Riciklimi i krizës shqiptare
Prandaj, zgjidhja e këtij problemi duhet të përfundojë me një Qeveri të përbashkët teknike dhe zgjedhje të reja demokratike, por me standarde krejt të ndryshme...
Fehmi Ramadani
Edhe pas njëzet vjet nga shembja e diktaturës në Shqipëri, përkundër përparimeve të dukshme të këtij vendi, si anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe një sërë të arritura tjera demokratike, sërish ky vend po vuan nga krizat e herëpashershme, të cilat për fat të keq po krijohen nga këstet e tyre të papërgjegjshme politike. Sindroma e krizës politike assesi të mbarojë në këtë vend dhe që përfundimisht ky shtet të shndërrohet në një oazë të qetë, demokratike, funksionale dhe pa tronditje për demokracinë e tij.
Ngjarjet e fundit në Tiranë, sidomos pas protestës së 21 janarit, me ç’rast kishte tre demonstrues të vrarë dhe me dhjetëra qytetarë dhe policë të plagosur është dëshmia më e mirë këtu se ende nuk ka një demokraci të konsoliduar dhe se grupet e tyre politike kishin shfaqur papjekurinë e tyre politike për të kuptuar dhe vepruar sipas rregullave demokratike.Ndërsa, papërgjegjshmëria e tyre, sidomos në humbjen e tre njerëzve të pafajshëm vetëm pse kishin marrë pjesë në protesta tregon cinizmin edhe më të madh të kësaj politike, pa marrë parasysh cilit formacion politik i takojnë.
Nuk ka dyshim, se në këtë rast përgjegjësia më e madhe është e vetë organizuesit të këtyre demonstratave, sepse nuk kishte një organizim të mirëfilltë dhe të kontrolluar dhe një pjesë e vogël e tyre duke keqpërdorur këtë demonstratë kishin manifestuar veprime të dhunshme ndaj Kryeministrisë, por edhe kundër forcave të rendit të këtij shteti. Padyshim, për këtë përgjegjësi duhet të mbajë vetë organizuesi, kurse më pastaj për vrasjet dhe dhunën e tepërt të ushtruar nga forcat e policisë duhet të mbajë shteti, i cili, nga sa u pa nuk ishte në nivel të detyrës.
Sa do të dhunshëm të ishin protestuesit, institucionet e këtij vendi duhet ishin përgatitur për këtë sfidë, të dinin se si të përballonin, në mënyrë që të mos kishte pasoja të tilla, por këto institucione nuk ishin të afta të menaxhojnë me këto kriza. Këto institucione janë ende të brishta dhe duhet të reformohen në të ardhmen. Ndërsa, nuk mund të ketë asnjë arsyetim për faktit e tre njerëzve të vrarë, sepse dikush në këtë vend përfundimisht duhet të respektojë ligjin, drejtësinë dhe të jap llogari për këto krime që po ndodhin për shkaqe politike për një kohë të gjatë. Në demokracitë e zhvilluara kjo nuk guxon të ndodhë, andaj edhe në Shqipëri kjo nuk duhej të ndodhte dhe kjo njëherë e përgjithmonë duhet të përfundojë.
Po ashtu, tashmë kjo krizë është një grusht i rëndë për imazhin e të gjithë shqiptarëve në rajon, sepse kjo reflekton negativisht në botën demokratike, por edhe pasojat janë të mëdha dhe ato reflektohen në formë zinxhirore në hapësirën shqiptarë, sidomos për Kosovën mund të ketë pasoja të dukshme, e cila po përballet me vështirësi të shumta në rrugëtimin e shtet-ndërtimit të saj. Republika e Kosovës dhe shqiptarët e rajonit kanë nevojë për ndihmën e Shqipërisë dhe jo për krijimin e krizave të panevojshme nga politika e tyre.
Këstet politike të këtij vendi duhet shmangur fjalorin e ashpër dhe të dhunshëm ndërmjet tyre si veprim politik, sepse kjo dërgon vetëm në kriza, mu ashtu siç ndodhi këtyre ditëve. Një veprim i tillë politik nuk mund të ketë mbështetje nga askush në botën demokratike. Shteti dhe politika duhet të kthehen në binarë normal të funksionimit demokratik të saj, t’i kthehet hetimit të këtyre ngjarjeve dhe vënien e përgjegjësisë për autorët e krimit, por edhe të gjitha pasojat tjera ndaj këtij shteti. Kurse, dialogu dhe respektimi i rregullave demokratike duhet të jenë të vetmet forma të komunikimit të tyre, sepse zgjidhje tjetër nuk ka.
Këto grupe politike duhet të reformohen dhe në radhë të tyre të sjellin njerëz të rinj dhe të aftë që punojnë për interesat e qytetarëve të këtij vendi dhe jo të udhëhiqen nga njerëz me paragjykime të vjetra. Këtij vendi më së paku i duhen njerëz që i krijojnë kriza, ndërsa më së shumti kanë nevojë për njerëz që zgjidhin kriza dhe janë në shërbim të interesave të banorëve të tyre.
Në këtë vend, kjo gjendje e rëndë dhe konfuze nuk guxon të tolerohet në të ardhmen, sepse shqiptarët nuk e kanë merituar një gjendje të tillë, që pas njëzet vjet të përfundimit të diktaturës dhe fillimit të jetës në demokraci të vriten në vendin e tyre, që jeta e tyre të shndërrohet në një mall shumë të lirë dhe kjo nuk do shumë koment. Këto ngjarje duhet të harrohen sa më shpejt dhe të përjetohen si një mësim i keq për demokracinë e këtij shteti.
Prandaj, zgjidhja e këtij problemi duhet të përfundojë me një Qeveri të përbashkët teknike dhe zgjedhje të reja demokratike, por me standarde krejt të ndryshme, të cilat duhet të jenë objekt i dialogut ndërmjet këtyre grupimeve në të ardhmen. Dhe, vetëm kështu sa do pak do të kishte një shpërblim në radhë të parë ndaj atyre që ranë në këto demonstrata, familjet e tyre, por do të ishte edhe një rikoperim ndaj kësaj situata të rëndë ndërshqiptare dhe kurrë më në këtë vend riciklim i krizave të tilla.
Comments (0 posted)
Post your comment