Home | Opinion | Një komb, një shkollë

Një komb, një shkollë

image
Ja pse e vlerësojmë Projektin në fjalë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare si një nismë madhore, si një potencial dhe forcë të shoqërisë civile të organizuar...

 

 

 

 

  
Prof. Dr. Hulusi HAKO

 


Shoqëria njerëzore, më në fund, e ka bërë dhe veten objekt të studimit shkencor. Që nga mesi i shekullit 19 e këtej, janë hedhur shinat e një shkence të re të quajtur Sociologji, e cila ka hyrë denjësisht në sistemin arsimor të të gjitha niveleve dhe i shërben formimit të brezave si njerëz, si qytetarë, si anëtarë të komuniteteve të ndryshme sociale, me obligimet dhe të drejtat përkatëse. Ky mision informativ, por dhe fisnik, edukativ, përcillet nëpërmjet disa teksteve shkollore siç janë seria e teksteve"Edukata qytetare", "Trashëgimia jonë kulturore-10", "Sociologjia" për shkollën e mesme dhe disa tekste shkencore që përdoren në shkollat e larta. Dihet se njeriu dhe dukuritë sociale që lidhen me qenien e veprimtarinë e tij, janë nga më të vështirat për t`u bërë objekt studimi. Për to nuk ka instrumente e laboratorë. Edhe e njëjta dukuri shoqërore në popuj e vende të ndryshme, ka nuanca dalluese, shpesh të theksuara. Kot nuk thuhet "çdo njeri është një botë më vete" si dhe "çdo njeri ka një histori" apo "fshat e zanat, vend e tabiat" etj. Megjithatë posaçërisht sociologjia është e thirrur që përvojën dhe pësimet e jetës t`i kthejë në mësime dhe të bëhet udhërrëfyese për brezat se si duhet vlerësuar e jetuar jeta në tërësinë e komuniteteve që janë krijuar e ku jemi përfshirë, diku vetvetiu, në shumë të ndërgjegjësuar e me vullnetin tonë.

Jeta shoqërore ka komunitete të ndryshme dhe një kompleks përkatësish, që përbëjnë identitetin e çdo njeriu dhe të grupimeve njerëzore, një ndër të cilat është dhe kombi e përkatësia kombëtare. Po ç`vlera kanë shkolla, mësimi e tekstet për identitetin apo përcaktueshmërinë kombëtare? Ndofta padrejtësisht mund t`i kemi rënë në qafë Bismarkut për një shprehje të tij, sepse në media na është servirur një variant i plotë i arsyetimit që ka çuar në atë deduksion dhe pikërisht: kur përfaqësuesit rilindës vanë e i parashtruan atij kërkesat kombëtare dhe mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, burri i shtetit vizionar i ra shkurt: -Keni shkronja, libra e shkolla shqip? -Jo! –Realizoni më parë këto, mandej vinë të tjerat! Përndryshe Shqipëria do të mbetet një shprehje gjeografike!"

Vështirë se mund ta kundërshtojë kush kontekstin e asaj shprehjeje në këtë logjikë të hekurt. Shkolla, arsimi, tekstet mësimore në gjuhën amtare, gjuha standarde, kanë qenë dhe mbeten të rëndësishme, me vlerë jetike për të gjitha kombet, por për shqiptarët këto arritje janë bërë me shumë vështirësi, disa prej të cilave janë të pranishme e kërkojnë zgjidhje. Një odise më vete përbëjnë përpjekjet titanike të Rilindësve tanë, shoqërive dhe organeve të shtypit për të fituar kohën e humbur dhe kultivimin e ndërgjegjësimin kombëtar. Deri dhe në vitin 1908, Mustafa Kruja detyrohej të shprehej se shqiptarët janë "populli i vetëm, nga të gjithë popujt e Perandorisë, të cilit në mënyrë të rreptë, me dënimet më te ashpra, i ishte ndaluar që të lexojë e shkruaj në gjuhën e tij, që të ketë shkollat e veta, ...Rëndësia e arsimit në fakt tërësisht respektohet nga ana e shqiptarëve, sepse ai është elementi jetik për formimin e kombit të tyre ... Për të gjithë ata shqiptarë që kishin trimërinë të mos e mohonin gjuhën dhe kombësinë e tyre, deri dhe turqit e rinj kanë përdorur dënime me varje, burgime shumëvjeçare, rrahje publike me litar". ("Humbja e patriotit të madh shqiptar Hasan Bej Prishtina" – Dokumente -, përgatitur nga Skënder Asani, Shkup, 2010, f. 9, 10, 11)

 

 

Ligji "Mbi arsimin para-universitar"–në shërbim të shkollës kombëtare

 

Çdo shkollë në këtë rruzull është kombëtare dhe, bashkë me Sociologjinë, këtë vulë, me kapitull të veçantë për kombin, ia vënë e ia theksojnë edhe një serë lëndësh të tjera si Gjuha amtare, Letërsia, Historia, Gjeografia etj. Këto lëndë, vit pas viti shkollor, japin informacionin e nevojshëm, njëkohësisht, konsolidojnë edhe përkatësinë etnike, kombëtare, bëjnë, siç është thënë tradicionalisht, kultivimin dhe edukimin atdhetar. Tërë këto disiplina ekzekutohen në jetë nga një armatë mësuesish e pedagogësh, të cilët lënë edhe gjurmët e veta në klasë e auditor, sepse secili përcjell mesazhe edhe nga jeta e përvoja e vet.

Tekstet e çdo niveli shkolle kanë dhe dinamikën e tyre në përmbajtje, në metodikat dhe tërë aparatin pedagogjik, por gjithmonë ka vend për vështrim kritik, sepse përsosja e mësimdhënies është e pashtershme. Kjo është dhe më evidente për shkollën tonë shqiptare, e cila, përveçse nuk ka ndonjë kohë të gjatë testimi, po vuan rëndë edhe copëtimin politik të kombit tonë në dy shtete shqiptare dhe me pjesë të konsiderueshme trojesh etnike e popullsie në katër shtetet fqinjë, pa lënë mënjanë dhe diasporën tonë nëpër të gjitha kontinentet.

Shkolla shqipe, sot, në sekullin e 21, përballet me disa sfida të realiteteve te reja, të cilat obligojnë institucionet zyrtare dhe shoqërinë civile të jenë përherë kërkues, kritik e krijues për t`iu përgjigjur dhe kualiteteve të reja të kohës. Ajo sfidohet nga gjendja e kombit ende të coptuar politikisht; nga "shkopinjtë" që orvaten t`i vënë shqipes standarde, nga fantazitë e sëmura për shpikjen e një "kombi kosovar"; nga kërkesat e reja të integrimit evropian, pas daljes së vendit nga izolimi etj.

