Po vjen koha e premtimeve
Thjesht është ndërruar retorika dhe forma, nga pushtetarët komunistë pa pronësi u krijuan “demokratët” e kuq, shumë të pasur.
Agim Vuniqi
Si gjithherë zgjedhjet janë të ethshme për kandidatët, ende pa u inauguruar shumica e shohin veten "VIP" persona. Nuk kanë edhe faj, ngase ky njëmbëdhjetë vjetësh - pak më shumë, lansoi milionerët e parë të Kosovës, me më shumë zero. Liria aq shumë e pritshme u mbështjellë me mëndafshin korruptiv, dhe abuzimet e shumta në pushtet. Sigurisht që po të funksiononte drejtësia shumë nga bartësit e vendeve udhëheqëse, por edhe zbatuesit e ligjit do ta kishin vendin në strehimoren e kriminelëve-në burgje. Shumica e tyre janë abuzuesit, shkelësit dhe uzurpatorët e të ardhmes së Kosovës, ata janë fajtorët kryesor të grindjeve partiake, sigurisht që në të ardhmen do të publikohen raporte që do të pasqyrojnë aktet e tyre kriminologjene, që u sollën atyre përfitime enorme, por dëmtuan të ardhmen e qytetarëve, duke zvarritur proceset demokratike, edhe për shkak të veprimeve të paligjshme.
Të “fuqishmit” popullor që mezi jetonin ( njëjtë si shumica tjetër shqiptare) u lansuan si “yje të biznesit patriotik”, atyre as që u interesonte pavarësia popullore, ngase atë materiale e shijonin gjithnjë e më shumë, ata krijuan regjimin e “faraonëve” pronarë të Kosovës, ku pjesa shumicë e Kosovës punonin për ta, duke ua dhuruar “haraçin” vjetor, të cilin e harxhojnë “denjësisht”.
Procesi i zgjedhjeve (i jashtëzakonshëm, i parakohshëm..., me shumë pikëpyetje) që do të na sjellë përfaqësimin në tërësinë e tij, qysh nga propaganda deri në votim..., athua do të jetë edhe një mashtrim (dyshoj edhe tash, sepse edhe këto zgjidhje mbahen të përshpejtuara dhe të papërgatitura, kush do t'i mbikëqyrë ato..), dhe logjikisht zgjedhjet mund të konsiderohen si zgjedhje për të shtyrë zgjidhjet, për të shpëtuar politikanët nga “linçimi” popullor, pas aq shumë dështimeve.
Procesi zgjedhor deri më tash ishte i manipuluar, ishte i blerë, i vjedhur nga shërbimet e huaja(?), grupet e mafies politike apo interesat personale, që të bënë të dyshosh se politikanet dhe qeveritarët tanë nuk janë vendosur të përfaqësojnë interesat e popullit, por të atyre që nëpërmjet manipulimeve dhe pagesave i sollën në pushtet. Shqiptarët e përjetuan monizmin, diktaturën, komunizmin.
E vërteta është se ajo kishte një fytyrë, ashtu çfarë ishte, shpeshherë përvëluese, e deklaronte atë qe kishte dhe të përvëlonte nëse kaloheshin caqet. Erdhi “demokracia”. Dhe si të kuptohet kjo formë e demokracisë që nuk ka burimin nga populli, dhe nuk buron nga sovrani-popull. Ne fakt si në aspektin teorik edhe në atë praktikë zgjedhjet shërbejnë për t’u vetmashtruar.
Nuk ka demokraci sepse nuk ka pjesëmarrje të drejtpërdrejtë vendimmarrëse të popullit, ka vetëm përfaqësim. Ç’është edhe më keq edhe përfaqësimi në realitet është një mashtrim. Nuk mund të gjesh asnjë shqiptar, ose fare pak, që do të thotë se politikanët dhe qeveritarët përfaqësojnë interesat e popullit. Nga njëra anë nuk lëmë gjë pa i thënë social-komunizmit, pronës shoqërore, nga ana tjetër nuk ofrohet ajo e cila i mungonte, prona legale private. Pra sistemet vijnë në përballje tek prona dhe pronari. Thjesht është ndërruar retorika dhe forma, nga pushtetarët komunistë pa pronësi u krijuan “demokratët” e kuq, shumë të pasur.
