Politikanët e suksesshëm, mbrojtës të historisë
Populli ka nevojë që lidershipi dhe politikanët e tij të kenë aftësi të vërteta politike dhe intelektuale e profesionale, që vendi të ecë në rrugën e sigurt dhe të shihet e preket në të vërtetë shteti si një realitet ...
Nga Gjon Keka
Problemi i shekullit XXI është se politikanët dhe lidershipi në përgjithësi nuk dëshirojnë të flasin e as t'i vënë re problemet, dobësitë dhe dështimet e qeverisjes gjatë mandatit të tyre, por gjithnjë duke i mbuluar të metat ama vetëm para syve të tyre politikë dhe qeverisësata flasin vetëm për arritje dhe fitore edhe nëse ato janë të pakta. Çdo herë shtetet në tranzicion dhe të sapolindura janë zënë duke u marrë me problemet e viteve që i kanë lënë pas, por edhe duke e rregulluar imazhin e së kaluarës, gjë që kurrë nuk kanë pasur kohë apo nuk kanë arritur t'i zgjidhin problemet që dalin përpara sfidave të shtetit, apo duke rregulluar imazhin aktual, që vendi të ketë vërtetë një perspektive të qartë dhe një të ardhme të sigurtë drejt bashkimit me familjen e saj europiane. Kështu që fundi i një viti dhe fillimi i një viti tjetër i gjen gjithnjë shtetet duke e shoshitur vitin që shkoi dhe duke mbledhur mbeturinat dhe defektet që vitin që vjen të mos ndodhë të trashëgojnë problemet e viteve që lanë pas.
Prandaj nuk duhet lejuar që problemet e rrugës së një shteti të komplikohen e as të mbushet hambari i politikës me problemet që vitet që vijnë të ngarkohen dyfish, por të punohet fuqishëm në heqjen e të gjitha pengesave dhe defekteve por edhe veseve dhe mbushje me energji të madhe për të ecur në dinamikën e kohës dhe proceseve të forcimit të shtetit juridik, demokratik dhe europian. Ndërsa lundrimi i ujrave të turbullta pa timonier të përgatitur, pa spirancën e nevojshme, pa besimin e palëkundur dhe vizioni e qartë për të ardhmen do të ishte një lundrim drejt rreziqeve dhe mosgjetjes së qëllimit për të ardhmen e vendit. Gjithashtu, në kuadër të kësaj duhet nënvizuar se nga politikanët dhe lidershipi i suksesshëm, edhe shteti edhe qeverisja e një vendi janë të suksesshme dhe e drejtuar rrugës së duhur, ndërsa nga politikanët dhe lidershipi i pasuksesshëm normalisht që kemi një produkt të një qeverisje të pasuksesshme dhe një shtet në vuajtje dhe në tranzicion të përjetshëm, e që çalon rrugës së tij.
Ajo çfarë duhet potencuar këtu, është se politikanët respektivisht pushtetarët të cilët me anë të votës së popullit janë ngjitur në pushtet duhet ditur se ata nuk kanë bërë vetëm një marrëveshje (kontratë) të thjeshtë me popullin për qeverisjen e vendit, por një marrëveshje (kontratë) të vullnetit të përbashkët dhe përgjegjësisë historike e shtetërore me anë të punës dhe pushtetit qeverisës që i është dhënë atyre në shërbim të popullit duke ia plotësuar vullnetin dhe kërkesat popullit, të mbajnë ndjenjën e përgjegjësisë dhe largpamësinë, që populli ta shohë se fati i tyre dhe të ardhmes së shtetit është në duar të besuara dhe njerëz të përgjegjshëm, që e udhëheqin vendin në mënyrë të efektshme, të ndershme dhe të mençur drejt ardhmërisë së mirë për të gjithë.
Jo rastësisht shkruan politikani gjerman Franz Josef Straub në lidhje me këtë çështje. Ai jo vetëm që i nxjerr rrënjët e sukseseve të lidershipit të cilët janë të mbështetur në rrënjët e historisë së shtetit e popullit, por edhe kohërave dhe rreziqeve që mund t'i dalin vendit në përgjithësi, prandaj sipas tij, politikani (pushtetari, lidershipi shtetëror -shënimi im) “nëqoftëse është i suksesshëm, ai është gjithmonë një mbrojtës i historisë (si të kombit ashtu edhe shtetit-shënimi im) si në kohë të mira ashtu edhe në kohë të këqija”.
