Meritokracia dhe oligarkët
Një luftë që s’po kryhet, po vazhdon në mes shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni kudo ku ka shqiptarë. Me fqinjët, pak a shumë situata qëndron më mirë.
Fadil Lepaja
Vendin që popullohet nga njerëz të zakonshëm, si është ky i yni, duhet ta qeverisin njerëz të zakonshëm, të zgjuar dhe punëtorë, pa merita historike, por me përgjegjësi dhe respekt për ligjin. Para rreth një dekade pata publikuar një shkrim për një popull të zakonshëm, me kërkesa të zakonshme, popull i cili pas një qëndrese dhe eksodi biblik, ishte rikthyer me ndihmën ndërkombëtare dhe po e rindërtonte vendin e vet. Njerëz të urtë dhe punëtorë, po shprehnin një optimizëm të jashtëzakonshëm se rruga e tyre për në kontinentin mëmë ishte krejtësisht e hapur.
Pastaj dolën në skenë meritokratët, duke kërkuar privilegje për sakrificën e tyre. Dhe ata, me pushtetin e tyre të mbyllur, përfitues, i vunë bazat e një pushteti oligarkësh dhe bazën e armiqësive të reja në mes të qytetarëve të këtij vendi.
Fenomeni i meritokracisë
Ky fenomen është gjithëballkanik, por, fatkeqësisht në format më dramatike po manifestohet ndër shqiptarët. Anatomia e këtij fenomeni në pamje të parë duket krejt e thjeshtë, por në fakt është e ngjeshur dhe shtresuar sikur në eposet e lashta, përplot me emocione kolektive, me plot pasione, mite ... me legjenda, me gjithçka e cila mund të hyj në punë për ta legjitimuar pushtetin e oligarkëve të rinj meritokrat.
Një luftë që s’po kryhet, po vazhdon në mes shqiptarëve, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoni kudo ku ka shqiptarë. Me fqinjët, pak a shumë situata qëndron më mirë. Me ta na ndajnë së paku forcat ndërkombëtare. Mes nesh nuk qëndron askush, e institucionet janë privatizuar.
Në Shqipëri, njerëzit rreth Sali Berishës, njeriut më të merituar për demokratizimin e vendit, janë shndërruar në militantë të drejtës së përjetshme për qeverisje dhe janë vetëshpallur të pagabueshëm. Sipas tyre të gjithë tjerët janë në shërbim të dikujt, dhe vetëm ata e duan Shqipërinë. Ata e hoqën Enver Hoxhën nga pushteti, dhe ata duhet të qeverisin përjetë. Të pasuruar nga pushteti, nuk mund të ndahen asnjë çast nga ai.
Në Kosovë, një klasë tjetër e njerëzve të pagabueshëm është mbledhur rreth të ashtuquajturës “vijë të luftës”. Qoftë në parti “të luftës”, qoftë në qeveri, qoftë në shërbim informativ, struktura paralele, qoftë në shoqata, media... Ata janë po aq arrogantë sa “bijtë” e Salos dhe besojnë se me luftën e tyre e kanë merituar që përjetësisht të qëndrojnë në pushtet. Po ashtu, të pasuruar për një kohë të shkurtër nga pushteti, nuk kanë kurajo të jetojnë asnjë çast pa mburojën e tij.
Të gjithë të tjerët, sipas tyre, janë ose “titistë” ose “enveristë”, të cilët sipas meritokratve janë pa të drejtë pretendimi për pushtet.
Edhe në Maqedoni, pak a shumë ngjet e njëjta storie, megjithëse në format tjetër, pasi atje problemet marrin ngjyrime kombëtare, por në momente acarimesh edhe atje i tregojnë dhëmbët dhe nxjerrin në tavolinë meritat e luftës.
Katarza e kaluar e opozitës
Por, këta bijtë e ish “enveristëve” në Shqipëri, ata të ish “titistëve” në Kosovë dhe në Maqedoni, janë rirreshtuar dhe nuk duan të pranojnë inferioritetin për shkak të prindërve të tyre, të cilët ishin po aq meritokrat në kohën e vet dhe sunduan me këtë logjikë rreth 50 vjet. Derisa meritokratët e sotëm duke u luhatur mbi lavdinë dhe duke e konsumuar atë pa kursim e kanë shndërruar atë në pasuri milionëshe përmes një pushteti të pakontrolluar, opozita e tashme, duket se tashmë kanë kaluar nëpër katarzë, sepse kanë qenë të detyruar të dëgjojnë gjitha mëkatet e prindërve të tyre meritokrat, nga lufta e dytë botërore e këndej. Po ashtu e kanë kuptuar gabueshmërinë si një veti të njerëzve.
