Argumentum Ad hominem
Më shumë arsye dhe vizion për të ardhmen. Edhe më keq do të ishte sikur Argumentum ad hominem të përpiqeshim ta shndërronim në ad popullum.
Fadil Lepaja
Ka që besojnë se po të sulmosh personin, shpaguhet. Pas kësaj, nuk ke nevojë të meresh me akuzat e tij. Si duket në këtë logjikë, besojnë më tepër se që duhet shumë qeveritarë tanë kur nuk përgjigjen në asnjë akuzë e cila u vije nga opozita, por merren vetëm me personalitetin e kundërshtarëve të tyre. Kjo logjikë, natyrisht, është aplikuar edhe më herët dhe nuk është zbulim i qytetërimit të vonshëm shqiptarë. Ajo ekzistonte në formën e saj primitive edhe në traditën tone rurale. Nëse nuk di çka me i thënë, thoshin pleqtë dikur, shaje me nënë, dhe kjo ishte forma, pak a shumë e zakonshme, që aplikohej kur dikush donte tu bënte bisht akuzave. Pastaj krejt diskutimi zhvillohej në tjetër teren. Në terrenin e fuqisë së matshme. Kush, kujt?
Pra, në lojën me opinionin imponohet ideja se nuk është me rendësi se çka thotë dikush, por është me rendësi se kush e thotë. Duke qenë një vend i vogël, kjo edhe ka kuptim. Në vend se të meresh me argumentimin, merresh me hetime biografike dhe “garant deri te katragjyshi nuk ban vaki me dal i paq kërkush, pa naj shibel”. Kjo është logjika e “Hajdarit”, i cili personifikon lexuesin dhe publikun e zakonshëm! Në kuptimin e përgjithshëm, ky do të ishte pak a shumë shpjegimi i argumentimit Ad hominem në versionin tonë. Argumentum Ad hominem, në një përkthim të lire do të thoshte të argumentosh me “sulm mbi njeriun/personin” . Si metodë përdorej shumë në format autoritare të qeverisjes, nga regjimet autoritare, për të diskredituar personalitetin e folësit, duke nxjerrë në publikë çfarëdo të dhëne, të vërtetë apo të rreme, me të cilën synohej të rrënohet besueshmëria dhe integriteti i personit i cili atakohet. Pastaj, konsiderohet se edhe argumentet e tij cilatdo qofshin ato, bien poshtë bashkë me kredibilitetin e tij.
Në fakt, edhe po të jenë të vërteta të gjitha të dhënat për folësin, kjo nuk është përgjigje në akuza konkrete të cilat ai i bënë. Akuzat konkrete kërkojnë argumentim konkret. Por kur ke një kontroll mbi mediet më të zhurmshme, edhe kjo mund të jetë situate e zgjidhshme.
Kjo shkollë e argumentimit të gabuar, apo fals, në formën Ad hominem, si thamë më lartë, nuk është specialitet i kuzhinës tonë retorike. Ajo njihet në retorikë qysh nga antika, dhe lulëzimin e saj e ka arritur gjithnjë në regjimet autoritare. Kur, për interesin e këtij shkrimi e zhvendosim atë në terrenin tonë, nuk e kemi aspak të vështirë të gjejmë shembuj të shumtë për shkak të mendësisë autoritare të trashëguar, por edhe për shkak të lulëzimit të sajë në retorikën qeveritare dhe opozitare. Pasi në këtë shkrim do të merremi me retorikën qeveritare, do të përmend vetëm kalimthi disa forma të cilat opozita i përdorë për të “heshtur” pohimet e ndonjë ministri aktual në adresë të tyre. Kjo bëhet duke e cilësuar si të korruptuar, apo duke e cilësuar me regjionalizma të ndryshme. Por, derisa përpjekjet opozitare për të folur më shumë me fakte kuptohen si tentim për ta rifituar besimin e qytetarëve, pozita, kryesisht duke atakuar në identitetin dhe imazhin e organizatave apo në personalitetin e drejtuesve të tyre, kalon mbi faktet apo akuzat konkrete të cilat ata ia bëjnë.
