Standarti Europian, fillon tek zyrat e shtetit
Nuk është e vështirë të përmendësh faktin e zyrave në Europë.Në fakt shikon tre gjëra kryesore. Flamurin ose Stemën e Republikës dhe në më pak raste edhe foton e Presidentit të Republikës.
Nga Besi BEKTESHI
Mbas një arritje të madhe që është NATO, dhe preukupacioni për të hyrë në Bashkimin Europian, është e qartë që nuk ka më kohë për eufori, por për një standardizim europian. Kemi trashëguar në fakt një mentalitet zyre, tipik komunist dhe glorifikimi i figurës së diktatorit ka qenë një nga “cilësitë” e zyrave të shtetit shqiptar. Tjetra “veti” ka qenë deri në kohët e fundit, dhe sistemimi i zyrave në mënyrë banale, pa asnjë lloj koncepti normal dhe bashkëkohor të mjedisit zyrtar. Por, janë bërë hapa përpara në rregullimin e zyrave të shtetit dhe në disa raste ka nisur dhe “luksi” për tu ndarë edhe nga realiteti. Nuk është fjala për zyrat e privatit, por të shtetit. Nga histeria e trajtimit të zyrës në të dikurshmen si një mjedis i frikës, shëmtimit mobiliar dhe figurës së diktatorit, kemi dalë në palaçollëkun të trajtimit të zyrës së shtetit si të ishte kuzhinë apo dhomë pritje e personit, që e disponon atë vetëm si drejtim.
Nuk është e vështirë të përmendësh faktin e zyrave në Europë. Patjetër që tani janë hapur dyert dhe të bie rasti të shikosh zyra të shteteve Europiane në lartësitë nga më të ndryshmet. Në fakt shikon tre gjëra kryesore. Flamurin ose Stemën e Republikës dhe në më pak raste edhe foton e Presidentit të Republikës. Po, shikon edhe flamurin Europian dhe të gjitha këto të vendosura në vendin e duhur pa e ngarkuar zyrën me të tjera aksesorë dhe foto apo postera dhe piktura së paku në vendin kryesor të një zyre shteti. Por çfarë ndodh në Shqipëri? Zyrat e shtetit shqiptar janë dy kategorish. Kategoria e parë është e zyrave që nuk duan t’ja dinë për stema dhe flamuj apo edhe foto. Por po pakësohen. Sistemi i dytë dhe i përhapur është rregullimi i zyrës së shtetit, si të ishte një dhomë gjumi, kuzhinë apo dhomë pritje shtëpie. Shkon në një zyrë gjykate dhe shikon Bamir Topin, më poshtë gjyqtarin me një drejtues të lartë të shtetit në foto, dhe përballë disa flamuj të vendeve të ndryshme dhe stemat e tyre në mure.
Shikon edhe foto të drejtuesit të zyrës me familjen dhe fëmijët, por edhe vende piktoreske që ai ka vizituar dhe këto i shikon jo në ndonjë kënd të zyrës, por përballë dhe në vendin kryesor. Në një drejtori shkolle shikon Kryeministrin Sali Berisha dhe anash, por jo shumë larg flamurin amerikan dhe shqiptar dhe në mes stemën e Leikersa-ve, por afër edhe Majkëll Xhordan dhe nuk kupton dot psenë.. e këtij kombinimi. Në një zyrë tatim-taksash shikon sërish Topin dhe afër tij “Nënë Terezën” dhe “Papën e Romës” por që midis tyre kanë fëmijët e drejtorit të zyrës. Në këtë zyrë nuk ka asnjë flamur, por në vend të tyre është një “Ferrari - Testa Rosa” që në nivel është më lart se Presidenti dhe çdo foto në zyrë. Në një zyrë ministrie të rëndësishme është foto e Presidentit, por më afër tij janë dy flamuj si ai amerikan dhe europian dhe flamuri shqiptar është fare i vogël në tavolinë. Po ti shtosh se në këtë zyrë është edhe një foto e madhe si poster e Presidentit Bush atëherë kupton qartë se drejtuesi është një filo-perëndimor i pa kundërshtueshëm.
