Home | Opinion | Bisedimet përballë realitetit

Bisedimet përballë realitetit

image
Lugina e Preshevës me tri komunat me popullsi shumicë shqiptare Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shihet si lojtar rezervë i lojës që pritet të zhvillohet.

 

 

 

 


Atullah Rexhepi, Preshevë

 

 

 

Ditëve të fundit dëgjohen zëra të cilët apriori përcaktojnë formën, synimet, kohën, vendin e shumë gjëra të tjera, ku disa me te drejtë e dikush mundohet t’i përafrohet asaj të cilës gjithë e presim, pra çdo shqiptarë kudo, bisedimet Kosovë-Serbi. Kësaj çështjeje ne mund t’i qasemi nga kënde të ndryshme, duke pasur parasysh se ende nuk kemi një agjendë të qartë të bisedimeve. Rrjedhimisht, kohëve të fundit jemi dëshmitarë të disa ngjarjeve që po ndodhin, duke përfshirë këtu protestat në Shqipëri, raporti i Dick Martit, disa probleme ndëretnike në Maqedoni, të cilat për fat të keq sipas mendimit tim kanë një emërues të përbashkët, dëmtimin e interesave të shqiptarëve, për arsye se të gjithë e dimë që pas konstituimit të institucioneve të Republikës së Kosovës do të pasojnë një varg i bisedimeve në mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Para së gjithash, çdo palë e cila hynë në bisedime, hyn me një qëllim, e ai është përfitimi sa më i madh që është i mundur.

Tendencat nga ana e Republikës së Serbisë për fillim sa më të shpejtë të bisedimeve

Përmes disa deklaratave nga disa zyrtarë serb, se janë në pritje të formimit të institucioneve të Kosovës, e pastaj të hyjnë në bisedime me delegacionin e Kosovës, duhet parë me një dozë dyshimi. Fillimi dhe përfundimi sa më i shpejtë i bisedimeve është në favor të Serbisë, për shkak që përfundimi sa më i shpejtë i problemit me Kosovën sipas tyre (dhe që shihet se ashtu është), do t’i hap rrugën të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, të cilën Serbia është duke e dëshiruar në masë të madhe. Në anën tjetër, synimi i palës serbe është edhe përfitimi politik dhe territorial në raport me Kosovën. Një dekadë me radhë, ne jemi dëshmitarë të një anarkie në veri të Mitrovicës, ku ushtrimi i sovranitetit të Kosovës mbi atë pjesë është shumë i brishtë. Sipas kësaj, shihet se pala serbe dëshiron të kënaq dy anë të epshit të vet, njëra është hapja përkatësisht, lehtësimi i rrugës për integrim në BE, kurse tjetra, arsyetimi para pjesës tjetër e cila është e interesuar që sa më shumë të vjelë nga territori i Kosovës.

Dialogu!

Shumë shpejt pritet që të fillojnë bisedimet, ku pritet që ato t’i ndihmojnë në masë të madhe institucionet e Bashkimit Evropian dhe zyrtarë nga SHBA, ku në agjendë pritet të përfshihen çështjet mbi dokumentet, librat kadastral, transporti, telekomunikacioni, me gjasë dhe për të zhdukurit etj., të cilat konsiderohen të jenë të interesit jetik. Ngase një gjë e tillë është menduar që herët, për faktin se pas largimit të forcave serbe nga Kosova ishin marrë të gjitha dokumentet që kishin të bënin me kadastrën, ato të identifikimit. Po ashtu të gjithë e dimë se Kosova ende përdor prefixin e njëjtë me atë të Serbisë. Pra sipas të gjitha gjasave ndodh që këto të jenë tema të cilat do t'i hapin rrugën bisedimeve.

