Imazhi fundosës i politikave të errëta!
Dita sot, pas gjithë asaj sakrifice në beteja, pas gjithë atij hiri e gjaku, pas një mori aktivitetesh ilegale e legale për të qenë të lire e të bashkuar, ne përsëri përjetojmë amplituda, politika shqiptare sërish thotë e arsyetohet me atë se u bën trysni faktori ndërkombëtar!
Baki Sulejmani
Perëndia krijoi njeriun në këtë botë, me qëllim që ky i fundit asnjëherë të mos harrojë falënderimin ndaj krijuesit për begatitë dhe lirinë që krijuesi i fali njeriut në këtë nënqiell. Ai, pra Zoti, përveç që njeriut i dha begati të shumëfishta të njëjtit i dha edhe udhërëfime dhe mesazhe nga të cilat njerëzimi jo vetëm që gjen inspirim për të vepruar drejtë e mirë, por, njëkohësisht këta mesazhe apo këshilla janë edhe shtyllat kryesore në bazë të së cilave njerëzit krijuan pikëpamjet e tyre për shumë shtrembërime që po bëhen në jetën e përditshme të tyre si në ekonomi, financa, ashtu edhe në drejtësi e politikë. Një nga këshillat që unë dua të nënvizoj në këtë kontekst është me sa vijon: “… Unë ju krijova juve, që ju të punoni drejtë dhe mos bëheni nga ata humbësit, as mos veproni ashtu që t’i humbni të tjerët…”! Pra, Zoti na sugjeron neve të mos pranojmë humbjet dhe mos bëhemi humbës.
Por, për fat të keq siç duket ky mesazh hyjnor nuk gjen vend në mesin e politikës shqiptare këtu në FYROM, qëllimisht nuk dua të them tek partitë shqiptare, ngase vërtet sjellja e tyre politike është mjaftë rëndë ti definoj ata si të tilla pra, parti shqiptare. Definitivisht është mjaftë rëndë të thuash sot se partia politike shqiptare në pushtet mbron interesat e elektoratit shqiptar në të njëjtin pushtet. Aq më pak dikasteret ministrore në krye të së cilëve gjinden ministrat shqiptar. Është mjaftë simptomatike sjellja e këtyre ministrave, ata mund ‘ti gjesh here pas here me nga një qiri në duar duke e shoqëruar padronin e tyre Gruevskin dhe priftin sllavoortodoks në gurthemele të kishave e tempujve tjerë sllave, por asnjëherë nuk mund t’i shohësh duke përgatitur ndonjë projekt shqiptar, aq më pak t’i takoj qytetari hallexhi shqiptar për të diskutuar rreth problemeve të ndryshme qytetare! Andaj edhe është rëndë të përcaktosh kauzën e tyre të sotshme, shqiptare apo..?!
Grupet funksionale të partive politike shqiptare në koalicion, që po bëhen të përshtatshëm për realizimin e planit akcional qeveritar, si dhe ato të opozitës që krijojnë sistemin e përshtatshmërisë për të hapur portat drejt pushtetit e qeverisë, nuk arrijnë të bëjnë një vepër humane e racionale në drejtim të zgjidhjes së drejtë të çështjeve kyçe që i tangojnë shqiptarët e këtushëm. Ata nuk arrijnë që së bashku të kërkojnë realizimin efikas të të drejtave kombëtare shqiptare, ata nuk janë aspak fleksibil ndaj sfidave të terrorit e mashtrimit të pushtuesit, aq më pak reagojnë, në fakt nuk reagojnë ndaj nëpërkëmbjes në relacionet e pabarazisë qytetare, kombëtare, fetare, grupore etj ,etj. Ata lirisht mund të thuhet se sillen në orbitën e sistemeve politike të vetëizolimit, respektivisht ata, dita ditës në krahasim me popullin që i voton hyjnë në grupin e sistemeve të mbyllura, apo më saktë me thënë vetëdefinohen me sjelljen e tyre si sisteme me nga një element hyrës dhe dalës, që shpesh herë në shkencat shoqërore i përshkruajnë si sisteme të të ashtuquajturës “ Kutia e zezë”, dhe normal çdokush pastaj do të dëshironte të dijë se kush në fakt janë inputi dhe autputi i këtij sistemi të “ Zi” .
