Si të komunikojmë me Europën?
Lajm i mirë në tërë këtë është se po përpiqemi të komunikojmë me veten tonë dhe të përmirësojmë komunikimin, ose monologun, me aq sa mundemi dhe kemi kapacitete, pra po mësohemi duke e bërë këtë gjë.
Artan Çollaku
Fushatat parazgjedhore janë periudhat e vetme kohore kur ne si kosovarë përpiqemi të komunikojmë mes vete për çështje të cilat, në një mënyrë ose tjetër, na prekin të gjithëve. Kur jemi te komunikimi, dhe meqë fushata e filluar para kohe për zgjedhjet e 12 dhjetorit është e stërngarkuar me terma si ‘Bashkimi Evropian’, ‘Evropa’, ‘evropianizimi’, ‘standardet evropiane’, etj., etj, një pyetje mbase ‘evropiane’ do të ishte se sa evropian është në të vërtetë i tërë ky komunikim publik. Ose le ta logjikojmë këtë pyetje në formë drejtëze, e cila ka dy ekstreme: nga ajo më evropiania deri te e kundërta e saj. Pra çështja është se sa evropiane, ose e kundërta, është sjellja e partive politike dhe kandidatëve të tyre.
Le të fillojmë me motivin. Të paktën prej asaj që pasqyrohet nëpër media, motivi mbizotërues, ajo ‘dora e padukshme’ që e vë në lëvizje këtë sjellje publike vështirë të menaxhueshme, vazhdon të jetë në masë të madhe shfryrja publike e frustrimeve të akumuluara gjatë periudhave mes zgjedhjeve. Po të nisemi nga fakti i thjeshtë se secili prej nesh ka kontribuar në mënyrën e saj/tij në këtë liri, në themelimin e institucioneve, me e pa UNMIK-un, në arritjen e pavarësisë e bashkë me të të mbështetjes ndërkombëtare, e si rezultat krenohemi me Kushtetutë e ligje që janë në përputhje me standardet me të larta evropiane (të paktën në letër), e çfarëdo qoftë tjetër në të cilën secili prej nesh pretendojnë të kemi kontribuar, këto arritje janë rezultat i sjelljeve evropiane të kosovarëve të thjeshtë, gjë që askush nuk mund t’i kontestojë. Marrë parasysh se votimi konsiderohet si më fisnikja mes tyre, ‘kandidatët në merkato’ janë demonstrimi më i papërgjegjshëm i faktit se sjellja evropiane e votuesve të shtetit më të varfër në Evropë vazhdon të keqpërdoret edhe pas një dekade të futjes në përdorim të votimit si praktikë elementare demokratike. Dhe meqë vlera të tilla si liria, demokracia e një atdhe i përbashkët për secilën qenie njerëzore që ka zgjedhur të jetojë në këtë vend janë vlera që Evropa i merr të mirëqena prej tashmë pothuaj një shekulli, të bësh kaq zhurmë për to është sjellje e hapur anti-evropiane.
E njëjta gjë demonstrohet në çfarëdo tendence për të monopolizuar çfarëdo që është arritur deri më tani. Kjo duket të jetë në kundërshtim të hapur me parime thellësisht evropiane si pluralizmi e individualizmi dhe me besimin se secili qytetar ka të drejta të barabarta, dhe se thelbi i kombeve demokratike është pranimi dhe përqafimi i kontributit të secilit në të mirat e përbashkëta dhe në vetë idenë e progresit të atij kombi demokratik. Më tej, kjo mungesë kaq e hapur respekti për votën si vlerë unikate të demokracive të zhvilluara evropiane paraqet një sjellje tjetër anti-evropiane.
Po kaq anti-evropiane, madje edhe në kundërshtim me traditën ballkanase të besës, është tendenca e përmbysjes së të gjitha këtyre arritjeve në ‘dobi’ të bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm. Përveç që është premtim politik astronomik dhe lojë me emocione kolektive dhe që mbështetet në keqpërdorimin e këtyre të fundit, ajo është gjithashtu në kundërshtim me parimet e Realpolitik-ës, pasi që ndërtimi i një shteti të vetëm shqiptar nuk është prioritet i asnjë akteri tjetër të rëndësishëm politik shqiptar në Ballkan. Pra, duke qenë politikisht e parealizueshme në rrethanat në të cilat gjendemi, karta e bashkimit të të gjithë shqiptarëve në një shtet të vetëm është irracionale për rrethanat në të cilat jetojmë, dhe si e tillë anti-evropiane. Këtë e bën edhe me të parealizueshme politikisht fakti se kjo kartë politike e vjetruar, por që kërkon të ri-paketojë veten, vuan shumë nga mungesa e ideve për qeverisje demokratike duke shkuar aq larg sa i sheh kursimet individuale si burime të resurseve të buxhetit të shtetit të ardhshëm. Në vitin 2010, kjo tendencë është anti-evropiane për faktin se paraqet hapin e parë drejt minimit të pronës private dhe rrjedhimisht të tregut të lirë si motor esencial i progresit siç e njohim në Evropë, e më tej edhe i ‘tregut social’ si formë dominuese e sistemeve ekonomike në Evropën e sotme, e të mos flasim për shkallën e antipatisë ndaj socializmit që akoma ekziston në mesin e të gjithë shqiptarëve në Ballkan.
