Kriza e ligjërimit
Dështimi i ligjërimit përfundon me humbjen e arsyes së ekzistimit të atij shteti që humb luftën me vetveten.
Arbën Xhaferi
Humbja e besimit ndaj një ligjërimi (diskursi) shoqëror, është treguesi kryesor se një formacion shoqëror është në krizë që shumë shpejt përfundon me luftë qytetare, me kundërthënie të pazgjidhshme etnike, religjioze, etike, kulturore.
Fjalët, simbolet që dikur ishin faktor të kohezionit shoqëror dhe pjesë e identitetit, e vetëdijes kombëtare, sesi fillojnë ta humbin kuptimin, peshën, relevancën e tyre, saqë në fund të procesit, shndërrohen në shenja irrituese. Sa për ilustrim, ylli, ai simbol i fuqishëm, i padiskutueshëm i identitetit ideologjik, brenda natës u shndërrua në faktor të përçarjes dhe të urrejtjes. Shembuj të kësaj natyre ka shumë.
Ky proces i humbjes së domethënies së fjalëve është pasojë e dështimit të projekteve themelore për shtetin dhe për të vërtetat e tjera, mbi të cilat jo vetëm që ngritën shtetet, por edhe formohen botëkuptimet e njerëzve.
Botëkuptimi mesjetar e humbi besueshmërinë kur disa pohime themelore në librat e shenjtë dolën të pavërteta.
Ky rrënim i botëkuptimit mori hov kur shkenca dëshmoi se toka nuk është e rrafshët dhe se nuk është qendra rreth të cilës sillen planetët dhe vetë dielli. Këto njohuri të reja krijuan panik ngaqë njerëzit humbën mbështetjen, strumbullarin rreth të cilit zhvillohej jeta e tyre. Siç dihet, lajmëtarët e të vërtetave të reja digjeshin gjallë për shkak të vlerësimit se pohimet e tyre e rrënuakan rendin shoqëror.
Ky proces filloi me dënimin e Sokratit dhe sot e kësaj dite vazhdon në trajtën e fetave (anatemave) ndaj krijuesve të ndryshëm, Sallman Ruzhdiut bie fjala. Këto kanosje, mallkime apo ekzekutime brutale ishin në funksion të mbrojtjes së ligjërimit të vjetër dhe të interesave të grupacioneve të ndryshme. Në hapësirat shqiptare kemi shembullin e eliminimit monstruoz të konkurrentëve të brendshëm, apo të kontestuesve të jashtëm të formacionit shoqëror komunist.
Sa më shumë që sistemi komunist dilte i dështuar aq më tepër rritej niveli i represionit. Përmes dënimeve drakonike rritej frika dhe eliminohej debati. Kritika lejohej vetëm kundër "armiqve" të brendshëm dhe të jashtëm. Përmes dënimeve të llahtarshme mbrohej ligjërimi (diskuri) që pengonte zhvillimin shoqëror.
Pra, çdo shtet, çdo perandori, kulturë apo qytetërim e ka ligjërimin e vet, argumentet dhe metodat mbi të cilat ndërtohet formacioni shoqëror dhe sigurohet luajaliteti i qytetarit ndaj sistemit. Shumica e ligjërimeve shoqërore janë në thelb paragjykime që më shumë prodhojnë krizë sesa stabilitet. Por, ka edhe dallime.
Bie fjala, SHBA-të si vlerë kryesore të ligjërimit të tyre e kanë lirinë. Çdo vlerë tjetër është dytësore. Në këtë sistem të vlerave madje tolerohet edhe krimi nëse nuk mund të gjenden faktet që e dëshmojnë atë. Nëse do të shkelej ky parim, atëherë do të fillojë natyrshëm humbja e kredibilitetit të ligjërimit që e prodhon kohezionin në shoqëri.
Në SHBA-të dhe shtete e tjera perëndimore ekziston fenomeni paradoksal i diktaturës së lirisë. Të krijosh rend stabil shoqëror mbi parimin e lirisë është mrekulli kulmore e njeriut. Zbatimi rigoroz i këtij parimi është po aq mahnitës sa edhe vetë liria. Të gjitha përpjekjet për ta rrënuar ligjërimin amerikan zhvillohen rreth argumentimit të kundërtës: se liria amerikane paskësh qenë farsë.
Dështimi i ligjërimit përfundon me humbjen e arsyes së ekzistimit të atij shteti që humb luftën me vetveten.
Ky zvetënim i ligjërimit kryesisht ndodhë me shtetet federale të ndërtuara mbi shoqëritë heterogjene, multietnike, por ndodhë edhe me shtetet njëkombshe që s'arrijnë t'i zgjidhin kundërthëniet politike.
Këtë shqetësim e zbuloi edhe kancelarja, njëra nga drejtuesit më të përgjegjshëm politik të Evropës, znj. Merkel. Ajo, në mënyre tepër serioze konstatoi se nocioni, vlera e multietnizmit ka dështuar.
