Home | Opinion | Udhëtim në shtigje të parrahura

Udhëtim në shtigje të parrahura

image
Sociologu ynë vazhdon pastaj me përshkrimin e filantropisë së organizuar para se të dalë te portreti i atij që konsiderohet ndër figurat më të mëdha të historisë...

 

 

 

 

Blerim Gashani

 

(Anton Kolë Berishaj, Filantropia në Kosovë, Prishtinë 2010, mbështetur nga Fondacioni për Iniciativë Demokratike, Gjakovë)

“Kam pasur rastin të shoh me sytë e mi fletëpagesën prej 2 markave gjermane nga një azilant, i cili, merreni me mend, ka pasur një racion ushqimi dhe pak para xhepi dhe prej atyre pak parave, i ka ndarë 2 DM për Fondin. Për mua ky është filantropi kryesor.”

Ky episod madhështor nga dekada e fundit e shekullit që lamë pas, jepet në librin “Filantropia në Kosovë”, një studim nga autori Anton Kolë Berishaj. Shumë momente si këto do të zëjnë vend në këtë libër, por tema është shumë më e gjerë dhe filantropia është koncept/praktikë/fenomen shumë më kompleks. Libri i tij për filantropinë në Kosovë është i pari i këtij lloji, prandaj edhe hulumtimi, mbledhja e materialit, mbështetja në burime dhe përfshirja e formave, që jo domosdoshmërisht i takojnë filantropisë apo kanë pak nga elementet e saj, kanë qenë vetëm disa nga sfidat, të cilave autori u ka treguar gjoksin. Sa për ilustrim, edhe shumë nga fenomenet që kanë lidhje me filantropinë apo janë shprehje bukur e mirë e saj, nuk kanë terminologji të saktë në gjuhën shqipe.

Autori ia nis nga fillimi. Para se të na e shpjegojë praktikën e filantropisë në Kosovë, ai i hedh një vështrim konceptit të filantropisë dhe formave të manifestimit të saj në botë. “Filantropinë më së miri do ta kuptonim – së paku si ide në kuadër të ekonomisë politike bashkëkohore, si dhënie vullnetare të mjeteve private për nevoja publike” – autori citon studiuesin botëror Lester Salamon. Pastaj elaboron, me plot citime nga autorë botërorë shumë kompetentë, gjestet e mira dhe dhuratat (duke cituar veprën klasike “Dhurata” të shkencëtarit Marcel Mauss), para se të kalohet te një studim shkencor i formave më të shpeshta historike të filantropisë në Kosovë (hairati, vakëfi e të tjera) dhe te krahasimi i tyre me fenomenet e njëjta te popujt fqinj. Donacion “vakufor” në Kosovë, cilësohet edhe ai që vjen nga një jo-shqiptar. Florian Ischinger, djali i diplomatit të njohur gjerman, Wolfgang Ischinger, “në testamentin e tij kishte shkruar që paratë e trashëguara të investoheshin për fëmijët e Kosovës”. Pjesë të veçantë, autori i kushton edhe kontekstit zakonor të dhurimit të pasurisë së paluajtshme te populli ynë. Teza e tij, e studiuesve të cituar dhe e pjesëmarrësve në fokus grupet, se dhurimi i pasurisë së paluajtshme në traditën zakonore në shoqërinë tonë nuk është trajtuar si gjest i mirë, përkundrazi, bazohet në kushtet dhe rrethanat specifike nëpër të cilat ka kaluar populli ynë, dhe është argumentuar shumë bindshëm në libër.

Sociologu ynë vazhdon pastaj me përshkrimin e filantropisë së organizuar para se të dalë te portreti i atij që konsiderohet ndër figurat më të mëdha të historisë së filantropisë sonë – Hasan Prishtinës, i cili ka bërë “shkrirjen e pasurisë materiale për t’u vënë në shërbim të së mirës së përgjithshme”. Pas analizës dhe mbrojtjes së tezës se Hasan Prishtina ka në vete nje figurë të dalluar filantropike, me qëllimin, me vizionin, me strategjinë dhe me rezultatet e dhurimit, vazhdohet me pjesën kushtuar historisë së solidaritetit dhe vullnetarizmit në shoqërinë kosovare, sidomos pas suspendimit të autonomisë së Kosovës, më 1989. Natyrisht, se në analizën e situatës së gjithëmbarshme të fundshekullit XX, autori rezervon edhe një pjesë për pajtimin e gjaqeve (rast domethënës studimi dhe shembull paraprak për këtë, jepet rasti i Malësisë së Tuzit, i ndodhur dy dekada para pajtimit të madh të gjaqeve, në fillim të viteve 90), padëgjueshmërinë qytetare, shëndetësinë (shtëpitë-klinika) dhe arsimin (shtëpitë-shkolla), bashkë me satisfaksionin e vullnetarëve pjesëmarrës në të gjitha këto procese që e kanë brumin në filantropi dhe në të gjitha ato aktivitete që bëhën për mirëqenien e tjetrit, pa pritur asnjë shpërblim.