Sfidat angazhojnë dhe kanë vënë në lëvizje institucionet shtetërore dhe shoqërinë civile. Shteti dhe shoqëria shqiptare i kanë tan i të gjitha mundësitë dhe potencialet intelektuale e profesionale për përballimin e të gjitha sfidave, vetëm të punojmë me vullnet e përkushtim atdhetar, të mbajmë të pastër e t`i qëndrojmë besnik edhe parimit e kriterit kombëtar shqiptar. Sa më të kthjellët ta kemi identitetin, aq më të pranueshëm bëhemi për Evropën. Projektligji "Mbi arsimin para-universitar", me diskutimin publik të të cilit dhe nisi ky vit kalendarik për botën arsimore (Revista "Mësuesi" nr. 12, dhjetor 2010, botim i përdyjavshëm i MASH), me 94 nene, përbën një bazë të shëndoshë, horizonte e burim meditimi, sanksionon parime e norma që synojnë ta ngrenë arsimin tonë në nivelin e standardeve evropiane. Çështja është t`a përsosim këtë Projektligj, ta respektojmë dhe ta zbatojmë me këmbëngulje. Është me interes të theksojmë se kur shteti dhe shoqëria civile konvertojnë në synimet e tyre, ecja e punëve është e garantuar. Kështu vërejmë me kënaqësi se Projektligji në fjalë na vjen si një nxitje, inkurajim e mbështetje edhe për një nismë kulturore-atdhetare të një njësie të shoqërisë civile siç është IIKSH.

 

 

Një nismë madhore e Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare (I.I.K.SH)

 

 

Regjimi demokratik i ka lëshuar shumë frerin "lirisë akademike" saqë, brendapërbrenda Shqipërisë mund të gjesh në përdorim disa Abetare. I riu që vjen nga Prishtina, Tetova, Presheva,Ulqini a Gruda e Gucia për arsimim të lartë në Tiranë, ndeshet në disa vështirësi deri dhe të termave, nocioneve të ndryshme mbi një send a dukuri, që ka marrë brenda një shkolle shqipe. Mësuesit e shkollave shqipe në Maqedoni, brengosen kur programi dhe teksti mësimor i drejtimit human, u imponon të kumtojnë një realitet të cunguar apo dhe të shtrembëruar për çështjet shqiptare etj. Kombet kudo e përherë e kërkojnë organikisht shkollën e vet, sikurse dhe shkolla, nga ana e saj ka formësuar dhe mban gjallë kombin të cilit i përket. Në këtë kontekst, Projektligji i përmendur, me të drejtë synon "përafrimin e programeve lëndore me ato të vendeve më të përparuara" të Evropës. Kjo është gjë shumë e mirë dhe e domosdoshme për ngritjen e nivelit arsimor brenda Republikës së Shqipërisë, por një angazhim i ynë, jo më pak i rëndësishëm, duhet të jetë edhe përafrimi i mundshëm brenda arsimit shqip në krejt hapësirat etnike dhe në diasporë, ku nuk janë të pakta dhe të vogla ndryshimet e divergimet, deri dhe në terminologjinë e përdorur.

A thua është e vështirë që për këto gjëra jetike të ketë një përqendrim, të punohet për një përafrim të mundshëm të termave, përkufizimeve dhe tërë përmbajtjes së temave që kanë të bëjnë me identitetin kombëtar, me formësimin atdhetar të fëmijëve dhe të rinjve? Mos vallë slogani "një komb, një shkollë" është teprim dhe pretendim, sot në erën e demokracisë? Zyrtarisht në këtë drejtim është lëvizur ngadalë dhe është bërë shumë pak. Por në jetë vepron edhe shoqëria civile. Është pikërisht Instituti i Integrimit të Kulturës Shqiptare, një OJQ joqeveritare dhe jofitimprurëse, (institucionalizuar, me Vendimin Nr. 519, Dt. 3. 3. 2009 të Gjykatës Rrethit Gjyqësor Tiranë), me seli në Kryeqytetin e Shqipërisë dhe me drejtor intelektualin Rezart Gashi, i diplomuar në Drejtësi dhe Ekonomi, bazuar në programin e miratuar, që prej shtatorit 2010 ka ndërmarrë dhe po ndjek me grupe pune, hap pas hapi, Projektin me temë. "Studimi i mundësisë së përafrimit (deri në unifikim) të programeve dhe teksteve mësimore në trojet arbërore".

Ky organizëm i shoqërisë civile është vënë në lëvizje në kohën e duhur, ka gjetur mbështetje e inkurajim deri nga titullarët e arsimit të Tiranës e Prishtinës. Konstatojmë se Projektligji në fjalë, me Nenin 25 se: "Ministria e Arsimit dhe Shkencës obligohet për bashkëpunim ... me organizma joqeveritare të vendit ose të huaja ... për zbatimin e projekteve në fushën e arsimit" – sanksionon çdo bashkëpunim të dobishëm, i jep mbështetje, inkurajim dhe krah nismës madhore në fjalë.

Në turneun me këtë mision fisnik nëpër viset amtare, në ministritë e arsimit (Tiranë e Prishtinë), me drejtoritë rajonale në Tiranë dhe Durrës, në Tetovë, Shkup e Prishtinë e më tej, titullari i këtij Instituti (IIKSH) me bashkëpunëtorët e ngushte, i ka ngritur grupet e punës, duke shpalosur dhe thelbin e Projektit se: "Ky studim është një domosdoshmëri, një imperativ që na e shtron koha imediatisht. Po bëjmë objekt studimi një nga hallkat kryesore të integrimit gjithë-shqiptar brenda trojeve të tyre, që do të shërbente dhe si një premisë drejt integrimit evropian. Në këtë aktivitet mendojmë se duhet të përfshihen një masë e madhe studiuesish, kryesisht nga fusha e arsimit, nga të gjitha trojet etnike: Shqipëria, Kosova, Çamëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Mbështetja nga armata e madhe e mësuesve të të gjitha kategorive të shkollave, vazhdimi i përvojës së tyre, dëgjimi i zërit të kësaj mase mësimdhënës,duke e amplifikuar këtë zë në çdo skaj arbëror, mendojmë se duhet kthyer në një lëvizje të organizuar kulturore, me bindjen dhe ndërgjegjësimin se këto synime janë themeli i afrimit dhe integrimit gjithë-shqiptar. Jemi komb paksa i vonuar në histori; është e drejta dhe obligimi ynë të realizojmë atë që popuj e kombe të tjerë e kanë sjellë në ujdi prej kohësh.

Në festën e Abetares mund të shpërthesh artistikisht, por Abetarja e Gjuhës Shqipe duhet të jetë një, ajo më e mira, më gjurmëlënësja. Njohuritë, informacioni shkencor, mund të ndryshojë në metodika e mjete ilustrimi, por formësimi atdhetar i nxënësve, shqiptaria, është një konstante, që duhet përcjellë po me atë kujdes që tregon nëna për fëmijën të sapo sjellë në jetë.

Ja pse e vlerësojmë Projektin në fjalë të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare si një nismë madhore, si një potencial dhe forcë të shoqërisë civile të organizuar, që kërkon të jetë vetvetja dhe t`i japë shtytje, mesazhe e ndihmesë institucioneve zyrtare shqiptare.