Ky është një konstatim dhe paralajmërim shumë serioz për të gjitha ata që këto procese i kundrojnë si modë të re, dhe jo si degjenerim i projekteve kryesore: liria e fjalës është shndërruar në gjuhë të urrejtjes , të drejtat e njeriut në terrorizëm apo administrimi i institucioneve në korrupsion etj.
Si në Evropë, ashtu dhe në SHBA, zhvillohet procesi i abuzimit me lirinë, me demokracinë. Bartës të këtij procesi janë emigrantët politikë apo ekonomikë që kanë sistem tjetër të vlerave të ndërtuara mbi premisa të tjera, kryesisht religjioze.
Të parët që e vërejnë këtë dukuri, zakonisht janë intelektualët. Mirëpo, edhe ata si vdekatarët e tjerë nuk janë imun ndaj korrupsionit dhe egocentrizmit narcisoid. Në këto kohë pa kohë, ata sillen si oportunistë të cilët vetëm i stilizojnë idetë nebuloze të politikëve, ndërkaq më të suksesshmit hynë punëve edhe më ambicioze, t'i fitojnë betejat e humbura, ose ta realizojnë mitin.
Intelektualët që fitojnë shansin që të merren me politikë, të kenë pushtetin në fazën e tranzicionit, çuditërisht, në vend që ta racionalizojnë procesin, e bëjnë të kundërtën: e paraqesin të sotmen të degjeneruar dhe ofrojnë platformën për ringjallje të atavizmave të ndryshme, idilin e dikurshëm inekzistent.
Të gjitha këto konstatime mund të shihen shumë lehtë nëse me korrektësi analizohen proceset që zhvillohen në shoqëritë dhe shtetet që dolën nga struktura e shembur jugosllave, veçmas në Serbi dhe Maqedoni.
Ndoshta opinioni shqiptar është i ngopur me lajmet dhe komentet që për temë e kanë mendësinë serbe, apo maqedonase, aq më tepër nëse merret parasysh se politikët, intelektualët, mediumet, kleri serb si dhe ai maqedonas vazhdimisht dhe jo pa përbuzje merren me shqiptarët, me historinë, identitetin, kulturën, traditën e tyre.
Deshëm apo s'deshëm, ata do të vazhdojnë të merren me ne, me të gjitha shtresat e popullsisë. Ky fiksim i tyre me Kosovën, në fakt zbulon frikën nga pasojat e ndryshimit të ligjërimit, të pavetëdijshëm se pikërisht ndryshimi i nxjerr nga kriza që vetë ata e riciklojnë.
Pas vendimit të GJND-së si dhe pas tërheqjes së rezolutës serbe, ose përshtatjes së saj me përcaktimet e UE-së, ata fituan një hapësirë të re për opstrukcion. Sikur të mos kërkohej arbitrimi i GJND-së nuk do të ekzistonte motivi për rihapje të negociatave.
Për serbët humbës nuk kishte asnjë mundësi që të rihapet çfarëdo negociate me shqiptarët. Për ta madje edhe vendimi negativ i GJND-së ishte opsion më i vlefshëm sesa mbyllja përfundimtare e çështjes së Kosovës.
Kur s'ka shi bën edhe breshëri, thotë populli. Kërkesat e tyre "teknike" do të jenë po aq destruktive sa edhe negociatat për statusin e Kosovës. Që tani ata përgatiten për fuqizim të kërkesave territoriale për objektet e tyre sakrale, të cilëve ata u japin rëndësi të tepruar religjioze. Për këto kërkesa dhe mënyrën se si i qasen kësaj çështjeje, ata do të gjejnë përkrahës edhe brenda shteteve që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Krahas materializimit, kompensimit të humbjes së "djepit", pala serbe do të parashtrojë kërkesa irracionale për kompensim të investimeve "serbe". Sipas elaborateve të para, të hartuara tashmë në institucione për hulumtime strategjike, këto kërkesa arrijnë përmasa marramendëse, përafërsisht 240 miliarda euro. Shenjtërimi serb i Kosovës do të ketë epilog financiar.
Presidenti serb, Boris Tadiq, pas një varg deklaratash konform ligjërimit jo koherent, tradicional serb për Kosovën, pas realitetit të ri, pas GJND-së pra, dha një deklaratë befasuese utilitare "... nuk është në rregull që njëra palë të fitojë çdo gjë, ndërkaq tjetra asgjë..."
Kjo deklaratë pragmatike zbulon se serbët, pas një varg dështimesh në planin politik, ushtarak, fetar, kanë filluar ta ndryshojnë ligjërimin e tyre, mënyrën se si ata e kundrojnë botën dhe veten në të.
Me ardhjen e Tadiqit në krye të shtetit, vërehen të çarat ndërmjet ligjërimit të serbëve të Serbisë dhe atyre jashtë Serbisë.
