ndaluar për të cilën Adami dhe Eva u përjashtuan nga parajsa! Arsyetimi i kryeplakut të LDK-së, z. Fatmir Sejdiu se janë keqtrajtuar, poshtëruar dhe përbuzur një kohë të gjatë nga partneri i koalicionit PDK dhe kryetari i saj z. Thaçi është edhe më i paqëndrueshëm!
Së pari, nga dukja e pamjeve të jashtme të ministrave dhe zëvendësministrave mund të konstatohet se nuk kanë shenja se ndaj tyre është përdorur ndonjë dhunë e që do të mbështeste pohimin se janë keqtrajtuar nga partneri i koalicionit. Nuk po them asgjë për gjendjen shpirtërore të disa prej atyre që u detyruan të japin dorëheqje!
Së dyti, që është me shumë rëndësi dhe që meriton notën më të lartë në aspektin e moralit njerëzor dhe politik është pohimi i vet atyre që u detyruan të japin dorëheqje se kanë qenë plotësisht të pavarur në kryerjen e punës së tyre dhe se nuk kanë qenë asnjëherë të penguar nga kryeministri “dhunues” apo anëtarët e tjerë të kabinetit qeveritar e që nuk kanë qenë pjesë e “grixhës” së LDK-së! Ky deklarim i nderon ata por jo edhe Fatmir Sejdiun, i cili në stilin e Neronit u përpoq t’i fusë flakën Kosovës! Duhet pranuar se motivi i Neronit për t’i vënë flakën Romës dallon përmbajtësisht nga motivi i Fatmir Sejdiut për t’i vënë flakën Kosovës! Motivet e Neronit ishin artistike sepse i mungonte frymëzimi për të shkruar poezi! Motivet e Fatmir Sejdiut ishin personale dhe kurrsesi interesi partiak! Këtë zjarrëvënie e bëri për shkak të sigurimit të kushteve për të mbijetuar në skenën politike duke bërë përpjekje që në këtë mënyrë ta ndërtojë infrastrukturën për rikthim të madh në po këtë skenë! Si Cezari!
Në rastin konkret duhet të bindemi se deklarimi për sakrificat e mëdha për ndërtimin e shtetit qëndrojnë mbi interesat personale dhe partiake, janë përralla që nuk janë të pranueshme dhe të besueshme as për fëmijët në institucionet parashkollore! Në fakt, te ne shteti është vetëm një kornizë ligjore ku individët apo klanet mafioze-politike i realizojnë të drejtat e tyre “legjitime” për të plaçkitur pa as një mëshirë pasuritë, nën përkujdesjen dhe mbrojtjen e institucioneve të këtij shteti! Prandaj edhe thirren aq shumë në shtet dhe qytetarët e saj! Po të ishte vërtetë interesi i shtetit mbi interesat personale dhe shtetërore atëherë ministrat dhe zëvendësministrat e LDK-së në këtë rast por edhe të PDK-së në një rast të ngjashëm do të duhej të refuzonin urdhrat e bosëve të tyre për bojkot kolektiv të obligimeve të tyre shtetërore! Atëherë do të dëshmonin se vërtetë e duan shtetin dhe punojnë për shtetin! Kështu, mund të vazhdojnë të tregojnë përralla për shtetin!
Një mik imi, përkrahës i pozitës, në përpjekje për ta akuzuar sa më shumë LDK-në për bojkot të organizuar institucional më tha: “ja, iku LDK, merre me mend po të ikte edhe PDK, çka do të bëhej me Kosovën?”. Përgjigja ime ishte shumë e thjeshtë”: do të shpëtonte Kosova”! Në këtë rast Piter Fajt do të bëhej edhe botërisht President, Kryeministër dhe Kryetari Kuvendit të Kosovës! Po them botërisht sepse në hije edhe është! Fatmir Sejdiut kjo do t’i kthehet si bumerang, pa asnjë dyshim! Jo se nuk do të forcohet vet por as LDK-në nuk do ta forcojë! Me këtë veprim e ka fituar një urrejtje “në hije” të një pjese që i ka lënë pa pushtet dhe privilegje! I ka dhënë një infuzion politik Bujar Bukoshit dhe Ujk Rugovës ndonëse qëllimi i tij ka qenë ta prodhojë një efekt tjetër!
Në miqtë ndërkombëtarë nuk mund të mbështetet më sepse ata e kanë sjellë në këtë derexhe! Miqtë ndërkombëtarë janë miq të interesit ndërsa miqtë të prodhimit vendorë, nëse vërtetë janë miq, të tillë duhen të ruhen! Mirëpo, Fatmir Sejdiu i ka humbur edhe këta! Madje as llaskucët që i janë shitur si miq të tij, më nuk duan të dëgjojnë për të sepse nuk kanë asnjë siguri se Fatmir Sejdiu do të kthehet në pushtet dhe se ata do të jenë pjesë e shpurës së tij! Me këtë veprim mendoj se Fatmir Sejdium u bë pjesë e historisë së Kosovës, asaj negative gjithsesi! Nëse mendohet se Hashim Thaçi i ka hapur varrin LDK-së atëherë duhet të jeni të sigurt se Fatmir Sejdiu është ai që definitivisht e varrosë LDK-në! Nëse nuk ndërmerren masa të shpejta!
Asgjë nuk është hakmarrës Fatmir Sejdiu sa është Ambasadori Kristofer Dell i cili për një ALO të dështuar ka vendosur ta shesë Postë Telekomin e Kosovës! Moamer El Gadafi është vërtetë “gjenial” dhe shakaxhi i madh! Na tha ta forcojmë sovranitetin e Kosovës në kohën kur vet shteti që ai e sundon nuk e pranon pavarësinë e Kosovës! Disa analistë (shqip zuzarë) që krijojnë opinion në Kosovë janë shndërruar në miza mobile dhe ndërrojnë vendin sipas temperaturës (interesit) së lokacionit ku vegjetojnë! Mos u befasoni kur t’i shihni nesër të renditur lartë në listat e subjekteve garuese pas së cilës lehtë do të konvertohen në ministra! Së paku! Unë më nuk kam dilema ku do të rreshtohem në të ardhmen pas qëndrimit parimor të AKR-së për zhvillimet e fundit në Kosovë! AKR ka refuzuar të hyjë në koalicion me PDK-në ndërsa Pacolli e ka refuzuar postin e presidentit! Ishalla nuk ka dëgjuar për këtë Hashim Thaçi!
Comments (0 posted)
Post your comment