Sistemet pra thyhen tek prona dhe pronari, mendoj që është i saktë ky definim, apo jo? Demokracia në të vërtetë nuk ekziston në Kosovë, ngaqë nuk funksionon pushteti i së drejtës, i bazuar në ligj. Politikanët kanë ndërruar gëzofin, janë shndërruar dhe thirren në emër të demokracisë dhe proklamohen si demokratë, në fakt janë një bisht i padukur i sistemit të kaluar, që i shërbejnë interesave klanore. Vetëm dhuna fizike është zbutur.
Termi demokraci shërbente për të manipuluar popullin “budalla”, mirëpo nuk del ashtu, sepse populli nuk është edhe aq i pa ditur. Abraham Linkolni thoshte: “Ju mund të gënjeni gjithë popullin për një kohë, ju mund të gënjeni një pjesë të popullit për të gjitha kohërat, por ju nuk mund të gënjeni të gjithë-popullin për të gjitha kohërat”. Pra do të korrigjoja frazën në atë “shpresojmë që populli të mos tregohet aq budalla në të ardhmen” e të zgjedhë të keqen më të vogël, se tani për tani nuk mund të zgjedhë të mirën, ende nuk është sovran, e si të jetë pa Mitrovicën.
Qytetarët deri më tani pranuam zgjedhjet e dirigjuara dhe të imponuara, edhe tash, dhe si t’ia falin ata vetes që votuan disa herë radhazi në zgjedhjet nacionale dhe ua dhanë votën atyre-të njëjtëve, që nuk bën gjë për të ardhmen..., ata vodhën edhe thesarin popullor, fondet popullore. Pse nuk kuptojnë që përgjegjësia e tyre është e shumëfishtë, si të votohen ata që nuk interesohen për shëndetin e arsimtarëve, a duhet prapë të shpërblehen të njëjtit, apo duhet të ndëshkohen, bile me votë.
E kuptoj se njerëzit dolën nga një regjim i rrepte kriminel, socialist-komunist dhe e kaluan atë regjim, edhe luftën, por nuk mund te thuhet se tash e kemi demokracinë parlamentare të instaluar, ngase nuk e kemi, është thjesht liri dhe vetëm liri e shthurur, pa ligje të së drejtës. Thjesht qytetarët janë ata që duhet ta ndryshojnë gjendjen dhe ta bëjnë ashtu siç duan. Në fillimet e para të “demokracisë” ishin po ata që nuk dinin çfarë kërkonim, sepse nuk kishim jetuar në një sistem të tillë. Tani që kemi provuar diçka (ka ende shumë për të parë) mund të themi të paktën atë qe nuk duam dhe atë që duam. Tani është momenti për një ndryshim të saktë. Por, patjetër duhet marrë në konsideratë edhe diçka tjetër.
Çfarë kishin shqiptarët si pasuri? Asgjë! Sistemi i tatimeve nuk funksiononte (ishte i detyrueshëm apo i vullnetit të mirë, kjo vonë u kuptua). A do të funksionojë shteti pa tatime? Si do të mbahet? Por, ato duhen kontrolluar mirë se, pra qytetari duhet të mendoj mirë kujt t’ia jap votat më shumë, e kujt më pak. Le të shpresojmë që do të vijë dita që edhe qytetari i Kosovës do ta shijojë demokracinë me plot kuptimin e fjalës. Por për çdo gjë duhet kohë, sepse Kosova është akoma në tranzicion dhe, për këtë duhet vërtet kohë për të arritur një ndryshim të madh, bile angazhim dhe përpjekje, por edhe ndërgjegjësim dhe ndëshkim për ata që premtuan dhe nuk përmbajtën premtimet.
Comments (0 posted)
Post your comment