Duke përshëndetur këtë nismë kaq konstruktive e atdhetare, që përputhet plotësisht edhe me Programin e Shoqatës sonë Atdhetare për Identitet dhe Bashkim Kombëtar, e duke e mbështetur pa rezerva, po përpiqemi të japim edhe ndonjë ndihmesë.

Është ky Projekt që na obligon, së pari, të vërejmë se sa dhe si kombi, si dukuri shoqërore, përfshihet, në radhë të parë, në objektin e tekstit të Sociologjisë në nivel universitar. Një tekst universitar sociologjie, me forcën e vet rrezatuese, i jep frymën dhe tonin tërë niveleve të shkollave para-universitare. Si të përgatiten mësuesit e ardhshëm në universitetet tona, atë prestigj dhe imazh do të kenë edhe shkollat e niveleve më të ulëta. Vëmë re se kjo "liria akademike",e mirëpritur në demokraci, sikur u ka dhënë autorëve më tepër pavarësi seç duhet. Mirë është "të lulëzojnë një qind lule", por për sa i përket teksteve shkollore duhet bërë një përjashtim, ato duhet të jenë produkt i një mendimi më kolegjial, sa më të plota dhe më afirmative. Në këtë kontekst na vënë në mendime shprehjet: "3, Tekstet "për lëndë e klasë në përgjithësi janë alternative" (Neni 52), se ligji "institucionalizon reformon e altertekstit si garanci për rritjen cilësore të tyre dhe zhvillimit të sektorit privat në fushën e botimeve". Kjo gjendje është me disiplinën e Sociologjisë në universitetet tona, ku gjejmë autorë të huaj, por edhe sociologët tanë të rinj që po hyjnë në valle. Sociologjia na prezantohet si shkencë "kritike" ndaj objektit që studion, por jo duhet të jetë edhe vetëkritike për objektin që përcakton dhe mënyrën si e shtjellon. Autorët tanë citojnë edhe specialistë për probleme të veçanta, i lënë hapësirë lexuesit t`i përtypë sipas midesë së vet, shpesh, dikush bën edhe komentin e vlerësimin e vet, por konceptet apo teoritë që qëndrojnë më afër realitetit, duhet të jenë të pranishëm dhe të qartë. Projektligji, jo rastësisht ka vendosur "standarde të përparuara në formimin universitar të mësuesve të rinj" për shkollat e larta që kanë drejtime studimi në mësuesi, (Neni 68), por kur na thuhet: "Sistemi arsimor para-universitar funksionon ...edhe b. Sipas traditave më të mira të arsimit kombëtar shqiptar" (Neni 4), çdo të kuptojmë me epitetin "kombëtar", vetëm përvojën e Republikës së Shqipërisë, apo dhe arritjet e gjetjet arsimore jashtë saj ku gjendet një pjesë e madhe e trojeve etnike dhe e bashkëkombësve tanë? Është ky një epitet i ndjeshëm e delikat që duhet trajtuar me shumë kujdes. Kur duam ti japim nocionit dimensionin e plotë, jo rastësisht kemi në përdorim edhe shprehjet "mbarëkombëtare" apo "hapësirat kombëtare mbarë-shqiptare". E theksojmë këtë sepse është një epitet që gjendet nëpër krejt tekstin e Projektligjit, shoqëron disa terma si: "Strategjia kombëtare e arsimit", "Politikat e përgjithshme kombëtare", "prioritetet kombëtare", "Këshilli Kombëtar", "programe kombëtare", "agjensi kombëtare", "inspektoriat kombëtar", "provim kombëtar", "vlerësim kombëtar" etj.

Me që "fusha e veprimit të Ligjit është vetëm Republika e Shqipërisë", atëherë, mendojmë se nuk duhet të jemi kaq dorëlëshuar në përdorimin e këtij epiteti, që ai, hera herës, të mos rezultojë konvencional, simbolik, tepër relativ në kushtet kur ne shqiptarët nuk e kemi ende shtet-kombin tonë, që të mund t`a përdorim këtë epitet me plot gojën. Prandaj, për konceptet e mësipërme, mund dhe duhet të gjenden epitete të tjera, më adekuate. Në veçanti, themi se kur flitet për "Strategji kombëtare" në arsim, nuk mund të thuhet edhe në përmasat më të ngushta po "strategji vendore"! Koncepti i parë mund të formulohej "Strategjia themelore", ai i dyti mund të formulohej "kërkesat e veçanta vendore".

Projektligji, me të drejtë afirmon që "Arsimi bazë, synon që çdo nxënës ... të formohet me ndjenjat e atdhetarisë" (Neni 19), por atdhetaria është një koncept që lidhet më ngushtë me kombin se sa me shtetin politik! Shteti është instrument në shërbim të kombit, prandaj dhe ministri Tafaj, në prezantimin e Projektligjit, u shpreh: "Ligji i vë detyrim qeverisë organizimin e gjuhës amtare dhe kulturës shqiptare për fëmijët shqiptarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës, në përputhje me standardet e konventave ndërkombëtare". Por gjuha amtare dhe kultura janë shpirti i i atij komuniteti social që quhet komb dhe i kombëtarisë. Prandaj dhe pyetja kryesore që na imponohet është: A përbën kombi një dukuri sociale thelbësore për të qenë dhe objekt i studimit sociologjik?

 

Gjithnjë kemi menduar se kombi është një dukuri sociale thelbësore në jetën e popujve e të mbarë njerëzimit, të cilit, doemos, i takon të jetë objekt i studimit sociologjik, të ketë vendin e vet në tekstet e sociologjisë. Të pranishëm e në përdorim sot tek ne janë: "Sociologjia" (2007, 780 faqe) e anglezit Anthony Giddens dhe "Hyrje në Sociologji?" (Tiranë, 2010, Shtëpi botuese dhe studio letrare "Naimi", botim i Universitetit Mesdhetar të Tiranës, 440 faqe), i autorit tonë Kosta Barjaba.

Autori i parë, duke qenë anglez, vetëkuptohet, është ushqyer nga realitetet e veta sociale, jep informacion të gjerë anglosakson e botëror, por realitetin shqiptar nuk e ka fare të pranishëm. I dyti doli nga shtypi në fund të vitit 2010 dhe sapo ka nisur procesin e pagëzimit pedagogjik dhe të testimit. Duhet të pohojmë se në aspekte të përmbajtjes, të aparatit didaktik dhe ilustrimit, autori ynë, profesor Barjaba-i është për t`u përgëzuar për këtë realizim intelektual me vlerë. Një nga epërsitë e këtij teksti është se e ka terrenin tonë social si brum, ilustrim e konkretizim, madje të shoqëruar edhe me fotografi. Studentët e lexuesit janë, kështu, në ujërat e veta.

