Home | Opinion | "Ja e ndreqim, ja e prishim!"

"Ja e ndreqim, ja e prishim!"

image
Ta zëmë se themeli i këtij shteti është emri, muret janë identiteti kurse kulmi është feja.

 

 

 

 

Ismail Sinani

 


Çështja e ndreqjeve dhe prishjeve në këto treva, diskutohet që nga 1912-ta e këndej. Vazhdimisht ka dikush që kërkon të prishë diçka dhe vazhdimisht ka dikush që dëshiron të ndreqë. Për të thënë të vërtetën, kjo çështje, ka filluar të debatohet edhe më shumë, që nga marsi i 2001-shit, kur prishja ishte më afër se kurrë. Por ja që nuk u prish dhe disi u ndreq. U ndreq ama me paterica sepse në çdo fillim-viti që nga ajo pranverë e këndej, dikush fillon zëshëm ta këndojë këngën e Ilir Shaqirit “Sërish vjen marsi”.

Mirëpo, pavarësisht këngës së Ilirit, me sa duket pyetja është se çfarë do të ndreqet e çfarë do të prishet?! Sepse për të prishur diçka, medoemos duhet pasur diçka konkrete për të prishur, apo jo?!

Për shembull, për ta prishur një shtëpi, fillimisht ajo duhet të jetë e ndërtuar. Nëse nuk është e suvatuar, të paktën duhet të ketë mure dhe një kulm, të cilat bashkërisht qëndrojnë mbi themele. Por, nëse është në prag të rrënimit dhe nëse pronari vetë nuk është fort i interesuar për ta mbajtur në këmbë, atëherë...

Sidoqoftë, mos ta humbim muhabetin dhe të shkojmë me radhë, për të parë se çfarë ka mbetur për t’u prishur, natyrisht duke e marrë si shembull shtëpinë…

Ta zëmë se themeli i këtij shteti është emri, muret janë identiteti kurse kulmi është feja.

Themeli, siç mund edhe të pandehni, pa bërë ndonjë filozofi të madhe, prej 1991-shit e këndej, nuk është vendosur si duhet. Greqia, njëjtë siç ka kundërshtuar këtë themel para 20 vjetësh, kundërshton edhe sot.

Muret! Që nga ajo ditë kur Gligorovi e Klusevi shpallën pavarësinë, Bullgaria konteston tullat në veçanti dhe murin në përgjithësi. Dhe ky kundërshtim në mënyrë permanente vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Kulmi! Nga viti 1945 e këndej, Serbia as që lejon të vendoset kulmi dhe duket se as që e ka ndërmend të japë leje për diçka të tillë.

Pra lexues i nderuar, kuptojeni vetë, nëse ka diçka për të prishur apo për të ndrequr.

Njëjtë siç vepruam javën që e lamë pas, për hir të së vërtetës, duhet folur edhe për manipulimet që bëhen nga pala tjetër. Në rastin konkret nga BDI. Pa i hyrë edhe z. Ahmetit në hak, do të flasim me ca citate, nga një fjalim i mbajtur para një jave në një restorant dasmash në Kumanovë.

“Të nderuara familje të dëshmorëve të luftës!”. Këtë citat do ta ndërpres këtu, sepse kam frikë se do të mblidhet shumë vrer në rreshtat në vazhdim. Prej 2002 e këndej, BDI në çdo hapje solemne, në çdo tubim zgjedhor e parazgjedhor, të pranishmëve u drejtohet më këtë përshëndetje. Dhe asnjëri drejtues i kësaj partie, përfshi edhe vetë numrin ‘një’ të këtij subjekti, nuk ndalet të shikojë se ku i ka ato familje! Sa në vërtetë ata janë prezent në atë tubim?! Ku janë sot fëmijët e atyre, që u flijuan para 10 vjetësh?! Sa mjete ndan shteti i “përbashkët” për moshatarët e tyre maqedonas, sa për ata shqiptarë?! Mjaft më, mos i zini më në gojë ata burra fatlumë që u larguan faqebardhë nga bërlloku i kësaj bote. Mjaft më, mos i përmendni, sepse dëshmorët janë gjallë dhe shohin se çfarë ndodh edhe në mesin e të gjallëve, qoftë ai edhe tubim politik.

“Po përbaltet Marrëveshja e Ohrit, se gjoja na qenka e vdekur, po flitet se duhet ndryshuar kufijtë… Kur ne e pranuam Marrëveshjen e Ohrit, dhe nuk pranuam ndarjen, në atë periudhë 250 mijë shqiptarë na mbetshin jashtë kufijve të Shqipërisë dhe e ne e pranuam kompromisin. Ne menduam se zgjidhja më e mirë është Marrëveshja e Ohrit, e cila ndryshon statusin juridik-politik të shqiptarëve”. Është e vërtetë, se ka shumë prej atyre që e përbaltin këtë dokument dhe që e shpallin të vdekur, madje njëri prej shumë sosh jam edhe vetë unë. Gjithashtu është e vërtetë se ky dokument ka qenë kompromis, por për çfarë parashtrohet pyetja, që sot me shqiptarët të tallet Gruevski dhe klika e tij?! Që sot me shqiptarët ta tallet një bilmeze që keni pranuar ta drejtojë Ministrinë e Brendshme?! Që sot me ARM-në, të udhëheqë komplet një strukturë maqedonase?! Që sot edhe pas 10 vjetësh mos të jetë arritur përfaqësimi i plotë i shqiptarëve në polici?! Z. Ahmeti, t’ju rikujtoj se ky Dokument është dashur të jetë i implementuar në praktikë në vitin 2004. Nëse nuk besoni, ja një copy-paste nga origjinali: “Palët obligohen të sigurojnë se deri në vitin 2004 shërbimet policore përgjithësisht do të shprehin përbërjen e përkatësisë së popullatës në Maqedoni.” (Aneksi C i Marrëveshje së Ohrit, pika 5.2). Nëse në polici nuk është realizuar ky Dokument, atëherë ku mbetet përfaqësimi adekuat në mekanizmat tjerë shtetëror si në administratë, gjykatë, prokurori, diplomaci dhe mbrojtje?! Për kulturën mos të flasim fare… atje rroft Ganka me disa kllosharë e kllosharica shqiptare që e mbështesin!

Edhe në këtë rast nuk do ta zgjas shumë, dhe do ta përmbyll me një pyetje që nuk e kam parashtruar unë, por ju vetë z. Ahmeti edhe atë para mijëra delegatëve të partisë suaj” “Si ta ndërtojmë lojalitetin kur nga dymbëdhjetë vendet udhëheqëse kryesore në shtet asnjëri prej tyre nuk është shqiptar: As Presidenti, Kryeministri, Kryetari i Parlamentit, as ministri i Punëve të Jashtme, i Mbrojtjes, i Punëve të Brendshme, Shefi i Shtatmadhorisë, Udhëheqësi i Sigurimit Publik dhe Shtetëror, Guvernatori i Bankës Popullore, Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Kryeprokurori, asnjëri prej tyre nuk është shqiptar...” Nëse ke harruar, këtë e ke deklaruar në Kongresin e dytë të BDI-së në Shkup, të mbajtur më 19 dhjetor 2009. Nëse nuk gaboj, nga ajo ditë e deri më sot, kanë kaluar plot 389 ditë, pra, pak më shumë se një vit. Nëse atëherë ky ka qenë shkaku që ju, unë dhe të gjithë të tjerët, mos të jemi lojalë ndaj këtij shteti, çfarë ka ndryshuar tani që ke ndryshuar mendjen?! Megjithatë hajr inshalla!

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00