Interesat kombëtare mbi të gjitha
Shqiptarët sot janë më të lirë se kurrë për të vendosur dhe për të marrë në dorë vetë fatin e tyre – në qoftë se kanë kurajo - e kurajua shqiptarëve nuk u ka munguar kurrë.
Frank Shkreli
Anë e mbanë botës, festat e fund vitit janë një stinë shprese e pritjesh për gjëra më të mira, një sezon për bashkimin e familjeve dhe një kohë për të menduar për paqe e përparim dhe për një jetë më të mirë për familjen dhe shoqërinë. Në shumë vende të botës është traditë që me rastin e fundvitit të bëhen zotime dhe të merren vendime nga individë, shoqëri, por edhe shtete e qeveri për t'u përpjekur që në Vitin e Ri të hiqet dorë nga veprat dhe sjelljet e pakënaqshme dhe të fillohet një jetë e re. Jam i bindur se shumë prej nesh, si individë, do të ulemi në tryezë e të reflektojmë se si në Vitin e Ri mund të përmirësojmë jetën tonë dhe të familjes duke ndryshuar sjelljet dhe veprimet tona të cilat gjatë vitit të kaluar ndoshta nuk kanë sjellë rezultatet e duhura që prisnim për mbarëvajtjen e jetesës në përgjithësi.
Kombi shqiptar, si asnjëherë tjetër në histori, ka shënuar suksese monumentale gjatë viteve të fundit duke filluar me pavarësinë e Kosovës, me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, me ndërtimin e Rrugës së Kombit, me liberalizimin e vizave, e të tjera arritje si në fushën e brendshme ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Prestigji dhe imazhi i shqiptarëve para botës nuk ka qenë kurrë në një nivel më të lartë se ç’është sot, por është në rrezik të pësojë goditje të rënda, të cilat kollaj mund të kthejnë mbrapa sukseset e deritanishme historike të kombit shqiptar, të arritura me gjak e sakrifica të mëdha gjatë gjithë historisë.
Ky imazh pozitiv po luftohet nga ata që nuk ia duan të mirën shqiptarëve, nga ata - sidomos fqinjët - që shqiptarët i donin dhe i duan të mbyllur dhe të izoluar nga Evropa dhe bota dhe të nëpërkëmbur dhe të harruar si gjatë gjithë historisë së tyre. Fatkeqësisht, mund të thuhet se gjatë vitit të kaluar edhe shqiptarët vetë, e sidomos klasa politike, jo vetëm që nuk ka kontribuar në përmirësimin e imazhit dhe prestigjit të kombit, por me sjelljet e saj mund të ketë dëmtuar emrin e mirë, bile edhe para atyre që e kanë ndihmuar atë në momente kritike e që në përgjithësi mund të thuhet se ia duan të mirën kombit shqiptar.
Siç duket, në Shqipëri zgjidhja e ngërçit politik, të krijuar për shkak të kundërshtive të forta mes shumicës dhe opozitës për hetimin e zgjedhjeve te dy viteve me pare, është shumë e largët, dhe ndoshta e pa-realizueshme kur të merren parasysh qëndrimet e palëve në këtë mes, gjatë dy vjetëve të fundit. Rrëzimet e propozimeve, dhe braktisjet e mitingjeve nga njëra ose tjetra palë - në përpjekje për të dalë nga kriza - janë bërë pjesë e rendit të ditës nga të gjitha palët. Me pak fjalë, bojkotimi e protestat kanë zënë vendin e debatit konstruktiv në lidhje me problemet madhore me të cilat përballet vendi e kombi. Edhe në Kosovë, megjithëse fillimisht u duk se zgjedhjet e fundit ishin zhvilluar në mënyre të drejtë dhe pa abuzime serioze, elemente të rëndësishëm politikë të vendit kanë venë në pyetje rezultatet, bile edhe duke bërë thirrje për zgjedhje të reja.
