Home | Opinion | Së bashku për një fillim të ri

Së bashku për një fillim të ri

image
Qytetari i Kosovës kësaj here do ndryshime rrënjësore dhe jo sipërfaqësore. 

 

 

 

 

 

Besnik Kryeziu

 

Kosova dhe qytetarët e saj si shumë herë deri më tani, edhe një herë janë në një udhëkryq historik. Të ndahen njëherë e përgjithmonë nga qeverisja e keqe dhe korruptive apo të vazhdojnë me votën e tyre ta rizgjedhin këtë keqqeverisje. Kjo keqqeverisje nuk është më shumë apo më pak se sa vetë jeta e tyre dhe e ardhmja evropiane e fëmijëve të tyre. Kjo ndarje është e domosdoshme sepse do të përcaktojë rrugën për dekadën e ardhshme. Do të dijë se kah do të shkojmë. Kjo ndarje do ta ndajë përfundimisht jo vetëm keqqeverisjen por edhe mentalitetin e vjetër që ka lëshuar rrënjë të thella në këtë shoqëri. Shumë gjëra deri tani janë bërë në emër të qytetarit të Kosovës dhe ky qytetar ka heshtur dhe vazhdon të vetëflijohet në mjerim dhe varfëri që ia ka sajuar kjo klasë politike duke qenë thellë i bindur se kjo është e domosdoshme se kjo i bën mirë shtetit më të ri. Klasa politike ka vazhduar të pasurohet deri në pafundësi ndërkohë që qytetari është varfëruar deri në skajshmëri dhe prapë ka heshtur. Kjo heshtje si duket ju ka dhënë zemër (nëse e kanë një të tillë) klasës politike të vazhdojnë ta rrisin standardin jetësor për veten dhe familjet e tyre, ndërkohë që për qytetarin e kanë rritur mjerimin dhe varfërinë, frikën dhe pasigurinë.

E kam thënë edhe në një shkrim timin të më hershëm se ne kemi liderë të krizave dhe duke qenë se janë liderë të krizave ata mbijetojnë vetëm nëpër kriza. Edhe kjo krizë që qytetarin e Kosovës po e dërgon në zgjedhje të jashtëzakonshme është bërë për të mbijetuar nga përmbysja e anijes së tyre politike, por që kësaj here do t'ju dal huq sepse qytetari i Kosovës nuk do të hesht për asnjë çmim cilido qoftë ai, sepse ai nuk donë të fundoset bashke me anijen e kësaj klase të mjeruar politike. Qytetari i Kosovës që moti ka dërguar sinjale të qarta tek kjo klasë politike duke thënë “boll mo”, ama këta jo vetëm që nuk i kanë marrë seriozisht këto sinjale, por edhe i kanë injoruar duke u bazuar në atë filozofinë e pa parë dhe të padëgjuar se: “hajt se këta prapë heshtin”. Jo, qytetari i Republikës së Kosovës nuk do të heshtë më, ai do ta marrë fatin në dorën e vetë, ai do të flasë nga thellësia e thellë e shpirtit të tij, nga ajo thellësi e pastër dhe fisnike. Qytetari i Kosovës kësaj here do ndryshime rrënjësore dhe jo sipërfaqësore. Qytetari i Kosovës do ta gjejë forcën e vetë për të dalë në zgjedhje dhe për të votuar për një fillim të ri i cili atij ngadalë, por sigurt do të ia kthejë buzëqeshjen e ngrirë dhe të harruar, do të ia kthejë krenarinë e nëpërkëmbur.

Qytetari i Kosovës ia dha për një dekadë besimin e vetë kësaj klase politike, por ky besim nuk rezultoi në sukses dhe zhvillim. Kjo klasë politike ndonëse do të bëjë përpjekje për premtime të reja dhe të bukura elektorale, qytetari i Kosovës nuk do t'i besoj më, sepse ata nuk janë më gjë tjetër përveç se limona të shtrydhur. Njeriu mund të japë për shoqërinë kur ka vetë vlera brenda tij, këta janë harxhuar, nuk kanë vlera, nuk kanë se çka t'i japin qytetarit të Kosovës përveç se do ta çojnë në kriza të reja politike dhe socioekonomike. Kontrata politike mes qytetarit dhe kësaj klase politike ka përfunduar si më së keqi njëherë e përgjithmonë. Qytetari i Kosovës e ka mundur friken përballë kësaj klase politike se nuk mund të ndryshojë asgjë, ai është i bindur se fuqia e votës së tij do t'ia ndryshojë kahjen proceseve politike dhe ekonomik, se vota e tij do ta ndryshojë jetën dhe perspektivën e shtetit të tij.

Pas një përfundimi të keq qytetari i Kosovës ka shansin historike për ta filluar një fillim të ri dhe ai do ta bëj këtë, sepse beson në një të ardhme më të mirë dhe prosperuse, sepse beson se nuk e meriton të jetojë me kokën ulur si i huaj në vendin dhe shtetin e vet. Ky fillim i ri do të fuqizohet kur së bashku do t'i bashkohemi në këtë mision historik “Vetëvendosjes” dhe Albin Kurtit, sepse ata nuk përfaqësojnë vetëm një Iniciativë Qytetare, Parti Politike apo diçka tjetër, ata përfaqësojnë një mision historik, përfaqësojnë dëshirën e madhe të shqiptarëve për të jetuar me dinjitet dhe krenari kombëtare përbrenda familjes së madhe evropiane, përfaqësojnë dritën kundër territ. Lëvizja “Vetëvendosje” ishte dhe është shpirti i këtij populli. Shqiptarë kudo që jeni, ju në Atdhe e ne në mërgim bashkohuni në këtë mision për ta ndryshuar historinë, për ta filluar epokën e re ku të gjithë së bashku do të jemi krenar. Bashkohuni me “Vetëvendosjen” dhe Albin Kurtin që Kosovës mos t'i shkëputet edhe ndonjë gjymtyrë në bisedimet e ardhshme me Serbinë, por që të gjitha gjymtyrët të bashkohen me trupin e vet të natyrshëm dhe që ky trup të funksionojë shëndetshëm pa infuzione të ndërkombëtarëve. Dalshim faqebardhë!

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0