Shqiptarët në kapërcyell të shekujve 20-21
Ajo, “shkëmbi jugor i Evropës” që ruan emrin tonë ndër popujt e shumtë të botës nuk ja ka dalë gjatë ekzistimit të sajë si shtet i pavarur dhe i pranuar ndërkombëtarisht ta mbrojë...
Dr. Arsim Kastrati, Gjilan
Për ne shqiptarët fundi i shekullit të 20-të ishte një sukses historik. U shemb diktatura komuniste në Shqipëri në fillim të viteve të 90-ta, u çlirua Kosova prej okupatorit shekullor Serb nja 8 vite më vonë dhe u bë një avancim domethënës i gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni pas konfliktit të armatosur të vitit 2001. Padyshim ngjarja më e rëndësishme ishte lufta e Kosovës më 1997-1999 atëherë kur populli i Kosovës dhe UÇK-ja e saj i kapën armët pas gati një dekade të rezistencës paqësore kundër agresionit brutal serb. Atëbotë me ndihmën e bashkësisë demokratike ndërkombëtare të udhëhequr nga SHBA-të dhe Anglia u çliruam nga zgjedha e rëndë shekullore e robërisë, lufta u fitua dhe e drejta triumfoi. Ishte presidenti i atëhershëm i SHBA-ve Z.Bill Klinton ai që fill pas përfundimit të luftës gjatë vizitës që i bëri vendit tonë ju drejtua popullit të Kosovës me porosinë largpamëse: “ E fituat luftën tani duhet ta fitoni paqen”. Këtij burri të botës në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi i kemi ndërtuar në Prishtinë një shtatore për së gjalli, jetë të gjatë pastë e ju rritë nera.
Po me porosinë e tij si qëndrojnë punët? Njëmend e fituam luftën dhe shporrëm trupat serbe nga Kosova por a do të mundë ta fitojmë paqen? Unë nuk jam i sigurt për fitoren në paqe, për më tepër kam përshtypjen se jemi në rrezik që ta humbim këtë “gjysmë lojë” , nëse është e lejuar të shprehem në këtë mënyrë. Na ka mbetur veriu i vendit defakto i ndarë nga pjesa tjetër ku Serbia ka pushtet më shumë se ne. Në këtë pjesë të territorit të saj Republika e Kosovës ka humbje të mëdha ekonomike, në këtë pjesë të Kosovës shqiptarët tash e 10 vjet nuk guxojnë të kthehen në shtëpitë dhe në banesat e tyre, këtu shumë lehtë mundë të filloj konflikti i armatosur. Për veriun e Kosovës zyrtarët e Serbisë deklarojnë pa pushuar dhe në unison se do të negociohet gjatë bisedimeve që pritet të zhvillohen së shpejti nën patronatin e BE-së. Deklarimet e fundit të zyrtarëve të BE-së se gjatë këtyre bisedimeve që cilësohen herë “teknike” e herë “bisedime për çështje me rëndësi jetësore”?!, nuk mundë ta sigurojnë palën kosovare se nuk do të bisedohet për Veriun e sajë problematik, deklarimet e Piter Faith-it dhe nga ana tjetër letra e 20 kongresistëve amerikan drejtuar kryetarit Obama, në të cilën shprehet shqetësimi për zhvillimet rreth Kosovës dhe domosdoshmëria e involvimit më të madh të SHBA-ve në çështjet e Kosovës, tregojnë qartë se me Evropën nuk i kemi punët bash mirë.
Si u bë që askush pos Shqipërisë dhe SHBA-ve nuk na uroi për përvjetorin e tretë të Pavarësisë?!, dhe çka do të thotë kjo?! Në vend të ndonjë elaborimi më të gjatë unë vetëm se do t’i bashkëngjitëm mendimit të shumë njerëzve mendjekthjellët që po thonë se në këto bisedime nuk duhet të shkohet vetëm dhe pa Amerikën. Jo pa Amerikën, e Serbia le ta merr kë të dojë.
Për zhvillimet e padëshirueshme që po na ndodhin fajin më të madh e kemi vet ne shqiptarët.
