Shqipëria e joshqiptarëve!
Periudha e transicionit u shënua me ikje të madhe të qytetarëve të Shqipërisë, në të katër anët e botës!
Behxhet Sh. Shala
Më parë asimilohuni pastaj evropianizohuni
Të shkruash sot për Shqipërinë dhe shtetasit e saj është shumë e vështirë, sidomos nga këndvështrimi ynë antologjik idealist me të cilin jemi rritur dhe kemi mbijetuar! Po të mos ishte ky idealizëm do të përfundonim si shqiptarë të jugosllavizuar ose shqiptarë të turqizuar në shkretëtirat e Anadollit! Kështu, kemi mbijetuar si shqiptarë e pastaj jemi asimiluar në kosovarë! Në fund të fundit, a nuk janë këto procese nëpër cilat patjetër duhet të kalojmë nëse duam të bëhemi pjesë e Europës apo popull i europianizuar! Në kohën e diktaturës së Enver Hoxhës (pasojat e së cilës edhe sot po i ndiejmë) flitej dhe i këndohej së pari Nënës Parti dhe pastaj çka mbetej i këndohej nënës Shqipëri! Në këto rrethana ku internacionalizmi proletar ishte para identitetit kombëtar ka qenë shumë e vështirë të mos them e pamundur të ndërtohet një shtet me një shtyllë kurrizore kombëtare, pra një shtet shqiptar e që realisht Shqipëria do të duhej të ishte e tillë. Shqipërinë e kalëruan jugosllavët, rusët, kinezët, vietnamezët e kush jo?! Andaj e patëm një regjim jashtëzakonisht të dhunshëm që mbijetesën e ndërtonte duke ushtruar dhunë ndaj popullit të vet dhe duke e zhveshur nga të gjitha vlerat njerëzore, morale, kombëtare, kulturore etj.
Edhe pas rënies së diktaturës, transicioni ishte me përmbajtje komuniste ndërsa vetëm ambalazhimin e kishte demokratik. Transformimi në demokratë u bë brenda nate andaj nuk u krijua infrastruktura për procese të mirëfillta demokratike! Në fakt, në horizont dukej një luftë e pamëshirshme midis llojit, bashkëpartiakë të djeshëm! Periudha e transicionit u shënua me ikje të madhe të qytetarëve të Shqipërisë, në të katër anët e botës! Nuk zgjidheshin, as mjete e as rrugë për të ikur nga vendi yt! Ish bashkëpunëtorët e Sigurimit formuan parti politike dhe u instaluan në pushtet! Shqipërua thuaja u shpronësua e tëra dhe pronarë të rinj u bënë sigurimcat e vjetër të cilët e zëvendësuan diktaturën komuniste me diktaturë “demokratike”! Identiteti kombëtar i rrënuar skajshmërisht u rikthye tashmë si identitet grek, sllav, italian etj. Pranohej me një lehtësi të pabesueshme çdo identitet përveç atij që do të duhej të mburreshin me te, atij shqiptar!
Në Shqipëri isha për herë të parë në vitin 1990 pasi dola nga burgu thuaja 9 vjeçar, po për Shqipëri! Por jo për atë Shqipëri që e vizitova! Aty, gjatë asaj vizite vdiq ideali im për Shqipërinë e ëndrrave tona! E cila na jepte forcë gjatë vuajtjes së dënimit! Në vitin 2000 shkova me familjen time në Sarandë për pushime verore. Paraprakisht u përpoqa të përgatis time shoqe Fexhën edhe ajo idealiste e papërmirësueshme dhe fatose e xhaxhit Enver, e burgosur politike në burgun e Mitrovicës me befasitë me të cilat do të përballet e të cilat ishin në kundërshtim të plotë me idealet e saj! Fjalët e mia i merrte si provokim duke ditur se çfarë qëndrimi kisha për xhaxhin Enver dhe diktaturën e tij. Në Sarandë ishte një situatë sikur të ishe në Greqi apo Itali. Jo në kuptimin e shërbimeve cilësore, po në kuptimin e emërtimeve të fëmijëve, muzikës që e dëgjoje në restorante dhe vende të tjera publike! Fëmijët tanë, Shkëmbi dhe Blini duket se ishin fëmijë të vetëm në plazh, emrat e të cilëve tingëllonin shqip! Të merrnin për budalla nëse flisje për çështje kombëtare. Patriotizmi tashmë ishte letër e djegur!
Ishim këmbëngulës dhe çdo vit shkonim në pushime në Shqipëri! Për ta mësuar gjeografinë dhe përmes saj edhe historinë dhe për t’i ndihmuar zhvillimit të turizmit! Me të kuptuar se jemi kosovarë, na rruanin në të thatë thuaja gjatë çdo shërbimi! Me lekë të vjetra dhe të reja! Viteve në vijim ishin disa përmirësime të cilat nuk ishin për shkak të ngritjes së vetëdijes kombëtare, por shkaku se turizmin shqiptar e mbanin gjallë turistët nga Kosova! Edhe kur të ndalte polici, edhe kur ishe në shitore, hotel, plazh apo vend tjetër fjalia e parë ishte : “jemi vëllezër”. Për këtë fjali apo rikthim të patriotizmit në kosovarët e paguanim një gjobë me qindra lekë, por bëheshim se nuk po kuptonim. Pastaj, kur maqedonasve u mbyllën rrugët për Greqi dhe Bullgari ata i mësynë Shqipërisë dhe ne kosovarët përsëri ramë nga liga e interesimit. Mos të flas kur filluan të vinin malazezët dhe serbët! Kur ishe në Velipojen e Xhozi Topallit nuk e dije nëse je në Shqipëri apo Shumadinë e Angjelkoviqit!
