Home | Opinion | Amaneti!… nga Nëntori në Nëntor…

Amaneti!… nga Nëntori në Nëntor…

image
Sa herë që vjen nëntori, gjithmonë në mua zgjon një nostalgji mbi të kaluarën dhe më kthen prapa për çdo vjet, duke i kujtuar përjetimet, peripecitë e ndryshme, fitoret, fatkeqësitë etj.

 

 

 


  
Nuredin Ismaili

 


Sa vite kalojnë, bashkë me ta kalojnë edhe njerëzit, popujt dhe proceset. Të parët plaken, popujt rriten, kurse proceset vazhdojnë pa u ndalur fare (për të mirë ose për të keq), mirëpo pa të parët nuk do të zhvilloheshin të tjerat sepse njerëzit (personat) me kontributin e tyre lënë gjurmë edhe pas vdekjes së tyre, edhe pse kanë vdekur, në gjeneratat e reja gjithmonë jetojnë. Si në ndër dije, ashtu edhe në zemrat e tyre e zënë vend shumë të rëndësishëm.

Sa herë që vjen nëntori, gjithmonë në mua zgjon një nostalgji mbi të kaluarën dhe më kthen prapa për çdo vjet, duke i kujtuar përjetimet, peripecitë e ndryshme, fitoret, fatkeqësitë etj. Çdoherë gjërat i filloj nga “Nëntori i parë” që njihet si Nëntori i Skënderbeut, kontributin e tij për çështjen shqiptare. Kujtoj bashkimin e principatave (në një) dhe rezistencën ndaj një pushtimi. Nuk ka mundësi që të harrohet ajo periudhë, sepse me vete bartë porosinë dhe amanetin për gjeneratat e reja “Vetëm të bashkuar jemi të fortë” (të pa mposhtur), amanet që e ka borxh secili, dhe se për çështje kombëtare gjithmonë duhet të lihen anash interesat (përfitimet) personale. Atë porosi duhen ta kenë të qartë edhe politikanët e sotit (nuk e di si do të arsyetoheshin një grup prej tyre). Ata për të mirën tonë duhet të sakrifikojnë, sepse na e kanë borxh ne dhe gjeneratave në vijim.

Pas atij nëntori, atëherë kur disa (dashakeqës) menduan se këto troje u bënë shumë të lehta për pushtim, dhe ky popull është shumë pranë zhdukjes, lindi “Nëntori i Dytë”, falë mundit të patriotëve që nuk kursyen asgjë, dhe bënë të pamundurën që në trojet më të lashta të Evropës ta shpallin pavarësinë e Shtetit Shqiptar. Edhe ky nëntor, bashkë me pavarësinë la edhe amanetin e tij, i cili, për çdo vjet pas 1912 u rikujtua nga çdo shqiptar, sepse që nga ajo ditë pasardhësve të tij Ismail Qemali ua la amanet viset tjera shqiptare, të cilat nuk mundi t’i bashkojë me Shqipërinë, duke i lutur ata që as një ditë mos të rrinë duarkryq pa punuar për këtë porosi, sepse kur një trup e ndanë në shumë pjesë, ai patjetër do të lëshojë gjëmë.

Duke kaluar koha, për çdo vit populli përjetoi shumë peripeci të ndryshme. Ai nuk u përkul përballë as një uragani dhe furtune, sa do i lodhur që ishte, sa do që dikush mendonte se nuk ka me forcë (duke harruar forcën atomike në zemrën e çdo shqiptari). Ai (populli) asnjëherë nuk u dorëzua. Çdo ditë e më shumë e forconte dëshirën për ta çuar në vend amanetin që e mori nga me të vjetrit, dhe se për çdo ditë e ushqeu atë ndjenjë për realizimin e këtyre detyrave që na i lanë të parët. Nuk u ndal as edhe atëherë kur shumica (që nuk na duan) menduan se na paralizuan krejtësisht, duke u munduar që të na fshijnë nga faqja e dheut, por harruan se askush nuk mund ta zhdukë dikë që Zoti e krijoi në një vend, dhe se qiraxhiu sa do që të jetë (llogaritet) i fortë nuk mund ta përzë nga shtëpia pronarin e vërtetë.

Atëherë kur kundërshtarët përreth kënaqeshin dhe ngrinin dolli nëpër kolltukët e buta, dhe duke përdhosur mundin dhe të mirat e shqiptarëve, sikur tua ketë lindur nëna, prapë u shfaq “Nëntori” dhe lindën ata të cilët një ditë do ti thonin “JO!!!” poshtërimit të skajshëm të popullit të lashtë iliro – dardan. Ai dhe shokët tjerë u rritën me “Flamurin e dy nëntorëve të më hershëm”, u rritën me amanetet e të parëve të cilët i morën (absorbuan) duke ndejtur të ulur nëpër oda, institucione me rëndësi të veçantë për shpirtin shqiptar.