Përgjigja e kësaj pyetje është mjaftë e thjeshtë në teorinë e logjikës dhe algoritmit racional të të menduarit, ajo në fakt ka qëllime racionale, por, për partitë tona rezultati i qëllimeve racionale grupore efktuon me veprime iracionale dhe mashtruese, apo tradhëtuese. Figurativisht si element hyrës apo input pë partitë tona është pushteti, ata janë në mes, ndërsa elementi dalës është qeveria dhe kështu fitojmë ekuacionin figurativ: PUSHTET-PARTI-QEVERI! Trekëndëshi i së keqes nuk mungon as në këtë drejtim, si duket këtij trekëndëshi do t’ia kish zilinë edhe ai, trekëndëshi famoz i Bermudeve! Por, realiteti i hidhur për fat të keq është ky, partitë këtë duan ëndërrojnë pushtetin e synojnë qeverinë!
Animoziteti në mes të qëllimeve të shqiptarëve në FYROM, dhe subjekteve politike shqiptare siç shihet nuk është edhe aq i vogël. ky dallim i përcaktimeve politike bile ka tendencë të rritjes galopike, ngase përderisa partitë nga njëra anë synojnë pushtetin dhe vazalitetin, populli nga ana tjetër synon lirinë dhe barazinë. Vërtetë politika e sotshme shqiptare po i kalon kufijtë e çdo lloj injorance dhe inpotence logjike politike, ajo në skajshmëri po krijon një imazh të politikave bukëshkelëse dhe hajnisë. Veprimet e tilla monstruoze karshi një fati të një populli të tërë jo vetëm që nuk të asociojnë në mesazhin hyjnor të krijuesit, në lidhje me humbësit, por ato të asociojnë edhe në ndëshkimin që eventualisht edhe mund të vijë pas kësaj politike humbëse, e cila në perspektive mund të jetë me pasoja katastrofale për qenien shqiptare në FYROM, gjegjësisht heshtja para një situate të tillë, do të shkaktojë maksimalizimin e entropisë dhe me të edhe rrezikimin e skajshëm të ekzistencës sonë biologjike!
Dita sot, pas gjithë asaj sakrifice në beteja, pas gjithë atij hiri e gjaku, pas një mori aktivitetesh ilegale e legale për të qenë të lire e të bashkuar, ne përsëri përjetojmë amplituda, politika shqiptare sërish thotë e arsyetohet me atë se u bën trysni faktori ndërkombëtar! Ata në këtë mënyrë vazhdojnë para shqiptarëve të liferojnë gënjeshtra dhe imunizojnë opinionin se gjoja për gjithçka fajtor na qenkan të huajt, që s’na lënë të veprojmë! Gënjeshtra, trillime dhe mjegulla kjo është ajo se çka servohet nga partitë! Mundohen të keqpërdorin çdo ind cilësor shqiptar! Ata kurrsesi nuk duan të pranojnë se janë shkaktarët kryesor që lejuan të arrijnë tek bilanci i kësaj gjendjeje që flet për pasqyrën e një përqindjeje të mjeruar të mirëqenies politike dhe ekonomike të shqiptarëve. Ata nuk duan të pranojnë se shqiptarët po kalojnë nëpër procese krizash sociale e politike, presione ekonomike e arsimore, nëpër rrebeshet e përndjekjeve institucionale, nëpër zjarre e dhunime, atentate e shëmtime.
Gjatë gjithë kësaj periudhe partitë nuk kanë qenë mbrojtës adekuat nga të njëjtat procese. Ata pranojnë të nënshtrohen e përulën para pushtetarëve autoqefal të unitarisë sllave me premisa asimiluese, e cila nëpërmjet grabitjes së vlerave të të huajve, synon të shtrijë kthetrat e të robëroje territorin e huaj, dhe prej aty, me metoda që përdorë të bëjë etnocid duke shkuar deri në ekstremin e përdorimit të metodës së gjenocidit! Por nuk pranojnë të ulën para shqiptarëve që atyre ua dhanë votën e me të akomoditetin dhe bukën ! Ata as në këtë kohë, të goditjeve të mëdha nga pushtuesi, kur ky i fundit nëpërmjet akademisë famëkeqe sllave po ripërsërit gabimin e bërë qëllimisht me Enciklopedinë, se gjoja “shqiptarët janë ardhacak e malok, cuba të ardhur në fillim të shekulli 19...”, me çka qeveria pushtuese edhe ndërton qëndrimin oficial ndaj kërkesave shqiptare, ata vazhdojnë të heshtin dhe të kërkojnë në mesin e shqiptarëve ndonjë “malok” fajtor kujdestar. Turp t’ju vjen !