Pakëz jashtë thelbit të fokusit të librit, autori, me një përpikmëri matematikore, na e bjen tablonë e viteve 90-ta të shekullit të kaluar. Mirëpo, prapë kjo lidhet me temën kryesore sepse në këtë dekadë, populli ynë e hapi zemrën dhe kuletën për të dhënë gjithçka nga vetja, sidomos për mbajtjen e shkollës shqipe. Pastaj, me intervistat e thella të personave kyçë, libri na jep edhe filantropinë e madhe të popullit shqiptar, në dhënjën e 3 përqindëshit, punën vullnetare dhe solidaritetin epik që e ka karakterizuar, sidomos fillimin e decenies së fundit të shekullit XX (një “specie” në zhdukje tashmë).

Kapitull i veçantë në librin “Filantropia në Kosovë” u kushtohet edhe Fondacioneve dhe Filantropisë së Korporatave. Autori i hedh një sy historisë së krijimit dhe veprimit të fondacioneve më të njohura në Kosovë si dhe kornizës ligjore të themelimit, strukturës dhe funksionimit të OJQ-ve në Kosovë. Kapitujt për fokus grupet dhe që përshkruajnë disa nga pasuset e shkëputura nga intervistat e thella (në lidhje me filantropinë, solidaritetin dhe vullnetarizmin, masivitetin, masat që duhet të merren nga shoqëria dhe qeveria si dhe rolin e medias në zhvillimin e filantropisë) e mbyllin këtë libër, që tashmë është klasik në llojin e vet në Kosovë.

Pasi ka marrë detyrën dhe ka zgjedhur metodologjinë, njëri ndër sociologët më të mirë që ka Kosova, Anton Kolë Berishaj, ka qenë si ai eksploruesi që rri e sodit xhunglën para vetes. E di se atje ka gjithçka të vlefshme që atij i intereson dhe i nevojitet për studimin e tij, mirëpo për të hyrë duhet të çajë rrugën me shpatën zhveshur. Me një fjalë, rruga për shkrimin e librit “Filantropia në Kosovë”, ka qenë një udhëtim në shtigje të parrahura më parë. Në Kosovë ka dhe ka pasur filantropi, por nuk ka pasur asnjë studim të kësaj praktike humaniste. Ka pasur njerëz dhe grupe njerëzish që japin për të mirën e njerëzve dhe shoqërisë, por nuk ka pasur studiues që gërmojnë dhe qesin në dritë këto aktivitete. As ka pasur metodologji të hulumtimit të këtij fenomeni e as që është përdorur ndonjë metodë për studimin e konceptit bazë të filantropisë e as për elementet e saj përbërëse.

Mirëpo, me një metodologji shkencore të sofistikuar, me një gjuhë të saktë dhe koncize, me një korrektesë të admirueshme dhe me një këmbëngulësi titanike, autori i librit ia ka arritur që të na sjellë një studim shkencor, që na bën të jemi të sigurt për një gjë. Ata që e lexojnë librin dhe ata që nuk e lexojnë, ata që e pëlqejnë dhe ata që nuk e pëlqejnë, ata që e kritikojnë dhe ata që nuk e kritikojnë, ata që e duan autorin dhe ata që nuk e duan, ata që e duan filantropinë dhe ata që nuk e duan atë, ata që kanë pasur konsideratë për këtë fushë dhe ata që kurrë nuk kanë menduar për të, të gjithë këta pa përjashtim nuk kanë rrugë tjetër përveç se t’i referohen këtij libri kurdo që do të merren me çfarëdo këndi të studimit dhe hulumtimit të filantropisë në Kosovë dhe formave më të shpeshta historike të saj.

Prandaj, në këtë kontekst, profesori Anton Kolë Berishaj ka qenë vullnetar për të bërë një punë të mundimshme që t’i ofrojë një dhuratë lexuesit, që tani ka një borxh ndaj tij. Këta rreshta të shkruar për librin e tij të mrekullueshëm tentojnë që në mënyrë shumë modeste të lajnë një pjesë të vogël të këtij borxhi dhe të krijojnë një ekuilibër në mes autorit dhe lexuesit të tij. Një ekuilibër në mes atij që jep dhe atij që merr dhe shpreh mirënjohjen e thellë për dhuruesin.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00