Një kohë të gjatë u kacafytëm me njëri tjetrin të ndarë në dy kampe rivalësh të krahut të luftës dhe krahut pacifist, për të vazhduar edhe në ditët e sotme me mosmarrëveshje madje edhe banale të tipit “jo koalicion me Thaçin kryeministër”, e për shtetin qe e kemi në rrezik nuk e çajmë kokën fare! Në rast se ( mos e bo Zot) e humbim paqen ne që ishim shumë më të dobët ushtarakisht se armiku i ynë dhe fituam në luftë kundër tij, faji do të bjerë mbi të gjithë ne edhe mbi popullin edhe mbi udhëheqjen politike, edhe mbi pozitën edhe mbi opozitën: edhe mbi PDK-në edhe mbi LDK-në e AAK-në – mbi të gjithë pa përjashtim. Edhe një gjë, pa i larë hesapet me Serbinë njëherë e mirë, shoqëria kosovare nuk do të mundë ta bëjë lojën politike sikur shoqëritë tjera të rajonit dhe Evropës – jo Zonja dhe Zotërinj , Ne jemi ende në luftë me Serbinë.
Lufta vetëm sa nuk ka nisur për së dyti herë edhe në Maqedoni, për shkak të shovinizmit sllavomaqedonas dhe për shkak të përgjegjës joadekuate të faktorit politik shqiptar në këtë shtet që luhatet. Edhe në Maqedoni Shqiptarët e fituan luftën dhe po humbin në paqe. Dikush do të mundë të thoshte se kjo edhe mundë të pritej si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoni. E din më mirë se kushdo tjetër populli shqiptar në Maqedoni se në sa grupacione politike e në sa klane janë ndarë e përçarë politikanët përfaqësues të tij, duke mos qenë në gjendje kështu si janë t’i mbrojnë ata nga shtypja dhe padrejtësitë e politikës dhe të shtetit sllavomaqedon. Do të duhej të ishin të parët përfaqësuesit politik shqiptar që të reagonin me vendosmëri dhe t’i stoponin ndërmarrjet kulturocidale në qytetin e Shkupit dhe kalanë e tij. Këto ndërmarrje kanë për qëllim që Shkupit multietnik dhe Maqedonisë multietnike t’i japin pamje dhe fasadë monoetnike sllavomaqedone dhe ortodokse duke ju treguar shqiptarëve dhe të tjerëve se cila është dëshira dhe cili është synimi i sllavëve të cilët e quajnë veten e tyre Maqedonas, për ardhmërinë e këtij vendi.
A ka nevojë që dikujt t’i përkujtohet historia dhe e vërteta se Maqedonasit ishin fqinjët tanë antik, se shqiptarët janë banuesit autokton në trojet e tyre në Maqedoni dhe se Shkupi ishte kryeqyteti i vilajetit të Kosovës e këta që e quajnë veten e tyre maqedonas janë sllav të ardhur vonë në Ballkan dhe nuk e dinë a janë më tepër serb apo bullgar. Tash ata që i sulmuan fizikisht protestuesit e qetë shqiptar para disa ditësh në Kalanë e Shkupit paralajmërojnë se do të dalin dhe do ta djegin publikisht Kuranin, duke dashur kështu që konfliktit eventual më të madh sllavo-shqiptar t’i japin dimension fetar. Do të thonë se ja ne maqedonasit e krishterë-ortodoks kemi të bëjmë me mysliman, se po e realizojmë atë që nuk e bëri një pastor protestant në Amerikë, do ta përsërisin ate që e kanë thanë shumë herë për ne se kinse jemi fundamentalist islamik, duke llogaritur kështu në solidaritetin e opinionit keqdashës dhe të painformuar sa duhet për historinë dhe gjendjen e tanishme të popullit shqiptar në përgjithësi. Por populli shqiptar në Maqedoni nuk është i rrjedhur mëndësh, ani pse nuk e ka një elitë politike për tu dëshiruar; ai është trashëgimtar i një kulture të lashtë dhe ai është denbabaden në Maqedoni e jo një barbar i ardhur së voni aty. Dhe ky popull shqiptar nuk e besoj se do të bie pre e një provokimi të tillë i cili po e bëri të vetën e dëmton katastrofalisht atë.
Djegia e Kuranit nuk ju bënë dëm aspak shqiptarëve, kjo do t’i dëmtoj vetëm autorët e mundshëm të këtij akti primitiv, do të tregoj për nivelin e ulët kulturor, për dhelpërinë dhe për qëllimet destruktive të tyre. As Serbëve dhe as sllavëve të Maqedonisë nuk ju kanë penguar shumë as Kurani e as xhamitë tona, atyre ju kanë penguar shkollat tona, atyre ju ka pengue ndërgjegjësimi ynë kombëtar, atyre ju pengon qenia jonë SHQIPËTARE, ata me dëshirë do të na kishin shporrur nga trojet tona në ballkan të gjithëve për në Turqi, për çka edhe janë munduar shumë, por nuk ja kanë arritur qëllimit, se ky popull e ka shqiptarizmin e vet gjënë më të shtrenjtë në zemrën e tij dhe nga trojet e veta nuk shkulet lehtë. Andaj porosia e liderëve politik shqiptar ne Maqedoni drejtuar politikanëve sllavomaqedonas dhe kujdoqoftë tjetër në këtë vend do të duhej të ishte se nuk do ta durojnë deri në pafundësi nëpërkëmbjen e të drejtave nacionale të shqiptarëve dhe pabarazinë e tyre në këtë shtet.
