Home | Opinion | * * *

* * *

image
Ç’është e vërteta, një pjesë e përgjigjes është e vërtetë: shoqëritë shqiptare janë në krizë shtetndërtimi, e një pjesë e arsyes është edhe fakti se a) nuk u ndërtua një shtet përbashkues shqiptar...

 

 

 


Veton Surroi

 


1. 
Tre shoqëri shqiptare në Ballkan janë në prapakthim. Fjala është për një ecje regresive të tri shteteve të Ballkanit Perëndimor me popullatë autoktone shqiptare, e cila i kthen ato në pikëpyetjet themelore të vitit 2001, e ndoshta edhe më prapa.
Para dhjetë vjetësh, Shqipëria ishte duke formuluar politikat e veta në bazë të parullës bazike nga demonstratat e dhjetorit të vitit 1990, “Edhe ne si e gjithë Europa”. Pas shkrirjes së shtetit më 1997, Shqipëria kishte rimarrë veten, bile aq sa për t’u përbashkuar rreth objektivit të anëtarësimit në NATO dhe procesit të integrimit në BE. Dilema e dhjetëvjetëshit 1991-2001 “A mund të bëhet Shqipëria si e tërë Europa?” u shndërrua në pyetjen “Si të bëhet Shqipëria si e tërë Europa?”. Në dhjetëvjetëshin e kaluar vendi do të hynte me hapa të përshpejtuar në reformat për t’u anëtarësuar në NATO dhe njëkohësisht të hynte në procesin e Stabilizim-Asociimit për në BE.

Më 21 janar të këtij viti, e me Marrëveshje të nënshkruar Stabilizim-Asociimi dhe me stazh anëtari të NATO-s, Shqipëria u kthye në gjendjen e para vitit 2001. Ndaj demonstratave të opozitës (gjithsesi jo krejtësisht të padhunshme, gjykuar prej një numri konsistent njerëzish që përpiqej me gurë të hynte në objektin e Kryeministrisë) u shkrep përgjigjja e palejueshme e armëve të zjarrta. Katër të vrarë në demonstrata politike, të qëlluar nga forca të rendit, nuk ndodh në asnjë vend me vlerë europiane.
Për më tepër në vend të të hulumtuarit të esëllt të asaj që ndodhi, në Shqipëri u instalua një atmosferë gjuetie shtrigash, e ilustruar jo pak me një Komision hetimor parlamentar që më shumë i përngjante atij të senatorit famëkeq McCarthy në vitet ‘50 se sa një demokracie europiane që do ta rigjejë veten. Nëse Shqipëria matet me fjalorin e udhëheqësve të saj, të pushtetit e të opozitës (paçka toni i teprimit mesdhetar) atëherë vendi gjendet në hapësirën mes “kusarisë” së pushtetit dhe “përpjekjes për puç” nga opozita- gjithsesi jo në hapësirën e një demokracie funksionale.

Brenda pak ditësh maja e shkrirë tregoi se çfarë është ajsbergu në Shqipëri: një proces që rrezikon të delegjitimojë nocionin e Shqipërisë europiane. Në regresionin e vet historik, vendi kthehet në gjendjen para pyetjes “Si të bëhet Shqipëria si e tërë Europa?”, pra në pyetjen “A mund të bëhet Shqipëria si e tërë Europa?”.

2.
 Kosova para dhjetë vjetësh hynte në finalen e procesit të gjatë të ndërtimit të shtetësisë, të filluar me dështimin historik të ndërtimit të Shqipërisë autoktone. Kjo finale interaktive nënkuptonte që sa më shpejt të aftësoheshin institucionet e zgjedhura demokratike, aq më shpejt do t’u jepeshin atyre kompetenca nga protektorët ndërkombëtarë dhe kështu deri në aftësim për pavarësi. Kjo quhej një ecje drejt legjitimimit të shtetësisë.

Procesi, me një shtytje të madhe politike amerikane dhe të disa shteteve europiane, arriti shpalljen e pavarësisë dhe ecjen e ngathtë të shtetit për tre vjet. Por, ai, pra, procesi, tregon dy deficenca themelore. Nga njëra anë, me marrjen formale të kompetencave, kosovarët po tregohen në disa fusha jo shumë të suksesshëm, të ngathtë e mbase edhe të paaftë për t’i menaxhuar ato. Ilustrim janë zgjedhjet: sa më pak involvim ndërkombëtar gjatë këtyre dhjetë vjetëve aq më i madh dëmtimi i procesit nga ana e kosovarëve, deri te hajnia e hapur e demonstruar në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 2010.

