Shqiptarët në një udhëkryq të rrezikshëm
Trazirat vdekjeprurëse të 21 Janarit demonstrojnë se vendi gjendet në kthetrat e dy partive kryesore të zhytur në një rivalitet të hidhur dhe një mentalitet rrethimi...
Shirley Cloyes DioGuardi
Më 21 Janar 2011, shqiptarët në Shqipëri dhe në të gjithë globin janë tronditur kur një protestë në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë, mori karakter të dhunshëm, duke lënë tre të vdekur dhe tridhjetenëntë të plagosur. Menjëherë pas publikimit të incizimit në të cilin zëvendëskryeministri Ilir Meta ishte kapur duke u përpjekur për të rregulluar një tender publik për një hidrocentral që i ishte dhënë njërit prej miqve të tij, Partia Socialiste, e kryesuar nga Edi Rama, kishte filluar të ndërmarrë një fushatë derë më derë duke i nxitur njerëzit që të vërshonin nëpër rrugë në shenjë revolte. Por reagimi i publikut shkoi përtej dy dekadave të përçarjeve të mëdha në mes të kampeve politike më të fuqishme të vendit.
Deri në momentin kur dhuna u shua, ishte më se e qartë se turma prej më shumë se 20,000 njerëzve përfaqësonte një qytetari të mbushur me një zemërim të akumuluar prej shumë kohësh në lidhje me korrupsionin e pa hulumtuar dhe të pa ndëshkuar që ka kapluar elitën politike të vendit, dhe përkeqësimin gjithnjë e më të madh të gjendjes ekomomike në të cilën gjenden shumica e shqiptarëve. Vitin e kaluar Bashkimi Evropian kishte hedhur poshtë kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim, nën arsyetimin se vendi duhet t’i jap fund korrupsionit dhe të krijojë një demokraci të qëndrueshme në të cilën do mbizotërojë ligji. Revolta e 21 Janarit vetëm sa e ka bërë më të paqartë pranimin e Shqipërisë në BE.
Në veçanti, çështja e pazgjidhur rreth shpërthimit të fabrikës së municioneve në Gërdec në Mars të 2008-ës, mbeti përherë një plagë e rëndë për të gjithë shqiptarët pa dallim bindjesh politike, ngase qartazi dëshmonte se ligji është i pafuqishëm kur në pyetje janë oligarkët e politikës dhe biznesit. Si rezultat i këtij shpërthimi në Gërdec, njëzetegjashtë punëtorë kishin humbur jetën dhe rreth 309 të tjerë ishin plagosur. Aksidenti kishte ndodhur përderisa punëtorët, çdo ditë, me shufra metalike dhe duar-zhveshur po përpiqeshin të hapnin mijëra predha artilerie si pjesë e një programi kombëtar për shkatërrimin e municioneve dhe shitjen e pjesëve të tyre. Më vonë u zbulua se shpërthimet kishin filluar gjersa punëtorët po bartnin pako municioni të vjetër kinez e rus, të grumbulluar qysh prej kohës së diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, ripaketimi i të cilit municion po bëhej me qëllim qe t’i shitej ushtrisë e policisë afgane.
Për ta përkeqësuar situatën edhe më tutje, sipas një raporti hulumtues të kryer nga e përditshmja Amerikane ‘The New York Times’, paratë e dala nga kjo ndërmarrje po shpërndaheshin për zyrtarë shqiptarë, përfshirë edhe djalin e kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kishte dhëne dorëheqjen, as ai dhe as ndonjë zyrtar tjetër qeveritar nuk ishte akuzuar për sjellje jo-legale. Për më tepër, pas zgjedhjeve nacionale të mbajtura më 29 Qershor 2009, Mediu u kthye në qeveri si Ministër i Mjedisit, post ky që i jep atij imunitet politik nga ndonjë ndjekje e mundshme penale.
Andaj, edhe pse Partia Socialiste e thirri protestën e 21 Janarit, ajo gjeti momentin kyç në të cilin pesimizmit dhe mungesa e shpresës kishin ngulfatur shqiptarët dhe si rezultat qytetarë të të gjitha bindjeve politike për shkak të korrupsionit gjithëpërfshirës dhe endemik të elitës, mungesës së sundimit të ligjit, dhe dështimit të krerëve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike për të nxjerrë vendin nga varfëria.