Si në Kosove ashtu edhe në Shqipëri, sondazhe të ndryshme kanë pasqyruar mendimet e shqiptarëve në të dy shtetet, në lidhje me gjendjen aktuale politike dhe ekonomike në trojet shqiptare. Nuk është për t’u habitur, që me shumicë dërmuese, populli fajëson klasën dhe partitë e ndryshme politike për gjendjen e krijuar politike dhe si rrjedhojë edhe asaj ekonomike, si në Shqipëri ashtu edhe Kosovë.
Përveç problemeve të shkaktuara nga vetë klasa politike shqiptare në Ballkan, të cilat mund të thuhet se kanë ndërlikuar sidomos gjendjen e brendshme, por në disa raste edhe atë të marrëdhënieve të Shqipërisë e Kosovës me vendet aleate të Perëndimit - janë edhe provokimet nga jashtë, sidomos provokimet nga fqinjët që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën kombit shqiptar. Ata vazhdojnë të mos pajtohen me faktin që shqiptarët në Ballkan të jenë të barabartë në mes të barabartëve. Për të ilustruar këtë fakt mjafton të përmendim vetëm kryeartikujt e javëve të fundit në mediat shqiptare dhe atë ndërkombëtare. Akuzat false të raportit të zviceranit Dick Marty, në të cilin ai implikon edhe Kryeministrin e Kosovës, zotin Hashim Thaçi në tregtinë e organeve njerëzore. Ai (Marty) njollosë luftën e shqiptarëve për çlirimin e Kosovës dhe është një përpjekje për të prishur imazhin dhe prestigjin që gëzojnë sot shqiptarët në botë, sidomos imazhin e shtetit të ri të Kosovës, me qellim të bojkotimit të njohjeve të mëtejshme diplomatike të Prishtinës dhe të pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizmat euroatlantike dhe organizatat ndërkombëtare, siç është Organizata e Kombeve të Bashkuara.
Nuk është për tu habitur atëherë, se Serbia synon të fillojë një ofensivë të gjerë diplomatike për të nxitur një hetim ndërkombëtar lidhur me akuzat për të ashtuquajturin trafikim organesh nga grupe të shqiptarëve gjatë luftës së vitit 1998-1999. Rusia njoftoi se nuk i njeh zgjedhjet e fundit në Kosove. Serbët djegin flamurin shqiptar ne Itali. Ambasadori i Maqedonisë në Tiranë mban ligjëratë për një orë në parlamentin e vendit duke u tallur me gjendjen politike në Shqipëri dhe pothuaj në të njëjtën kohë tifozët maqedonas djegin flamurin shqiptar në Shkup. Zyrtarët e kufirit grek, nga ana tjetër, edhe pas liberalizimit të vizave nga Komuniteti Evropian, keqtrajtojnë dhe provokojnë shqiptaret në kufi duke u qitë probleme me pasaportat e reja biometrike të Republikës së Shqipërisë.
Lista e provokimeve dhe e përpjekjeve për të nxirë imazhin e shqiptarëve është e gjatë dhe e gjithanshme dhe siç duket e koordinuar mirë nga qarqe të mirënjohura anti-shqiptare. Qëllimi i të gjitha këtyre masave e akuzave armiqësore anti-shqiptare është që të shkaktohet dëmi maksimal ndaj emrit të mirë dhe prestigjit të kombit shqiptar në Evropë dhe në botë.
Unë besoj se është në dorë të shqiptareve që shekulli XXI të jetë shekulli i kombit shqiptar. Viti i Ri, që shënon dhjetë vjeçarin e dytë të k tij shekulli, duhet të jetë fillimi i kësaj ndërmarrje madhore. Historia e shqiptarëve në Ballkan gjatë shekullit të kaluar ishte tragjike; ishte një histori e diktaturës dhe e shtypjeve komuniste mbi popullin e vet, ishte një e kaluar e shënuar me gjenocid dhe e nëpërkëmbjeve të shqiptarëve në trojet e tyre nga regjimet e ndryshme sllave. Besoj se në historinë e popujve nuk ka pashmangshmëri të ngjarjeve, d.m.th. nuk do të thotë se gjërat ndodhin gjithsesi, pa marrë parasysh përpjekjet në të kundërtën. Shqiptarët sot janë më të lirë se kurrë për të vendosur dhe për të marrë në dorë vetë fatin e tyre – në qoftë se kanë kurajo - e kurajua shqiptarëve nuk u ka munguar kurrë.