Nga ana tjetër, protektorët ndërkombëtarë (përfshirë edhe EULEX-in, si protektor i butë i paspavarësisë) kanë dështuar në misionin e tyre bazik, vendosjen e rendit dhe të ligjit në tërësinë tokësore të Kosovës, si dhe vendosjen e bazave të një sundimi të pavarur të ligjit. Krahasuar me indiferencën ndërkombëtare, çfarëdo paaftësie kosovare në qeverisje duket mbase lule e dritë.

Produkti i paaftësisë së përbashkët kosovare dhe ndërkombëtare është vendosja e një standardi tejet të ulët të funksionimit të shtetit; suksesi i funksionimit të shtetit quhet vetëm stabiliteti i tij bazik, pra mungesa e dhunës. Çdo gjë tjetër që do të duhej të siguronte shteti, prej tërësisë tokësore deri te sistemi shëndetësor as që merren parasysh, për aq sa Kosova tashmë ka hyrë në zonën e rrezikshme të delegjitimit të një aspirate të vetën bazike: shtetësisë.

Dhe kjo është një goditje e përmasave historike, ngase prej momentit kur kuptoi se nuk bëhej pjesë e Shqipërisë, Kosova shqiptare është angazhuar për ndërtimin e shtetësisë, qoftë nëpërmjet koniunkturës së atëhershme në Jugosllavi, qoftë me organizata ilegale, qoftë me lëvizjen demokratike të kryesuar nga Rugova, qoftë nga lufta e armatosur e UÇK-së. Gjatë një pjese të madhe të shekullit XX, pyetja themelore ka qenë: “Si të bëhet Kosova shtet?”.

Tash, kur Kosova e ka emrin e Republikës së pavarur, po ashtu ka mbërritur te dilema mbi funksionimin e shtetësisë. Shtet i papërfunduar, me një pjesë të territorit të vet të ndarë, me një legjitimitet të cunguar ndërkombëtar, me nivel të ulët të demokracisë e edhe më të ulët të institucioneve funksionale e të pavarura shtetërore – Kosova ka hyrë në prapakthim, drejt pyetjes se a është fare i mundshëm funksionimi i shtetit aq sa të përmbushë aspiratat bazike të popullatës në tërë territorin e tij. Pyetja është tash: “A do të mund të mbahet si shtet?”

3.
Në Maqedoni, shqiptarët kaluan një rrugë të gjatë, pothuaj të një shekulli të tërë për të mbërritur në një pozicion të definuar më 2001, gjatë kryengritjes së shkurtër të armatosur dhe procesit negociator që kulmoi me Marrëveshjen e Ohrit. Pozicioni i mbërritur para dhjetë vjetësh ishte ai i shqiptarëve si faktor shtetndërtues në Maqedoni, d.m.th. të aksionerit (hisedarit) legjitim të shtetit të ri.

Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, Marrëveshja e Ohrit, me mungesë vizioni historik nga faktori maqedonas dhe mungesë konsistence nga faktori shqiptar është zvetënuar në negociata të përditshmërisë. Republika e Maqedonisë, e ngrirë në ecjen e vet euroatlantike për shkak të kontestit rreth emrit, ka krijuar një lëvizje populliste maqedonase që përpiqet të ndërtojë legjitimitetin e vendit me projekte të së kaluarës, qoftë të shpikur, qoftë reale (prej emërtimeve të Aleksandrit të Madh deri te projekti Skupi 2014). Vendi është tashmë i ndarë në tri blloqe të mëdha : popullizmi antieuropian maqedonas, besimi i shqiptarëve se vendi do të jetë anëtar i NATO-s e BE-së dhe blloku i indiferencës. Maja e ajsbergut u vërejt këto ditë në Shkup, në konfliktin mes civilëve shqiptarë dhe atyre maqedonas rreth ndërtimit të një kishe ortodokse maqedonase në Kalanë e Shkupit (pjesë e rikërkimit të identitetit maqedonas).