Por këto dy tekste na japin dhe shkas të dialogojmë, të bëjmë një replikë, të hapim një debat rreth statusit që i takon të ketë tema e kombit në një tekst Sociologjie, për të dalë në pozicionin më të saktë. Do të kemi të bëjmë në këtë shkrim me një përshëndetje kritike; mendojmë se ia vlen të debatojmë, sepse mos-përfshirjen në një tekst solid të Sociologjisë edhe të kombit e nacionalizmit si një temë e konsiderueshme, na duket një mangësi serioze, një boshllëk i pajustifikueshëm, një mos apo nënvlerësim i kësaj dukurie sociale për historinë moderne dhe aktualitetin e njerëzimit. Kjo, vetvetiu, na çon edhe në një shmangie prej fateve historike të kombit shqiptar, me kaq shumë peripeci, i penguar dhe i vonuar nga faktorë të jashtëm në rrjedhën dhe jetën e tij të natyrshme, sidomos në këta dy shekujt e fundit. Pra, teksti ynë, e ka shqiptarizimin social, por i mungon kombëtarizimi shqiptar. Kemi të bëjmë me dy tekste madhore, me informacion të bollshëm për jetës shoqërore, por në të cilët mungon madhështia e kombit. Është një pikë kjo që e pretendojmë dhe ia kërkojmë sidomos autorit tonë.

Për të qenë të saktë e korrekt, teksti në fjalë ka kreun tetë (211-227), të titulluar "Racat, etnitë dhe feja", ku jep përkufizimin mbi "racat" dhe "etnitë", por vetëm sa për të stigmatizuar racizmin "ndjenjën e etno-centrizmit", "paragjykimin racial dhe etnik" , disa lloje diskriminimesh dhe të gjitha këto në tre faqe, mandej, 15 faqet e tjera të kreut i përkushtohen "kuptimit sociologjik të fesë e trajtimit të besimeve në perspektivën e teorive sociologjike". Brenda këtij kreu, jo vetëm që nuk e gjejmë temën e kombit në në masën e duhur e hakun e vet, por na është bërë dhe bishti më i rëndë se sqepari! Në një tekst sociologjie a është normale t`i lihet fesë mbi 10 fishi i vendit të etnisë? A është normale që etnia dhe raca, të përmenden vetëm si dy të këqija të pashmangshme të jetës njerëzore dhe të mos shtjellohet fare kombi me tërë shkëlqimin dhe rrezatimet e tij të dukshme dhe mjaft të qëndrueshme? Si u krijua bashkësia kombëtare? Ç`vend zë kombi midis bashkësive apo komuniteteve të tjera shoqërore? Ç`peshë ka ai në marrëdhëniet midis popujve e shteteve? Kombi është faktor jo dosido dhe këto e të tjera pyetje kërkojnë analizë e përgjigje adekuate në një tekst Sociologjie të destinuar për shkollë të lartë! Në shkollat e larta përgatite armata e mësuesve, si të ngarkohet atje, atë do të shkarkojë ajo dhe në arsimin parauniversitar.

Përveç këtij kreu, ku etnitë ceken drejtpërdrejt, po sa për të larë gojën, etnia dhe kombi përmenden dhe ashtu, me raste e kalimthi, nëpër kapitujt e tjerë, kur thuhet p.sh. "Të frymëzuar nga himni kombëtar, njerëzit bien dëshmorë" (50), pa lënë të kuptojmë se ku qëndron forca e këtij motivimi; përmendet ideja "Identiteti etnik ka ndikimin e vet në marrëdhëniet, institucionet dhe lidhjet midis njerëzve" (214), pa zbërthyer përmbajtjen dhe peshën e këtij ndikimi; se "Ritmet mjaft të ulëta të rritjes së popullsisë, diku përbëjnë shqetësim kombëtar" (377), pa na dhënë të kuptojmë pse ky lloj shqetësimi i përket pikërisht këtij apo atij kombi dhe jo familjes së njerëzimit apo ndonjë bashkësie tjetër; termi: "fshatarët etnikë" (421) përdoret si një nga 5 kategoritë që dallojnë studiuesit për sa i përket përshtatjes ndaj urbanizimit. Nga ana tjetër përmbajtja e veprës "Ra ky mort e u pamë", vlerësohet si faktor humanizmi dhe jo si dukuri e mallit dhe kohezionit kombëtar të shqiptarëve, sikurse gjejmë dhe shprehjen "çdo shoqëri krijon kulturën e vet" (52), kur tamam e saktë do të duhej të thuhej "çdo popull a komb krijon kulturën e vet" etj. Sido që të vërtitemi në historinë dhe jetën shoqërore bashkëkohore, në cilindo popull e shtet, kombin e gjejmë epiqendër, strumbullar, përcaktues e gjenerues. Si mund t`a injorojë mendimi shkencor këtë realitet?

Për sa i përket tekstit të autorit të huaj, ku gjejmë ide e material faktik të bollshëm, siç dhe do të pritej, ai i referohet, kryesisht, Anglisë dhe botës perëndimore, edhe ai e ka kreun 8: "Etnitë dhe raca" (247-276), ku bën fjalë, jo për kombin pozitivisht, por i përkushtohet paragjykimit, diskriminimit dhe antagonizmit etnik, problemeve të grupeve minoritare apo pakicave etnike, racave e racizmit. Në paragrafin "Marrëdhëniet etnike në Kontinent" (272-273), autori trajton çështjet që kanë të bëjnë me "emigrimet në shkallë të gjerë", por nuk përmend vatrat e zjarrta të nacionalizmave të shfrenuara ballkanike, ku viktima kryesore mbetet kombi shqiptar, gjë që duhet theksuar, sepse nuk duhet të ketë popuj e kombe të nënës dhe ca të tjerë të njerkës, por realiteti flet ndryshe! Paragrafi "Formimi i kombeve" (496) i tekstit të tij vë në dukje krijimin e shumë shtet-kombeve në Azi, Afrikë dhe në Amerikën e Jugut si rezultat i dekolonizimit, por nuk e shtrin dot këtë të drejtë të parealizuar edhe në shumë territore etnike shqiptare, që vazhdojnë të mbeten koloni të pushtuara ushtarakisht nga shtetet fqinje e të sanksionuara me këtë status edhe nga Fuqitë e Mëdha. Autori, me të drejtë evokon nacionalizmin post-kolonial, ato "ide e lëvizje që u shfaqën në zona të ndryshme të botës, dikur të kolonizuara nga vendet evropiane, të cilat i dhanë fund kolonializmit" (328), por nuk ka konkluduar dot se Kontinenti ka bërë sikur nuk e ka parë, as dëgjuar zërin dhe protestën e drejtë të nacionalizmit shqiptar. Vërtetë nuk ka nguruar të shprehet se: "Të gjitha shtetet moderne janë një-kombëshe...Nacionalizmi mund të përcaktohet si një tërësi simbolesh e besimesh, që krijojnë ndjenjën e të qenit pjesë e një komuniteti të vetëm politik... Ai u shfaq vetëm me zhvillimin e shtetit modern, si shprehja kryesore e ndjenjave të identitetit me një komunitet sovran të veçantë" (300, 301), por ngarkesa e madhe apo mukajeti e ka lënë atë autor pa shprehjen e idesë së "nyjës shqiptare" në Ballkan dhe imperativit objektiv të krijimit edhe të një shtet-kombi shqiptar! Është një i huaj që nuk ka si është përqendruar dot për ne, ashtu si na takon ne të jemi të vëmendshëm për veten tonë!

