Home | Opinion | “Moj Europë, moj... !”

“Moj Europë, moj... !”

image
Plot dy dekada Shqipëria po rrotullohet rreth boshtit të saj në përpjekje për të gjetur rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, ku me buzëqeshje diplomatike e ftojnë kancelaritë ...

 

 

 

 

Nga Gjon BRUÇI

 

 

“... ... kurvë e motit...”! Kështu pati shkruar Patër Gjergj Fishta këtu e një shekull më parë. Dhe jo në mënyrë të rastësishme. As në një moment nervozizmi e pakënaqësie të çastit, por i bindur në këtë përcaktim për kontinentin plak. Madje, për t’a konkretizuar përcaktimin në fjalë, vargut “Moj Europë, moj kurvë e motit”, i shtoi edhe vargun tjetër: “Që i re mohit, besës e zotit”.
Po për cilin mot e kishte fjalën Fishta ynë? Vetëm për vitin 1913, kur Europa na cungoi e na copëtoi pothuaj gjer në eliminim si shtet e si komb? Jo, poeti ynë i madh e kishte fjalën për shumë mote. Madje për të gjitha motet e historisë së Europës.
Të kuptohemi; jo vetëm Fishta, por edhe ne sot kemi njohur e njohim dy Europë: Njërën Europë, atë të banorëve të saj vitalë; Europën e zhvillimeve dhe arritjeve kolosale; Europën e revolucioneve, që transformuan shoqërinë njerëzore; Europën e kulturës, të shkencës dhe inteligjencës moderne etj., dhe nga ana tjetër, Europën e Kancelarive shtetërore e politike. Për këtë të fundit e kishte fjalën “Homeri” ynë. Për këtë Europë e kemi fjalën edhe ne në këtë shkrim në formën e pamfletit.

Saktësia e përcaktimit të Patër Fishtës është absolute. Gjatë gjithë historisë së saj Europa e kancelarive shtetërore e politike ka bërë “kurvën” në marrëdhënie me fqinjët e vegjël, veçanërisht me Shqipërinë tonë. Plot njëzet e pesë vjet Kryetrimi ynë Gjergj Kastrioti- Skendërbeu me arbërit e tij të pathyeshëm, u bë mburojë e Europës nga vërshimi otoman. Por Europa, pas vdekjes së prijësit tonë, ndonëse e pati quajtur “Kalorësi i Krishtit”, i harroi bashkëluftëtarët e tij, arbërit, për plot pesë shekuj nën thundrën e perandorisë otomane. Për më keq, kur kjo e fundit filloi të “tundte” këmbët, Europa hileqare, me traktatin e Shën Stefanit dhe Kongresin e Berlinit planizoi shpërbërjen e “barinjve shqiptarë” të Ballkanit, plan që e realizoi në vitin 1913, kur, atdheun e “Kalorësit të Krishtit” e cungoi në një të tretën e territoreve të tij etnike.
Pesëdhjetë vite më vonë, do të ishte përsëri vendi i Kastriotit që, duke përzënë bazën ushtarake ruse nga Vlora, do t’i krijonte frymëmarrje të lirë jugut të Europës. E megjithatë kjo e fundit nuk begenisi të lëvizte prapanicën, qoftë edhe me një rezolutë, apo ligjëratë përshëndetëse e kurajoze.
Shembja e Murit të Berlinit dhe e të gjithë mureve të tjerë që i patën ndarë nga kontinenti i origjinës, hapi për Shqipërinë dhe shqiptarët një epokë të re e gjithë shpresë për të ashtuquajturën “demokraci perëndimore”. Por gjatë njëzet viteve të aplikimit të kësaj demokracie, shpresat e shqiptarëve për demokraci të vërtetë, mbetën ëndrra në sirtar. Dhe kjo ndodhi e po ndodh sepse kancelaritë shtetërore e politike europiane, në shumë pika kanë mbetur në të njëjtat “shina” me ato të kohës së Bismarkut.

