Home | Opinion | Me dorashka, pa diplomaci

Me dorashka, pa diplomaci

image
Protestat legjitime të Opozitës shqiptare aktuale i kanë të gjithë elementët e duhur; motivin politik, ekonomik e social, zemërimin, mllefin, madje këtë të fundit edhe me tepri.

 

 

      


 
Nga Xhovalin Delia

 


Mosbesimi e zemërimi i sotëm shqiptar më trishtojnë, por ajo që më prish gjumin është makthi për nesër; kush do na prijë e ku po shkojmë?
Ndryshe nga ’89 -ta, kur kishim një armik real, diktaturën, një aleat model si Perëndimi, një pikë referimi si Muri i Berlinit dhe shpresën e madhe Liri - Demokraci, në të cilën besonim më shumë se në Zot, sot, pas një çerek shekulli, tamam sikur të ishim zgjuar nga ëndrra e keqe, po përjetojmë një makth më të tmerrshëm e më të frikshëm; - në luftë pa armik, me të njëjtin aleat por jo me të njëjtin besim, pa pikë referimi, pa Mur Berlini, por të ndarë, pa shpresë, të zhgënjyer nga Liria, Ligji e Demokracia, me dyshimin; kush do na marrë e kush do na lërë, Evropa apo Amerika?!?
E gjitha kjo falë gjeografisë, kulturës tonë në përgjithësi e asaj politike në veçanti, në themelet e së cilës, është principi i “të kundërtave” jo edhe aq si logjikë dialektike, ku dy polet ka se çfarë i ndanë e çfarë i bashkon, se sa si vazhdim i politikës së vjetër totalitare, parimi i luftës së klasave, njëra përjashton tjetrën. Ajo çka e dallon politikën e sotme nga ëma totalitare është PRAJA. Pasurimi me çdo mjet dhe imediat, për të garantuar e zgjatur sundimin, kthyer tashmë në princip politik demokratik; “me lekë mund të kesh e mund të jesh gjithçka”. Këtë epidemi morale kulturore e politike të gjithë e shohin, shumë e kuptojnë dhe çuditërisht pak e luftojnë, përkundrazi, të gjithë po kontribuojmë në rritjen e masivizimin e përhapjen saj, bash me mjerimin e injorancën tonë. Nuk ndodh e njëjta gjë në demokracitë perëndimore, edhe pse nuk janë imune ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Arsyet mund të jenë të shumta por një është evidente; ata e njohin dhe e respektojnë ligjin, i cili garanton demokracinë. Edhe kur ndonjë “plesht” guxon, shkundin jorganin, por nuk e djegin atë. Vëzhgoni me vëmendje përtej detit, në Romën e Ligjit, bash atje shkelet më shumë se askund: Kryeqeveritari italian “ka kaluar çdo limit moral” por është akoma “brenda cakut” politik demokratik, të paktën me shifra, ka fituar dy herë besimin e shumicës, me pazarllëqe, pra “imorale” në planin etik e moral, por “legjitime” në atë demokratik politik. Edhe në demokracinë e konsoliduar italiane, ka nga ata që “nxitohen” e belbëzojnë blasfeminë “revolucion”, por pjesa e moderuar politike tërheq drejt qendrës se vet të gravitetit, pa prishur ekuilibrin institucional e pa shkelur rregullat, si shah, çdo gurë në vendin e vet, sipas funksionit të vet në kohën e duhur, me durim, kthjelltësi e largpamësi, jo thjeshtë për të marrë pushtetin, por për të përmirësuar qeverisjen e vendit, si qëllim final i politikës, si në shah, për të fituar lojën; jo duke rrëzuar mbretin me dorë por duke lozur deri në; “shah mat”!
Kadarè, vonoi por nuk harroi.