 

 

A justifikohet mostrajtimi ezaurues i kombit në Sociologji?

 

 

Këto pak gjëra për etninë në tekstet që përmendëm, (fare jo për kombin si një dukuri e konsoliduar në jetën e njerëzimit), mendojmë se janë, jo thjesht të pamjaftueshme, por fare të padenja për një temë që mendojmë se ka përmasa madhore.. Mungesa e tij e varfëron së tepërmi dhe e zbeh jetën e popujve, e cungon vetë mendimin sociologjik. Kur janë trajtuar në detaje institucionet shoqërore si familja, arsimi, politika, ekonomia, kur në kapitull të veçantë trajtohen "kultura", "socializimi" (shoqërizimi), "grupet shoqërore", "sjellja devijante", "pabarazia shoqërore", "shtresëzimi shoqëror", deri dhe "seksi e gjinia", nuk ka si të justifikohet mos-prezantimi edhe i kombit si një dukuri me peshë, rol dhe ndikim të konsiderueshëm. Si kushte për ekzistencën e sistemeve shoqërore përmenden "kohezioni, konsensusi dhe rregullat", po a nuk është kombi që i ka këto atribute? Përmendet "gjuha kombëtare", flitet në tekstet për mosmarrëveshje etnike e luftë midis kombesh, pa bërë më parë një paraqitje ezauruese për këtë dukuri! Përmendet, në pak rreshta koncepti "etnografia" (II, f. 44), por thjesht si një teknikë kërkimi në studimin e detajuar të aspekteve të jetës së një grupi njerëzish. Lidhur me strukturat shoqërore, na thuhet tekstualisht se: "Shoqëria është një grup i madh njerëzish, të cilët ndajnë një territor, janë subjekt i të njëjtit autoritet politik dhe i vlerave të përbashkëta kulturore" (II, f. 115). Në vend tjetër na thuhet për pesë tipare që dallojnë etninë si një grup njerëzish me kulturë unike, sens i përkatësisë komunitare, ndjenja e etno-centrizmit, përkatësia në grup për shkak të lindjes dhe territor i përbashkët (II, f. 214). Janë dy përkufizime që vërtiten midis shtetit dhe kombit, por pa bërë dallimin e qartë dhe lidhjen midis këtyre dy nocioneve!

Shoqërinë njerëzore e kanë objekt studimi Arkeologjia dhe Antropologjia, Gjeografia dhe Historia, Jurisprudenca dhe Psikologjia Shoqërore, Ekonomia dhe Politika etj. Krahas degëzimeve të mësipërme, ka zënë vendin e vet, si shkencë e veçantë, edhe Sociologjia, e cila u pagëzua me këtë emër para 165 vjetëve nga një themelues i saj, Ogyst Kont (1789-1858). Të tjerë sociologë me peshë Karl Marksi (1818-1883), Emile Dyrhem (1858-1917), Max Veber (1864-1920) etj., përcaktuan, në kohën e tyre, disa fusha e degë studimi siç mund të përmendim: sociologjia e përgjithshme, sociologjia e fesë, demografia, sociologjia ekonomike, sociologjia e krimit, e ligjit dhe e moralit, përcaktuan institucionet bazë të shoqërisë si familja, farefisnia, ekonomia, politika, feja, edukimi, arsimi dhe shkenca, argëtimi, mirëqenia, estetika etj. Por, (është punë, vizion dhe koncept i tyre), kombin dhe nacionalizmin, si ideologji e lëvizje, ata, nuk e përmendën gjëkundi gjerësisht në veprat e tyre. Po realisht a nuk e ka edhe etno-sociologjia pjesën dhe hakun e vet në Sociologji?

Mangësia e tyre, ky qëndrim i themeluesve të shkencës së Sociologjisë për kombin e nacionalizmin, nuk mund të jetë argument i mostrajtimit të kësaj dukurie edhe nga sociologët e shekullit të 21. Është e kuptueshme dhe e pranueshme ideja se "sociologjia e sotme ecën përgjithësisht në trasetë e themeluesve të saj", po si të mos përfshihet dhe etno-sociologjia apo sociologjia e kombit në këtë shkencë? Mbajtja e të njëjtit qëndrim dhe vizion me atë të themeluesve për sa i përket kombit, ose duhej argumentuar, ose duhet korrigjuar.

Në këtë kontekst shtojmë edhe se shumë është përfolur ideja "komunistët s`kanë atdhe", pa mundur askush të zbërthejë thelbin e kësaj ideje; edhe Marksit i është bërë vërejtje nga autori anglez Giddens se, "sipas tij, nacionalizmi ishte një mënyrë për të përçarë atë që përfundimisht do të bëhej lëvizje mbarë-botërore e punëtoreve" (f. 327), por fakti është se në shkollat e ish kampit socialist, bazuar në modelin e shkollës sovjetike, kombi, si dukuri sociale dhe nacionalizmi, kanë pasur vendin që i takonte në tekstin e sociologjisë marksiste, apo, siç quhej, në Materializmin Historik.

 

 

Kombi është komuniteti më me kohezion dhe dukuria sociale më masive e më rrezatuese

. Duhet thënë se A. Giddens, në tekstin e vet "Sociologjia", të paktën, e ka bërë vërejtjen për themeluesit e kësaj shkence dhe tekstualisht se: "Mendimtarët socialë "klasikë" – Marks, Dyrkhem dhe Weber, nuk paraqitën ndonjë vlerësim sistematik të rolit të lëvizjeve ose simboleve nacionaliste në botën moderne. ... Si shpjegohet kjo neglizhencë? ... Ata gabuan. Në fund të shekullit XX, nacionalizmi, jo vetëm që është gjallë, por – të paktën në disa pjesë të botës – është në lulëzim. ... Nacionalizmi klasik ka të bëj me atë nacionalizëm që shoqërohet me lindjen e shtet-kombit. ... Lindja e nacionalizmit klasik është e lidhur ngushtë me zhvillimin e një sistemi të arsimit masiv. Nëpërmjet arsimit dhe rolit të "Historisë kombëtare" në të, njerëzit filluan të mendonin se i përkisnin të gjithë së bashku të njëjtit komunitet kombëtar. Mësimi i gjuhës – si "anglishtja standarde", zakonisht luajti rol të rëndësishëm në këtë proces. ... Kombi është vatra e ndjenjave nacionaliste dhe në shtet-kombin evropian, shteti u formua rreth kombit. ...Çdo komunitet fiton një karakter të dallueshëm nëpërmjet lidhjes së tij me nacionalizmin" (II, f. 327, 328, 334). Mendojmë se këto janë ide mjaft konstruktive, qëllojnë në shenjë, por Sociologjia e kohës sonë do të duhej të bënte një zbërthim më të plotë e sistematik të dukurisë së Kombit!


