Në këtë besoj...
Gjykatat vlejnë si mekanizëm rregullator i shoqërive, duke përcaktuar sistemin e vlerave dhe normat e sjelljes. Çdo dështim në zbatim të ligjit automatikisht reflekton në shoqëri.
Enver Peci
Jo rrallë herë kemi lexuar dhe dëgjuar se si gjykatat janë të korruptuara, se si gjyqtarët janë bashkëfajtor në krim, se si po nxisin kriminalitetin me këto abstenime në zbatimin e ligjit e shumë kritika dhe akuza tjera të ngjashme. Nganjëherë duke dëgjuar gjithë këto mbase të vije dhe turp të deklarohesh se ushtron detyrën e gjyqtarit dhe tenton që semantikisht e me gjysmë zëri t’i ikësh përgjigjes duke thënë se ‘punoj në gjykatë’.
Nuk kam për qëllim që të them se gjithçka është në rregull dhe se të gjithë të tjerët e kanë gabim, përveç nesh që gjendemi këndej pragut të gjykatës. Por jo përmes heshtjes sonë të pranojmë se është krejt ashtu siç përshkruhet në media ose ne diskutimet e ndryshme se të vetmit fajtor janë gjykatat apo gjyqtarët. Në fakt, shumica e gjyqtarëve, përkundër kritikave të pareshtura dhe kushteve aspak të favorshme për punë, e kanë ushtruar funksionin e tyre me devotshmëri, nder dhe profesionalizëm të pakontestueshëm.
Realiteti është se që prej kohës së pas luftës e këndej gjykatat dhe prokuroritë si institucione, dhe gjyqtarët dhe prokurorët si bartës të funksioneve, janë trajtuar si shtresë shoqërore e një rëndësie minore për të cilët ose nuk është diskutuar fare ose është diskutuar vetëm për të avancuar qëllime dhe agjenda përkatëse. Në asnjë moment nuk i është dhënë hapësira e duhur dhe e nevojshme për të kontribuar me njohuritë dhe përvojat e tyre së paku në çështjet që i përkisnin drejtpërdrejtë gjyqësorit.
Përkundër të gjithë faktorëve të lartcekur, prapë se prapë, sistemi gjyqësor ka përballuar me sukses disa nga sfidat e nevojshme për avancimin e aktiviteteve reformuese. Reformat mbase janë edhe të pamjaftueshme nëse nuk vihet në funksion mekanizmi treshkallësh, që nga disa akademikë dhe juristë ndërkombëtarë u kualifikua si “trekëndëshi i sistemit gjyqësor”. Ky mekanizëm, që garanton suksesin e reformave, ka të bëjë me: a) përkrahjen institucionale (pushteti ekzekutiv dhe legjislativ), b) efikasitetin e sistemit gjyqësor, dhe c) më e rëndësishmja, ngritja e besimit të qytetarëve të Kosovës.
Përkrahja institucionale
Deri më tani është miratuar kuadri i domosdoshëm ligjor për mundësimin e reformave në sistemin gjyqësor, duke filluar nga ligjet për gjykatat dhe prokuroritë, si dhe dy ligjet për Këshillin Gjyqësor dhe atë Prokurorial. Po ashtu, dy pushtete tjera kanë lejuar edhe ngritjen e pagave të gjyqtarëve në nivelin që kanë përfaqësuesit e ekzekutivit. Por nga dy pushtetet tjera, nevojitet mbështetje më e fortë që të arrihet deri tek një sistem efikas. Një nga format që garanton pavarësinë gjyqësore është sigurimi ligjor i pragut për ndarjen e përqindjes së caktuar buxhetit vjetor për sistemin gjyqësor. Kjo praktikohet në disa shtete me demokraci të avancuar, duke u nisur nga arsyeja se gjithnjë derisa pushteti gjyqësor varet nga ndarja buxhetore ne bazë të vullnetit të përfaqësuesve të qeverisë lë vend për fjalë dhe spekulime.
