Demonstrata kundër pushtetit të gënjeshtrës
Të protestosh kundër gënjeshtrës në pushtet, është të protestosh kundër një sundimi të korruptuar që po rrezikon demokracinë në Shqipëri.
Andrea Stefani
A ka forcë gënjeshtra ta bëjë të keqen të mirë, qeveritarin e korruptuar të ndershëm, mjerimin-bollëk apo Shkodrën e përmbytur një Venecia? A ka fuqi gënjeshtra që autokratizmin ku po zhytemi, ta shesë me sukses për demokraci dhe zgjedhjet e vjedhura si të ndershme? Është koha të shtrohet një dilemë e tillë sot kur një pushtet qartazi i korruptuar po përpiqet të mbijetojë duke u mbështetur, gjithnjë e më fort, në arsenalin e gënjeshtrës dhe duke e detyruar opozitën të derdhet në demonstrata kundër gënjeshtrës me pushtet. Sepse jo demokracia, por sundimi themelohet mbi gënjeshtrën. Të protestosh kundër gënjeshtrës në pushtet, është të protestosh kundër një sundimi të korruptuar që po rrezikon demokracinë në Shqipëri.
Nuk ka pasur qeveri që të mbështetet kaq shumë te gënjeshtra sa kjo e sotmja mes PD-së dhe LSI-së. Ajo u themelua mbi vota të vjedhura dhe provë kokëfortë për këtë, mbetet sabotimi këmbëngulës dhe i vendosur që i bëri transparencës së zgjedhjeve që i shpall si më të mirat e tranzicionit. Nëse do të ishin të tilla kjo qeveri do nxitonte të konfirmonte një gjë të tillë me transparencë dhe rinumërim votash. Fakti që bëri të kundërtën, tregon se gënjen. Prandaj njerëzit kanë të drejtë sot të demonstrojnë kundër qeverisë që vjedhjen e votës dhe vullnetit të tyre, e shet për ndershmëri. Edhe kontributi i LSI-së në krijimin e kësaj qeverie u bë i mundur në sajë të gënjeshtrës dhe mashtrimit elektoral. Ilir Meta u stërbetua se LSI kishte qëllim kryesor nxjerrjen e Berishës në pension, por votat e fituara me anë të këtyre stërbetimeve i investoi për të mbajtur në pushtet Berishën. Mashtrimi është sa masiv aq ekstrem. Por indinjata më e madhe e publikut lidhet me videoskandalin e denoncuar nga Dritan Prifti. Sepse pikërisht në qëndrimin ndaj këtij skandali qeveria Berisha-Meta shpalosi vendosmërinë e saj për të qëndruar në krahun e gënjeshtrës dhe të korrupsionit. Në video shihet, me zë dhe figurë, ish-kryeministri sesi imponon pazare korruptive dhe privilegje abuzive. Por kuraja e korruptuar e qeverisë nuk njeh kufi. Ajo ka shpallur si të manipuluar atë që shihet qartë si në dritë të diellit. Vetëm një nga aferat e tentuara nga Meta (për shembull ajo e propozimit për të punësuar një person pa diplomë) do të mjaftonte për të flakur si të padenjë për misionin e zyrtarit publik, edhe nëpunësin e rangut më të ulët të shtetit dhe jo më një nëpunës të rangut më të lartë. Në rastin e Metës, korrupsioni doli lakuriq.
Ashtu si në përrallën e Andersenit dikush tha se “mbreti” është lakuriq! Por ndryshe nga përralla, ku të gjithë pranuan atë që kishin parë prej kohësh, por që kishin frikë ta thoshin hapur, në Shqipëri ka një qeveri që kërkon të korrigjojë edhe shqisat e publikut, kërkon t’i bindë njerëzit se nuk kanë parë atë që në fakt kanë parë. Dhe nuk është hera e parë. A nuk qe folësja e Kuvendit, Topalli, që shkodranëve të përmbytur i thoshte se Shkodra ishte bërë si Venecia në një përpjekje për ta shitur tragjedinë si mrekulli? Këtë qëllim, pra të triumfit të gënjeshtrës edhe mbi shqisat, ka sot edhe strategjia qeveritare e gënjeshtrës që pretendon për gjoja manipulimin e videos. Prandaj njerëzit do protestojnë kundër pushtetit të gënjeshtrës që kërkon të mbysë të vërtetën ditën për diell. Dhe bashkë me të vërtetën edhe drejtësinë. Dhe bashkë me drejtësinë edhe lirinë. Por do të jetë shumë e vështirë të përgënjeshtrojë një të vërtetë që ulërin.
Qeveria e sotme duket se nuk është themeluar vetëm mbi vota të vjedhura. Ajo është themeluar edhe mbi premtime të gënjeshtërta apo mashtrime elektorale. Qysh në vitin 2005, Berisha premtoi se do korrektonte të gjithë projektet korruptive të qeverive socialiste, përfshirë ato të ish-kryeministrit socialist, Meta. Por kur erdhi në pushtet qëndrimi ndryshoi. Vetë Fatos Nano nga padrino i mafies dhe drogës, nga vrasës i një qytetari në Shkallnuer u kthye në lider historik me të cilin mund të bëhet kompromis. Ky ishte mashtrimi i parë i Berishës në pushtet. Më pas erdhën edhe mashtrimet e tjera. “Petrolifera” nga e keqe u bë befas një vepër e dobishme, privatizimi i Albtelekomit nga i korruptuar u shpall i ligjshëm, kompania serbe EFT nga një korruptuese e gjithë kryeministrave të Ballkanit, u shndërrua në partner kryesor për blerjen e energjisë nga qeveria Berisha dhe më së fundi, importimi i plehrave nga një mynxyrë për mjedisin shqiptar u shpall i ligjshëm dhe i dobishëm. Edhe në shumë raste të tjera si këto, Berisha ndryshe ka premtuar në opozitë dhe krejt ndryshe ka vepruar në pushtet. Shihet qartazi se strategjia e tij për të ardhur në pushtet ka qenë ajo e mashtrimit të publikut. Arma e tij kryesore për të ardhur në pushtet ka qenë gënjeshtra. Ashtu sikundër mbetet edhe arma kryesore për qëndrimin e tij në pushtet. Prandaj që të mposhtet Berisha duhet të mposhtet gënjeshtra.
Por që të mposhtet pushteti i gënjeshtrës duhet që të ringjallet pushteti i drejtësisë që është kapur dhe frikësuar nga pushteti i gënjeshtrës. Dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse organet e zbatimit të ligjit nuk ngrihen për të hetuar dhe ndëshkuar me guxim korrupsionin evident të demaskuar nga videoskandali i fundit. Nëse edhe ky skandal do shtyhet për në kalendar sikundër Gërdeci apo shumë skandale të tjera, atëherë shteti ligjor do të jetë një tallje dhe Shqipëria do të bjerë përfundimisht nën diktaturën e gënjeshtrës dhe korrupsionit. Prandaj opozita dhe qytetarët do demonstrojnë sot kundër pushtetit të gënjeshtrës për t’i dhënë kurajë pushtetit të drejtësisë të shqiptojë më së fundi të vërtetat e hidhura për pushtetin e gënjeshtrës, por shpëtimtare të vërtetën, drejtësinë dhe lirinë publike. Njerëzit do demonstrojnë që prokuroria të marrë guxim për të çuar para drejtësisë atë që tashmë të gjithë e kanë parë lakuriq, qeverisjen e korruptuar.
Comments (0 posted)
Post your comment