Si pak kush, në këto ditë të turbullta, në shkrimin e tij të fundit, qe i kthjellët, i matur, pa dorashka por me takt e diplomaci, me të gjitha ngjyrat e spektrit, jo kuq e zi. Kush e do të mirën e vendit e prosperitetit tonë politik demokratik, daljen pa dhimbje nga kriza ku po vazhdojmë të zhytemi, le ta rilexojë me vëmendje mesazhin e tij qytetar e të reflektojë. Ata që kanë nevojë imediate janë politikanët, mediat e masmediat, madje këta të fundit duhet ta zgjedhojnë e ta lakojnë në shkrimet e tyre e në Talk – show televizive, jo si propagandë por si arsyetim filozofik politik dialektik, ku përfshihet vendi, historia, kultura e politika e ardhmënia jonë në kontekstin Ballkanik, Evropian e ndërkombëtar. Nuk do ti bënte qeder as Akademikut tonë të nderuar R. Qosja ti hidhte një sy mesazhit të “gjeneralit të prozës”, që flet shqip, pa emocione, i kthjellët, “alla frënga”. Kadareja nuk e ngatërron çështjen e Kosovës me 21 Janarin në Tiranë, nuk e ngatërron Shqipërinë me Tunizinë, nuk fut në një thes Sllobodan, Sali, Mubarak e Ben Ali. Kadareja nuk shtron pyetjen retorike; “pse qëndrimi Perëndimor na qenka ndryshe për Shqipërinë e ndryshe për Egjiptin e ndryshe për Tunizinë”? Sepse Kadareja tashmë mendon si shqiptar evropian e sheh më larg. E di mirë se populli shqiptar e vëllezërit myslimanë egjiptian, tunizian, sot kanë të përbashkët vetëm zemërimin me qeveritë e tyre të korruptuara, por janë krejt dy realitete të ndryshme gjeografike kulturore e politike. Halli i njërit duket sikur i ngjanë tjetrit, por në fakt as mjeti, e as zgjidhje e njërit nuk mund të jetë e njëjtë edhe për tjetrin. Padashur të hyj në meritë të çështjes, Tunizia, Egjipti e fqinjët e tyre, janë një erë tjetër gjeopolitike strategjike që po frynë sot. Ajo që nuk duhet të harrojmë ne është se Shqipëria, është po aty ku ka qenë, në udhëkryq, midis dy hemisferave, luhatja e të cilave “zhvendos” edhe gravitetin tonë politik të paqëndrueshëm. Sot jemi anëtar të NATO –s e pretendojmë të aderojmë në familjen Evropiane. Është spekuluar aq shumë sa e shoh me vend të precizoj; - Bashkëjetesa me qytetarët evropianë nuk do konsideruar si privilegj e as do shfrytëzuar si slogan për vota, por duhet ta vlerësojmë si shans që nuk do humbur, dhe për këtë duhet të jetë një impenjim i madh jo vetëm i qeverisë dhe i politikanëve por i mbarë qytetarëve shqiptarë; si për një martesë të mirë e cila do merituar reciprokisht nga të dyja palët. Pala më pak e gatshme për këtë “krushqi me një derë të madhe” si Evropa, është Shqipëria. Një dhëndër cub, kaçak, hajdut, që nuk njeh rregull as ligj, sot në 2011 –ën, nuk gjen nuse as në Labëri e as në Currat e Mirditës, pa le në Evropë.
Shkaku i replikës publike me burrin e nderuar të letrave e të mendimit shqiptar, Zotninë Rexhep Qosja është; - vizioni monokromatik për demokracinë, - gjykimi “kuq e zi” i 21 Janarit të mbrapshtë dhe; - këshilla e “pykës”, shprehur në dy shkrimet e fundit publikuar tek gazeta “Shekulli”.
Që; “Qeveria e sotme Shqiptare e dhe dy krerët e saj kanë kaluar çdo limit moral e ligjor”, është fakt që po e përjetojmë çdo ditë dhe po e paguajmë shtrenjtë deri edhe me jetë, por mjeti për ta hequr këtë “pykë” të ngelur nga totalitarizmi nuk besoj se do të ishte një “pykë” tjetër, pasi deri më sot nuk kemi bërë gjë tjetër veçse fut pykë e hiq pykë e, po me pykë në vend të lig kemi mbetur o akademiku jonë. Metafora e filozofia e “pykave” mund të interpretohen në shumë forma e mënyra por që: Qeveria e një vendi demokratik parlamentar, e kryetari i saj, nuk duhet të bien në rrugë e sheshe as në salla gjyqi, por në parlament, aty ku kurorëzohen po aty shkurorëzohen, duhet të jemi të gjithë dakord; të majtë e të djathtë, popull, parti, intelektualë e akademikë. Pasi të jenë shkurorëzuar ligji e drejtësia le ti vari edhe në litarë. Kjo është ligjësi demokratike e do respektuar, në të kundërt sjellë po ata pasoja që na shkaktuar në të shkuarën jo të largët e po na kërcënon edhe të ardhmen e afërt.