Ekziston një dallim semantik ndërmjet fjalës "serb" dhe "serbian". Me nocionin "serb"(serbin) nënkuptohen të gjithë serbët, ndërkaq me fjalën "serbianac" nënkuptohen, përfshihen vetëm serbët e Serbisë. Në skenën politike serbe, kanë filluar të ndodhin ndryshime të pritshme: serbianët, "të moderuarit" kanë filluar t'i fitojnë betejat me serbët "radikalë".
Gjithmonë kur serbët e humbin luftën, përgatisin formacionin rezervë që njihet me emrin "Druga Serbia" (Serbia tjetër) që paralajmërohet si opsion më i moderuar. Ky opsion në thelb nuk është antagonist me atë të parin, por ka një nuancë pak më të butë. Me fjalor pak më të moderuar kërkohet e njëjta: Kosova dhe interesat e tjera gjeostrategjike serbe.
Në kohën e Millosheviqit serbianët ishin radikalë, ata i nxitën, i zgjuan nga gjumi serbët anekënd botës. Tani janë ndryshuar rolet: serbianët u zbutën, ndërkaq serbët u bënë më radikalë.
Sa herë që serbianit me prejardhje malaziase, B. Tadiqit të moderuar i dridhet toka, ai mbështetet në krahun e serbit të B/H, Dodikut, i cili i jep kosës sa të dojë, ose sa t'i thonë. Kjo taktikë përdorej edhe më parë prej dyshit Millosheviq - Karagjiq, ose Sheshelit serb dhe Nikoliqit serbijan.
Tash për tash në pozitën e parë ka dalë ligjërim serbian, kinse më i moderuar. Këto pohime mund të konstatohen po ashtu, nëse krahasohen fjalimet e fundit të klerikëve ortodoksë serbë, patriarkut serbian, Irinei me atë peshkopit serb, Amfillohi Radoviqit, ose nëse analizohet fakti pse për patriark u zgjodh peshkopi i moderuar, serbiani Irinei dhe jo ai që vazhdimisht favorizohej, ekstremisti malazias me identitet serb, Amfilohi Radoviqi etj.
Dallimet rreth tyre u vërejtën edhe lidhur me paradën e homoseksualëve në Beograd. Peshkopi Amfillohi i krahasoi ato me Sodomën dhe Gomorën duke paralajmëruar ndëshkimin e Zotit.
Ligjërimi serb për veten dhe për të tjerët është konfliktual dhe shumë larg prej standardit euro-perëndimor. Ky perceptim që prodhon vazhdimisht konflikte me realitetet e ndryshme historike, etnike, politike, është një përzierje e mitit, besimit, grandomanisë, narcizmit kolektiv, nacionalizmit herë provincial herë metafizik, urrejtjes, resantimanit kundër- perëndimor etj.
Të gjitha këto veti janë në funksion të hegjemonisë dhe të bindjes serbe se janë liderë, madje edhe të Evropës. Ata që nuk pranojnë këto fiksacione serbe shpallen armiq.
Ligjërimi për Serbinë si kategori gjithëkohore, e pandryshueshme ndeshet me faktet e pamëshirshme. Kufijtë e saj asnjëherë nuk kanë qenë stabël, të pandryshueshëm.
Në fillim ishte "Pashalluku i Beogradit", pastaj "Mbretëria Serbe, pas Luftës së Parë Botërore "Mbretëria Serbe, Kroate, Sllovene", pas Luftës së Dytë Botërore, "Republika Popullore Federative Jugosllave", rrjedhimisht "Republika Socialiste Federative Jugosllave, "Republika Federative Jugosllave", "Unioni Serbi dhe Mali i Zi" etj.
Bashkë me ndryshimit të emrit, ndryshoheshim edhe simbolet, emrat e qyteteve, rrugëve, përmbajtja e librave, emrat e rrugëve. Ky fenomen në fakt e rrënon strategjinë serbe që çështja e Kosovës të zgjidhet sipas parimit për mosndryshim të kufijve.
Në Maqedoni po ashtu shfaqet fenomeni i krizës së ligjërimit. Koncepti i identitetit të dyfishtë, antik dhe sllav mund të zhvillohet vetëm në shoqëri ku mendimi kritik nuk funksionon.
Prandaj sa më shumë që shtohen përpjekjet për zgjidhje të kontestit, aq më shumë thellohet kriza nga vetë shteti që filloi t'i emërtojë rrugët, institucionet ekonomike, sportive, shëndetësore me emra të personaliteteve antike, të gërshetojë në planin urbanistik premisën antike me atë sllave.
Ky ligjërim bizar, i ndërtuar mbi paragjykime që e shumëfishojnë krizën nuk do të përfundojë lehtë. Dëshprimi i kancelares gjermane, zonjës Merkel nga dështimi i koncepteve multietnike as që është regjistruar nga politikëbërësit maqedonas.
Shpesh herë ligjërimi i gabuar jep efekt të kundërt, sidomos nëse është kardinal dhe joreal.
Shqiptarët kanë një brengë tjetër: janë duke kërkuar ligjërimin kombëtar modern.
Comments (0 posted)
Post your comment