Duke qenë të vetëdijshëm për obligimin që e kishin ndaj kombit, ata sollën edhe një “Nëntor” dhe në të lindën UÇK – në (që dikush po i thotë tradhti dhe pjellë e satrapëve tanë me bazë në Beograd), UÇK – në që rezultoi në pavarësimin e Shtetit të dytë Shqiptar në këto troje të lashta iliro – dardane. Ai “Nëntor” (i 3 – ti) i qetësoi shpirtat e të parëve, dhe sikur melhem i shëroi dhe nuk i la të dëshpërohen e të mendojnë se mos vallë është harruar ai amanet që doli nga dy nëntorët e parë. E qetësoi shpirtin e Gjergj Kastriotit, duke e sjellë triumfalisht në kryeqendrën e dytë shqiptare, duke i mundësuar të qëndroj krenar mu në mes të kryeqendrës, në të cilin dikush më herët është vrarë veç se e ka thënë emrin Skënderbe.

Me të arriturat e kësaj lufte, Ismail Qemalit iu dërgua “haberi” se një pjesë të cilën nuk munde ta bësh të pavarur në 1912 do e bëjmë ne sot, dhe asnjëherë më nuk do të ketë pengesë dhe nuk do të mundë të vonohet askush siç u vonua Isa Boletini në atë Nëntor, sepse tani këta dy vende të një trupi nuk mund t’i ndalë askush që të bëjnë edhe projekte madhore që do t’i bashkojnë edhe më tej.

Isë Boletini duhet të jetë krenar sepse me gjithë atë mundë që derdhëm deri më sot, ne i dëshmuam edhe Londrës, se Shqipëria ka qenë, është dhe do të jetë, mu ashtu siç i tha edhe Isa Beu Lordit Anglez. Ata (të parët) nuk u turpëruan nga gjeneratat e reja, por do të jenë krenarë dhe do të prehen të qetë, sepse idealet dhe ëndrrat e tyre, dalë ngadalë po jetësohen.

Sot në Maqedoni, përkundër shumë mangësive, frymon lirshëm shpirti shqiptar. Sot këtu nuk ka nevojë që në mënyrë të fshehtë, për festat e nëntorit, të ngriten flamuj (siç e bënim ne kur ishim nxënës të shkollave të mesme). Sot në Kumanovë nuk ka nevojë që ditën e alfabetit ta festojmë nëpër lokale “hermetikisht të mbillura”, por se atë e festuam të gjithë së bashku, mu në objektin e Fakultetit në gjuhën shqipe, në të cilin objekt (që ka qenë fabrikë më herët) posti më i lartë për një shqiptar ka qenë pastrues.

Kjo është dëshmi para paraardhësve tanë, se gjërat kanë lëvizur përpara, e njëkohësisht është edhe garanci e fuqishme për një zhvillim dhe përparim edhe më të madh.

Askush më nuk do të mund ta ndalë rrugën tonë, rrugën e drejtë, sepse gjaku dhe mundi i bijve më të dashur të kombit, sa do që dikush mundohet ta nënçmojë dhe përbuzë atë, asnjëherë nuk ka shkuar pa lënë gjurmë, ashtu siç kanë lënë gjurmë edhe në të kaluarën tonë, shumë trima, me gjakun e të cilëve, ne arritëm që ta ruajmë me xhelozi shpirtin shqiptar, dhe nuk lejuam ta kemi fatin e njejtë me disa popuj të lashtë, e që sot dikush mundohet t’ua përvetësojë trashëgiminë historike, kulturore, t’i imitojë, etj.

Sa herë që dikush të sheh ëndrra se ka arritur diçka ne dëm të këtij populli, duhet t’i kujtohet Nëntori, sepse lindë edhe ndonjë tjetër, dhe pastaj, do të pendohen të gjithë ata që mundohen të luajnë me shpirtin e pavdekshëm të shqiptarit. Le t’u shërbejnë si dëshmi nëntorët e kaluar.

Përkundër të gjitha arritjeve, akoma “amaneti” është obligim për ne, dhe ne të gjithë duhet punuar që t’i realizojmë ato detyra që na kanë mbetur, dhe se vetëm me punë arrihen gjëra të mëdha, apo më mirë të themi, siç kam dëgjuar se babai i heroit Kadri Zeka ka thënë: “Atdheu duhet me këtë (duke treguar me gishtërinjtë shenjën e parasë), por edhe kështu (duke treguar shenjën e armës), e sa për blla, blla, blla, m.... në të”. (P.s. ose me para, ose me luftë, sa për fjalë hudhi në halë)

Lavdi të gjithë atyre që dhanë mundin e tyre për këto ditë, atyre që nuk lejuan që të shuhet shpresa, nuk lejuan që të harrohet amaneti dhe gjeneratë pas gjenerate ditën ta ndezin ndjenjën e krenarisë dhe t’i thonë “Jo”!!! nënçmimit dhe zhdukjes.

Urime për shumë vjet festat e Nentorit!

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00