Protestat legjitime të Opozitës shqiptare aktuale i kanë të gjithë elementët e duhur; motivin politik, ekonomik e social, zemërimin, mllefin, madje këtë të fundit edhe me tepri. Ajo që i mungon është një gjë e vogël, e padukshme por esenciale; alternativa politike, pa të cilën qëllimi final i tyre degjeneron në demagogji e anarki, si ajo e fundit me 21. Vetëm një alternativë e re politike do të ishte “pyka” dialektike. Parë nga ky këndvështrim, shqiptarët sot për sot kanë dy shanse; - zgjidhjen e shpejtë e të përkohshme, me “sopat e pyka” që do ta çonte në konflikt social, ose rrugën e mundimshme por afatgjatë të shartimit e kultivimit të demokracisë. Kjo e fundit ka dy mënyra që mund ta përshpejtojnë procesin;
a- Reformatorët e PD – së, të papërlyerit, me duar të pastra, pa konflikte interesi, duhet të guxojnë të ç’privatizojnë PD – nga padroni i vetëshpallur pronar, dhe të orientojnë politikën drejt objektivit për të cilin ka qenë destinuar PD -ja, drejt Demokraticisë së vërtetë.
b- Lideri socialist duhet të bëjë një ndarje të guximshme nga politika e vjetër , jo vetëm e partisë mëmë, por edhe me të kaluarën e tij të afërt shumë të përfolur, (pa fakte deri më sot) dhe, të vazhdojë me transparencë fazën e dytë të reformës brenda PS –së si garanci për Shtetin e Ri që shqiptarët presin prej tij. Për këtë nuk ka pse nxitohet as të ketë frikë, përkundrazi, me kurajë e duke i dhënë kohën e duhur procesit, duke filluar që nga zgjedhjet lokale. Demokracia është sistem rregullash e ligjesh, që duan kohën e tyre, në të kundërt banalizohet në mahi fëmijësh e mund të degjenerojë në marrëzi burrash, shtetarësh e partish. Çështja shqiptare sot nuk duhet të zvogëlohet në rrëzimin e një grupi feudo bajraktarësh, por duhet të ngrihet në një ideal të madh; të gjithë të bashkuar për një projekt të ri politik dhe ekonomik, përtej të majtës e të djathtës nga i cili do të përfitojnë të gjithë shqiptarët.
Tashmë shqiptarët nuk presin që doktori i zëmrës të bëjë ndonjë mrekulli në zorrën e trashë. Fundi i mostrës me dy krerë nga apandesiti LSI është i sigurt, por ajo që nuk është e qartë është çfarë do të vijë pas anomalisë?
Opozita aktuale, ndonëse pretendente e radhës, për fat të keq nuk është zgjidhja më e mirë por e keqja më e vogël, siç ka qenë PD –ja e Berishës pra PS –së së Nanos para se të vinte në pushtet. Por ajo që lë hapësirë për të shpresuar sot është Lideri i saj “i ri e reformist”(?!?). Që të jetë i besueshëm dhe të bëhet garant, për kontratën e ardhshme që ai pretendon të nënshkruaj me shqiptarët për një Shqipëri vërtetë Demokratike, ku të mbretërojë jo Ai por ligji e drejtësia, në krye të listës duhet të ketë:


1- Kalimi nga liria virtuale në atë efektive,
2- Zëvendësimi i ideologjisë me pragmatizëm politik
3- Ndarja e politikës nga biznesi,
4- Ligji i ri elektoral për një Parlament me përfaqësues nga populli JO BIZNESMEN, të zgjedhur jo në selitë rozë e blu, por në fushë, mal e mëhallë, direkt nga populli sovran me votën e lirë,
Një objektiv i tillë real do ta orientonte politikën shqiptare kurthuar në konflikte interesi. Me ç’kanë parë shqiptarët në këto 20 vjet, nuk besojnë më as në më “të madhin demokrat” e as në më “të voglin socialist”. Zoti na ruajt nga “i mesit” LSI-st !!! Zgjidhja magjistrale do të ishte vija e mesme, një alternativë e tretë me frymë të re e vizion të ri kulturor, etik, politik dhe ekonomik, e zhveshur nga ideologjitë totalitare e postkomuniste, pa konflikte interesi, me duar të pastra në gjendje të ringjallë besimin e humbur në politikë e në institucione. Nëse ndokush i ka duart e pastra, ç’vlerë ka që i mbanë akoma në xhepa? – do të pyeste D. Milani, po të ishte gjallë.

 

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00