Opozita e tashme në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, me reputacionin e ish komunistëve apo pasardhësve të tyre, megjithatë, ka reflektuar dhe ka rindërtuar një lëvizje anti-meritokraci antikorrupsion, me përfaqësues të shoqërisë civile, biznesmen të rregullt, teknokrat, dhe po ofron një alternativë qytetare dhe urbane përkundrejt arrogancës dhe kapadaillëkut të oligarkve të rinj. Meritokracia në Shqipëri, nuk mësoi shumë nga viti 1997, si nuk mësoi as ajo Kosovare nga viti 2004. Oligarkët e rinj, e konsiderojnë të merituar krejt çka kanë përvetësuar gjatë viteve të qeverisjes së tyre. Kushdo që mendon ndryshe, akuzohet se ka qëllime të këqija dhe është njëri nga “ata”.
Sundimi me çdo kusht
Dyshimet për vjedhje votash, i mbajtën tejet gjatë të acaruara marrëdhëniet në Shqipëri dhe nga ana e qeveritarëve në asnjë variant nuk u pranua të hapen kutitë dhe të verifikohen rezultatet. Nën mburojën e përkrahjes së fuqishme ndërkombëtare, oligarkët e rinj, të cilët deklaruan pasuri prej milionash pa deklaruar prejardhjen e tyre, nuk duan të dëgjojnë për kompromise shoqërore që janë bazë e demokracisë. Ata duan të diktojnë vetë të gjitha.
Edhe në Kosovë, u zhvilluan dy palë zgjedhje me dyshime të mëdha, dhe në këto të fundit gjendja u acarua aq shumë sa po të mos lëshoheshin ventilet nën asistencën e fuqishme ndërkombëtare, vetëm një zot e di si do të zhvilloheshin gjërat. Anulimet, rivotimet, korrigjimet e kontestuan procesin publikisht, por edhe e qetësuan situatën e cila do të eskalonte po të lihej vetëm në vendimmarrje qeveritare. Nëse edhe këtu injorohet qytetari dhe bëhen përpjekje për ta kontrabanduar një qeveri jolegjitime, gjerat do të shpërthejnë herdo-kurdo në dorën e atyre që do e bëjnë këtë.
Në Maqedoni, publikime dosjesh e acaruan gjendjen deri në shpërthim dhe vetëm ndërhyrja e shtetit me demantime të vërtetësisë së tyre e qetësoi pak a shumë situatën. Shqiptarët grindavec, oligarkët e rinj nga pozita dhe opozita janë gati gjithnjë të konfrontohen.
Meritokracia dhe armiqtë
Shqiptarët të ndarë në dy taborre të armiqësuara, duke zhvilluar një luftë për fondet e shtetit, deri në kulm të acaruar, po arrijnë të funksionojnë vetëm me asistencën ndërkombëtare. Dy herë gjatë 20 viteve të fundit, kjo klasë e meritokratve dhe oligarkëve, pa sens për bashkëpunim dhe kompromise e dogji shtëpinë e vetë. Njëherë në Shqipëri 1997 dhe njëherë në Kosovë më 2004.
Kjo klasë e meritokratve, rigjenerohet mbi bazën e urrejtjes dhe mbi bazën e miteve, e veçanërisht mbi bazën e rrezikut nga jashtë. Përhapja e frymës evropiane e rrënon bazën e tyre. Përhapja e frymës së pajtimit mes vete dhe me fqinjët e rrënon bazën e tyre. Një angazhim i sinqertë antikorrupsion e rrënon bazën e tyre.
Ata mbijetojnë duke përhapur frikë dhe duke ofruar mbrojtje. Ata premtojnë mbrojtje nga bashkëqytetarët e nacionalitetit tjetër të cilët sipas rregullit “duan të na shfarosin” dhe kështu legjitimojnë qeverisjen kriminale mbi popullin e vet. Kjo vlen për meritokratët tonë dhe për meritokratët e tyre, të cilët mbijetojë në pushtet duke përhapur frikën nga ne.
Vetëm me rrezikun nga jashtë po arrin të mbulohet dhe të heshtet pakënaqësia e brendshme me ndarjen joproporcionale të fuqisë dhe parasë e cila mbretëron sot në vendet e Ballkanit. “Dreqi i im është më i mirë se melaqja e huaj”. Kjo është filozofia të cilën e përhapin ata, dhe që presin të e përqafojë populli. A është dreqi ynë më i mirë?
Comments (0 posted)
Post your comment