Debati rreth kishës, i lënë jashtë ndërmjetësimit të institucioneve publike, degjeneroi lehtë në konflikt fizik - e kështu mund të shkojë në tërë vendin.
Shqiptarët e Maqedonisë, duke mos marrë pjesë në definimin e identitetit të vendit, qofshin të larguar, të pakonsultuar apo të përjashtuar nga ky proces, janë duke hyrë me shpejtësi të madhe në procesin e delegjitimimit të të arriturës së tyre të para 10 vjetësh, pra të faktorit shtetndërtues të Maqedonisë. Dhe pyetja që pason, në të kuptuar se nuk po e ndërtojnë shtetin, është krejtësisht e parashikueshme në skajshmërinë e vet: nëse nuk e ndërtojmë shtetin, nëse nuk kemi hise në të, përse jemi në të?

4.
 Të përmbledhura në një fjali, të tri krizat shqiptare janë në një proces tranzicioni të ndalur, apo të një tranzicioni që ecën mbrapa. Shqipëria është në rrezik të ecën në drejtim të kundërt prej atij të integrimit në BE, Kosova në drejtim të kundërt prej atij të konsolidimit të shtetësisë, ndërsa Maqedonia në drejtim të kundërt prej atij të ndërtimit të një shteti të legjitimuar prej qytetarëve të saj shqiptarë.

Kjo e sjell tërë regjionin e banuar nga shqiptarët në një gjendje të veçantë historike, asaj të largimit (qoftë edhe relativ) nga procesi i integrimit europian dhe vendosja në zonë gri të proceseve çintegruese e regresive që menduam se kaluan me shekullin XX. Në vend të procesit historik integrues në Europë, shqiptarët e Ballkanit, kështu, gjenden në rrezikun që për dhjetë vitet e ardhshme të merren me veri të Kosovës apo definimin e “regjionit shqiptar” të Maqedonisë – që të gjitha këto axhenda të vendosura më herët gjetiu, nga nacionalizmi serb, në formën e vet më ekstreme, në Republikën serbe të Bosnjës.

E nga ana tjetër, nga ana e BE-së, nuk është se shqiptarët po priten nga “kushërinjtë” e tyre europianë me duar të hapura. Brukseli i sotëm po ballafaqohet me krizën e vet të përhershme të rritjes: BE-ja ka më shumë vende anëtare se sa kapacitet institucional për të funksionuar me të; e në momentin kur mbërrin marrëveshje të re politike, siç është rasti me Lisbonën, ajo marrëveshje në një botë kaq dinamike është tashmë e tejkaluar. Shembulli më i mirë është rrezikimi i euros.

Në një këso Europe, kur të përfundojë procesi i anëtarësimit të plotë të Kroacisë në BE, brenda dy vjetëve të ardhshëm, në rend të ditës mund të shtrohet ndoshta anëtarësimi paralel i vetëm dy shteteve të tjera: Serbisë dhe Malit të Zi, sepse të tjerat nuk do të jenë gati. Kështu, në fund të këtij dhjetëvjetëshi, të vetmit shqiptarë autoktonë shtetas të vendeve të porsaanëtarësuara në BE mund të jenë ata nga “periferitë”, pra ata të Luginës së Preshevës dhe ata të Malit të Zi. 
Më 2021 jashtë do të mbetej pjesa dërmuese e shqiptarëve autoktonë të Ballkanit (natyrisht ajo pjesë që nuk zgjodhi emigrimin).

5.
 Nëse ka një rrugë shkurticë për në përgjigjen e pyetjes se përse janë këto tri kriza shqiptare, atëherë e para që del është se “janë tri kriza se pse shqiptarët nuk janë bashkë”. Që do të thoshte se në rastin më të keq, po të ishin bashkë, do të ishte vetëm një krizë.

Ç’është e vërteta, një pjesë e përgjigjes është e vërtetë: shoqëritë shqiptare janë në krizë shtetndërtimi, e një pjesë e arsyes është edhe fakti se a) nuk u ndërtua një shtet përbashkues shqiptar dhe b) kur u shpall tashmë këtë e kishin bërë shumë më herët të gjithë fqinjët, duke gllabëruar një pjesë bukur të madhe territoresh autoktone.

Por, a është, a mund të jetë ilaçi për këto tri kriza bashkimi i të tria shoqërive në një shtet? Arsyetimi nuk është pa validitet: nëse Kosova gjatë viteve të ardhshme nuk arrin të ecën përpara dhe mbetet shtet i papërfunduar, rruga më e shkurtër për të qenë anëtar i NATO-s do të ishte nëpërmjet bashkimit me Shqipërinë. Dhe e njëjta gjë vlen për shqiptarët e Maqedonisë, në paralizën e tyre me emrin e shtetit. Duke qenë nën ombrellën e NATO-s, do të siguronin ekzistencialisht ardhmërinë – pa marrë parasysh koniunkturat në disa prej shteteve europiane. Vënë kështu, shqiptarët e Kosovës do ta kishin siguruar ekzistencën pa marrë parasysh se ç’ka mendon për këtë Qiproja a Rumania dhe ata të Maqedonisë pa marrë parasysh se ç’ka mendon Greqia.

