Humbës por edhe krenarë!
Por kur flitet për humbje nënkuptohet mos mundësia për realizimin në tërësi të platformave politike të politikanëve.
Ejup Berisha
E pabesueshme, por e vërtetë më shumë se 90 për qind e politikanëve në fund të mandatit të tyre janë humbës. Për çfarë humbje bëhet fjalë jo për humbje në aspektin material sepse për shumicën e politikanëve thuhet se jo vetëm që kanë siguruar dhe sigurojnë pasuri për vete por edhe për pasardhësit e tyre. Por kur flitet për humbje nënkuptohet mos mundësia për realizimin në tërësi të platformave politike të politikanëve. Ky nuk është ndonjë zbulim epokal i imi por realitet të cilin e dëshmojnë faktet e pamohueshme historike. Kjo ka ndodhur dhe ndodh si me politikanët të cilët opinioni i ka njohur e i njeh si politikan shumë të aftë e të përgatitur apo politikan të kalibrit shumë të madh por gjithashtu edhe me politikanët e kalibrave më të ulët. Për këta të fundit nuk kemi çka flasim ata janë të humbur në oborrin politik që nga fillimi i karrierës së tyre politike. Por politikanët e kanë një veti të pandryshueshme nuk duan ta pranojnë faktin se kanë qenë apo janë humbës por mundohen që me çdo kusht ta bindin elektoratin apo edhe opinionin e gjerë se gjatë kohës së aktivitetit të tyre politik gjithçka ka qenë dhe është në rregullin më të madh të mundshëm apo se fal tyre ka rrjedhur e po rrjedh vetëm qumësht e mjaltë. Por edhe nëse janë fajësuar apo fajësohen për dështimet e tyre ata gjithmonë fajin mundohen t’ia hedhin politikanëve kundërshtar e asnjëherë vetes së tyre.
Këtu politikanët u ngjajnë maceve ato(macet) sado që të mundohesh assesi nuk mund ti shtrish në kurriz. Unë gjatë gjithë kësaj kohe sa jam i vetëdijshëm për veten time dhe për çështjet publike në përgjithësi në mesin e të cilave bën pjesë edhe politika nuk kam hasur ndonjë politikan që të del para opinionit publik dhe të thotë se nuk ka qenë apo nuk është i kënaqur nga aktivitetet e tija politike apo nga rezultati i arritur nga këto aktivitete. Kjo i dëshmon dy fakte humbëse për opinionin më të gjerë: I pari se politikanët nuk kanë dhënë dhe nuk japin llogari para elektoratit të tyre që i ka zgjedhur për të bërat dhe të pabërat e tyre në politikë dhe i dyti se mungon lidhja mes politikanit dhe elektoratit, apo të paktën kjo lidhje ekziston vetëm gjatë zgjedhjeve ndërsa kur të përfundojnë ato të gjithë nisen në drejtimin e vet politikanët në të vetin e elektorati në të vetin. Çka është më e çuditshme politikanët sërish i kthehen elektoratit gjatë zgjedhjeve tjera. Kjo flet edhe për një fakt tjetër shumë humbës për të gjithë e ai është se qytetarët kanë mbamendje të kufizuar ata harrojnë se ai politikan që gjatë një periudhe të shkurtër ua ka kthyer shpinën dhe i ka injoruar plotësisht tash kur të afrohen zgjedhjet e radhës prapë u kthehet atyre dhe këta të fundit të njëjtin e presin sikurse nuk ka ndodhur asgjë kinse gjithçka ka qenë në rregull.
Çka është më e çuditshme ata politikanin fare nuk e pyesin se pse gjatë kohe kur ka qenë në politikë i ka harruar ata. Dhe pse tash sërish kthehet te ta për të siguruar përkrahje. Dihet shumë mirë se aftësi më e zhvilluar e politikanëve është manipulimi por qytetarët duhet ti identifikojnë politikanët e vyeshëm dhe punëtor prej politikanëve të kotë apo atyre që din vetëm të manipulojnë ngjashëm sikurse kultivuesit e sheqerit të cilët e bëjnë ndarjen e shapit prej sheqerit. Manipulimi përndryshe është zëvendësim për terim gënjeshtër prandaj në të shumtën e rasteve politika quhet gënjeshtër dhe politikanët gënjeshtar. Politikanëve u nevojitet besimi për ti fituar mandatet politike por a është gjithmonë kështu. Realiteti dëshmon se shumë shpesh besim kanë fituar ata politikan që nuk e kanë merituar atë. Nëse nxënësit që mësojnë shumë shpërblehen për punën që e bëjnë e ata të dobëtit dënohen për mos punën i njëjti parim duhet të vlej edhe për politikanët. Duke u nisur nga fakti se mungon ky parim sot të gjithë njerëzit e paaftë ja msyejnë politikës. Ajo që është më karakteristike në kohërat e mëparshme njerëzit edhe pse më pak të arsimuar të gjithë ishin më të vetëdijshëm dhe u iknin politikës dhe angazhimeve politike,tash ndodh e kundërta të gjithë ja msyejnë politikës,edhe pse tanimë arsimimi dhe edukimi janë në stad pak më të lartë e kjo do të duhej ti vetëdijësonte njerëzit se politika është aktivitet kompleks apo zanat i vështirë për të cilin duhen dije dhe aftësi më të mëdha.
Këtu nuk e kam ndërmend ta kopjoj Platonin i cili ka thënë se me politikë duhet të merren vetëm dhe vetëm filozofët sipas tij si më të aftit për tu marr me politikë por të përkujtoj se megjithatë me këtë aktivitet shoqëror duhet të merren njerëzit e aftë pa marrë parasysh se a janë filozof politikolog, jurist, sociolog, antropolog, matematicien punëtor të thjesht apo edhe bujk por ama ata duhet të jenë të aftë dhe të denjë për ta kryer këtë punë. Me këtë nuk dua të them se të gjithë politikanët duhet të jenë profesionist për tu marrë me politikë edhe pse profesionalizimi duhet të jetë qëllim dhe ideal kryesor i njerëzve që një kohë të gjatë merren me politikë. Mjaft më me politikan amatorë të cilët gati dy dekada janë prezent në skenën politike dhe nuk kanë arritur të mësojnë asgjë prej saj. Nëse jo të paktën është dashur të mësojnë se ai politikan që nuk arrin ta imponoj vullnetin politik nuk është politikan por lirisht mund të quhet argat në politikë.
Comments (0 posted)
Post your comment