Home | Opinion | Jeta përpara, mediet prapa(!)

Jeta përpara, mediet prapa(!)

image
Çfarë po ndodh? Po ndodh ajo që mediet po e bjerrin vetveten, po e humbasin gjithnjë e më shumë lirinë, po ashtu hapësirat për tu shprehur në mënyrë realiste e sidomos kritike.

 

 

 

 

Nga Vangjush Saro

 

Me gjithë kërkesat në rritje të publikut për medie sa më realiste dhe në shërbim të interesave qytetare, në këtë fushë ka përditë e më shumë një përqeshje me ato interesa. Në shumicën e gazetave, por dhe të televizioneve, madje edhe në një sërë portale, gjen gjithnjë e më pak kërkime, investigim, pamje të jetës reale. Me shumicë janë skandalet e vogla, të thënat e pazëvendësueshme të politikanëve, më në fund edhe opinionet e gatuara pothuaj njësoj, me lëndë të parë fjalë që nuk mbarojnë; dhe kurrherë fakte e shifra, argumente apo përgjigje për pyetjet e ngritura. Nga ana tjetër, edhe sjellja ndaj këtyre mediave gjithashtu po shndërrohet në një përvojë më vete, plot hile. Kështu, në opinionin vendas bëhen përpjekje të shumta dhe thuren gjithfarëlloj legjendash për disa medie (të ashtuquajtura të “mëdha”), ndërkohë që të tjera këso, mbase shumë më korrekte dhe vërtetësisht apo relativisht më të lira e më të pavarura se të parat, cilësohen të “vogla”, të “parëndësishme”. Njëlloj përzgjedhjeje për rreshtimin e gazetave, bie fjala, e bëjnë edhe redaksitë e televizioneve dhe vetë folësit në mëngjes, kur zënë e lexojnë (plot gabime) titujt e tyre; disa gazeta i lexojnë të parat, madje u shkëputin edhe radhë prej komenteve të analistëve, gjithashtu të “mëdhenj”; gazetat e tjera i kalojnë me dy-tre tituj, sikur të ishte fjala për anekse të atyre të parave.

Por le të kthehemi te brendia, çka është edhe më e rëndësishme se gjithë raportet dhe sjelljet e tjera. Sot pothuaj të gjitha gazetat (dhe sidomos ato të ashtuquajturat të “mëdha”) kanë në faqe të parë gra të zbuluara apo skandale të këngëtareve e modeleve të përkëdhelura shqiptare, gjëra që nuk i gjen në gazetat e vërteta të botës. Njëherë një gazetë, që gjithashtu pretendon se po bën histori, kishte në faqe të parë një fotografi të madhe nga dasma e vajzës së një ministri a ish-ministri, nuk më kujtohet mirë. Kjo gjë “e rëndësishme” kishte zënë gjysmën e faqes së parë. Dhe krahas gjithë këtij banaliteti politika është ajo që i ka dyert të hapura tejetej. Edhe në atë gazetën më të humbur të krahinës…

Çfarë po ndodh? Po ndodh ajo që mediet po e bjerrin vetveten, po e humbasin gjithnjë e më shumë lirinë, po ashtu hapësirat për tu shprehur në mënyrë realiste e sidomos kritike. Mediet e ashtuquajtura të “mëdha” janë në rreshtat e parë të këtij tjetërsimi. Prapa ndonjë titulli abuziv mund të lexosh gjithnjë dëshirat e pronarëve dhe lëvdatat për politikanët dhe forcat politike që janë më pranë tyre. Pas dy dekadash pluralizëm kjo është e tepërt. Më zë veshi se dikush shkruan një gjë të tillë pak a shumë: “Hë, opozitë, bëji protestat, se na plase!”, a thua janë të ndaluara protestat dhe grevat në këtë vend; tani s'na mbetet veçse të tallemi me to. Një tjetër analist i njohur fillon e shkrehet kundër festave të dhjetorit. Se çkuptim ka një mllef i tillë dhe pse u duhen dhënë munxët të paktave gëzime në jetën e qytetarëve këtë e di vetëm autori snob, e megjithatë shumë i kërkuar në medie (!).

Por ka edhe më keq. Kohët e fundit disa nga shkrimet e kolegëve duken gjithnjë e më shumë si hartime. Në kundërshtim të plotë me parimet e publicistikës dhe hollësitë e tjera që kanë të bëjnë me gjinitë dhe llojet, në shkrimet e kolegëve nuk gjen më fakte, shifra, ngjarje, argumente; nuk bëhen më pyetje dhe nuk jepen përgjigje. Përkundrazi, tirren pa fund mendime të stërnjohura, vizatohen gjendje që tashmë i ka parasysh mirë edhe qytetari më i fundit në Shqipëri (bie fjala, shkelja e semaforëve) e kështu më tej, gjithnjë në një letrarizëm të pashoq. Këto shkrime të japin përshtypjen se autorët e tyre nuk lodhen së medituari dhe ndërkaq, gjithsesi, e çojnë ujin në mullirin e duhur, që do të thotë shajnë e kërdisin njërën palë, duke lënë të kuptohet haptazi se janë me palën tjetër. Se ku është realiteti, e vërteta dhe detyra e publicistit në këtë mes, ec e gjeje. Megjithatë, askush dhe asgjë nuk i pengon të gjithë këta kolegë të vetëquhen “të mëdhenj”, të tillë që i japin “tonin” jetës publike dhe medieve e të tjera broçkulla të tilla, që nuk shtyhen më me asgjë.

Të shprehurit në përgjithësi, si një fluturim meditativ nga njëri skaj i qytetit tek tjetri, kot së koti, duke operuar me disa terma gjoja të kohës, por pa fakte, shifra dhe argumente është bërë “kolona” e ditës. Për fat të keq, këtë modë të shfryrjes së dufeve në mënyrë letrareske, por me interpretime politike të njëanshme, të diktuara (nuk di si u kthyen këto lloj hartimesh në të përditshmet shqiptare) e kanë përqafuar tashmë edhe disa nga gazetat që nuk vënë askënd mbi veten e tyre. Kjo ndodh në një kohë që këto gazeta kthejnë apo refuzojnë shkrime realiste dhe që i japin çi takon si njërës palë, ashtu dhe tjetrës.

Po ndërkohë të tjerë shkrues, duke abuzuar me lirinë e shprehjes dhe me kaosin e mendimit e të publikimit, kaos që mbizotëron dukshëm, ashtu si dhe në fusha të tjera, e shtyjnë dëshpërimin, apo më mirë snobizmin e tyre deri në skajet e papërgjegjshmërisë. Ja se si shkruan dikush: “Që nga lindja e shtetit shqiptar shoqëria jonë u ka dhënë jetë regjimeve dhe pushteteve si ai i satrapit Zog, formacioneve fashiste dhe profashiste, regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe regjimit neokomunisto-fashist të Fatos Nanos dhe Sali Berishës.” Nuk di çfarë mund të ketë tjetër këtu përveç gabimeve thjesht gjuhësore (!), por mund të thuhet vetëm kaq: ekstremizmi, një sëmundje e hershme e shqiptarëve, nuk mund të shërohet me ekstremizëm. Dhe për ti mbyllur këto radhë, përkundër çdo pokerie në publicistikë, le të kujtojmë një thënie të filozofit dhe juristit Francis Bekon: “Të pyesësh me zgjuarsi, është gjysma e së vërtetës.”

Duhet thënë se e vërteta është një gjë kaq e vështirë... Po së paku të tentosh ti avitesh e të mos soditësh.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0