Plot dy dekada Shqipëria po rrotullohet rreth boshtit të saj në përpjekje për të gjetur rrugën e integrimit në Bashkimin Europian, ku me buzëqeshje diplomatike e ftojnë kancelaritë e këtij institucioni të madh. Por nga ky “rrotullim”, ajo vetëm ka thelluar “gropën” e saj, gropën e krizës morale e shoqërore, pa mundur të arrijë në asnjë stacion të hairit. E ndërsa Shqipëria bën këtë “rrotullim” rreth vetes, Europa sodit nga larg, duke lëshuar fraza e ligjërata të ngjashme me shashkat tymuese, që përdorin repartet ushtarake në stërvitjet mësimore. Në këto dy dekada të aplikimit të demokracisë perëndimore, Shqipëria jo një herë u gjend buzë greminës, buzë katastrofës. Dhe vetëm në momentet e fundit, kur “rreziku shqiptar” rrezikonte interesat e saj, Europa ka ndërhyrë, jo për t’i dhënë zgjidhje të plotë problemeve, krizës, apo kolapsit, por vetëm për t’a përcjellë atë gjer tek stacioni tjetër i “ngërçit”, apo i krizës.

Duke menduar për këtë “lojë” akrobatike të përfaqësuesve europianë, që në këta njëzet vite i kemi patur bash në “sofër”, mendja më shkon tek pleqtë e dikurshëm të katundit tim, atje në malësi. Në kohë të shkuar (në fakt edhe sot është ringjallur dhe aplikohet ky “aktivitet”), pra në kohë të shkuar, pleqtë e katundit, që titullin “plak”e merrnin nga kanuni e jo nga mosha, kur ndodhte ngatërresë midis dy fshatarëve, ndërhynin e i rregullonin, duke e gjykuar me kujdes çështjen. Këtë punë gjykimi pleqtë e bënin pa pagesë. Megjithatë ai që e fitonte davanë, u fuste “pleqve” diçka nën dorë. Dhe në të gjitha rastet, ata që kishin nevojë për gjykimin e pleqve të katundit, do t’u shtronin atyre dreka, apo darka gjer në zgjidhjen e çështjes. Dhe në ato kohëra të varfëra, dreka, apo darka nuk ishte gjë e vogël. Nisur nga ky “rregull”, pleqtë rrufjanë (çdo kohë ka rrufjanët e saj), “gjykimin” e bënin duke lënë ndonjë bisht brenda, “bisht” i cili pas disa ditësh rindizte ngatërresën, gjë që u siguronte atyre darkë-drekën e dytë, të tretë etj.
A nuk ndodh kjo mesele edhe me përfaqësuesit e Europës në vendin tonë? Shumë e ngjashme me atë të “pleqve” të katundit tim, veçse me përmasa shumë më të mëdha, sepse darkat e drekat për “pleqtë” e Europës janë shumë më të kushtueshme, dhe për më tepër, këtu bëhet fjalë jo për një ngatërresë midis dy fshatarëve, apo dy fiseve, por një ngatërresë e cila po i vën minat jetës paqësore të një populli të tërë.