Jemi të prirë të argumentojmë se "Kombit" i përket vendi i vet në këtë shkencë në mënyrë të natyrshme. Për të gjithë është e qartë se shoqëria është një e tërë, me shumë elemente përbërës, që janë të lidhur ngushtë dhe në bashkëveprim me njeri tjetrin. Ndër to spikat dhe kombi, i cili rrezaton fuqishëm në përmbajtjen themelore të jetës shoqërore. Sociologjia, me objekt "studimin shkencor të shoqërisë dhe marrëdhënieve shoqërore", të komuniteteve që e karakterizojnë atë, nuk mund të mos ndalet edhe te kombi, si një dukuri e komunitet social solid dhe marrëdhënie shoqërore e konsoliduar. Bukur na kumton teksti i mësipërm yni se sociologjia "është studim sistematik i ndërtimit të grupeve shoqërore dhe i mënyrave të ndikimi të tyre në sjelljet e njerëzve", por pikërisht kombi është ai grup shoqëror që përcakton, jo më sjelljet, por deri dhe identitetin e grup-njerëzve në këtë rruzull. Autori ynë e synon "bashkëjetesën e mirë të grupeve shoqërore të etnive dhe besimeve të ndryshme", por nuk mund të kuptosh e të analizosh në mënyrë kritike përmbajtjen dhe karakterin e këtyre raporteve, pa bërë më parë të qartë se ç`është "bashkimi etnik", kur ai është në normë dhe kur e "tejkalon të drejtën", duke u instrumentalizuar e shpërdoruar nga politika. Në qoftë se politika është një e keqe e domosdoshme, këtë s`mund ta themi dhe për kombin. Kombi është grupimi më i madh shoqëror, që po i dikton, po i vë vulën e vet kulturës e arsimit, familjes e politikës, pozitës dhe rolit të fesë, krejt atyre dukurive që Sociologjia i quan dhe i studion të cilësuara si institucione shoqërore. Në tekst flitet për socializimin (ndryshe shoqërizimin) që ndodh në shoqërinë njerëzore dhe si agjensi kryesore të këtij procesi renditen familja, shkolla, feja, shokët dhe media për socializimin politik etj. Dhe nuk hyn fare si i tillë kombi, i cili, në fakt, është dukuria më tipike, më origjinale dhe mjaft e konsoliduar dhe e socializuar, që kur ai arriti të formësohet dhe të bëhet dominues. Para se të konstatojmë se "ndikimi i mjedisit gjeografik është i ndjeshëm edhe në zhvillimin e kulturës" dhe të trajtojmë një paragraf të tërë për këtë pikë (II, f. 54-55), do të duhej të theksonim rolin përcaktues të kombit në kulturat bashkëkohore. Citohen si ilustrim pak rreshta nga "Përplasja e qytetërimeve" (The Clash of Civilizations) të Samuel Hundingtonit, ku thuhet se "Shtetet-kombe do të mbeten aktorët më të fuqishëm të zhvillimeve botërore, por konfliktet kryesore të politikës globale do të ndodhin midis kombeve dhe grupeve të qytetërimeve të ndryshme" (II, f. 220), por autori nuk e gjen veten, as për rolin e shtet-kombeve, as për idenë tepër të diskutueshme të sociologut amerikan mbi përplasjen e qytetërimeve, që, sipas koncepteve të tij, në thelb, përbën përplasjen e feve botërore!

 

Dhënia prioritet fesë në tekst krahasimisht me kombin, një paradoks

 

Të kalosh shkarazi etninë në një tekst serioz e solid Sociologjie dhe të marrësh kot me fenë, t`a prezantosh këtë të dytën me detaje, kjo do të thotë t`a nënvlerësosh, t`i hysh në hak të parit e të kalosh në apologji të së dytës. Autori ynë, me të drejtë na thotë se sistemi i ligjeve me bazë fetare (sheriati, kodi i hebrejve, përshtatjet juridike nga Bibla etj.), është sot më pak i përdorshëm në jetën shoqërore, (se dikur ato kanë qenë absolute), por nuk e mbaron mendimin për të thënë se ky pak ose hiç mospërdorim i tyre, është një tregues i rënies, i shfuqizimit të besimeve në jetën e njerëzimit, krahas shfuqizimeve të tjera siç janë ndarja e feve nga shteti, politika e shkolla. Domethënëse mbetet edhe ligji i "tri shkallëve" të etapave historike dhe rregullave strukturore të shoqërisë, i përpunuar nga Konti (shkalla teologjike me udhëheqës priftërinjtë, metafizike me në krye filozofët dhe shkalla pozitiviste, me në krye shkencëtarët), ide e vlerësuar nga autori gati si ligji i gravitacionit të Njutonit, por kjo analizë flet haptas për zhveshjen e faltoreve nga shumë funksione e kompetenca që nga Rilindja Evropiane e këtej dhe për minimizimin e vendit dhe rolit të fesë në jetën e njerëzve, procese këto që nuk kanë ku të çojnë tjetër veçse në shuarjen e saj. Përmendet studimi i bërë nga sociologu Max Weber, i ndikimit të etikës protestante në zhvillimin e mënyrës kapitaliste të prodhimit, por nuk bëhet fare koment se kjo etikë, para se të ndikojë sado pak, është produkt fetar i borgjezisë revolucionare, reagim ideologjik i saj kundër katolicizmit mesjetar feudal në Evropë. Bota po hynte edhe në epokën e komb-shtet formimit dhe, protestantizmi me doktrinën e etikën e tij, përkundrejt katolicizmit feudal, të dyja bashke spikatën edhe si motivim e vello fetare i sa luftërave të përgjakshme, i dhimbjeve të tmerrshme të lindjes së shoqërisë së re kapitaliste.

Autori ynë nuk është i prirë të bëj prognoza e analiza të tilla, të trajtojë dhe anën e errët të medaljes fetare, përkundrazi, e gjen mundësinë dhe mënyrën për t`i bërë pak apologji trancendentales, "qiellores". Ai na tregon se e ka takuar vetë një Baba shqiptar në një teqe jashtë për të cilin na thotë se është "njeriu që e mbyll rininë dhe jetën për një ideal të lartë"; pohon për besim në një forcë madhore, pa dalë në anën tjetër të medaljes se në jetën e shoqërisë janë të pranishme e të efektshme edhe argumentet shkencore për mosbesim; e përmend "shndërrimin e simboleve fetare në simbole shtetërore", pa theksuar se prirja dominuese e organizimit të njerëzimit është ajo e shtetit laik. Autori nuk i kursen konsideratat më të larta për vendin dhe rolin aktual të besimit, jep informacion të detajuar për përkufizimin, simbolet, kategoritë e organizatat fetare; thekson i vetëkënaqur se: "Besimi tek Zoti jep ngrohtësi dhe besim, kultivon ndjenjën e dashurisë, miqësisë, dhimbjes solidaritetit, mirënjohjes e respektit", e radhit fenë ndër "agjensitë" që luajnë rol në socializimin politik të njerëzve; përmendet edhe një "socializim fetaro-etnik" (II, f. 95) si formë e veçantë etj.

