Nuk ka paqe pa drejtësi
Lideri nuk është e nuk duhet të jetë “trupëzim i zemërimit”, siç ndokush i kërkon publikisht Liderit socialist, përkundrazi, bash një mishërim i një “përzierjeje” të tillë...
Nga Xhovalin Delia*
Problemi shqiptar nuk është Demokracia, përkundrazi; çështja e Demokracisë shqiptare janë shqiptarët që nuk i nënshtrohen sistemit demokratik por duan ta sundojnë atë. Kjo jo sepse ne shqiptarët nuk e duam demokracinë por sepse akoma nuk arrijmë ta perceptojnë atë. Sepse; - dhuna ekstreme shtetërore për një kontroll total e mbi çdo gjë dhe, - legjitimiteti i shtetarëve për të shkelur gjithçka, dy “cilësi” këto të trashëgimisë tonë të pasur nga totalitarizmi që kemi lënë pas, sot na dalin përpara e nuk na lënë të shohim as vizat e bardha të Demokracisë. E thënë thjeshtë, - nuk merremi me gjëra të vogla si ligji, drejtësia, respekti për tjetrin e as për të drejtat themelore të njeriut. Ajo që na intereson sot të gjithëve është një gjë dhe vetëm një; “me pas lekë!” nuk ka rëndësi me apo pa djersë, të pastra apo të pista, me apo pa dinjitet, mjafton të jenë lekë. Shembulli i shkëlqyer i këtij “virtyti” të ri të shqiptarit paskomunist, janë politikanët e shtetarët, djemtë, vajzat, vëllezërit, motrat e baballarët tanë, “të përzgjedhur” si më “të mirët” për në krye të vendit. Bash “përzgjedhja” kjo fjalë e artë, është maska pas të cilës fshihen shtihanë demokrat, të korruptuar e deri kriminel. Dhe nuk mbaron këtu. Pasi i kemi “zgjedhur me votën e lirë”, nuk është po aq e lehtë ti heqim, me fjalën e lirë, me protesta të ligjshme e as të dhunshme e të përgjakshme. Sepse këta shtihanë, e shfrytëzojnë Demokracinë, thjesht për të fituar ose për të vjedhur votën e lirë. Sapo vënë bythët në kolltukun magjik, nuk e njohin Demokracinë. Për tu shëruar nga korrupsioni e krimi shtetëror në demokraci nuk është e lehtë, është një proces demokratik i gjatë e i vështirë, madje i komplikuar, pasi në sistemin demokratik, ndryshe nga ai totalitar, “bardhe e zi”, bashkëjetojnë të shtatë ngjyrat e spektrit, ku; i shtrembëri shitet për i drejtë, e i njomi digjet për të thatin.
Nga fyerja, padrejtësia, zhgënjimi e hidhërimi të gjithë e kemi rënduar fjalorin me fjalët më të rënda; majtas e djathtas, nga lart e nga poshtë, nga të marrë e të mençur deri tek fjala e fundit, sa shkrehem edhe pushkët. Të gjithë kemi kontribuar për atë çka ndodhi me 21 Janar 2011 por një është përgjegjës. Le t’ia lëmë drejtësisë ta gjykojë. Ajo çka lypet sot është që dy Liderit tanë të kenë kurajën e burrërinë e të shohin në sy njeri tjetrin e të vendosin për ardhmëninë, të nesërmen tonë. Fakti që dy Liderit tanë, duket sikur kanë ndaluar revanshin e verbët, nuk është një garanci por le të shpresojmë që një ditë do të mund të komunikojnë! I kemi kritikuar e sharë pa hesap, le të lavdërojmë një herë vetëm të dy; - Liderin e djathtë që e dëgjoj këshillën e urtë të Perëndimit duke ndaluar mitingun e paralajmëruar dhe; - Liderin e majtë për protestën paqësore shembullore njerëzore e qytetare me lule e qirinj. Të gjithë, të majtë e të djathë, le të përulemi me respekt para tolerancës së korteu qytetar shqiptar që diti të mbysë urrejtjen me lule, të kapërdijë hidhërimin me qirinj e të shuaj hakmarrjen me lutjen: Paqe – Ligj – Liri!