Ajo çka është me kryesorja, që në asnjë mënyrë nuk duhet të përfshihet në agjendën e bisedimeve është çështja që ka të bëjë me statusin e Kosovës, sepse sipas normave të së drejtës ndërkombëtare, Kosova është pranuar shtet, ku Republikën e Kosovës e kanë pranuar 75 shtete, andaj dhe si e tillë nuk njihet ndonjë teori e dyfishtë e së drejtës ndërkombëtare e cila parasheh një gjë të këtillë. Pra, thënë konkretisht kufijtë e Kosovës janë dhe duhet të jenë ashtu si janë të përcaktuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Rajoni i Luginës së Preshevës përballë ngjarjeve të pritura

Lugina e Preshevës me tri komunat me popullsi shumicë shqiptare Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, shihet si lojtar rezervë i lojës që pritet të zhvillohet. Politikanët kosovarë përkundër ngulmit të tyre se në bisedat me Serbinë nuk do të diskutohet çështja e Mitrovicës veriore, por në qoftë se bëhet fjalë për një gjë të tillë, ose thënë më qartë, paraqitet ndonjë tendencë rreth kësaj çështjeje, atëherë mund të vijë në shprehje hapja e “kutisë së Pandorës”, dhe në këtë mund të bisedohet për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe atyre në Maqedoni.

Politikanët e Luginës së Preshevës kanë një qëndrim i cili parimisht ka të bëjë me të drejtat e serbëve në Kosovë, pra, ata në retorikën e tyre të vetmin definicion që japin është “sa u jepen të drejta serbëve në Kosovë, të njëjtat duhet t’i gëzojnë edhe shqiptarët në Serbi”. Historikisht, nuk kemi një qëndrim të qartë të faktorit politik shqiptar të Luginës, për arsye se më 1 dhe 2 mars të vitit 1992 është mbajtur Referendum për autonomi territoriale, me të drejtë bashkëngjitje me Kosovë, pastaj më vonë ka pasur një qëndrim ku disa parti politike kanë pasur përfaqësues të vet në parlamentin e Serbisë, gjatë vitit 2001 kemi pasur një konflikt të armatosur të UÇPMB-së, më vonë formimin e Kuvendit të këshilltarëve shqiptarë të tre Kuvendeve Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku me 14 janar 2006, ky institucion më i lartë reprezentativ i shqiptarëve të Luginës nxori Platformën politike në të cilën kërkohet reciprocitet sa i përket respektimit të drejtave të minoriteteve me vendet e rajonit.

Pra, duke pasur parasysh ndasitë e mëdha politike që janë prezent në Luginë, ende nuk është arritur të definohen qartë kërkesat e shqiptarëve të Luginës për fatin e tyre. Idetë mbi “liderizmin”, inatet, mendjemadhësitë, politika pa koncept, ndikojnë në paaftësinë e përballjes me zhvillimet politike aktuale dhe të ditëve në vijim. Pra deri më tani nuk kemi pasur një korrelacion të veprimeve të cilat do të kishin një ndërlidhshmëri të njëjtë, e kësaj në masë të konsiderueshme i ndihmon edhe mos afrimi i qëndrimeve të subjekteve politike si institucione që përfaqësojnë qytetarët, sa i përket çështjeve në të cilat nuk duhet të ketë ndasi.

Politikës në Luginë i nevojitet para së gjithash:
- Unitet, për arsye se rrethanat në të cilat jemi duke kaluar do të jenë vendimtare për të rinjtë dhe pasardhësit tanë, andaj bashkimi për interesat me karakter krucial është më se i nevojshëm.
- Kreativitet, sepse qëndrimi indiferent ndaj situatave dhe pasiviteti, ndikojnë në humbjen e intuitës për të kuptuar atë se ç’po ndodh.
- Mos shikimi i tjetrit si armik, sepse kjo filozofi është mbjellë qysh herët, dhe ndikon në mosrealizimin e interesave të përbashkëta.
- Gatishmëri për përballje në çdo kohë me situatat që na vijnë, ku përmes kësaj shqiptarët e Luginës duhet të kenë grupe të ndryshme punuese profesionale , projekte etj.
- Komunikim të vazhdueshëm me diasporën.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0