Në të njëjtën kohë, institucionet qendrore të Kosovës duhet që të trajtojnë më favorshëm pushtetin gjyqësor duke iu mundësuar kushte dhe ambiente te njëjta të punës se paku të nivelit që kanë dy pushtetet. Dihet se kolapsi në të cilin përfundoi pas luftës Kosova ka vendosur si prioritete ngritjen institucionale të qeverisë dhe kuvendit, por besoj se tashmë ka ardhur koha që në këtë aspekt të përkrahet edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si organ qendror që menaxhon me gjykatat e Kosovës.
Edhe nismat ligjore për amandamentimin e ligjeve apo nxjerrjen e ligjeve të reja që vijnë nga sistemi gjyqësor apo Këshilli Gjyqësor duhet që të vihen si prioritet nga ana e legjislativit të Kosovës, pasi që ato nisma vijnë si pasojë e pengesave që hasen në procedura gjyqësore apo si rezultat i përqafimit të standardeve më të mira ndërkombëtare përgjatë rrugëtimin për ngritjen e efikasitetit të sistemit gjyqësor.
Efikasitetit i sistemit gjyqësor
Gjatë këtyre dy viteve të fundit, Këshilli Gjyqësor, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, ka përfunduar një prej proceseve më të ndjeshme, atë të emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Si rezultat i këtij procesi janë (ri)emëruar 246 gjykatës dhe 88 prokurorë. Kanë ngelur edhe 120 vende të paplotësuara dhe Këshilli Gjyqësor veç ka nxjerr vendimet e para për të filluar ky proces sa më shpejtë që është e mundur.
Në anën tjetër, një ndër sfidat që ka përcjellë me vite sistemin gjyqësor të Kosovës është edhe numri i lartë i lëndëve të vjetra të pakryera. Statistikat e fundit tregojnë se ka pak mbi 200.000 lëndë të pakryera, që nuk do të thotë që të gjitha janë të vjetra. Vetëm gjysma deri në dy të tretat e këtij fondi të lëndëve të pakryera janë lëndë të vjetra. Pavarësisht kësaj, Këshilli Gjyqësor ditë më parë ka miratuar një plan tre-vjeçar për reduktimin e lëndëve të vjetra duke instaluar për të parën herë edhe mekanizma shumëdimensional me elementë motivues/sanksionues, monitorues dhe kontrollues. Madje, edhe publikut do t’i vihet në dispozicion çdo raport tremujor mbi progresin e zbatimit të strategjisë.
Përveç këtyre aktiviteteve, Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë edhe një mori nismash tjera që shpijnë deri të një sistem gjyqësor i pavarur dhe efikas.
Perceptimi publik
Megjithatë, të gjitha këto do të jenë të pamjaftueshme nëse nuk do të ketë një nivel të lartë të kënaqshmërisë së qytetarëve me shërbimet e gjykatave. Sublimimi i të gjitha sukseseve do të paraqitet atëherë kur të kemi një rezultat të lartë të besueshmërisë së qytetarëve në gjykata dhe kur të jenë të gatshëm që për secilin kontest apo problem që e kanë t’i drejtohen lirshëm dhe pa asnjë pengesë gjykatave për ndihmë.
Gjykatat vlejnë si mekanizëm rregullator i shoqërive, duke përcaktuar sistemin e vlerave dhe normat e sjelljes. Çdo dështim në zbatim të ligjit automatikisht reflekton në shoqëri. Andaj, natyrshëm lind pyetja: a dëshirojmë që një shoqëri të tillë, pa mekanizma të fortë rregullator t’ua lëmë trashëgimi fëmijëve tanë në të ardhmen? Për të ardhmen e Kosovës dhe sundimin e ligjit, është thelbësore zhvillimi i një sistemi gjyqësor të pavarur. Pavarësia gjyqësore është e rëndësishme jo vetëm sepse garanton mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e ligjeve, por edhe nga fakti se një ekonomi e fortë tregu varet nga investimet – e investitorët nuk do të sjellin mjetet e tyre për të investuar në një Kosovë me një sistem gjyqësor të dobët dhe jo të pavarur. Pavarësia e gjyqësorit është thelbësore për zhvillimin e sundimit të ligjit dhe një gjyqësor të drejtë dhe të paanshëm në Kosovë. Vetëm atëherë do të mund të deklaroheshim hapur, plot krenari e ballëlartë se UNË JAM GJYQTAR.
(Autori është kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës)
Comments (0 posted)
Post your comment