Po marrim në konsideratë vetëm kohën prej tetëmbëdhjetë muajsh të pas zgjedhjeve “historike” të qershorit 2009-të. Ishin pikërisht përfaqësuesit e Europës, që pasi i monitoruan zgjedhjet tona me një batalion vëzhguesish prej më se katërqind vetësh, krahas fjalëve të bukura për standardet e zgjedhjeve, lanë në konkluzionet e tyre edhe bishtin: “Në një të tretën e qendrave të votimit, votat u numëruan keq dhe shumë keq”. Ky “bisht” dhe bishtra të tjerë kësisoj, rindezën gjakrat dhe ngatërresën midis politikanëve të të dyja krahëve, ngatërresë e cila përfshiu jo vetëm militantët partiakë, por pothuaj gjithë popullin, duke e çuar vendin, krahas krizës ekonomike, edhe në krizë morale e shoqërore. Gjatë gjithë kësaj kohe prej gati dy vitesh, përfaqësuesit europianë me institucionet e tyre prestigjioze, kanë përsëritur vetëm fraza e ligjërata steriotipe për demokracinë, si dhe kanë realizuar takime formale nëpër restorante me emra krokodilësh, apo reptilësh të tjerë dhe nuk janë ndalur për ti dhënë zgjidhje të drejtë e serioze problemit. Në të gjitha rastet ata e kanë ndarë “ngatërresën” dhe “përgjegjësinë” tonë në dy pjesë të barabarta, duke i armatosur të dy palët (dy partitë, PD e PS) me të njëjtin municion. Dialogu dhe kompromisi kanë qenë sloganet kryesorë dhe të vetëm të perëndimorëve që na kanë shkarkuar në derë. Dhe madje, duke na treguar se “Që të kërcehet Tangoja, (dialogu, kompromisi) duhen dy vetë”. Mirëpo ata asnjëherë nuk kanë dashur të shikojnë e të kuptojnë se demat tanë të politikës, në pushtet e në opozitë, nuk po kërcejnë tango, por një “Kukës” të tmerrshëm dhe pa fare muzikë, apo daulle, por vetëm me fishkëllima e madje edhe me krisma kallashi e viktima bulevardi.
Ç’ e pengon Europën (institucionet e saj) të ndërhyjë për t’i dhënë fund ngatërresës sonë permanente njëzet vjeçare? Detyrimi për të mos ndërhyrë “në punët e brendshme të Shqipërisë”, siç cilësoi një përfaqësues i saj këto ditë? Pallavra!
Nëse do të prekeshin interesat e Europës, ajo do të ndërhynte jo vetëm me kancelaritë e saj, me diplomacinë e saj, por edhe me muskujt luftarakë të NATO-s. A nuk ishin kancelaritë europiane që së bashku me SHBA nuk lanë gurë pa lëvizur gjer sa përmbysën sistemin socialist në Shqipëri dhe sollën këtu demokracinë e tyre të modelit perëndimor? Nëse Liderët e Europës do të shikonin ndonjë rrezik nga regjimi i sotëm i Berishës, apo ai i nesërm i Ramës, do të mjaftonin vetëm njëzet e katër orë kohë për të ndërruar situatën. Aq më tepër sot kur shteti shqiptar dhe Republika “banane” e Shqipërisë nuk ka asnjë mundësi të kundërshtojë, qoftë dhe ultimatumin e një diplomati të thjeshtë ndërkombëtar. Po atëherë?

Siç tashmë dihet nga të gjithë, Europës shtetërore e politike i duhet një Shqipëri e qetë, me fasadë demokratike dhe e përdorshme për çdo nevojë të Europës në brigjet e Adriatikut dhe në rajonin e Ballkanit. Për këtë qëllim ajo ka zgjedhur e seleksionuar “udhëheqësit” dhe “liderët” shqiptarë më të përshtatshëm, të cilët pasi i ka vënë në krye të punëve, duke i korruptuar me rroga e privilegje të majme (siguruar nga taksat e popullit shqiptar), u kërkon edhe haraçin për planet e saj strategjike. Nga ana tjetër edhe liderët tanë, duke vënë në punë djallëzinë e tyre dhe me pasuritë kombëtare “që ua la babai”, kanë akaparuar secili sipas ngjyrave, përfaqësuesit përkatës në stanin e madh të Europës, me të cilët marrin e sigurojnë pushtetin. Kështu puna është ngërthyer në atë mënyrë sa lëmshi i ngatërresës zor se do të shkokolepset, veç kur të këputet fija. Dhe “fija” gjithnjë këputet në kurriz të popullit.

Është kjo situatë që na kujtoj thënien e famshme të Gjergj Fishtës: “Moj Europë, moj... ... ”. Ç’ka na tregon se Europa shtetërore e politike kurrë nuk do t’i zgjidhë punët tona me ndershmëri e me demokraci të vërtetë. Sepse këto dy parametra i mungojnë vetë asaj, pavarësisht nga pelerina blu me yje të bardhë që ajo mban mbi supe. Punët tona ne duhet t’i zgjidhim vetë. Po a do të mundemi me këta liderë të konsumuar moralisht ? Shpresa është shumë e pakët, për mos me thënë se nuk ekziston fare. Klasa jonë politike, me partitë e tyre borgjeze realisht kanë dalë jashtë loje. Korrupsioni galopant njëzet vjeçar i ka kthyer ato në klane dhe si të tilla nuk përfaqësojnë asnjë klasë e as një shtresë të shoqërisë, ku të mund të mbështeten. Dhe klanet me mbështetje vetëm klanore nuk mund të ndërtojnë as shtet e as demokraci, por vetëm autokraci, që përfundojnë në junta diktatoriale. Klasa aktuale politike është në antipod me popullin dhe interesat e tij. Në këto kushte ajo ose duhet “të ndërrojë” popullin, ose duhet të largohet nga skena politike. E para është e pamundur, ndaj mundësia e vetme mbetet e dyta. Dhe këtë e ka në dorë populli, nëse ai do të arrijë të kuptojë forcën e tij.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00