Lajthitja e kasketave të vjetra nga lëvizja e lirë nëpër Europë
Kjo ëndërr e shqiptarëve u bë realitet… Megjithatë disa media elektronike e disa gazeta hidhnin shashka tymuese se janë vënë disa rregulla të forta për të lëvizur nëpër Europë!
Nga Stefan Teodor Prifti
Entusiazmi i disa politikanëve për lëvizjen e lirë nëpër Europë pushtoi ekranet televizive dhe shtypin e shkruar. Disa militantë partie që u ka mbetur ora në vitin 1941, nuk e besonin këtë lajm dhe për këtë në kafene “Bashkimi” janë bërë shumë polemika
dhe janë shpallur nga radhët e tyre si tradhtarë ata që duan të shëtisin nëpër vendet kapitaliste, duke shkelur parimin se “Ne bar hamë dhe parimet nuk i shkelim!”. Dy të rinj në radhët e tyre, Zalo dhe Malo ishin të parët që prenë biletat për në Gjermani dhe Itali, për të shëtitur me pasaporta biometrike. Kasëmi me shokë u çmendën kur dëgjuan dy të rinj të një ideali që pohuan me gojën e tyre se ua kishte ënda të shëtisnin si të gjithë shqiptarët nëpër Europë!!!
Kjo ëndërr e shqiptarëve u bë realitet… Megjithatë disa media elektronike e disa gazeta hidhnin shashka tymuese se janë vënë disa rregulla të forta për të lëvizur nëpër Europë! Flitej se duhen shumë para, duhen garanci se kush të pret e plot sajesa të tjera, si e si të frenonin shqiptarët, që të mos shkonin në dyert e kufirit se gjoja pasaporta biometrike ka shumë halle, kur paratë nuk hedhin valle.
Një nga këta, militant i thekur, bëri pasaportën biometrike për t’ i verifikuar ai vetë këto zëra në dyert e kufirit, pa llogari bankare, pa ofertë se kush e pret dhe shkurt pa pasur as lekët e rrugës nga kufiri për në Greqi. Kasëmi u nis me një makinë të rastit nga Tirana për në Gjirokastër, e më pas nga Gjirokastra në Kakavijë. Me shumë mundime, Kasëmi arriti tek sporteli i policisë shqiptare, ku për shkak të moshës së thyer të Kasëmit, i bënë një avantazh duke e respektuar, kështu që ai mbaroi punë shpejt me verifikimin e pasaportës biometrike, pas asnjë problem për Kasëmin. Kuadri i postës së policisë i uroi Kasëmit rrugë të mbarë duke i thënë madje: mirëse të na vish!
Kasëmi, me një fytyrë disi të egërsuar, i buzëqeshi me ironi dhe sa mori pasaportën tha me vete: Këtu s’ të thonë gjë për rregullat e caktuara se janë policë demokratë! E ashtu në këmbë Kasëmi mori rrugën për në sportelet e policisë greke në Kakavijë, me bindje të plotë se atje ishte gardhi i vërtetë ku të kthejnë mbrapsht pa llogari bankare e pa dokumente të tjera që ata kërkojnë! Sapo arriti tek sporteli i postës së policisë greke, Kasëmi i dha pasaportën biometrike duke pozuar si një trim kryelartë! Polici grek i buzëqeshi Kasëmit dhe pasi verifikoi pasaportën e tij biometrike e vulosi kalimin duke i thënë në greqisht: “Kallo taksidhi”, që do të thotë në greqisht: “Rrugë të mbarë”. Kasëmi nuk po e kuptonte se çfarë i tha ai në greqisht. Një person mbrapa Kasëmit, që e dinte mirë greqishten, i tha Kasëmit: “Të thotë: rrugë të mbarë”.
Kasëmit sa s’ i ra pika dhe e mblodhi veten e i tha personit shqiptar se shyqyr që ti do të më përkthesh se çfarë do t’ i them unë dhe çfarë do të më thotë polici grek. “Thuaji, tha Kasëmi, se unë nuk kam llogari bankare!” Personi me buzë në gaz ia përktheu policit grek në greqisht. Polici grek qeshi dhe i tha: “Qënkeni i sinqertë, por ne nuk kërkojmë llogari bankare, prandaj je i lirë të udhëtosh për në shtetin tonë, Greqi”. Kasëmi nuk ju besonte syve se në doganë nuk kërkohej llogaria bankare, kur në Shqipëri disa gazeta e televizione, kishin dhënë lajme ndryshe se po bëhet mani duke kthyer shqiptarët nëpër dyert e kufirit, pa llogari bankare e plot yçka përrallash të sajuara. Kasëmi u ngrys nga mikpritja dhe i tha policit grek, tashmë me përkthim nga personi që u ndodh mbrapa Kasëmit: “Nuk e ha unë këtë, i tha Kasëmi, ti më lejon mua të kaloj kufirin, kurse të tjerët më izolojnë e më bëjnë mua personazh i kapur pa llogari bankare e plot gjëra të tjera që ju keni në rregulloren tuaj për ne shqiptarët!”.