Në një zyrë Bashkie është foto e Presidentit, por jo në qendër të zyrës, sepse vendin e saj e ka zënë foto e shefit të zyrës me Kryebashkiakun e Tiranës, e cila është shumë e madhe dhe tepër qendrore. Por më e bukura ka qenë një zyrë e një kryetari komune, në të cilën vendi ku punonte kreu i zyrës ishte i ngritur një metër mbi dyshemenë e pikërisht zyrës, që i jepte çdo të ardhuri impresionin se është përpara gjyqit dhe gjykatësve, kurse përballë harta e komunës dhe fytyra e kryetarit në anë të saj, si për të thënë... unë jam komuna... Në këtë rast Bamir Topi ishte në anën tjetër dhe poshtë tij një stufë drush, por me ngjyrë të kuqe të errët dhe me siglën e partisë prej nga është kandiduar Kryetari i Komunës. Flamuri shqiptar në fakt ishte mbi stufë dhe kaq shumë i kishte dalë boja, sa dukej si një “copë rozë me diçka të zezë në mes” që lidhte foton e Presidentit me stufën.
Ndërsa më “fenomenalja” zyrave, më është dukur një zyrë drejtorie të shtetit, ku nuk kishte asnjë foto dhe flamur, por vetëm një pikturë të madhe e cila tregonte një pamje të një ngjarje të lavdishme të kombit shqiptar, por me një dallim të jashtëzakonshëm sepse kjo pikturë jo vetëm nuk kishte kornizë, por për më tepër për ta fiksuar në mur nuk e kishin varur, por dikujt i kishte shkuar mëndja të ngulte me një palë gozhda drejt e në beze në vendin e telajos dhe kokat e gozhdëve dukeshin qartë në pikturë. Por situatën e shpëtonte në tavolinën e drejtorit një glob relativisht i madh, në të cilin ishin shkruar dy emra. I pari emri i liderit të partisë dhe emri i partisë dhe më anash një flamur i vogël i partisë të drejtorit.
Emocionante vërtetë, dhe pa asnjë dyshim një zyrë për tu pasur zili, sepse në një poltron tresh, bazamenti ku ulen njerzit ishte rrëzuar dhe drejtori tepër praktik, e kishte lëshuar krejt në tokë dhe në mes të poltronit kishte vënë dy karrige të mëdha. Nuk ka ku të shkojë më shumë se kaq, zyra e shtetit!! Ka pastaj edhe zyrtarë që dinë të vishen, por edhe ato që vishen si të ishin të “gjetur në rrugë”. Gjithsesi kjo është e vogël, por më e madhe është mënyra e sjelljes së tyre në zyrën e shtetit. Kapadaillëkun për ato poshtë dhe servilizmin për lart, i kohës së “Enverit” e kanë kthyer në “fryrjen me qëllim përfitimin poshtë, për të dhënë një pjesë të madhe lart”. Por ka edhe të tjerë që zyrën e trajtojnë si një kafe, në të cilën seriozisht flitet vetëm për fitimin dhe jo për punën, për klanet dhe moralin e tyre dhe jo për ligjin. Ka ku janë edhe pijshëm apo në delir të pushtetit. Nuk ka sjellje zyrtare dhe nuk ka takt zyrtar. Mungon krejtësisht zhargoni zyrtar i pritjes dhe dokumentacionit në shpjegim. Nuk ka mikpritje dhe nuk ka komunikim.
Jemi jashtë standardit. Jo të gjithë, sepse ka vende ku buron edukatë, por janë shumë pak. Ky është një nga standardet që duhet të plotësojmë, dhe ky është edhe momenti i parë për institucion. Kjo jo vetëm në zyrat lart, por në të gjithë ngrehinën shtetërore. Duhen futur njëherë të tilla zyra në “standarde dhe pastaj të pretendosh të futësh të gjithën”, sepse përballja e parë me shtetin vjen që nga polici që vishet dhe sillet keq dhe vazhdon të zyrtari i vogël që zyrën e ka moment “destabilizmi mendor” dhe që mezi pret të largohet, dhe deri në lartësitë e mëdha që kanë krijuar luksin, por jo kulturën e zyrës europiane. Pastaj duhet të mendojmë se “jemi vërtetë për në Europë”. Në fund të fundit, ajo aty është dhe pret, por dhe ne këtu jemi në zyrat tona, që janë larg për nga institucioni, si në formë dhe përmbajte, nga ato europianet.
Comments (0 posted)
Post your comment