Home | Opinion | Shteti i ikjes

Shteti i ikjes

image
Pra mëgjithë dëshirën e të rinjve Evropa po bëhet kontinent i dyerve të mbyllura! Andaj rinisë sonë nuk i mbetet asgjë tjetër veçse të kërkojë alternativë në tokat tona dhe të mos lëshojë trevat shekullore.

 

 

 


  
Sefer Tahiri

 


Gjysma e gjimnazistëve pas 10 vitesh nuk e shikojnë ardhmërinë në Maqedoni. Kështu treguan rezultatet e një ankete, e cila shpreh dhe reflekton gjendjen faktike në të cilën ndodhen të rinjtë. Pra gjatë dekadës së ardhshme, Maqedonisë i kërcënohet një shpërngulje masive e rinisë. Por, fatkeqësisht kjo shpërngulje më shumë do t’i përfshijë shqiptarët. Historia e dhimbshme kombëtare, por edhe aktualiteti politik dhe ekonomik e dëshmon këtë.

Kriza e thellë ekonomike, jo vetëm si pasojë e krizës globale, por zhvillimi i dobët ekonomik gjatë viteve, përkatësisht mungesa e vendeve të punës, mosthithja e investimeve të huaja janë faktorët që ndikojnë në pesimizmin e rinisë. Më te drejtë sepse vend për optimizëm nuk ka.

Natyrshëm se nuk mund të pritet të ketë investime të huaja, në një vend që ballafaqohet me shumë probleme, me nivel të lartë të korrupsionit dhe me jostabilitet politik, por edhe ndëretnik. Një vend, i cili ideal ka reformimin, departizimin dhe pavarësimin e gjykatave dhe administratës publike nuk mund të pretendojë në thithje të investimeve të huaja dhe në rritjen e cilësisë së jetesës së qytetarëve.

Përfundimisht nuk mund të binden kompanitë e mëdha të biznesit të investojnë në një vend, i cili nuk garanton sigurinë fizike dhe juridike të qytetarëve të saj, në një vend ku ka dhunë e kriminalitet. Ky është shteti që me ndërtimin e përmendoreve dhe statujave që kushtojnë 200 milion euro i largon me ‘detyrim’ të rinjtë nga vendlindja.

Të rinjtë kanë shfaqur pesimizëm edhe ndaj liderëve politikë të vendit, të cilët sipas tyre angazhohen për interesat e tyre personale! Politika, sidomos ajo e pushtetit në fillim kishte besueshmëri të lartë, ndërsa tani ka filluar si duket ta humb besimin. Vendi nuk po integrohet në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Maqedonia me hapa të sigurt si duket do të mbetet ‘oaza e izolimit’ në Gadishullin ballkanik.

E të rinjtë nuk duan të jetojnë në izolim! Këtyre ditëve u bë një vit nga heqja e vizave për Maqedoninë. Ky fakt ndikoi vetëm në psikologjinë e qytetarëve, sepse praktikisht një numër shumë i vogël kanë shfrytëzuar mundësinë që të udhëtojnë për turizëm në vendet e Bashkimit Evropian. Kjo për arsye se përveç pasaportës biometrike nevojiten fonde financiare për të udhëtuar pa pengesa në vendet e Shengenit. Siç raportuan mediat këtyre ditëve, sipas të dhënave të MPB-së, nga fillimi i këtij viti e deri në muajin dhjetor, për vetëm 4,1 për qind është rritur numri i daljeve nga shteti. Por ky numër do të ishte shumë më i madh sikur në vendet e BE-së tu mundësohet marrja e azilit ekonomik. Pamjet nga komuna e Likovës, para disa muajve treguan për një interesim të madh të shqiptarëve për të kërkuar ardhmëri më të mirë në Evropë, tokën e premtuar.

Këtyre ditëve në një bisedë me një njohës të mirë të zhvillimeve në Maqedoni, diskutuam se si perceptohet Bashkimi Evropian këtu.

Pjesa më e madhe e qytetarëve, sidomos e shqiptarëve kur flasin për Bashkimin Evropian nuk mendojnë për mundësitë që i ofron tregu i përbashkët, përkatësisht qarkullimi i lirë i mallrave dhe i kapitalit, nuk u asocon në lëvizjen e lirë të ideve dhe dijeve përkatësisht të studentëve, profesorëve, shkencëtarëve apo biznesmenëve, por në mundësitë për ikje ne Perëndim nga realiteti në të cilin jetojnë. Prandaj kemi të dhëna të këtilla të cilat tregojnë se pjesa më e madhe e të rinjve po të kishin mundësi do të largoheshin nga vendi. Nuk është i vogël numri i kuadrit të kualifikuar, sidomos nga shkencat ekzakte, i cili e braktis vendin në pamundësi për të gjetur një vend pune. Aq më tepër ku tanimë e dinë të gjithë, ata që janë në parti, ata që s’janë në parti, ata që janë diku në mes, ata që s’dojnë të dëgjojnë për parti, se ata vetë apo fëmija i tyre mund të jetë studenti më i shkëlqyeshëm, por nuk mund të punësohet në punë të shtetit nëse s’ka librezë partiake. Kuptohet librezë të partive në pushtetit. Nëse e ka të opozitës, lere që s’do të punësohet ai vetë, por nuk do të mund të punësohet asnjë anëtar i familjes. Shteti ynë përveç se është policor, nuk është juridik, demokratik hiç e më hiç, mbi të gjitha është shtet i partizuar. Në përmasa maksimale edhe atë!

Në kushte të këtilla të jetës ekonomike dhe ambientit ndëretnik, të rinjtë Evropën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e shohin si alternativë të rëndësishme. Madje edhe të vetme. Ndryshe alternativë tjetër u mbetet të shëtisin rrugëve të qyteteve ose fshatrave tona, të pinë ndonjë makiato ose ndonjë çaj dhe të flasin me bollëk për politikë, për partitë, për pushtetin, opozitën, për integrimin, madje edhe për luftën globale! Muhabetet e këtilla gjithmonë përfundojnë në konstatimin se ‘s’ka hajr prej këtij shteti’ dhe menjëherë pason konstatimi tjetër se ‘s’ka bukë këtu, duhet me ia shkep drejt Evropës’. Thua se Evropa i pret shqiptarët me kulaçe të varura!

Vetë shtetet e Evropës ballafaqohen me krizë të madhe ekonomike, ndërsa të shqetësuara nga invazioni i madh i shqiptarëve u detyruan të ndërmarrin masa parandaluese. Pra mëgjithë dëshirën e të rinjve Evropa po bëhet kontinent i dyerve të mbyllura! Andaj rinisë sonë nuk i mbetet asgjë tjetër veçse të kërkojë alternativë në tokat tona dhe të mos lëshojë trevat shekullore. Populli ynë gjatë rrugëtimit historik ka mbijetuar në kushte edhe më të vështira, andaj duhet të kaluar edhe këtë sfidë. Siç ka thënë Mitrush Kuteli ‘ne jemi këtu e do të jemi den baba den, sa mali të bëhet hi, e hiri mal përsëri’!

 

(Autori është zëvendëskryeredaktor i TV ALB dhe kolumnist i rregullt i gazetës ‘LAJM’)

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00