Shtypi rozë e bëri Shqipërinë bozë
Nuk e besoj se mund të ketë vend në botë me aq shumë gazeta për kokë banori se që ka Shqipëria! Dhe me aq publicitet që i bëhet krimit dhe kriminelëve! Jo më pak se 45-50% të hapësirës informative në Shqipëri ndahet për krimin dhe jetën private të personave që llogariten si VIP, qoftë atij politik apo kriminal! Nuk ka lexues apo shikues më të pambrojtur nga reklamimi i krimit se qytetari i Shqipërisë! Në këtë mënyrë formohet një vetëdije kriminale ku kriminelët perceptohen, nëse jo si heronj kombëtar atëherë si personalitete me rëndësi gjithsesi!
Edhe në politikë i kemi dy pole të konfrontuara që nga fillimi, socialistët dhe demokratët ndonëse janë nga i njëjti burim! Lufta e tyre ka qenë e pakompromis, jo për të mirën e Shqipërisë, por për përfitime materiale! Janë ndërruar në pushtet për të shkatërruar shtet! Në kohën kur gjermanët angazhohen për një Gjermani gjermane, francezët për një Francë franceze, Italianët për një Itali italiane, anglezët për një Angli angleze etj., shqiptarët e Shqipërisë angazhohen për një Shqipëri evropiane. Duket se u vije turp të deklarohen si shqiptarë andaj mendojnë se duke hequr dorë nga identiteti kombëtar dhe shtetëror, më lehtë do të integrohen në Evropë!
Një kohë të gjatë Shqipëria ishte peng i Fatos Nanos dhe Sali Berishës. Iku Nanua dhe në vend të tij erdhi Edvin Rama shpërfaqja mijëraherë më e keqe e Nanos në ditët më negative të tij! Nanua kishte ndjeshmëri e cila i mungon njeriut pa ndjenja siç është sot Edvin Rama! Edvin Rama sot është varrmihësi kryesor i Shqipërisë! Për demokracinë as të flasim. Me fjalorin e tij diskreditues, ndihmës kryesor i Edvin Ramës është Sali Berisha! Këta nuk i duhen Shqipërisë! Askujt madje! Që të dy duhet të ikin, për të mirën e Shqipërisë, demokracisë dhe të mirën e qytetarëve të saj! Është neveritës qëndrimi prej dr. Xhekilit (me dy fytyra) i Edi Ramës, i cili në njërën anë flet për demokraci, ndërsa nga hija komandon me xhihadistë socialist që në emër të luftës së shenjt përpiqet ta shkatërrojë Shqipërinë vetëm për ta shkatërruar armikun e tij personal, Sali Berishën!
I neveritshëm është fjalori të cilin e përdor Sali Berisha në Kuvendin e Shqipërisë me të cilin komunikon me opozitën! Kjo nuk ka të bëjë fare me kulturën dhe traditën shqiptare! Mos të flasim për njerëzoren! I neveritshëm është sjellja e asaj që i kapë socialistët për zhele për t’i larguar nga Kuvendi, Xhozi Topallit, e cila lejon në Kuvend fjalor rrugaçësh! Për këtë arsye po e them botërisht: “Rrofsh o Jakup Krasniqi se vallahi burrë je”! Prandaj, nëse i kemi parasysh këto fakte, ngjarjet e fundit në Shqipëri nuk mund të llogariten aspak si befasi! Madje edhe lehtë kemi kaluar! Në një vend ku politika është e kriminalizuar dhe krimi është politizuar, me vetëdije kombëtare krejtësisht të margjinalizuar është budallallëk të flitet për perspektivë kolumbiane e lëre më evropiane! Përjashtuar gjendjen e çmendurisë kolektive, kush mund të besojë se një popull që disa herë bënë përpjekje që seriozisht ta shkatërrojë shtetin e vet do të pranohet të bëhet anëtare e barabartë e BE-së?! Neroni vetëm një herë arriti t’i vë zjarrin Romës dhe u bë pjesë e historisë! Si një i çmendur! Shqiptarët disa herë i futën flakën Shqipërisë, por ende nuk u bënë pjesë e historisë! Si evropianë të ardhshëm! Cilët shqiptarë pyes? Shqiptarët grekë, shqiptarët serbë, shqiptarët vllehë, ata rusë!! Cilët?! Prandaj, këtij shkrimi dhe i vura titullin: Shqipëria e joshqiptarëve”!
Comments (0 posted)
Post your comment