Demokracia e mbikëqyrur
Të gjitha partitë kandidate për koalicion, ose fraksione partish, pos Vetëvendosjes, një sy e kanë te qeverisja, e tjetrin te besnikëria ndaj elektoratit dhe premtimeve.
Shkëlzen Maliqi
Stërzgjatja e procesit zgjedhor tashmë është bërë dukuri e zakonshme në Kosovë. Por, kjo dukuri edhe nuk krijon ndonjë nervozë dhe pakënaqësi shtesë në krahasim me ato çfarë kanë qenë prezente kur u kuptuan manipulimet dhe kur Gjyqi Suprem dhe KQZ-ja urdhëruan që të bëhen rivotimet dhe rinumërimet e pjesshme të votës. Po kështu, në qetësimin e gjakrave ndikoi edhe fakti se stërzgjatja ndodhi për shkak të procedurave që i parasheh ligji zgjedhor, dhe jo për arsye subjektive ose si pjesë e skenarëve të manipulimit. Më në fund, kur KQZ-ja do të dalë me rezultatin përfundimtar, të gjithë akterët do të ballafaqohen me një arnim relativisht të kënaqshëm të procesit, që nuk mund të kontestohet në përgjithësi. Dhe sërish askush nuk do ta marrë guximin e kontestimit të rezultatit të zgjedhjeve. Do të ketë vetëm akuza retorike të humbëseve për parregullsitë që i kanë dëmtuar. E kemi dëgjuar këtë këngë me refrenin: “Zgjedhjet nuk kanë qenë në rregull, ashiqare na është vjedhur vota, por për hir të proceseve, i pranojmë rezultatet e zgjedhjeve”.
Ky trend i akomodimit shihet edhe nga ndryshimi radikal i diskursit, kur krejt vëmendja e partive përqendrohet në krijimin e qeverisë se re, mandatar i së cilës do të jetë Hashim Thaçi. Dalin në opinion pazaret dhe licitimet mbi pjesëmarrjen dhe mospjesëmarrjen në qeveri, kushtëzimet se me kë do të hynin dhe më kë jo në koalicion, ku njëri krah i partive që më së shumti përfolen si partnere të mundshme të PDK-së thonë se janë të disponuar, me disa kushte, që të janë pjesë e qeverisjes, kurse krahu tjetër e kundërshton këtë vendosmërisht, ose del me propozime jorealiste dhe të papranueshme për mandatarin.
Në këto pazare dhe licitime ka shumë pak sinqeritet dhe parimësi. Megjithatë, ato shërbejnë shumë mirë për uljen e tensioneve të krijuara gjatë fushatës zgjedhore dhe zotimeve të tipit, “me Hashim Thaçin në asnjë variant!” Në të vërtetë, të gjitha partitë kandidate për koalicion, ose fraksione partish, pos Vetëvendosjes, një sy e kanë te qeverisja, tjetrin te besnikëria ndaj elektoratit dhe premtimeve.
E vetmja parti parimore në këtë aspekt është Vetëvendosja, e cila edhe ka hyrë në zgjedhje me një opsion thellësisht opozitar jo vetëm ndaj PDK-së, por edhe ndaj partive të tjera. Platforma e Vetëvendosjes në pjesën më të madhe dhe esenciale është e papranueshme për mazhorancën e spektrit politik të Kosovës, e çka është po ashtu me rëndësi, edhe për faktorin ndërkombëtar.
Ndërkombëtarët ashiqare dhe pa dorëza angazhohen në procesin e negociatave për qeverinë e re, sidomos ambasadorët Dell dhe Fejt. Ndonëse ambasadorët në fjalë nuk vendosin se cila parti do të jetë partnere e PDK-së dhe cila jo, ata në mënyrë indirekte kushtëzojnë dhe dramatizojnë formulat e koalicioneve që i ka në disponim Hashim Thaçi, duke insistuar që në postet kyçe të Kryetarit të shtetit, të Kryetarit të Kuvendit dhe disa ministri të rëndësishme, të mos propozohen liderët e partive ose politikanët që i propozojnë partitë e tyre, por disa personalitete të tjera më të preferuara nga ndërkombëtarët.
Këto intervenime në disa raste shkojnë përtej parimit të “duarve të pastra”, sepse përmenden edhe disa arsye të tjera “madhore” të sigurisë, apo të nevojës për përmirësimin e imazhit të Kosovës, si argumente në favor të listave të tyre me emra të preferuar dhe jo ata që favorizohen nga partnerët e mundshëm të koalicionit qeveritar.
Ndërhyrja e ambasadorëve ia ngushton jo pak Hashim Thaçit hapësirën manovruese për negociatat me partitë e tjera. Kjo ka të bëjë para së gjithash me koalicionin që ai e ka si atu fillestar për të gjitha bisedat, atë me AKR-në. Nëse AAK-ja ose edhe PDK-ja do të kërkonin më shumë për të hyrë në Qeveri, Thaçi gjithnjë mund të thotë, “Ju faleminderit, por e kam te sigurt dhe mjaft stabile, me rreth 66 mandate, koalicionin me AKR-në dhe partitë e pakicave”.
Mirëpo, edhe me AKR-në ka një problem, sepse ky subjekt e ka si kusht që Kryetar i Kosovës të bëhet Behgjet Pacolli, e ndërkombëtarët me gjasë, edhe pse nuk e thonë këtë publikisht, nuk duan që në krye të Kosovës të kenë një biznesmen, për të cilin më herët ka pasur shumë spekulime për afera korruptive në Rusi etj., Po kështu, mendohet se mund të dalin sërish edhe afera të reja nga burimet që Perëndimi nuk i kontrollon, ndërkaq që janë terren i fortë i politikës dhe inteligjencës ruse (Kazahstan etj). Andaj ndërkombëtarët janë insistues për një kryetare femër, dhe jo Pacollin.
Varianti i dytë më i përfolur është koalicioni i PDK më AAK-në, plus minoritetet, që do të ishte një koalicion edhe më stabil për nga numrat, nëse vetë AAK-ja do të ishte unike. Edhe te ky variant, më sa është bërë publike, posti i kryetarit është mollë e sherrit, sepse AAK-ja si dukjet insiston në dy gjëra, që ta ketë Kryeministrinë dhe në këtë post Blerim Shalën (si një zëvendësues i Ramush Haradinajt derisa ky të mos kthehet nga Haga). AAK-ja është kundër që kryetar të bëhet Shala, sepse kështu do të dobësohej partia, me liderin në Hagë dhe zëvendëskryetarin e parë që do të duhej të jepte dorëheqje nga Partia. AAK-ja andaj ia “ofron” me zemërgjerësi të madhe postin e Kryetarit - Hashim Thaçit.
Për Hashim Thaçin mbetet edhe një sfidë tjetër e madhe dhe kjo është opozita e brendshme në PDK, e cila po bëhet më e fuqishme, edhe pse nuk dëgjohet shumë në publik. Do të ketë problem jo vetëm largimin e Fatmir Limajt nga Qeveria, gjë që thuhet se tashmë është punë e kryer, por edhe të disa ish-ministrave që janë nën hetime. Dhe jo më i vogël do të jetë problemi i sistemimit të “fituesve të mëdhenj” në ruletin manipulues të zgjedhjeve në Drenicë dhe gjetiu.
I ngushtuar dhe i sulmuar nga të gjitha anët, “fituesi i madh” i 12 dhjetorit, Hashim Thaçi, mund të dalë si një Pirro i demokracisë së mbikëqyrur.
Comments (0 posted)
Post your comment