Më tej, të qenit jo-falënderues ndaj tërë mbështetjes që ka marrë dhe vazhdon të marrë kombi i ri nga shumë kombe të Evropës dhe kombe të tjera që funksionojnë si to është sjellje e papjekur politike, dhe si e tillë në kundërshtim me stadin aktual të zhvillimit të politikës në kontinentin Evropë, ku pjekuria dhe përgjegjshmëria politike janë parime fundamentale. Në fund të fundit, nëse sistemi aktual i qeverisjes, i cili është në forcim e sipër, përballet me plot defekte dhe çrregullime si korrupsioni apo edhe ndikimi i tepërt ndërkombëtar, mënyra evropiane do të ishte që votuesit të binden, me anë të argumenteve racionale, se pse karta politike e një shteti të vetëm shqiptar në Ballkan qenka më e mira se cilado tjetër, e në veçanti se sa kapacitete intelektuale, sociale e ekonomike ka kombi më i ri e më i varfër në Evropë për të përballuar një ndryshim kaq radikal.
Tani të zbresim në një nivel pak më teknik. Të bombarduar nga furi mesazhesh të pa-filtruara, shumica e mediave, përmes të cilave na transmetohet një shumësi kaq e madhe informatash, detyrohen të shndërrohen në makineri ku edhe një vështrues indiferent dhe i pa-interesuar e ka të vështirë të dallojë ato pak elementë që e bëjnë këtë hiper-komunikim një tendencë për politikë-bërje publike. Ajo që mungon në tërë këtë që, siç na ka mësuar Evropa, e quajmë konkurrencë politike (e madje edhe konkurrencë idesh), është një kut të paktën i përafërt matës racional, mbi të cilin të ekzistojë një konsensus i pakontestueshëm nga të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë garë politike, përfshirë votuesit si konsumues të ideve. Dhe përderisa mungon një kut i tillë matës, përballemi me premtime politike aq astronomike, të cilat, po të ripërsëriten këtu, vetëm sa do të kontribuonin në këtë sjellje anti-evropiane. Përveç kësaj, ky hiper-komunikim i deformuar përmban në të shumtën e rasteve leksione të gjata e të mërzitshme historie, rrëfime legjendare, predikime pseudo-fetare për parajsën pas zgjedhjeve, e shpesh shohim edhe skena që u ngjajnë arenave të gladiatorëve e gjyqeve kolektive. Është e qartë se sjellje më anti-evropiane se këto të fundit akoma nuk ka parë votuesi kosovar.
Në rastin më të mirë mund të shohim media që shërbejnë si ‘lehtësues’ (‘facilitatorë’) të komunikimit publik, ku ata që kërkojnë poste publike, të cilitdo subjekti politik qofshin, të paktën përpiqen të merren vesh mes vete për problemet fundamentale me të cilat përballemi si shoqëri. Ndonëse nuk mund të pretendojmë se në këtë rast janë përmbushur të gjitha standardet evropiane të qeverisjes demokratike, të paktën kështu dukemi pak më evropianë. E deri më tani rrallëherë kemi parë forume publike vërtet evropiane, ku ata që kërkojnë poste publike përpiqen të vendosin një lloj komunikimi të civilizuar me audiencën mbi atë së çfarë zgjidhjesh mund të ketë për secilin problem. Sidoqoftë, duhet ta kemi të qartë se një qeverisje demokratike me standarde evropiane kërkon që qëllimi primar i konkurrencës elektorale të jetë që ata që kërkojnë poste publike të dalin me politika publike për zgjidhjen afatgjatë të problemeve në mënyrat që mendojnë se duhen zgjidhur ato më së miri.
Pra, për të qenë pak më evropian, komunikimi publik gjatë fushatave parazgjedhore duhet të paktën të ketë një dozë dialogu. Përkundrazi, duke vazhduar të jetë me pak substancë, ky lloj komunikimi publik vazhdon të mbetet në masë të madhe i mundimshëm e traumatik, me pak zgjidhje afatgjata e të prekshme, me një fjalë kryesisht një shumësi kaotike monologësh irracionalë. Lajm i mirë në tërë këtë është se po përpiqemi të komunikojmë me veten tonë dhe të përmirësojmë komunikimin, ose monologun, me aq sa mundemi dhe kemi kapacitete, pra po mësohemi duke e bërë këtë gjë. Por lajmi i keq është se ndërsa po përpiqemi të bëjmë monolog, me apo pa vetëdije, po komunikojmë me botën përtej nesh, pra bota përreth nesh (lexo Evropa), po na lexon përderisa ne po përpiqemi të lexojmë në mes të rreshtave se si po na lexon ajo ne. E për Raportin e Progresit, i cili do të vazhdojë të na shërbejë si pasqyra e vetme për të kuptuar se si na lexon Evropa, e rrjedhimisht se si po komunikojmë me të dhe sa evropianë po bëhemi, duhet folur tjetër herë, mbase pas 12 dhjetorit, kur të na jepet pak më shumë kohë e durim për të menduar racionalisht.
(Autori merret me çështje të integrimit evropian. Pikëpamjet e shprehura në këtë artikull janë të tijat personale dhe në asnjë mënyrë nuk përfaqësojnë pikëpamje të ndonjë organizate)
Comments (0 posted)
Post your comment