Fundi i komunizmit dhe korrupsionit në Shqipëri
Njëzet vjet kanë kaluar qysh prej rënies së komunizmit dhe Shqipëria ende udhëhiqet nga ish-zyrtarë komunistë. Hyrja e figurave të reja në politikë vështirësohet tej mase nga fakti se sektori i medieve dhe ai i biznesit sponsorohen dhe kontrollohen nga po këta ish-zyrtarë komunistë. Edhe përkundër faktit se më tepër se 30,000 të rinj Shqiptarë kanë mbaruar studimet në universitetet perëndimore, shumica prej tyre hezitojnë të kthehen në Shqipëri, e pjesa tjetër zhgënjehen kur e bëjnë një gjë të tillë. Ata të cilët janë përpjekur të bëhen pjesë e elitës politike, të shtyrë nga paraja, shpesh shndërrohen në kopje identike të liderëve të vjetër, qoftë nga Partia Demokratike apo ajo Socialiste. Tragjikisht, ata vazhdojnë të kultivojnë modelin e politikës konfliktuale, të zhveshur prej parimeve dhe vlerave, politikë kjo qe ka penguar unitetin kombëtar dhe progresin e vendit qysh prej rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991.
Trazirat vdekjeprurëse të 21 Janarit demonstrojnë se vendi gjendet në kthetrat e dy partive kryesore të zhytur në një rivalitet të hidhur dhe një mentalitet rrethimi, i cili shuan çdo thirrje të arsyeshme/racionale dhe shtyp çdo lloj idealizmi të profesionistëve të rinj të cilët janë pro ndryshimeve. Megjithatë, kësaj radhe duket pak e mundur që elektorati shqiptar t’u përgjigjet thirrjeve të oligarkëve, duke përfshirë kryeministrin Berisha e po ashtu kryetarin e Partisë Socialiste, Rama. Në vend të kësaj, frustrimi në rritje ndaj shpërdorimit të pushtetit nga elita egoiste, pa dyshim, do të nxisë popullatën shqiptare të vërshojnë rrugët përsëri, me shpresën që të mos ketë përshkallëzim të situatës përsëri.
Thirrjet për zgjedhje të parakohshme do dëgjohen së shpejti, por në qoftë se nuk krijohen kushte të favorshme për liderë të rinj politikë dhe parti të reja politike që nuk janë infektuar nga njëzet vitet e fundit të politikës përvetësuese dhe bashkëpunimit të fshehur partiak, është e vështirë të paramendohet një zgjidhje përparimtare. Është e domosdoshme që elita e sotme e korruptuar politike të zëvendësohet nga një bllok i ri politik i mbledhur rreth vlerave demokratike dhe i përgatitur të udhëheqë Shqipërinë së bashku me pjesën tjetër të Evropës drejt një të ardhme të frytshme. Nga ana tjetër, zyrtarët perëndimorë, që tashmë veçse janë nisur drejt Tiranës, duhet të bëjnë më shumë se sa vetëm të përpiqen të luajnë rolin e ndërmjetësuesve për stabilitet; ata duhet të mbështesin dëshirën e zjarrtë të popullit shqiptar për demokraci të vërtetë dhe qëndrueshmëri ekonomike.
Kosova dhe Raporti i Marty-it
Ndërkohë, Kosova, e cila vazhdon të jetë e lënduar nga mungesa e stabilitetit politik qysh nga vjeshta e 2010-ës, së fundi edhe u gjunjëzua kur diplomati zviceran Dick Marty paraqiti para Këshillit të Evropës një raport 27-faqesh, raport ky i cili akuzon Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) se gjoja gjatë luftës në vitin 1999 ka bërë kontrabandimin e organeve të pjesëtarëve të nacionalitetit serb dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë; për më tepër në raport thuhet se kryeministri Hashim Thaçi ishte i përfshirë direkt në këto ngjarje-pohime këto që fillimisht ishin bërë në vitin 2008 nga Prokurorja e OKB-së, Carla Del Ponte, në librin e saj. Marty gjithashtu bëri edhe përgjithësime gjithëpërfshirëse, duke e quajtur Kosovën një shoqëri të bazuar në fis e cila është e angazhuar në kontrabandimin e drogës dhe në aktivitete tjera të krimit të organizuar. Për më tepër, ai sugjeroi se autoritetet në Shqipëri kanë bashkëpunuar në marrjen dhe trafikimin e organeve njerëzore, dhe se më vonë gjithashtu kanë penguar kryerjen e hetimeve të duhura në lidhje me akuzat e Marty-it.
Dick Marty dëshiron që ne të besojmë se NATO, Misioni i OKB-së në Kosovë, EULEX (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë), Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, Shqipëria, dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar, me përjashtim të Beogradit dhe Moskës kanë bërë një fushatë për më tepër se një dekadë për të fshehur trafikimin me organe njerëzore nga kosovarët, prej Marty-it, Del Ponte-s, dhe presidentit serb, Boris Tadic. Fatmirësisht, edhe pse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës më 25 Janar 2011 e miratoi raportin e Marty-it, ajo u bën thirrje autoriteteve vendore e ndërkombëtare të nisin hetime në lidhje me ‘dyshimet…’ e Martyi-t ‘…për trajtimin çnjerëzor të njerëzve dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë’. Në të njëjtën ditë, disa anëtarë të Parlamentit Evropian theksuan se Marty ende nuk ka paraqitur ndonjë evidencë në mbështetje të akuzave të tij dhe se EULEX-i tashmë veçse kishte kërkuar një gjë të tillë nga ai.