Tani, të gjithë le të bëjmë hapin e dytë; - të ulemi të kuvendojmë dhe të arsyetojmë si njerëz të papërsosur, madje me shumë gabime e faje, por me një kualitet, që ne njerëzit Zoti na ka privilegjuar; me arsye. Le ta fillojmë ne njerëzit e thjesht, në bisedat tona në shtëpi, kafè, zyra e deri tek burrat e shteti në Kuvend. Le ta stimulojmë arsyen e të kultivojmë dialogun. I bëj thirrje gjithë mediave e masmediave, intelektualëve e akademikëve ti prijnë dialogut e arsyes. Litari është tejet i tendosur e nuk do tërhequr më as majtas e as djathtas. Të gjithë për të fituar tërheqin litarin, secili në krahun e vet, por në politikë, ndryshe nga tërheqja e litarit në lojë, veç fitores që është qëllimi final, i rëndësishme është edhe litari, si mjet i lojës; pra të mos këputet! Ndaj janë kapitenë e skuadrave që të ekuilibrojnë forcat e tërheqjes; -“mishi të piqet e helli të mos digjet”. Parë nga ky këndvështrim demokratik dialektik, nuk e shohë të udhës që ti kërkojmë liderëve tanë atë çka ata nuk kanë të drejtë, detyrë, që nuk janë në gjendje e, mbi të gjitha atë çka ata nuk duhet të bëjnë.
Lideri nuk është e nuk duhet të jetë “trupëzim i zemërimit”, siç ndokush i kërkon publikisht Liderit socialist, përkundrazi, bash një mishërim i një “përzierjeje” të tillë nuk duhet të jetë një lider, sepse lideri, nga këndvështrimi im, nuk është barku e as ajo që nxjerr atë çka ka barku por diçka më shumë, zemra, shpirti e mendja, që “zemërimin” popullor di ta interpretojë në alternativë politike. Kjo e fundit i garanton liderit konsensusin e gjerë, marrjen e pushtetit në mënyre demokratike e për rrjedhojë realizimin e asaj çka Lideri, si mishërim e trupëzim i ëndrrave e aspiratave, ka projektuar në programin e tij politik.
Ne “bijtë e shqiponjave” autorët e thënies së famshme; “fjala vret më shumë se plumbi”, edhe pse të fyer e të vrarë bash prej fjalëve tona, prapë nuk zëmë mend, e tamam, në gjëmë, shtrojmë pyetjen: “Me lule dhe qirinj përballë të akuzuarit për vrasje” (?!)
Përgjigja ime është PO! Nuk ka mjet më të mirë e më qytetarë sesa lulet për pajtim e se qirinjtë për të zbutur hidhërimin. Nuk ka mjet më të shenjtë e më efikas për të fituar ndaj dhunës se sa rezistenca paqësore, nuk ka mjet më shërues për hakmarrjen se sa falja e mirë. Por, nga ana tjetër; - ata që shkaktojnë hidhërim e mëri e që ngjallin hakmarrje, duhet ta dinë se pa drejtësi nuk mund të ketë falje pa falje nuk mund të ketë paqe.
Nuk duhet të ligështohemi nga vdekja e tre njerëzve tanë të dashur por as të spekulojmë me shpirtin e tyre. Sa e sa jetë, njerëzish të thjeshtë e mendje ndritur janë sakrifikuar në turra me dru, gozhduar në kryq, varur në litar e pushkatuar për të konsoliduar demokracinë e sotme Evropiane, pjesëtar e së cilës pretendojmë të jemi edhe ne? Gajret bashkatdhetar të dashur, e hapni sytë!
Sot shpresat e gjithë shqiptarëve janë drejtuar tek Opozita, bash tek Kryetari i saj. Të gjithë presin shpëtimin nga ai, si e vetmja alternativë sot në Shqipëri. Natyrisht ai mund të bëjë diçka e shumëçka por jo gjithçka. Të dy palët duhet ta lënë “lojën e litarit” dhe të ulen shesh besh për të zgjidhur konfliktin. Kreu i Opozitës mund të bëjë atë që “leva” e tij si lider i një partie në opozicion i lejon, por nuk do të ishte e udhës që, në demokraci, ti kërkojmë atij revolucion, pasi jemi në Evropë, jo në Afrikë, në Shqipëri jo në Tunizi. Përjetojmë vërtetë një krizë të thellë, në një sistem teje të korruptuar por demokratik, Pra nuk lypet ta shembim atë çka për 20 vjet kemi ndërtuar, por kërkohet ta konsolidojmë duke përmirësuar e përsosur atë. Zaten bash përballimi i këtij procesi do ti shërbejë Evropës si test për ne; - sa do të jenë shqiptarët në gjendje ti binden disiplinës së institucioneve e rregullave të Demokracisë? A do të ketë kurajën qytetare kreu i ekzekutivit të lërë kolltukun e dyshimtë e ti nënshtrohet provës demokratike; Zgjedhjes me votën e lirë?
“ ... kjo është epokë sa e rrezikshme aq dhe e mahnitshme, ku gërshetohen në mënyrë të dhimbshme fundi i tiranisë me fillimin e lirisë ...ah liria! ... liria është një aventurë e historisë dhe historia vetë është një makth i pa fund nga i cili po përpiqemi të zgjohemi ...”
*Regjisor – piktor – shkrimtar
Comments (0 posted)
Post your comment