Rrjedhimisht, kjo do të vlente edhe për në integrim europian.
Por, një listë të mëdha pikash do të kundërshtonin logjikën e kësaj qasjeje. 
Së pari, Shqipëria. Mungesa e Kosovës dhe e një pjese të Maqedonisë si pjesë e territorit të saj nuk ka me se ta pengojë në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës - zgjedhje të lira, institucione të pavarura të drejtësisë, shtyp i lirë e i pavarur. Kriza e Shqipërisë nuk ka as më të voglin ndikim nga Tetova a Prishtina - legjitimiteti zgjedhor nuk u prish nga Kosova e Maqedonia (për më tepër, këto dy vende kanë problemet e veta me legjitimitetin zgjedhor).

Së dyti, ndërtimi i shtetit unik shqiptar do të ishte më shumë produkt aksidental se sa një proces i legjitimuar ndërkombëtar. Aksidental, sepse do të ishte reagim ndaj dështimit të funksionimit të Maqedonisë e pastaj edhe fitores së konceptit të ndarjes etnike (me Veriun e Kosovës dhe me Republikën serbe në Bosnje e Hercegovinë). Si i tillë, do të ishte i dhunshëm, me spastrime etnike të ndërsjella në Kosovë e Maqedoni. Dhe si i tillë, do të arrihej vetëm në rast të fitores së politikës nacionaliste të Serbisë, të shkëputjes së Republikës serbe dhe të Veriut të Kosovës.

Së treti, edhe po ta kishte bekimin ndërkombëtar (eliminimin e pengesës nga Pakoja e Ahtisaarit për bashkim) çështja themelore do të ishte - pas tërë këtij procesi që do të merrte gjak, energji dhe para - se a do të prodhonte bashkimi stabilitetin e menjëhershëm? A është Shqipëria e këtillë çfarë është e gatshme të absorbojë dy shoqëri të tjera të definuara shqiptare, të Kosovës dhe të Maqedonisë?

Së katërti, a ka vullnet për këtë gjë? Ndonëse në hulumtimet e opinionit publik opsioni i bashkimit është gjithnjë e më shumë në rritje në Kosovë e Maqedoni (sa më i madh stagnimi në këto vende), në Shqipëri vazhdon të mbetet jomazhoritar.


Mundësitë e riparimit (2)

 

Realitetet në dy prej tri shoqërive shqiptare janë të riparueshme relativisht me pak investim, apo janë në kufirin ku ende mund të jenë të riparueshme. Në Maqedoni dhe në Shqipëri, kombinimi i politikave vendëse dhe i infuzionit politik europian (apo euroamerikan) ka mundësi të ndryshimit të gjendjes.

6. 
Nëse skenari i përsëritjes së dhunës, i spastrimeve etnike e i gjakderdhjes është gjithnjë i frikshëm (dhe fatkeqësisht, ende me gjasa, ndonëse të vogla), po aq i frikshëm duhet të jetë skenari i vendnumërimit për shumicën shqiptare autoktone në Ballkan. Në të, do të ruhej një lloj atrofimi i institucioneve të shtetit në të tria shoqëritë, me veçoritë e tyre gjegjëse. Shqipëria do të ecte më tutje në një model ku korrupsioni nuk është i llogaritur vetëm si kosto e biznesit, por edhe si kosto e pranuar e ndërtimit të mëtejmë të shtetit. Ashtu siç e di çdo ndërmarrës sot në Shqipëri, dhe e ka pranuar si mënyrë jete, ryshfeti është pjesë e kostos (siç është qiraja e objektit, pagesa e energjisë elektrike apo e materialit riprodhues)- ashtu shteti mund të integrojë korrupsionin (klientilizmin etj.) si pjesë të zhvillimit të institucioneve të tij. Në këtë skenar, lufta politike në vend do të bëhej (siç ka paralajmërim që tani) për luftë kontrollimi tregjesh mes dy blloqeve të mëdha politike. Institucionet e shtetit në mënyrë ciklike, atëbotë, do të bëheshin me fituesin e zgjedhjeve. Dhe, në këtë mënyrë zgjedhjet, dhe tërheqja magnetike për manipulimin me to, përfitojnë dimensione më të thella të rëndësisë: ato nuk bëhen vetëm për vendosjen e pushtetit, por për kontrollimin e tregjeve dhe të institucioneve të shtetit që duhet të garantojnë këtë kontroll. Partitë politike, në kësi skenari, bëhen organizata “ushtarake” për rrëzimin e kundërshtarit që kontrollon, apo ka potencial të kontrollit të tregut. Mediat, si pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, do të zbrisnin nga “pushteti i katërt” për t’u bërë, siç janë sot, pjesë të “ushtrive”.