Por, të marrim dy shembuj nga argumentimi publik qeveritar! Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, në largim, i cili në interesimin e gazetarit për disa akuza të drejtuesve të Lëvizjes Vetëvendosje, në vend se të përgjigjet në pyetjet konkrete, i etiketon ata si “marksistë” dhe të “pa edukatë”, dhe kjo vetvetiu do të duhej të konsiderohej si në përgjigje e mjaftueshme. Etiketimi i tillë është i mjaftueshëm sipas zyrtarëve qeveritarë (them zyrtarëve, sepse zëdhënësi nuk përgjigjet në emër të vet, por të punëdhënësit dhe gjithsesi pas një konsultimi me shefin e vet) duke konsideruar se me marksistë dhe me të pa edukatë nuk ka çka diskutohet. Në fakt, përgjigjja në këtë rast mund të konsiderohet e munguar, qoftë për arsyen se zyrtari qeveritar i përbuzë publikisht kundërshtarët e vet politik (drejtuesit e Vetëvendosjes) si të padenjë për një diskutim dhe ballafaqim serioz me argumente, qoftë sepse në mungesë të argumenteve valide, apo në hezitimin për t’i parashtruar ato, zgjidhet si formë më e përshtatshme të sulmohet personaliteti i kritikuesve të qeverisë.
Ajo që bie në sy është se zëdhënësi eviton diskutimin për pohimet ( akuzat) e kundërshtarëve politik përmes sulmit direkt, krejtësisht subjektiv mbi personalitetin e kritikuesve. Kjo mund të konsiderohet pikëpamje subjektive e qeveritarëve, për arsye se Lëvizja Vetëvendosje, së paku publikisht nuk është deklaruar si marksiste dhe se agresiviteti i saj në politikë nuk është çështje edukate, por është sipas të gjitha gjasave përcaktim i qartë për presion politik. Në fund të fundit, është tepër pretenduese që qeveritarët të marrin përsipër të vlerësojnë edhe edukatën e oponentëve politik. Kjo formë e cilësimit si të paedukatë për drejtuesit e një organizate politike asocion dhimbshëm në kampet e riedukimit, si e vetmja zgjidhje për të pa edukatët. Ky është një rast, i projektuar enkas për publikun vendorë, dhe ne e ofrojmë këtu duke iu referuar medieve të Kosovës.
Më poshtë do të sjellim një rast të ngjashëm, por me përmasa krejtësisht tjera, ku argumentohet në mënyrë po aq të gabuar para publikut vendorë, por edhe nën vëmendjen e plotë ndërkombëtare, pa e çarë kokën fare se këto argumente të cilat mund të pranohen nga vendorët për arsye emocionale, janë krejtësisht jovalide në diskutimin para opinionit evropian dhe përgjithësisht të jashtëm. Madje, duke dashur të mbrohet, në fakt zhvesh pariparueshëm mendësinë totalitare para publikut ndërkombëtarë të pamësuar me etiketime të këtij lloji. Kjo është “çështja Marti”. Askush në Kosovë, me përjashtime tejet të vogla, ende nuk e ka lexuar të plotë draft-raportin e Dik Martit, por tashmë të gjithë e dinë se ai nuk është i vërtetë. Të gjithë duam të besojmë. Të gjithë me përjashtim të vendeve anëtare të këshillit të Evropës, të cilët e pranuan atë si draft në një mbledhje të radhës së asamblesë.