Kasëmi futi pasaportën në xhep dhe u largua në mënyrë demonstrative!!! Nuk u kthye mbrapsht për të gjetur ndonjë makinë për t’ u kthyer nga Kakavija në drejtim të Tiranës. Rruga qe e vështirë se sapo kishte udhëtuar nga Tirana për në Kakavijë. Shqiptarët që udhëtonin lirshëm për në Greqi, qeshnin rrugës me historinë e Kasëmit që u kthye vetë mbrapsht. Disa thoshin se dukej ai xhaxhai që kishte probleme psikike, e kështu në rrugën e gjatë Kakavijë-Athinë, tipi Kasëm u bë objekt gazmor. Kasëmi me shumë vështirësi bëri rrugën mbrapsht Kakavijë-Tiranë. Sapo erdhi dita tjetër Kasëmi e transformoi ngjarjen e kthimit të tij nga rruga për të lëvizur lirshëm në Europë, në një histori tjetër, sikur i kërkuan plot yçka. Kasëmi kapte kamerat nëpër rrugë dhe u jepte intervista se si e kthyen në kufi me pasaportë biometrike, se nuk e kishin lejuar të qarkullojë mbasi nuk kishte llogari bankare e plot gjëra të tjera. Kasëmi e quajti pasaportën biometrike si pasaportë çelës tutrike.
Intervistat e Kasëmit u bënë publike dhe në tavolinat e kafeneve, Kasëmit i mungonte vetëm hinka që ta dëgjonte i madh e i vogël. Djali dhe vajza e martuar e Kasëmit një ditë verifikuan pasaportën biometrike të Kasëmit që ta shikonin se çfarë i kishin shkruar e vulosur në kufi. Kur e hapën pasaportën biometrike të Kasëmit, panë datën e largimit nga Shqipëria për në Greqi dhe anasjelltas, hyrja në shtetin grek nga posta greke. Kasëmi me anë të pasaportës së tij biometrike rezultonte në shtetin grek dhe, pas nëntëdhjetë ditëve, në qoftë se nuk do të dilte nga shteti grek e nuk do të kthehej në Shqipëri, sipas dokumentit, Kasëmi dënohej që të mos udhëtonte pesë vjet nëpër Europë!!!
Kasëmi kur mori vesh nga fëmijët e tij këtë lajm, lajthiti nga mendtë e kokës! Çfarë duhet të bëj tani u tha Kasëmi fëmijëve të tij. Ata i thanë se duhej të hynte ilegalisht në Greqi dhe më pas të paraqitej në sportelet e policisë greke, e më pas tek sporteli i policisë shqiptare, që të konfirmonin hyrjen në Shqipëri. Hej ç’ më gjeti, tha Kasëmi! Pasi e pleqëruan disa ditë këtë mesele, vendosën që ta shoqërojnë Kasëmin në Gjirokastër, e më pas me dy të rinj, miq të Kasëmit, ta nxirrnin Kasëmin ilegalisht për në tokën greke. Dhe mandej të bëheshin veprimet në sportelet e kufijve. Ashtu bënë, morën një veturë angazhe dhe vajtën një ditë në Gjirokastër. Fjetën një natë në hotel dhe të nesërmen iu afruan kufirit dhe dy të rinjtë, me shumë përvojë, dhe natyrisht edhe për shpërblimin në të holla nga djali i Kasëmit, u nisën kodrave e ferrave me shumë mundim dhe herë-herë Kasëmin e mbanin si në kalapiç se nuk ecte dot për të ngjitur gërxhet e kodrave! Me shumë mundim ia arritën qëllimit, bënë arratisjen e pastaj iu afruan sportelit të policisë greke që të vepronin sipas rregullave për të marrë shënimin që largoheshin nga shteti grek për t’ u kthyer në Shqipëri.
Afër sportelit dy civilë që ishin në shërbim të kufirit iu afruan dhe komunikuan me dy të rinjtë që flisnin greqisht. Ata i thanë: “E kuptuat se ishit zbuluar nga kufiri ynë dhe i Shqipërisë se ne kemi bashkëpunim dypalësh dhe bëtë mirë që po ktheheni”. Kur i morën pasaportat biometrike u çuditën se dy të rinjtë ishin minoritarë dhe xhaxha Kasëmi ishte me dokumente të rregullta i paraqitur dikur në sportelet e policisë përkatëse. Ata për pak sa nuk i akuzuan për kalim droge, por ata të tre nuk kishin asnjë trastë me vete. Të dy të rinjtë u treguan atyre të policisë greke sinqerisht problemin e Kasëmit. Grekët qeshën dhe e morën Kasëmin si një të lajthitur, por e shoqëruan në sportelet e tyre duke i bërë shënimet përkatëse me të cilat Kasëmi doli nga shteti grek. Po ashtu, pa asnjë “domethënë” mbaruan punë edhe në sportelin e policisë shqiptare.
Përfundimisht Kasëmi u kthye në Tiranë, duke marrë frymë lirisht që nuk do të ishte i dënuar që për pesë vjet të mos dilte në Europë, kur kishte nevojë. Në kafene “Bashkimi” kjo situatë nuk shkoi gjatë. E vërteta u zbulua si pa dashje të Kasëmit, kur shokët i lexuan pasaportën Kasëmit, kur ai harroi kuletën mbi tavolinë në kohën që po paguante kafen. Shokët e një ideali verifikuan kuletën, panë pasaportën biometrike të Kasëmit që vërtetonte hyrjen për gati një muaj në Greqi dhe ardhjen për në Shqipëri. Të nesërmen, në kafene “Bashkimi” plasi sherri dhe Kasëmi u akuzua si një agjent demokrat që kishte hyrë fshehurazi në radhët e tyre!!! Të vërtetën ata nuk e besonin sepse i kishin parë dokumentin që ishte shënuar e vulosur se kishte shëtitur në Greqi! Kasëmi lajthiti fare kur ata e dëbuan si person të ngritjes së dy gishtave në fshehtësi.
Comments (0 posted)
Post your comment