Home | Opinion | Imazhi që duhet ndryshuar

Imazhi që duhet ndryshuar

image
Çka do të bëni nëse prezantoni çdo herë se kemi popullatën më të re në Evropë, çka të bëhet më gjithë këta të rinj, të rinj që nuk vijojnë procesin mësimor...

 

 

 

 

 

Labinot Krasniqi

 

Nga larg për liderët e të gjithë shqiptarëve

Hera e parë që po më duhet të prezantohem si kosovar dhe shqiptar - jo në të gjitha rastet lehtë e shpjegueshme, kosovar “io parlo albanese”. Disa më prezantojnë kosovar dhe flet kosovaro. Emocionalisht dhe kombëtarisht ndjehem shqiptar. Kjo emocionalisht me siguri ndodh edhe me shqiptarët tjerë; shqiptar i Kosovës, Maqedonisë, Luginës së Preshevës, Malit të Zi, shqiptar çdo kund, por pjesë e shteteve të ndryshme. Disa të identifikojnë si ballkanas. Historia thotë shumëçka e realiteti shumëçka, poashtu.

Një e përbashkët për shumicën e shqiptarëve është se vendlindjen e kanë lëshuar nga halli, nga regjimi, nga papunësia, duke kërkuar një jetë më të mirë. Kështu edhe i identifikojnë italianët shqiptarët. Italianët që kanë vizituar Kosovën e Shqipërinë përmendin edhe sot se si ndalet rryma, zhurmën e madhe dhe ndotjen nga gjeneratorët, se si dikur ishte bërë diçka atraktive ndezja e gjeneratorit në të njëjtën kohë. Madje, thonë së më mirë kur ndalej rryma se sa uji. Të tjerë kujtojnë së si shumë të rinj janë në Itali, duke punuar kryesisht në ndërtimtari. Disa thonë mënyrat se si i bëjnë letrat. Të tjerë, por kujdesshëm thonë se shqiptarët në Itali nuk merren vetëm me punë të rregullta dhe ligjore, se janë disa grupacione që thyejnë ligjin. Dhe këto gjëra krijojnë imazhin për shqiptarët këtu në Itali.

T’u thuash, “nuk jam nga Italia dhe nuk flas italisht” të thonë: “A jeni Erasmus”, t’u thuash pjesë e EU-së në një program, ta kthejnë: “Quanto tempo, dove..”, kur ju thua jam nga Kosova dhe pjesë e një programi të EU-së, duhet të ulesh të pish një kafe dhe të shpjegosh së shqiptarët nuk kërkojnë vetëm punë këtu, se edhe studiojnë, se vijnë qoftë edhe për një vizitë, por fatkeqësisht këtu nuk mund të gjesh diçka MADE IN KOSOVA, e që do ta bënte më të shkurtër bisedën me një italian për atë se çfarë është Kosova!? Një gjë që e kërkova ishte se mos shihja në listat e profesorëve në disa universitete këtu ndonjë emër shqiptar, por nuk arrita deri tani. Dhe në këtë moment, mendova së ky realitet nuk po ndryshon. Se si ky realitet po na përcjellë edhe pas shembjes së sistemit komunist në Shqipëri, edhe pas çlirimit të Kosovës, edhe pas gjithë këtyre viteve që liderët shqiptarë po premtojnë më të mirën për shqiptarët, për ata në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, madje edhe për ata në diasporë.

Dhe nëse në këto vite kemi pritur që do të ketë ndryshime pozitive, kjo nuk po ndodhë. Imazhi i shqiptarëve nuk është siç do të donim; tregues për këtë është edhe numri i vogël i qytetarëve që marrin viza në mënyrë legale e numri i madh i tyre që e lëshojnë vendin në mënyrë ilegale.
Një italian më tha në praninë e 32 vullnetarëve evropian, se shqiptarët janë të organizuar në disa grupe që punojnë edhe ilegalisht. Ai përmendi EVS Programin si mundësi e mirë për t’u shfrytëzuar. Një vullnetar nga Spanja më pyeti për Kosovën dhe pasi u njohëm, ai kishte kërkuar në Vikipedia në gjuhën spanjolle dhe kishte lexuar se ‘Kosova është vend i krimit, se edhe presidenti i vendit është i akuzuar për tregti të zezë’ dhe gjërash nga më të rëndat.