Populli ka nevojë që lidershipi shtetëror të bëjë politikë të mençur, të përgjegjshme, serioze, e cila do të duhej që popullin ta kënaqte në të gjitha sferat e jetës, duke i ofruar një mirëqenie të lartë, siguri dhe perspektivë për të ardhmen, e cila jo të largohet por të afrohet në derën e secilit dhe për secilin si një mundësi për të ecur drejt dinamikës moderne dhe bashkimit me familjen e lashtë europiane. Apo siç do të thoshte burrshtetasi anglez David Lloyd George se “një politikan është një person me politikën e të cilit ju nuk jeni dakord; nëse bini dakord, atëherë ai është një burrë shteti”.
Populli ka nevojë që lidershipi dhe politikanët e tij të kenë aftësi të vërteta politike dhe intelektuale e profesionale, që vendi të ecë në rrugën e sigurt dhe të shihet e preket në të vërtetë shteti si një realitet i lindur nga vullneti historik i popullit i cili dëshiron të jetojë vërtetë i lirë, i pavarur dhe me një demokraci e qeverisje jo të barkut të madh e as kokës së vogël, por një qeverisje efektive, të përgjegjshme në shërbim të popullit dhe vendit në tërësi, apo siç qortonte me tonin e tij djegës dhe shkundës shkrimtari dhe politikani austriak Richard Graf von Coudenhove-Kalergi “shteti ... kjo qenie inferiore... me një uri të pashuar për para dhe pushtet pastaj me shumë pak arsye, shumë pak ndërgjegje dhe shumë pak karakter”. Ai nuk do të thotë me këtë se ishte kundër shtetit, pastaj proceseve demokratike dhe qeverisje në shërbim të popullit, por ai ishte një qortues i ashpër i shtetit respektivisht pushtetarëve që ishin zhytur në pangopësi egoiste të lakmisë për pushtet duke harruar se shteti është një realitet i vullnetit dhe moralit të popullit i cili do të duhej të ishte i veshur me të gjitha cilësitë e nevojshme dhe atributet normale, pra të një shteti të shëndetshëm, demokratik dhe europian.
Po ashtu ai shpaloste fytyrën e shëmtuar të proceseve politike dhe nxirrte në dritë zonat e errëta të shtetit. Ai, me këtë donte të thoshte se politikanët apo pushtetarët duhet ta bëjnë shtetin funksional në shërbim të së mirës së përgjithshme e jo politikanë që vrapojnë pas pasioneve të pangopshme apo siç thoshte kancelari (kryeministri) gjerman gjatë viteve 1969/74 Willy Brandt “politikanët që i ngrenë lart dogmat ose pretendojnë vendin e tyre në një piedestal të pagabueshmërisë, nuk meritojnë besim”. Megjithëkëtë, nga kjo duhet thënë se shteti respektivisht duhet të ketë mendimtarë, kritikë të ashpër, të cilët bëjnë punën e duhur duke mos e lënë të dhjamoset shteti dhe pushtetarët, por duke i hedhur në dritë të gjitha problemet dhe dobësitë, sepse duke patur mendim kritik dhe një opozitë konstruktive, qeverisja është më funksionale dhe gjatë rrugëtimit të saj mandator ajo shkel në më pak ura të kalbura se sa do bënte pa kritikët dhe opozitarët e vërtetë. Kështu që shteti dhe politikanët nuk duhet kurrsesi të dhjamosen, por duhet që tërë energjinë dhe kapacitetet e tyre t'i shfrytëzojnë për të mirën e të gjithëve dhe ardhmërisë së vendit. Me një fjalë, nuk do të thotë se shteti mund ti ofrojë lumturi popullit, por atë që shteti mund t'i ofrojë populli respektivisht qytetarëve të tij është, mirëqenia, siguria, zhvillimi ekonomik, mundësia, hapësira etj., etj., që ata të bëjnë veten të lumtur, sepse lumturia qëndron brenda secilit individ. Vetëm në këtë mënyrë ne do të mund të shohim se shteti është duke ecur në binarë të sigurt dhe fati i vendit është në duar të sigurta dhe të përgjegjshme, të cilët me një vizion të qartë e udhëheqin vendin drejt rrugëve të njohura dhe proceseve të integrimit në strukturat euroatlantike.
Comments (0 posted)
Post your comment