Ka edhe një çështje përvijohet dhe që ka rëndësi të madhe për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë e kjo është mosangazhimi i elitave intelektuale rreth projekteve kapitale që kanë të bëjnë me historinë e popullit shqiptar në këto hapësira. Është koha e fundit, për të mos thënë pesë në dymbëdhjetë, që akademikët tanë të zgjohen nga gjumi dhe t’ia shpaguajnë borxhin popullit të tyre me projekte të cilat sadopak do të zvogëlonin avantazhin e akademive dhe kishave respektive të Serbisë dhe Sllavomaqedonisë të cilat me historitë dhe enciklopeditë e tyre i kanë bërë shumë dëm të vërtetës dhe popullit shqiptar.
Dhe krejt për fund disa fjalë edhe për Shqipërinë, kalanë tonë më të fortën, që ka qenë gjithmonë shpresa dhe qëndresa jonë, këtu e më tepër se 100 vjet. Ajo, “shkëmbi jugor i Evropës” që ruan emrin tonë ndër popujt e shumtë të botës nuk ja ka dalë gjatë ekzistimit të sajë si shtet i pavarur dhe i pranuar ndërkombëtarisht ta mbrojë si duhet gjysmën e shqiptarëve të mbetur nën sundimin e huaj. Kjo më tepër për shkak të forcës së vogël të saj, por edhe për shkak të naivitetit politik të nomenklaturave udhëheqëse e në radhë të parë asaj të diktaturës gjysmëshekullore komuniste. Edhe sot në shekullin e 21-të Shqipërisë i krijohen probleme të paqena në jugun e sajë, të nxitura nga shteti fqinjë i Greqisë dhe në vend që të jepet drejtësi për Çamërinë bëhet zhurmë për “grekët” e Korçës me rrethinë.
Ne shqiptarët e Kosovës e dimë që shpesh e ndonjëherë edhe pa vend përzihemi në zhvillimet politike brendapërbrenda në Shqipëri. E kemi bërë dhe vazhdojmë ta bëjmë këtë, por në shumicën e rasteve besoj - jo me të keq dhe jo duke qenë në lajthitje dhe mashtrim. Shqiptarët e Kosovës ata në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës konsiderojnë se me të drejtë kanë pritur që tash kur Shqipëria u anëtarësua në NATO, kur po ecte mirë në proceset Eurointegruese, kur gjendja e saj ekonomike po përmirësohej, kur ajo i sheshoj alpet e veta dhe ndërtoj rrugën me katër korsi për në Kosovë, do të mundë të i ndihmonte ata më shumë se kurdoherë më parë.
Pse përnjëherësh sharron në krizë e gjithë shqiptaria?, pse krizon Shqipëria në të njëjtën kohë bashkë me Kosovën?, a është paranojë të mendohet se konspiracioni i atyre që nuk na e donë të mirën ne shqiptarëve e përshkon tejpërtej gjeografinë tonë? Apo ndoshta më përpara fajet i kemi vet ne dhe sigurisht që pa to nuk jemi. E vërtetë e padiskutueshme është nevoja e përhershme dhe shumëdimensionale e shqiptarëve jashtë kufijve shtetëror të Shqipërisë për ndihmën dhe përkrahjen e sajë. Së këndejmi edhe do të vinte apeli i këtij populli drejtuar elitës politike të Shqipërisë që ta lënë për pak kohë mënjanë luftën e pakompromis për pushtet dhe ta drejtojnë vëmendjen e tyre në zhvillimet në Ballkan në përgjithësi. Hajde së bashku ta vazhdojmë fatin e mirë që na buzëqeshi në fund të shekullit të kaluar dhe në fillimin e këtij që po e jetojmë. Duke pasur konsideratë për njëri tjetrin dhe duke u ndihmuar ndërmjet veti jemi më të fortë dhe ecim më të sigurt përpara dhe për këtë punë asnjë ligj nuk ekziston që të na pengojë.
O burra shqiptar të kujtojmë historitë
se për do punë ende është kohë e parë
dhe armiqtë i kemi aty ku ishin edhe përpara
duke na pritë që gabimet tona me i rritë.
Comments (0 posted)
Post your comment