Individualizmi dhe egoizmi shoqëror
Sot, elementet e ndërdijes janë të përsosura pjesërisht edhe të mangëta gjerësisht. Të përsosura, ngase të gjithë njerëzit e moshës së rritur përpiqen të angazhohen në punë dhe fitim, secili për vete.
Pluralizmi – zhvendos mendjet
Duke soditur nëpër dritaret shkallëve të kohës një jetë dy-shekujsh, ndryshimet janë të shumta. Prej atyre në cikërrima e deri te ato makro tablo përshkrimesh shoqërore. Sot, elementet e ndërdijes janë të përsosura pjesërisht edhe të mangëta gjerësisht. Të përsosura, ngase të gjithë njerëzit e moshës së rritur përpiqen të angazhohen në punë dhe fitim, secili për vete. Edhe te ne, njeriu i sotëm, gjithë talentin dhe aftësitë i provon në profesionin e vet secili, por edhe jashtë profesionit. Vetëm e vetëm që të kënaqë subjektin e vet. Respektin ndaj punës e kanë tashmë të qartë dhe përpiqen që, secili të tregohet si njeri me shprehi pune; sikur tipat e tillë që nuk ia varnin fare në të kaluarën, tash janë të kujdesshëm edhe për inventarin dhe mjetet e punës, sepse, patroni do t’i ndëshkoj menjëherë. Orarin e punës e konsiderojnë më mirë dhe punën e kontrolluar nga patroni e marrin si të natyrshme. Të gjithë ata që janë të punësuar nuk e shkojnë kohën pa një orar, qoftë edhe në vizita te njerëzit familjarë. Ahengjet, drekat, darkat janë në mënyrë euro-perëndimore e me taktika ‘a la franga’. Një dinamizëm i kohës është më intensiv. Nuk e mërzitin njëri-tjetrin për disa tradita që janë shpikur deri në këto kohë të sotme: “për inat të këtij, atij, unë do ta bëj dasmën më të madhe”, ose, “unë do ta teletisi nusen me më shumë çampare e dyzenë”, ndonëse, ende ka shpenzime të tilla, por me tendencë rënie dhe me “inate” më ndryshe.
Ankesa përditshmërie
Ndërsa, pjesa më e madhe e popullatës, edhe në vise rurale njësoj si në ato urbane, janë me sjellje anomalie e me kokë dhimbje te çdo individ. Në rend të parë, nga skamja dhe mos mundësia për të hapë rrahën secili për familjen me anëtarët e vet të papunë dhe të mërzitshëm për një jetë sa për të ekzistuar. Të gjithë sikur janë të mbështjell me një vel të hollë dhe nuk shohin krejt qartë. Rrugës kur kalon e shikon dhe të shikon në sy, nuk të flet as nuk i flet. Është thënie e vjetër: “Njeriu sheh me mend, jo me sy.” Dhe, kjo del saktë e vërtetë. Duken më të plakur, më të padurueshëm e më nervoz. Janë të ngarkuar nga shumë komplekse. Përpiqen t’i përthekojnë në mendje të gjitha që i planifikojnë. Në praktikë vështirë se i realizojnë as pesë të qindtat. Ata kanë objektin e dashurisë dhe të urrejtjes në kujtesë. Si duket shpesh urrejtja zë vend më të shumtë tek kjo pjesë e njerëzve tanë. Gjatë gjithë ditës një pjesë e qytetarëve e kalojnë kot. Në mbrëmje nuk sjellin asgjë për të mirën e familjes. Energjia e ngarkuar duhet të shpërthej diku. S’ka para, s’ka as harmoni në familje. Heshtja nëse thyhet mund të del ndonjë bisedë nervoze, për të shkaktuar mllef e urrejtje deri te shamatat. Ka mjaft raste të vrasjeve dhe vetëvrasjeve. Të shumtën i dëgjon duke u ankuar. Shumë pak lexojnë literaturë, një pjesë shumë e madhe, as shtypin e përditshëm nuk e konsultojnë fare. As televizion e radio: “Çka më sjellin gazetat dhe televizioni? Krejt rrena janë. Të gjitha shkruhen e fliten për të mirën e një grupi njerëzish. Për ata që po e ‘vjedhin dhe po e hanë krejt këtë vend’, pa menduar fare për fëmijët tanë! Ne nuk kemi asgjë përpara, veç shpirtin...!” etj.
Krejt njëjtë – rroftë kuleta!
Nga ky prizëm mendoj se, edhe një pjesë e intelektualëve dhe ekspertëve të kulturës, krijimtarisë letrare e artistike, si dhe ata të shkencave të ndryshme përpiqen ta gjejnë vetën diku për një jetë më të mirë materiale. Një hapësirë shtrojere për pak mbijetesë. Nuk do t’ia lëkundin askujt ‘tetikun’, sepse, nuk dëshirojnë ta prishin rendin, më parë për veten dhe familjen e tyre. U ikin ballafaqimeve rrjedhën së vrazhdët ditore. Janë të heshtur e pa ndonjë aktivitet të dendur në shoqëri, pavarësisht titullit dhe profesionit që ushtrojnë, (cilitdo qoftë) që deri dje ishin edhe ‘promotorët’ e kulturës shqiptare, një pjesë e tyre si dhe të shkencës. Edhe intelektualët (pjesërisht) gënjejnë. Struken dhe e ruajnë veç veten e tyre. E kanë harruar edhe shkencën. Rruajnë voe. Ndonjëri thotë: “Kot more punon e shkruan. Kot je punëtor i mirë! Askush nuk e vlerëson atë punë tënden! Po s’ka kush të vlerësoj.” Krejt njësoj, edhe i arsimuari edhe analfabeti. ‘Rroftë kuleta...! veç nën e babë s’gjen me i ble!’ Të qeshurit s’është i skamnorit si atij të pasurit.
Edhe frikësimi është i pranishëm nga një palë mend të një pjese njerëzish, të një pjese që po hidhen (‘bani s’ bani’) në vallen shoqërore si figura zyrtare shtetërore. Qoftë në ato lokale, apo qendrore. Ata duhet të jenë matësit e vlerave, po s’është ai qëllimi as halli i tyre. Duke llogaritur se nuk vlen asgjë e pak paradokohshme, e pastaj as e sotme. “Veç ha, pi...dhe kohën mos e kurse në argëtime e lezete! Populli shkon e vjen. Koha s’kthehet më!” Kanë paaftësi të gatuara që moti. Fatkeqësisht as nga përvoja jetësore, as nga bankat shkollore. Natyrisht, egoizmi i tyre është edhe më i madh si partizanë. Më i madh se te ata qytetarët e viseve rurale. Më i madhe se i disa gjysmë intelektualëve të pispillosur pa mund. Kështu edhe këta kanë marrë tituj të ndryshëm karriere – profesionale pa meritë. Kosova sot
Comments (0 posted)
Post your comment