E nga e dimë se është i rremë raporti, ende pa e lexuar, dhe ende pa e dëgjuar fjalën përfundimtare të raportuesit special? E dimë sepse e ”e dimë” kush është presoni që qëndron mbrapa këtij raporti. Pastaj e dimë se kush qëndron mbrapa tij dhe kështu rresht deri në Siberi. Vetëm për këtë është folur në mediet tona. Vetëm deklarata diskualifikuese për z. Marti duke u minimizuar fakti se Këshilli i Evropës ia ka besuar pikërisht atij të bëjë këtë raport, e madje edhe të bëjë një raport për konfliktin ruso-Gjeorgjian. Askush nuk diskuton për raportin, sepse raporti ende nuk është i njohur për publikun. Ende pa u votuar si i tillë, me vet paralajmërimin njerëzit e kanë tashmë të qartë se ai është një raport i pabazuar në fakte. Kush nuk e beson është i rrjedhur nga trutë, ose është i shitur. Kështu sugjerojnë të gjitha paraqitjet fillestare në media, të gjitha reagimet joprofesionale dhe alarmuese të zyrtarëve. Krejt kjo proklamohet si sulm mbi Kosovën, si sulm mbi vlerat e luftës duke lënë përshtypjen e hidhur se nga paniku dikush po fshihet pas Kosovës dhe luftës së sajë. Në mungesë të stafit të përgatitur për menaxhimin e krizave mediale, pala kosovare disa here bie në situate të palakmueshme dhe duke dhënë deklarata të pamatura e rrënon seriozisht imazhin e qeverisë dhe kryeqeveritarit, para opinionit ndërkombëtar dhe vendor.
Kryeministri, shkon më tej me paraqitje të gabuar publike, ku pasi e kërcënoi në TV, Dick Marty-n se do e pres derisa të mos ketë më imunitet, duke folur plot mllef, harron se imuniteti i personave që bëjnë raporte zyrtare është i përhershëm lidhur me atë që kanë raportuar sipas detyrës zyrtare. Përndryshe askush nuk do të bënte raporte për krimet e supozuara. Z. Marti, si e dimë të gjithë është autorizuar po ashtu të përgatisë një raport për konfliktin në Gjeorgji dhe në këtë funksion ai e viziton rregullisht edhe Moskën edhe Gjeorgjinë. Vizitat në Rusi, aspak nuk e rrënojnë imazhin e tij prej një raportuesi të besuar, sepse Këshilli i Evropës ka pak gjasa të mos e ketë njohur z. Marti kur ia ka besuar këtë detyrë dhe duhet të pajtohemi se shumica e vendeve anëtare të këtij këshilli janë pro pavarësisë së Kosovës.
Gabimi tjetër që e bënë kryeministri është kërcënimi publik për bashkëpunëtorët eventual të Dik Martit. Duke thënë se ka lista, dhe se do t’i bëjë publike ato, ai bënë gabimin e radhës, sepse ai në parim, për të rritur besueshmërinë e tij është dashur që pikërisht të insistoj që kushdo që ka fakte për këtë çështje të thirret të i dorëzojë qoftë z. Marti, qoftë qeverisë së Kosovës, e cila merr përsipër kujdesin që kjo çështje të sqarohet deri në fund.
Duke u nisur nga parimi se veç e vërteta është në interes të Kosovës dhe kryeministrit të saj dhe se vetëm kështu do të shihet se z. Marti është i informuar keq për këtë rast, tonet zemërake dhe kërcënuese kur përmendet lista e bashkëpunëtorëve të z. Marti, sikur e rreshton atë dhe Këshillin e Evropës në radhën e armiqve të këtij vendi. Sulmi mbi personalitetin e tij, në këtë rast është joefektiv, sepse ai e ka nderin e vet sipas përgjegjësisë në Këshillin e Evropës. Në fakt, në këto përgjegjësi, opinion evropian konsideron se janë zgjedhur personalitete të respektuara. Ajo që u bë pas hutimit të përgjithshëm dhe tollovisë nëpër media, është dashur të bëhet në fillim. Të ftohet senatori evropian të ofroj të gjitha faktet relevante nga ana e prokurorisë dhe të ftohet nga vetë z. Thaçi, që ai të vizitojë Kosovën. Madje bashkë me të është dashur të ftohet edhe kryeprokurori serb, të ofrojë të gjitha faktet që i ka, sepse deshëm ose jo, ai është duke pritur me durim që të prezantoj krejt çka ka, në bisedimet teknike mes Kosovës dhe Serbisë.
