Qielli i trazuar shqiptar!
Doktrina “përça dhe sundo”, duket se ka depërtuar thellë në mesin e kombit shqiptar.
Driton Zenku
Zhvillimet e fundit në gjithë skenën politike shqiptare, me një analizë të thjeshtë reflektojnë mesazhin e përçarjes dhe njollosjes në momente shumë jetike për shqiptarët, siç janë bisedimet e paralajmëruara Prishtinë – Beograd, rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian si dhe “qorrsokaku politik” i Shkupit zyrtar ku shqiptarët shihen politikisht të margjinalizuar dhe të pafuqishëm. Një skenarë duket se po zhvillohet, shënjestra duket se janë shqiptarët, nga vjen nuk është rëndë të vihet deri në një konkludim. Doktrina “përça dhe sundo”, duket se ka depërtuar thellë në mesin e kombit shqiptar, pasojat duket se do të jenë fatale.
Në çdo periudhë të kaluar historike, në çdo sistem të ngritur politik, kombi shqiptar asnjëherë nuk ka qenë më i përçarë dhe pezmatuar mes veti se sa në kohën nëpër të cilën po kalojmë. Për jo më tepër se gjashtë muaj, skena politike shqiptare qoftë në Maqedoni, Kosovë apo Shqipëri morri një goditje të fuqishme përçarëse si asnjë herë më parë. Krejt kjo katrahurë, për një periudhë të shkurtër kohore dhe zhvillime të njëpasnjëshme politike sa që në shikim të parë fiton përshtypjen se bëhet fjalë për skenarë të kurdisur që rrjedh prej një burimi.
Litari këputet aty ku është më i hollë, thotë një proverb popullore. Pikërisht lëkundja dhe përçarja e parë në skenën politike shqiptare ndodhi në mesin e shqiptarëve të Maqedonisë. Publikimi i dosjeve të ish shërbimeve sekrete jugosllave për një pjesë të aktorëve të skenës politike shqiptare në Maqedoni, dikur aktorë kryesor të kryengritjes së armatosur shqiptare, solli një huti dhe ndarje mes popullatës shqiptare si asnjëherë më parë. Pos përfshirjes, të mos përkufizohet si njollosjes e një pjesë të aktorëve të politikës shqiptare në Maqedoni, një mesazh që doli nga gjithë këto zhvillime të lente përshtypjen se kjo kampanjë e degradimit tejkalon kufijtë e shqiptarëve të Maqedonisë, prononcimi nga njerëz të caktuar se në lojën e spiunëve shqiptarë që kanë bashkëpunuar me ish shërbimet sekrete jugosllave ka edhe aktorë të skenës politike aktuale në Kosovë. Pra, një tezë më tepër për përfshirjen edhe të skenës politike kosovare në këtë lojë.
Pa kaluar shumë kohë, shpërtheu një bombë tjetër politike në mesin e shqiptarëve, kësaj radhe nga deputetit zviceran, Dick Marty, i cili në të njëjtin moment “infektoi” politikisht dy shtete, Kosovën dhe Shqipërinë, me parashikimet e tij hipotetike për trafikim organesh njerëzish në periudhën e luftës së Kosovës. Edhe në këtë rast, doli një mesazh i veçantë, pohimi se në përpilimin e dosjes që shfaqi deputetit zviceran, Dick Marty, kanë gisht edhe figura politike të skenës kosovare.
Së fundi, paralelisht me publikim e dosjes për spiunazh dhe dosjet për krim të organizuar me trafikim të organeve të njerëzve, në Tiranë shpërtheu një tjetër bombë politike, kësaj radhe me karakter korrupsioni për një nga figurat kyçe politike të Tiranës zyrtare. Edhe ky, një “ekskavatorë” me elemente shkatërruese për skenën politike shqiptare. Kjo një tronditje më tepër që i shtohet ngërçit të famshëm politik që zhvillohet tash e dy vite me radhë në bllokun e politikës zyrtare të Tiranës.
Zhvillimet e fundit në gjithë skenën politike shqiptare, me një analizë të thjeshtë reflektojnë mesazhin e përçarjes, njollosjes pse jo edhe vëllavrasjes në momente shumë të rëndësishme historike, bisedimet Prishtinë – Beograd, rruga aderuese e Shqipërisë në Bashkimin Evropian si dhe “qorrsokaku politik” i Shkupit zyrtar ku shqiptarët shihen politikisht tejet të margjinalizuar dhe të pafuqishëm. Një skenarë duket se po zhvillohet, shënjestra duket se janë shqiptarët, nga vjen nuk është rëndë të vihet në një konkludim. Doktrina “përça dhe sundo”, duket se ka depërtuar thellë në mesin e kombit shqiptar. Në gjithë këtë situatë, kur sheh edhe shqiptarë të përfshirë në këta skenarë, pasojat nga kjo, do të jenë shumë më të madhe dhe shumë më afatgjate seç mendohet.
Comments (0 posted)
Post your comment