Durimi m'i ringjall shpresat
1 Nëntori 2010 ishte dita e kthimit të optimizmit të shumë ëndërruar. Ishte dita e shpëtimit nga vuajtja e një dënimi të pakuptimtë e të padrejtë.
Agim Behluli
Edhe pse gjatë katër viteve të para derisa isha brenda mureve të burgut me tretman të mbyllur nuk ma merrte mendja se aq lehtë do t'i përballoj vuajtjes së një dënimi të pamerituar, prap se prap ndodhi një " bumerang ", pra i shpëtova ndonjë fatkeqësie rasti apo sëmundjeje me epilog fatal. E them këtë, sepse që nga burgosja ime(6 vite), kam përcjellur me dhjetëra kufoma djemsh të rinj. Disa, nga mosdurimi i burgut kanë pësuar atak në zemër, disa kanë marrë medikamente me dozë të tepruar, disa janë varur, derisa disa i kanë prerë venat në duar, qafë e vende të tjera. Vetëm një psikolog profesional do të mund të na shpjegonte për kategoritë e njerëzve se si e përjetojnë burgun, pas rënies se tyre në të. Bile, disa prej tyre shumë herë nga mosarritja e adaptimit në hapësirë të mbyllur, fillojnë të bëjnë probleme të llojeve të ndryshme, më së shumti duke e dëmtuar veten, pra duke u shtirur se kanë dhembje barku apo ngritje të temperaturës. Pas analizës së bërë konstatohet se kanë gëlltitur lugë ushqimi apo lloj hekuri tjetër, si arsye për të shpëtuar nga vuajtja e dënimit. Por, të gjitha këto " eksperimente " janë të kota, meqë pas intervenimit kirurgjik bëhet sanimi i tyre dhe dënimin vazhdojnë ta vuajnë. Kështu e ka burgu, dikush është më i dobët e dikush më i durueshëm. Sado që të kesh durim t'i përballosh vështirësive shpirtërore që t'i sjell burgu, pa dyshim kërkesat e të burgosurve janë të ngjashme që sa më shpejtë të shohin vetën në botën e lirë.
Kam ardhur në përfundim se burgu është i njëjtë si për ata që kanë faj, për ata që kanë më pak faj si dhe për ata që nuk kanë fare faj. Me një fjalë të gjithë së bashku i takojnë këtij ambienti jo të këndshëm. Të gjithë mbajnë dënimin e caktuar dhe presin përfundimin e tij. Secili me plot dëshirë pret që një ditë më herët t'i hapen ato dyer të hekurta për të shijuar lirinë e lënë pas shpine. Dhe vjen fjala nga gjithsej 7 vjet burg, nëse ke mbajtur gjashtë, atëherë De Jure automatikisht të hapen mundësitë për të parashtruar kërkesë në gjyqin themelor, në atë suprem dhe tek kryetari i shtetit, për zbutjen apo eventualisht lirimin e plotë nga dënimi i mbetur. Në qoftë se shikohen drejtë dhe realisht kërkesat e dërguara deri në adresat e lartpërmendura , atëherë rezultatet gjithnjë janë të kënaqshme. Fatkeqësisht nëpër gjykatat tona shpeshherë ndodhin çudira. Ata dinë të dënojnë pa fakte dhe argumente, por kur duhet të të lirojnë një vit apo disa muaj më herët, pa e konsultuar fare ligjin, vendosin lehtë dhe të kundërshtojnë. Këso bindje kemi një numër i konsiderueshëm të burgosurish. Por, ka edhe gjykatës ( të rrallë ) që sjellin vendime korrekte, duke u bazuar në të dhëna dhe fakte të prezantuara. Për dy-tre raste konkrete do të kisha apostrofuar disa pyetje-përgjigje të mia. A thua, kryetari i gjyqit themelor të Kumanovës z. Sefer Memeti pati të drejtë, kur kërkesës së bashkëshortes sime iu përgjigj pozitivisht për të më liruar nga vuajtja e mëtutjeshme e dënimit? Po, plotësisht pati të drejtë. Ai ishte i bazuar në gjendjen aktuale të familjes dhe në karakteristikat e pranuara nga burgu. A thua, prokuroria pati të drejtë t'i ankohet vendimit të gjykatës, që për të njëjtin kërkoj të abrogohet nga gjyqi i Apelit? Assesi jo! Sepse nuk kishte bazë ligjore për t'u ankuar. Por, a thua gjyqi i Apelit kishte të drejtë të anojë në anën e prokurorisë, kurse të abrogojë vendimin e gjyqit themelorë të Kumanovës? Aspak nuk kishte të drejtë. Ai shkeli të gjitha normat juridike kur kundërshtoi vendimin e lirimit tim ( 1 Nëntor 2010 ).
Vallë, a nuk është ky një diskriminim?! Normal, se po. Se është lojë e Sefer Memetit, që në njërën anë të më gëzojë se do të lirohem, kurse në anën tjetër të më dëshpërojë se akoma do të ngeli në burg, nuk mund ta marr si të besueshme. E them këtë, sepse ai morri guximin edhe për rastin e Sopotit, ndaj të cilit nuk përdori fytyra, por me këmbëngulje ishte i vendosur për të sjellë vendim që lënda e tyre të rishqyrtohet dhe të burgosurit të mbrohen nga shtëpitë e tyre. Po të mos ishte Sefer Memeti, a thua Sopotasit do të bënin gjumë, do të drekonin apo do të darkonin me familjet e tyre, duke i pasur përballë fëmijët, mbesat e nipërit?! Jo, kurrë jo. Vallë, pse nuk iu mundësua pra e njëjta gjë edhe të burgosurit Zenel Klaiqit, i cili mbeti të vuajë dënimin në burgun e Shutkës? Sepse për të vendoste gjyqi i Shkupit 1, ku kryetar nuk ishte Sefer Memeti. Unë nuk kam të drejtë morale t'i ankohem kryetarit të gjyqit themelor të Kumanovës, që nuk arrita të gëzoj vetën dhe familjen time. Fajin t'ua lëmë fajtorëve. Radhën për të "lëvizur figurën" e kishin të tjerët. Se dikush bëri shaka me mua t'ia lëmë kohës me shpresë se një ditë do të dalë mbi sipërfaqen e tokës.
1 Nëntori 2010 ishte dita e kthimit të optimizmit të shumë ëndërruar. Ishte dita e shpëtimit nga vuajtja e një dënimi të pakuptimtë e të padrejtë. Ishte dita e fundit e një pjese më të hidhur dhe hapja e një faqe të re të jetës sime. Me një fjalë, ishte dita e kthimit të një gëzimi që moti të harruar,të gëzimit për kthimin e një prindi të fëmijëve që patën mbetur si jetimë të përmalluar.
Sidoqoftë, unë do t'i përballoj edhe kësaj sfide më të re.
(Autori është gazetar,tashmë i burgosur në burgun e Idrizovës)
Comments (0 posted)
Post your comment