Demonstrimi i fuqisë së shtresës qytetare, një sfidë globale
Ne trojet shqiptare përherë ka arsye për të demonstruar, arsyet janë aq të shumta sa ne kemi nevojë për një qytetari të dinjitetshme aktive politike...
Arbër A. Rexhaj
Demonstratat përherë kanë sjellë qytetari aktive politike, ndërgjegjësim për statuse të ndryshme kolektive, ato kanë krijuar nxitje, impulse dhe reminishenca ndërkulturore. Këto reminishenca kanë bërë që qytetarët e nacionaliteteve të tjera të imitojnë njëri – tjetrin për të krijuar historinë, çlirimin e vendit ose edhe demokratizimin e tij.
Si duket bota edhe pas valës së tretë të demokratizimit po fillon edhe një valë të re, ajo po fillon ose ka nxitje për t’u bërë kështu. Menjëherë nëpër botë, sidomos në vendet e pa demokratizuara islame, të cilat nuk përfituan nga vala e tretë e demokratizimit, megjithëse patën mundësinë, sepse vendet fituese të Luftës së Dytë Botërore insistuan në regjimin demokratik pothuajse në tërë botën dhe sidomos pas “teorisë së hapjes” së Gërbaçovit, kur ai më nuk e kontrollonte vetvetiu një pjesë të Evropës përmes sistemit diktatorial bolshevik.
Demokracia përherë ka pasur prapësimet e saj. Nëpër vende të ndryshme të Evropës, edhe pse janë zgjedhur qeveri nga zgjedhjet e drejtpërdrejta elektorale ato janë zëvendësuar me autoritarizëm, menjëherë pas disa vjetëve. Demonstratat popullore për demokraci përherë kanë qenë boshti kryesor i ndërgjegjësimit shoqëror për ta ekuilibruar vullnetin politik të qytetarëve. Përmes demonstratave janë rrëzuar sa e sa sisteme totalitare, sa autoritarist kanë rënë nga demonstrimi i drejtpërdrejtë i qytetarëve aktiv.
Kohëve të fundit ne po shohim se si në Egjipt, pas trysnisë popullore edhe diktatorët mund të bien. Ani pse përherë fuqitë politike globale i bënin thirrje për dorëheqje, ai ra nga populli i tij i cili e priste në rrugë dhe kërkonte nga ai që më të bëhej rrugë dhe jo udhëheqës i tyre autoritarist. Siç duket këtë shembull do ta ndjekin edhe disa vende myslimane të cilat kanë shtresuar sistemin e soc-religjionit politik të strukturuar si demokraci popullore. Nëse kjo ndodh, atëherë vërtetë bota po merr përmasa të një vale të madhe demokratike.
Demonstratat në Egjipt dhanë atë që kërkoi populli, prandaj ato janë aq të rëndësishme, sepse përmes tyre nuk lejohet nëpërkëmbja e dinjitetit të qytetarit aktiv. Impulset dhe reminishencat që mund t’i sjellë ajo bëhet përmes imitimit të drejtpërdrejtë të shteteve tjera islame. Ato me lehtësi mund të nxiten, duke parë se demonstrata është mjet shumë i fuqishëm për të vendosur një herë e përgjithmonë vullnetin e tyre politik.
Nëpër trojet shqiptare përherë ka pasur demonstrata, madje këto rezistenca gjithpopullore kanë qenë e vetmja rrugë për të shprehur vullnetin tonë politik edhe gjatë Jugosllavisë, por edhe pas saj. Demonstratat janë të shëndetshme për pushtetin politik gjithkah ku ka shqiptarë. Sepse ato janë rikujtuese për politikanët. Rikujtesë plot drithërimë e piskamë. Ato janë fuqi! Rëndom demonstratat nuk vinë si shprehje e kënaqësisë, por e pakënaqësisë.
Ne trojet shqiptare përherë ka arsye për të demonstruar, arsyet janë aq të shumta sa ne kemi nevojë për një qytetari të dinjitetshme aktive politike, e cila në vete duhet të ngërthejë efektin e të qenit qytetarë i dinjitetshëm, i cili di të reagoj përballë “dominove” politikë. Qytetarët shqiptarë përballen me nëpërkëmbjen e dinjitetit shqiptarë, me probleme ekonomike, me nivel të lartë të papunësisë, në krahasim me politikanët struktura e pagave tona është tejet për të ardhur keq. Korrupsioni tek ne ka arritur të artikulohet si një rëndomëni. Ne për këto flasim si gjëra tejet të rëndomta dhe shumë normale.
Për çudi edhe në Shqipëri dhe në Maqedoni pati demonstrata dhe protesta. Opozita e fortë nuk duhet të jetë vetëm struktura e artikuluar në parlamentet tona, por edhe qytetari i cili e demonstron fuqinë e vet. Në Maqedoni në një protestë, shumë shqiptarë treguan se nuk lejojnë nëpërkëmbjen e trashëgimisë kulturore dhe historike shqiptare. Ndërsa politikanët, u ngjizën me pushtetin politik të Republikës së Maqedonisë. Ata ruajtën komoditetin për të folur nga prizmi i karriges dhe jo i politikanit, i cili është në gjendje të jetë afër qytetarit dhe pranë tij.
Klasa politike shqiptare në Maqedoni përherë ka qenë naive, e papjekur dhe tejet e kanonizuar brenda mureve të saj. Më shumë në korrelacionet e ndërveprimit të tyre ishte mosunifikimi i saj si dhe lufta kaq e ashpër e partive politike ndërmjet vete. Në vend se të aplikonin një politikë unike, ani pse partitë politike kanë programe të ndryshe ato asnjëherë nuk i unifikuan qëndrimet kombëtare.
Pa marrë parasysh alegorisë maqedonase (nuk jam i sigurt në këtë emër) për t’i dhënë fenomenit konotacion fetar, ai është identifikim shqiptarë. Ne kemi parë raste të ngjajmë edhe me rastin e projektit të Nënë Terezës. Kjo kulturë e përzier nacionale në Maqedoni me ngulm po kërkon që të ngreh identitetin e vet mbi bazat shqiptare. Prandaj protestat e shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë duhet të metamorfozohen në demonstrata më të fuqishme ku do të artikulohej rezistenca dhe e drejta jonë kombëtare kulturore dhe historike. Demonstrata nuk është akt vetëm i pakënaqësisë, por edhe artikulim i forcës dhe i vullnetit tonë politik.
Comments (0 posted)
Post your comment