I takon këtij brezi te shqiptarëve, kësaj klase politike që të bëjë një gjë të tillë. Breza të mëparshëm të shqiptarëve mbijetuan një prej regjimeve komuniste më të egra të botës, si edhe pas shtypjeve, terrorizmit e gjenocidit të Serbisë në Kosovë - me ndihmën e aleateve perëndimorë - luftuan dhe me në fund fituan kundër një prej regjimeve më raciste të Evropës. Historia e kombit shqiptar është një testament guximi. Ky guxim historik duhet të shndërrohet pikësëpari, në një mirëbesim dhe mirëkuptim e respekt të përbashkët, në radhë të parë, midis klasës politike, në të gjitha trojet shqiptare. Është detyrë e përgjegjësi e këtij brezi politikanësh shqiptarë që të kenë parasysh ndjenjat e popullit dhe që në të njëjtën kohë, të pasqyrojnë dëshirën e zgjedhësve në vendimet politike të qeverisë e të shtetit, për të mirën afat-shkurtër dhe afat-gjatë të kombit shqiptar. Paraardhësit dhe rilindësit e kombit, të cilët shkrinë jetën për të venë në dritë bujarinë e kombit shqiptar, sidomos karshi njëri-tjetrit, nuk presin as më pak as më shumë, që politikanët e sotshëm të tregojnë atdhedashurinë me sjellje të mira e vetëdije të detyrave shoqërore e kombëtare. Përgjegjësia është mbi shpatullat e juaja.
Me gjithë tranzicionin e gjatë dhe të lodhshëm, rezoluta ose vendimi i klasës politike shqiptare ne Ballkan, për Vitin e Ri, shpresojmë të jetë që të vendosë njëherë e mirë, se fati i saj është në duar të popullit dhe si rrjedhim, vota e lirë dhe zgjedhjet e pakontestuara do të jenë gur-themeli i një të ardhme më të ndritur që do të çojë kombin shqiptar drejtë integrimit përfundimtar të shqiptarëve me boten perëndimore dhe do të çojë atë në realizimin e objektivave kombëtare të brendshme dhe të jashtme. Një popull, vota e të cilit për pothuaj 50 vjet nuk kishte kurrfarë vlere, duhet të festojë mundësinë e zgjedhjes së lirë të përfaqësuesve të vet, e jo ta përdorë atë për konflikte të pafund midis politikanëve e partive të ndryshme politike. Kjo, siç duket është dëshira, jo vetëm e popullit shqiptar kudo, por edhe e aleatëve dhe miqve të tij perëndimorë, sidomos Amerikës, zëdhënësit e së cilës, ditët e fundit, kanë bërë thirrje për një sistem të pastër politik, dhe për një sistem ku partitë të punojnë për interes të popullit, një kërkesë kjo që asnjë prej këtyre partive kryesore nuk po e dëgjon plotësisht. Këtë e ka thënë ditët e fundit zëvendës/ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Tom Countryman.
Prandaj, le të shpresojmë që viti 2011 të shërbejë si një rast i mirë për politikanët dhe partitë politike në të gjitha trojet shqiptare në Ballkan, që të bëjnë një kthesë historike dhe të përqendrohen e të tregojnë kurajo, jo për konflikte, mosmarrëveshje, mburrje e pontifikime midis tyre për interesa thjesht personale e partiake, por mbi të gjitha të lidhin besën për një dashuri, në mos midis njeri-tjetrit, atëherë, le të kapen ndaj interesave madhore të kombit shqiptar, duke çuar përpara idenë e pajtimit të pikëpamjeve të ndryshme politike në interes të kombit. Këtë, ata ia kanë borxh historisë, fëmijëve të tyre, nipave e mbesave si edhe brezave të ardhshëm të kombit shqiptar, që ai të jetojë në paqe me vetveten dhe me të tjerët.
Comments (0 posted)
Post your comment