Shkurt, nuk e teprojmë të themi se "Hyrje në Sociologji" është teksti që ka bërë dalje Kombin e nacionalizmin dhe ka ulur këmbëkryq besimet fetare. Aspak nuk duam të themi se nuk duhen trajtuar edhe ato, por kurrsesi me një epërsi të tillë si në rastin tonë dhe, aq më pak me ngjyrime simpatie e indoktrinimi. Çdo intelektual, në debutimet publike, duhet të respektojë parimin demokratik të trajtimit të fesë si një "çështje personale, private", të pozicionohet si laik dhe jo të flasë me gjuhën e shijet e besimtarit. Ai u përket të gjithëve dhe u drejtohet të gjithëve.

Përse u dashka që në një tekst shkencor sociologjik universitar laik të bëhet zëdhënës i fesë, të shprehet në mënyrë kategorike në favor të saj, kur njerëzimi është dëshmitar edhe i një polemike shekullore rreth karakterit, imazhit, rolit dhe statusit të feve e faltoreve në jetën shoqërore? Pastaj, çdo shqiptar i kënduar, brenda apo jashtë kufijve politikë dhe etnikë, e di fare mirë se në popullin e vet gjenden edhe disa grupime që aderojnë në këtë apo atë komunitete fetar, si dhe në një numër sektesh të përhapura, sidomos vitet e fundit, por t`i evokosh atij ndjenjën fetare, që është e disa grupeve dhe të mos ia përshkruash fare ndjenjën kombëtare, atë që i lidh e i bashkon të gjithë, atë kohezion që është konsoliduar në luftën e gjatë ideore edhe kundër diversionit antishqiptar të feve kryesore, të instrumentalizuara politikisht prej pushtuesve e fqinjëve shovinistë, kjo do të thotë, të paktën, debulesën personale, thjesht subjektive për fenë, t`ja u transmetosh edhe lexuesve, duke përdorur autoritetin e një teksti universitar. Feja, si një zgjedhje dhe zgjidhje personale në jetë, ka kaq shumë institucione e klerikë për t`u përhapur e indoktrinuar, sa e bën të tepërt çdo përkëdhelje tjetër intelektuale. T`i japësh përparësi besimit përkundrejt kombësisë, është njëlloj si të bësh bishtin më të rëndë se sqepari! Kur në kohëra të errëta e të rënda na diktohej të mbanim si thelb dhe definicion të kombësisë "përkatësinë fetare", shqiptarët ngritën zërin dhe thanë botërisht: "Ndalu beg, midis kombësisë dhe fesë ka hendek", "tjetër është kombësia, krejt tjetër është feja" dhe s`mbante më kupa e durimit kur Rilindja Kombëtare shpalosi idenë lapidar: "Feja e shqiptarit është shqiptaria!". Në këto kushte u kultivua dhe spikati virtyti i tolerancës ndër-fetare në kombin shqiptar, tipar dhe kulturë e vlerësuar nga bota demokratike, por që kërkon dhe pasqyrimin e vet të argumentuar në tekstet tona si dukuri sociologjike.

Për sa i përket autorit të huaj, ai, në tekstin e vet të Sociologjisë i ka kushtuar fesë një kapitull me vete me mbi 30 faqe, thekson se "studimet sociologjike mbi fenë kanë qenë më të ndikuara prej ideve të tre mendimtarëve "klasikë": Marks, Durkhem, dhe Weber se feja është një iluzion, se bota tjetër që krijon feja është bota jonë, e përthyer në lentet e simbolizmit fetar"(f. 460); jep grafikë e statistika për 10 vende perëndimore, ku përqindjet më të ulëta e më të larta i kanë, respektivisht, Suedia dhe Irlanda për çështjet e anketuara: "besojnë te Zoti" - 38% e 96%, "besojnë te jeta pas vdekjes" -31% e 78%; "shkojnë në kishë çdo javë" - 4% e 65%, etj; përmend dhe laicizmin si dukuri që "përfaqëson dobësimin e ndikimit të fesë", si "një proces nëpërmjet të cilit feja humbet ndikimin e saj në sfera të ndryshme të jetës sociale" (f. 458), nuk i ka hyrë në punë fare ateizmi, antipodi i fesë dhe prania e konsiderueshme e tij në jetën shoqërore etj.

Por ne shqiptarëve na duhet të parashtrojmë me argumente të historisë sonë kombëtare se, krahasuar me vende, popuj, shtete e kontinente të tjera, tjetër imazh fetar kemi, po ashtu dhe statusi social i feve ndryshon rrënjësisht me atë të të tjerëve!

Në këtë çështje, gjithnjë delikate, pa reshtur e diskutueshme, tekstet shkollore të të gjitha niveleve, kanë tanimë dispozitat e qarta të Projektligjit "Për arsimin para universitar", ku thuhet shprehimisht: "Arsimi para-universitar ka karakter laik. ... Është i ndaluar indoktrinimi fetar" (Neni 5); "Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare" (Neni 36): "Të dhëna personale për kombësinë, përkatësinë fetare dhe gjendjen shëndetësore mund të mblidhen vetëm për studime dhe pa e zbuluar identitetin e nxënësit" (Neni 80), apo "të punonjësit" (Neni 83), ide e norma të cilat duhet të mbahen parasysh edhe për regjistrimin e pritshëm të popullsisë (prill 2011)

 


Kombi përballë erës së globalizmit

 

Mos vallë dukuritë e proceset moderne të globalizmit e integrimeve po e zvetënojnë dukurinë e kombit në zhvillimet e mëtejshme të njerëzimit? Që proceset globalizuese e ato integruese po bëhen gjithnjë e më dominuese në kohën tonë, kjo është evidente, e prekshme dhe e qartë për këdo. Që Planeti ynë, me këtë intensifikim të marrëdhënieve e ndërvarësisë, të komunikacionit e të informacionit, i ngjan një fshati të madh, se i ka shkurtuar pa masë distancat, edhe këtë fakt po e përjetojmë si një proces në rritje e zhvillim të madh gjatë shekullit të 21. Po krijohen organizma në shkallë ndërkombëtare apo kontinentale, po pësojnë ndryshime të thella ekonomia e prodhimi, politika e legjislacioni, po intensifikohen lidhjet dhe ndikimet kulturore midis popujve. Vërtetë po moderohet paksa sovraniteti i shteteve, por, me që popujt, kryesisht, janë të strukturuar në formën e shtet-kombeve, po qarkullon ideja se edhe kombi qenka një fazë e kapërcyer, se po bëhet demode, anakronik e folklorik, se ai nuk është më qëllim e synim i popujve për perspektivën dhe të ardhmen e njerëzimit. Po mendohet e pohohet, madje, sikur kombi-shtet është pengesë e proceseve globalizuese e integruese!