Kosova, në modelin e vendnumërimit, mund ta kalojë dhjetëvjetëshin pa asnjë vendim substancial rreth problemeve të veta strukturore. Mund ta ketë “konfliktin e ngrirë” në veri, një status hibrid në marrëdhëniet me BE-në - ku mund të ekzistojë një bashkëpunim, por jo edhe partneritet kontraktual - një legjitimitet të cunguar ndërkombëtar pa anëtarësim në OKB. Edhe mund t’i zgjidhë disa prej këtyre, në bisedime të mundimshme me Serbinë, që prej ditës së parë i sigurojnë Serbisë kredibilitet europian e Kosovës kushtëzime për koncesione. Në fund të dhjetëvjetëshit, ose edhe shumë më herët, mund ta shpallë veten të dështuar, të mbajtur me infuzionin e pranisë ndërkombëtare.

Maqedonia mund të kalojë tërë një dhjetëvjetësh duke gjetur vende ku duhen vendosur monumente që duhet të përkujtojnë a ndërtojnë (nga e para) identitetin e maqedonasve -deri në zhbërje të plotë të shtetit.

Skenari i atrofimit është dyfish i dëmshëm për shqiptarët e Ballkanit. Në të, në fund të dhjetëvjetëshit (2021) dy prej tri shteteve do të ishin jofunksionale e në zhbërje, me popullatë shqiptare që do të kërkonte, pas njëqind vjetësh, shpëtimin në krijimin e një shteti kombëtar. Shteti fillestar shqiptar, Shqipëria, do të ishte e painteresuar dhe/ose e paaftë për të menaxhuar një gjendje të këtillë.

Në vitin 2021, shqiptarët e Ballkanit do të ishin ndarë në dysh: ata që janë në BE, duke emigruar, dhe ata që janë larg BE-së, duke mbetur të jetojnë në vendet e tyre. Në këtë vit, një vend që ka gjysmë shekulli premtimi të “perspektivës europiane”, Turqia, nuk do të jetë vend anëtar i BE-së dhe do të ofrojë një perspektivë tjetër, të përbashkësisë në një skemë së bashku me disa shtete të Lindjes së Mesme, ku shqiptarët e shekullit XIX kishin shërbyer qoftë si asqerë, qoftë administratorë të Perandorisë Otomane.

Dikund gjatë këtij dhjetëvjetëshi, fryma e Lindjes së Mesme, me anë të revolucioneve arabe do të mund të arrinte në tokat shqiptare si përkujtim se gjërat janë përkeqësuar për aq sa duhet të ndryshojnë në rrugë.

7. 

Megjithatë, sado realë të duken skenarët negativë, nuk është e thënë se duhet të mbeten të këtillë. Realitetet në dy prej tri shoqërive shqiptare janë të riparueshme me relativisht pak investim, apo janë në kufirin ku ende mund të jenë të riparueshme. Në Maqedoni dhe Shqipëri, kombinimi i politikave vendëse dhe i infuzionit politik europian (apo euroamerikan) ka mundësi të ndryshimit të gjendjes.

Maqedonia mund të jetë rasti më i lehtë, sado që çështja e emrit të vendit duket që zvarritet aq gjatë sa të bëhet çështje e pazgjidhshme. Deri më sot, në negociatat mes palës maqedonase dhe asaj greke nuk është arritur kompromisi për emrin e vendit, gjë që ka bllokuar anëtarësimin në NATO dhe ka paralizuar në një masë reformat në vend. Shqiptarët në Maqedoni, nuk kanë marrë pjesë në këto negociata me arsyetim se kjo është çështje e ndjeshme e identitetit të maqedonasve etnikë. Kjo politikë megjithatë duhet të ndryshojë, dhe shqiptarët duhet të jenë partnerë konsensualë në definimin e emrit të Republikës së Maqedonisë, meqë kjo çështje ka të bëjë si me identitetin e tyre shtetëror ashtu edhe me nevojën e zhbllokimit të integrimeve euroatlantike. Partitë shqiptare, ashtu siç krijuan një platformë të përbashkët në Marrëveshjen e Prizrenit më 2001 (që i parapriu asaj të Ohrit), duhet të definojnë interesat e tyre strategjikë dhe e drejta e definimit të emrit të shtetit duhet të jetë njëra prej pikave.