Liderë të shqiptarëve, ndër vite jeni të njëjtë, situata nuk po ndryshon, zhvillim ekonomik ka më pak nga ç’na duhet, punësimi nuk ka trende pozitive, jeta në këto troje nuk po ka perspektivë. Shumë pyetje! Çka do të bëni nëse prezantoni çdo herë se kemi popullatën më të re në Evropë, çka të bëhet më gjithë këta të rinj, të rinj që nuk vijojnë procesin mësimor, të rinj që përfundojnë shkollat e mesme profesionale, çka me ata që përfundojnë fakultetet, çka me këtë varfëri, çka nëse një pakënaqësi totale shfaqet ndaj jush. Ose, ose, nëse Evropa do t’i hapte dyert për të gjithë, do të gëzoheshit që do të iknin të gjithë.

Liderë të shqiptarëve, shqiptarët kanë sakrifikuar shumë, para, gjatë dhe pas luftërave. Kanë sakrifikuar deri sot për hirë të stabilitetit, për hirë të gjendjes në Kosovë, parastatusi, statusi dhe pastatusi, qetësia e kërkuar në Shqipëri për shkak të proceseve integruese, qetësia e kërkuar për mbijetesën e Maqedonisë, heshtja për çështjen shqiptare në Luginë të Preshevës, paqartësitë dhe ndasitë në Mal të Zi dhe moskthimi me të mirë i gjithë atij kontributi nga bashkatdhetarët tanë.

Liderë të shqiptarëve, shumëçka ka kaluar, realiteti është ky. Çdo shqiptar më thotë: Mos u kthe, gjëje një mundësi që të mbetesh atje. Andaj, liderë të shqiptarëve, krijoni kushte për zhvillim ekonomik, krijoni kushte studimi të mirëfilltë, krijoni vende pune dhe të drejtën e barabartë të konkurrimit, jo sikur deri tani, sigurojini punëtorët gjatë punës, ruajeni rininë dhe mbajeni afër, ruajeni këtë shoqëri që ishte shumë e pastër deri para disa vitesh, rritni kualitetin, siguroni mosndaljen e energjisë dhe ujit, krijoni konkurrencë të drejtë e të mirëfilltë tregu, siguroni të drejtën e ankesës dhe zgjidhjes së problemit, sigurojini funksionimin e drejtësisë, siguroni ndarjen e pushtetit, përgjegjësisë dhe kontrollit, funksionimin e medias dhe lirinë e shtypit, bëni shumë që shqiptarët të arrijnë të organizohen mirëfilli si shoqëri, si qytetarë në vendet që jetojnë përkohësisht.

Liderë të shqiptarëve, vizitat që i bëni jashtë vendit mos i bëni më qëllimin e një fotografie, por në funksion të punës dhe rregullimit të jetës së shqiptarëve.

Liderë të shqiptarëve, punoni për imazhin e shqiptarëve, krijoni mundësi që shqiptarët të jenë të barabartë më një evropian, një mundësi e mirë është të mbështetni programin e EVS (sistemi evropian i vullnetarëve), formë që një i ri shqiptar të lëviz lirshëm nëpër Evropë, të jetoj për disa momente sikur një evropian, të përballet më këtë mënyrë jetese, mos ta ketë në kokë gjetjen e një mënyrë më ideale-ilegale për ta lëshuar vendin. Edhe një gjë që dhemb, në këtë kohë të jesh i ri që jeton në Kosovë është të jesh i izoluar, meqë ne shqiptarët që jetojmë në Kosovë po mbetemi jashtë liberalizimit të vizave.

(Autori është vullnetari i parë nga Kosova në programin e EU-së “Youth in Action”, Itali, Suardi - PV)

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0