Edhe kur presidenti i një shteti armiqësor siç është Serbia, tash me gojën e vetë fton shqiptarët për një marrëveshje historike, duke aluduar kështu në kryeqendrën e shqiptarëve Tiranën, ata sërish e kanë si problem ta kuptojnë realitetin se pikërisht Tirana është vendi kah duhet të drejtohen, vërtet e kanë të zorshme daljen nga kornizat që e diktojnë dhe e dozojnë zhvillimin e shqiptarëve sipas tekeve dhe urdhrave të pushtuesit.
Edhe kurë kancelarja gjermane, Angela Merkel, para një muaji në mbledhjen e radhës para anëtarëve të partisë së vete do të deklaron se, koncepti i shteteve multietnike është koncept i gabuar dhe si i tillë është i destinuar të dështojë, partia shqiptare në pushtet edhe pse e dinë se “Marrëveshja e parealizuar e Ohrit”, tash më është e pagëzuar si “marrëveshje e vdekur ”, njëherit nga partneri i saj i koalicionit, dhe më pas edhe nga opinioni shqiptar dhe ai i ekspertëve, ajo vazhdon edhe më tej të thirret në të njëjtën, pa mos respektuar vullnetin e votuesit dhe popullit të vet! Siç duket ne ende nuk kemi një opinion cilësor publik, i cili do të dijë të bojkotojë në mënyrë të mirëfilltë çdo veprim që bie ndesh me çështjen kombëtare. Në këtë vazhdë është edhe mos bojkotimi ndaj sajesës më të re politike e cila pa fije turpi liferon kantonalizimin e FYROM-it , ku shqiptarët pak a shumë do të kishin kantonin e tyre me kufij nga Grupçini e deri në Dibër të vogël, ashtu siç e ofroi akademia sllave në vitin 2001, se besa kështu siç ka nisur avazi qeverisës edhe Strugën se japin dot!
Me kësisoj goditjesh të ulëta politike, shqiptarët lëre që janë në shënjestër të poligonit robërues sllav, por edhe viktima të mediokritetit politik shqiptar. Ata as në këtë katandi politike nuk janë në gjendje të kuptojnë nevojën imediate për një strategji të përbashkët, nëpërmjet të së cilës do t’i koordinojnë aktivitetet e tyre me të gjithë ata që e ndjejnë se ky është momenti për të mos heshtur proceset e një sistemi tiranik, dhe të ringjallin besimin se: BASHKIMI BËN FUQI!
Ata duhet përfundimisht të kuptojnë se shqiptarët e Maqedonisë apo FYROM-it, kurrë nuk e kanë ndjerë veten si pjesë e shtetit sllav, dhe ata asnjëherë nuk do ta pranojnë sundimin sllav mbi veten dhe tokat shqiptare, mbase kjo është edhe shumë e logjikshme, shumë natyrore dhe racionale, mjaftë shqiptare dhe mjaftë morale. E këtu edhe kemi të drejtë ngase siç do të thoshte një miku im nga Tropoja, do të vijë një ditë, kur ne do të zhvillojmë betejën nëpër çdo qytet e fshat, për të shembur padrejtësinë dhe tradhtinë për njeriun e mizorinë, për të nxjerrë në pah kaltërsinë e popullit, për sakrificën, për ëndrrën, shpirtin e shpresën. Për të qenë bashkë, sepse na bashkon historia dhe mali, zoti dhe natyra, shpirti dhe nderi, doket dhe zakonet, feja dhe bashkëjetesa fetare dhe gjërat më të shenjta në tokë!
TY SHQIPËRI TË QOFSHA FAL
TË KAM NËNË E MË KE DJALË
Comments (0 posted)
Post your comment