Për dallim, reagimi i Kryeministrit të Shqipërisë, lidhur me këtë çështje, ishte tejet profesional. Ejani, fton ai, të gjithë ejani, hulumtoni, hetoni, krejt i keni në dispozicion…dhe vetëm kështu munden shpifjet. Shqipëria nuk ka çka fsheh, së paku jo Shqipëria zyrtare. Por z. Berisha , duke mare parasysh situatat që i ka kaluar, para opinionit vendor dhe ndërkombëtar, ka arsye të jetë i kënaqur me ekipin, stafin e tij profesional të cilët ia menaxhojnë marrëdhëniet publike.
Gabimi esencial i cili bëhet duke u bazuar në logjikën tonë të burrnisë dhe animit fisnor është se, çuditërisht besohet se opinion evropian duhet ta dijë se z. Marti është një person qëllimkeq, i pandershëm vetëm sepse ne besojmë kështu, vetëm sepse ai shkon për vizitë në Serbi dhe Rusi. Në fakt, ai është një person me një përgjegjësi publike dhe si i tillë ai gëzon respektin e plotë atje. Ai jeton në ambiente ku ministrat japin dorëheqje vetëm sepse janë kapur duke vozitur në gjendje të dehur, e të mos flasim për afera të përmasave më të mëdha. Me të duhet argumentuar krejt ndryshe, e jo me Ad hominem , dhe atë ne versionin fisnorë.
Argumentohet se z. Marti ka pasur dyshime lidhur me çështjen e Kosovës, dhe harrohet se pjesa dërmuese e Evropës i ka pasur këto dyshime, se pjesa më e madhe e kanë quajtur UÇK-në terroriste, ( përfshi edhe të ndjerin Holbruk) derisa nuk është hapur kanali i komunikimit të sinqertë dhe pragmatik me të cilin e kemi bindur botën për luftën tonë të drejtë, duke e bërë atë të rreshtohet në anën tonë. Dhe një nga njerëzit kyç të këtij komunikimi të suksesshëm ishte edhe kryeministri aktual i Kosovës, z.Thaçi.
Hapi i pare , i domosdoshëm do të ishte që duke e qetësuar fushatën, të hiqet oreoli i heroit nga koka e z. Marti, sepse me anti-fushatën tonë të pashkathtë ai ka fituar publicitet dhe besueshmëri që nuk do të duhej realisht ta kishte me atë çka ka prezantuar deri më tani publikisht. Ai, me një qasje të matur, e transparente kësaj çështjeje, mund të kthehet në një raportues të zakonshëm, i cili po e heton një çështje kriminale të dyshuar. Z. Marti, ka shpallur publikisht dyshimet dhe akuzat e tij dhe tash i mbetet t’i dëshmojë ato. Për këtë ai është i autorizuar dhe i obliguar!
Në krejt këtë situate binte në sy një titull, në media, i cili në formë lutjeje thërriste drejt z. Marti: ju lutem na jepni faktet, tash. Kjo është thënë tejet butë dhe me mirësjellje, por kush e kupton përgjegjësinë për fjalën publike e di se me këtë thirrje, vihet në pyetje reputacioni i raportuesit, por edhe institucionit i cili ia ka besuar përpilimin e raportit. Askush i arsyeshëm nuk beson tashmë në qëndrim antishqiptarë të Unionit Evropian, apo SHBA. Më shumë besim në vetvete dhe në miqtë e këtij vendi dhe këtij populli, të cilët na ndihmuan edhe atëherë kur ne nuk ishim në gjendje ta ndihmonim vetveten.
Më shumë arsye dhe vizion për të ardhmen. Edhe më keq do të ishte sikur Argumentum ad hominem të përpiqeshim ta shndërronim në ad popullum. Sepse, kur mobilizon masën si dëshmitarë ke nxjerrë dreqin nga shishja, dhe atë pakthyeshëm. Dreqin e diktaturës dhe popullizmit. Kështu patë vepruar fashizmi…! Kështu pat vepruar komunizmi!
Comments (0 posted)
Post your comment