Akuza mbi ‘korrjen e organeve’ është në veçanti një sulm ‘vdekjeprurës’ për kosovarët dhe të gjithë shqiptarët, kjo për arsye se ‘korrja e organeve’ sjellë kujtime të hidhura nga krimet e luftës të kryera nga Nazistët kundër Hebrenjve. Megjithatë, ky është thjeshtë zhvillimi i fundit në një fushatë të orkestruar nga ana e Beogradit dhe mbështetësve të tij në Evropë për të diskredituar shqiptarët, kriminalizuar UÇK-ën, dhe krijuar një barazi të rrejshme ndërmjet kriminelëve dhe viktimave të luftërave Ballkanike të viteve 1990-ta, në të cilat rreth 200,000 njerëz janë vrarë dhe më shumë se katër milionë u zhvendosën prej shtëpive të tyre nga trupat ushtarake dhe paramilitare serbe.
Serbia e di se përgjegjësia për krimet që ushtria e saj ka kryer ndaj qytetarëve të pambrojtur të Kosovës nuk do të mund të zhduket asnjëherë. Prandaj, ajo është duke përdorur akuzat mbi trafikimin e organeve në mënyrë që ta dobësojë moralisht kauzën e drejtë shqiptare për një Kosovë të pavarur, dhe në këtë mënyre po ashtu të ngritë dyshime në mesin e komunitetit ndërkombëtar për mbështetjen e vazhdueshme që i ka bërë përpjekjeve kosovare për ta mposhtur diktatorin serb, Slobodan Milosevic, dhe përkrahësit e tij. Qëllimi përfundimtar i Serbisë është të krijojë një situatë të favorshme për rihapjen e negociatave rreth statusit të Kosovës, ku si pikësynim do ketë aneksimin e pjesës veriore të Kosovës. Kjo është arsyeja se pse, përderisa Serbia të mos i kërkojë falje Kosovës për gjenocidin e Millosheviqit ndaj shqiptarëve dhe të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, e cila u legjitimua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në fund të Korrikut të kaluar, Prishtina duhet të refuzojë me çdo kusht hyrjen në bisedime të reja me Beogradin.
Dick Marty, në raportin e tij, pretendon se kryeministri i Kosovës, Thaçi është po ashtu i përfshirë në trafikimin e heroinës. Edhe pse nuk ekziston as edhe një provë e vetme për të mbështetur këtë akuzë, nga ana tjetër ka shumë prova se liderët politikë shqiptarë kanë pasuruar vetën në kurriz të popullit dhe duke lejuar krimin e organizuar të lulëzojë pamëshirshëm. Pa aspak turp, zyrtarët janë zhytur në tenderë për autostrada e projekte të tjera infrastrukturore, ndërsa rreth dy mijë shqiptarë konsiderohen ende të humbur qysh prej luftës së fundit në Kosovë, 45 për qind janë të pa punë, dhe shumë shqiptarë të tjerë jetojnë në varfëri të thellë.
Ekzistojnë, gjithashtu, dëshmi të mjaftueshme se kur në pyetje ishin përpjekjet e Serbisë për të diskredituar shqiptarët qysh prej mbarimit të luftës, lidershipi politik shqiptarë ka marrë vazhdimisht një rol pasiv, në vend të një roli më proaktiv. Për shembull, ishte e ditur se Dick Marty kishte filluar hetimet e tij qysh prej verës se 2008-ës, megjithatë nuk pati asnjë përpjekje nga ana e lidershipit shqiptarë në Prishtinë dhe Tiranë që të parashikojnë dhe kundërshtojnë konkluzionet e tija të rreme.
Konkludim
Shqiptarët në Tiranë dhe Prishtinë janë në një udhëkryq të rrezikshëm, dhe tani është koha të vetëdijesohen se faji nuk qëndron vetëm tek Serbia dhe Perëndimi, mirëpo edhe tek liderët politikë shqiptarë, të cilët kanë pasuruar vetën e tyre përtej çdo mase, ku njëkohësisht nuk kanë qeverisur siç duhet dhe kanë dështuar në plotësimin e nevojave të qytetarëve më të varfër në Evropë. Nëse lidershipi i tanishëm nuk është i gatshëm t’i vë fund korrupsionit dhe paaftësisë që shtrihet deri në nivelet më të larta të qeverisë, atëherë atyre duhet tu kërkohet të japin dorëheqje në mënyrë qe një brez i ri burrash dhe grash idealistë dhe të aftë profesionalisht të mund të nxjerrin Shqiptarët nga ky kaos ekonomik e politik në të cilin ata veçse kanë jetuar shumë gjatë tashmë.
(Autorja është Këshilltare e Çështjeve Ballkanike e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane)
Comments (0 posted)
Post your comment