Nuk mungojnë sot në botë studiues, historianë, sociologë, që pohojnë se kombi nuk i reziston më kohëve moderne dhe debutojnë hapur si entuziastë të proceseve globalizuese e integruese. Kjo është sot një alternativë, një pozicionim, të cilin do ta quanim të njëanshëm, pa sens të gjendjes reale të gjërave në botë. Autori ynë nuk del se është ndikuar nga këto dukuri e koncepte, por vetë struktura dhe përmbajtja e tekstit dëshmojnë se edhe ai e ka peshën e tyre. Në kreun 16 ai trajton temën "Të mendojmë globalisht, të jetojmë lokalist: Mjedisi dhe zhvillmi i qëndrueshëm", ku, me të drejtë, analizon shqetësimet e mbarë njerëzimit për problemet ekologjike, kurse kombin e ka reduktuar vetëm në një përkufizim të etnisë, gjë që na dha shkas të replikojmë.

 

 

Një Sociologji pa temën e Kombit i ngjan një gjelle pa kripë

 

 

Mbrojmë dhe insistojmë në mendimin se etnia, kombi, nacionalizmi si ideologji e lëvizje, janë dukuri shoqërore vepruese, me ndikimin më të madh; se bashkësia kombëtare, e krijuar dhe e konsoliduar në historinë moderne të njerëzimit, edhe sot, në shekullin e 21, është faktor, forcë, organizim, me kohezion të fuqishëm dhe me potencial të pashtershëm. Ajo ka vendosur përgjithësisht, ose synon ende të vendosë e të ketë edhe shtetin e vet kombëtar. Me kombet e nëpërmjet tyre bota është mozaik, kolor, tërheqëse dhe me shumë surpriza. Ne jemi evropianë, madje edhe planetarë, por vetëm si shqiptarë dhe me identitetin tonë. Janë ende larg shenjat që të fitojë përparësi të drejtë qytetarie koncepti i "qytetarit evropian", apo ai i kozmopolitit në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Në është se disa studiues kanë përqafuar me pasion globalizmin e integrimet dhe kombin e nacionalizmin i kanë spostuar si mbeturina të së kaluarës, janë dhe jo pak të tjerë që e shohin realitetin në sy dhe i mbeten më besnikë të vërtetës. Së pari, kombi në botë është një realitet i fuqishëm; së dyti, Sociologjia, që të jetë e plotë, duhet medoemos të ketë edhe kombin në një kapitull qendror; mandej, së treti, që të ketë plotësisht edhe ngjyrimin shqiptar, duhet t`i referohet këtij kombi të lashtë, qoftë në anët e përgjithshme, si dukuri sociale me peshë, por, sidomos, për ato veçori dalluese që ka kultivuar ai në rrjedhën e historisë së vet. Gjuha shqipe, pohojnë mjaft studiues, qenka një çelës për zbërthimin Antikitetit etj.

 

 Një komb, një shkollë (IV)

 

 

 

Nuk i bëjmë këto pohime si prej ndonjë nacionalisti të apasionuar, por bazuar në realitetin e sotëm dhe në racionalitetin e fakteve kokëfortë. Lidhur me statusin e kombit në shoqërinë e sotme, po i referohemi dhe mendimit shkencor kompetent e autoritar. Një nga këta është sociologu anglez Antony D. Smith, i cili në librin "Kombet dhe nacionalizmi në erën globale", pohon se kultura globale nuk do të mund t`a kapërcejë nacionalizmin; kombi dhe nacionalizmi, me shumë gjasa, do të mbeten ideali i vetëm realist dhe popullor i bashkësive të shoqërisë; ideja për një botë kozmopolite është një ëndërr utopike; kombet dhe nacionalizmat bashkëkohore janë të destinuara të kryejnë ciklin e tyre; si ideologji, nacionalizmi i përmbahet mendimit se bota është e ndarë në kombe, kombi është burimi i të gjithë pushtetit politik; çdo komb duhet të shprehë natyrën e vet autentike duke qenë i pavarur; një botë e drejtë, e paqme mund të ndërtohet vetëm duke u mbështetur mbi kombet e pavarura; nacionalizmi merr kuptim dhe fuqi vetëm nga bashkimi i kombit me shtetin e vet modern, i cili përcakton qëllimin dhe fuqinë çdo nacionalizmi. "Për sa kohë shtetet mbrojnë dhe i japin formë identiteteve kombëtare, nga marrin dhe fuqinë e solidaritetin e tyre, shtetet kombëtare do të mbeten aktorët parësorë në botën moderne dhe popujt e planetit tonë do të vendosin besnikërinë dhe besueshmërinë e tyre në duart e shtetit kombëtar e sovran brenda një territori... Pa lidhje me shtetin, nacionalizmi mbetet thjesht një temë folklorike. A mund të konsiderohet shteti sot si një formë anakronike e asocimit politik dhe të shpallim fundin e shtetit kombëtar? Jo! Kombi kërkon mëvetësinë politike në atdheun e vet historik, instikti i nacionalizmit synon të mobilizojë popullin dhe bashkësinë popullore etnike ta shkrijë me bashkësinë politike territoriale ... Parimi i vetëvendosjes kombëtare, i shenjtëruar në lëvizjen Evropa e Re të Maxinit, një shekull më vonë edhe në Kartën e OKB-së (pavarësisht zbatimit të kufizuar të tij), paraqet më së mirë shtysën për shtetin politik kombëtar...Kombi dhe nacionalizmi mbeten baza e vetme realiste për shoqërinë e lirë të shteteve në kohën moderne" (f. 124, 128, 161). Tri ideale themelore janë: identiteti kombëtar, bashkimi kombëtar dhe mëvetësia kombëtare. Identiteti kombëtar është funksional nga pikëpamja sociale, kombi është historikisht i trupëzuar, ai formon raison t`etre të shtetit dhe bashkësisë së tij; gjasat që ai të kapërcehet, mbeten të largëta. Një "Europe des Patries" ( Evropë e Kombeve, Atdhe-ve) – këtë koncept të Dë Golit apo golizmit, autori gjithashtu e përmend në sensin pozitiv etj.

Si dëshmitar tjetër për sa i përket efikasitetit të kombit, po sjellim idenë e librit të Norman Rich "Diplomacia e Fuqive të Mëdha" (Tiranë, 2006), që thotë se: "Nacionalizmi është ai besim, sipas të cilit çdo kombësi ka të drejtën për shtetin e vet kombëtar, të qeverisur nga anëtarët e asaj kombësie" (f. 29).

Sociologjia në shkollën e lartë dhe autori ynë pse të mos bazohet edhe tek këta kolegë? Anglezi A. Smith, që cituam më lart, trajton statusin e kombit në sfondin dhe në erën e globalizmit, por lexuesi shqiptar i përjeton ato ide sikur flasin posaçërisht për fatet e peripecitë e kombit të vet, sepse sjell ide e argumente, që qëndrojnë në themel edhe të misionit, aspiratës imperative e amanetit të të parëve tanë për kurorëzimin e komb-formimit dhe për realizmin, më në fund, edhe të shtetit kombëtar shqiptar!

Tekstet e shkollës së lartë i japin tonin dhe fizionominë tërë niveleve të arsimit para-universitar. Është e tepërt të theksojmë se kur Sociologjia e shkollës së lartë paraqitet me mangësi të tilla, vështirë se mund të rregullohet në nivelet e tjera. LAJM 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00