Konsensusi i brendshëm shqiptar, pastaj ai maqedonas-shqiptar duhet të jenë, njëkohësisht një pikë themeltare e iniciativës së re euroamerikane. Një marrëveshje mes partive shqiptare duhet të përcaktojë se cilado parti shqiptare që hyn në qeverinë e ardhshme të Maqedonisë këtë do ta bëjë me kushtin që çështja e emrit të zgjidhet brenda një viti, dhe brenda këtij viti Maqedonia të anëtarësohet në NATO. Ky pozicion duhet të jetë baza e marrëveshjes maqedonase e shqiptare, para zgjedhjeve të përkohshme parlamentare e do të duhej të përkrahej me hapa konkretë të integrimit të Maqedonisë brenda NATO-s dhe shpejtimit të integrimit në BE. Gjithashtu, dhjetë vjet pas Marrëveshjes së Ohrit, partitë shqiptare duhet të bëjnë llogarinë - dhe të definojnë se çka u është mbetur borxh.

Me këtë ndryshim, çështja e emrit të Maqedonisë do të zhbllokohet, do të largohet nga sfera e populizmit e të kaluarës, ku është futur prej dhjetë vjetësh në sferën e ardhmërisë europiane të vendit. E vetmja mënyrë se si ky vend mund të ketë ardhmëri europiane, apo madje edhe fare ardhmëri, është nëse për këtë pajtohen edhe shqiptarët.

8.
 Shqipëria është në krizën e njëjtë, ndonëse në kushte tashmë të ndryshuara, pothuajse 20 vjet. Është kriza e vendosjes së legjitimitetit të pranuar të demokracisë, një trekëndësh i përsëritur dhe i stërpërsëritur mes pushtetit, opozitës dhe bashkësisë ndërkombëtare. Dy gjëra në thelb nuk kanë ndryshuar: ankesat e bazuara të opozitës (kushdo që të jetë në të) dhe natyra e ndërhyrjes së bashkësisë ndërkombëtare.

Opozita - kushdo të ketë qëlluar në të - ka pasur gjithnjë të drejtë. Zgjedhjet në Shqipëri nuk kanë arritur (thuhet me shpoti: pos të parave kur nuk kishte kush përvojë vjedhjeje) përmbushjen e standardit të pranueshmërisë, pra të legjitimitetit.

Dhe, ndërhyrja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë në masë të madhe e një natyre, asaj të zjarrfikësit. Ç’është e vërteta, në një formë të paprecedentë në gjysmën e dytë të shekullit XX, ngase bashkësia ndërkombëtare u desh të dërgonte ushtarë në Shqipëri dy herë. Së pari, për të siguruar që ndihma në ushqim do të mbërrinte te qytetari me nevojë dhe së dyti, për të siguruar që zhbërja e shtetit më 1997 të mos degjeneronte në një shkallë të pariparueshme. Krahasuar me këto, shkuarje-ardhjet e këtij viti, të diplomatëve amerikanë e europianë, duken krejtësisht minore - por thelbi është i njëjtë. Në njëzet vjetët e fundit, bashkësia ndërkombëtare është dashur të vinte për të rregulluar krizën e radhës në Shqipëri.

Dy ndryshime konceptuale mund të ndryshojnë edhe mënyrën e zgjidhjes së krizës së legjitimitetit.

Ndryshimi i parë është në formatin negociator. Në vend të formatit ku negociatat zhvillohen herë për njërën gjë e pastaj, pas një kohe, për tjetrën, vendi ka nevojë për formatin e “negociatës së fundit”. Kjo do të thotë që palët pajtohen të vënë në tryezë tërë listën e ankesave dhe të kërkesave që do të krijonin një gjendje të legjitimitetit të plotë, me shprehje eksplicite se pas konkludimit të procesit negociator nuk do të ngrihen më çështje të natyrës substanciale.

Një ndryshim i këtillë konceptual do të evitonte besimin apo drojën e tanishme mes poleve politike (çfarëdo që të jetë ndjenja) se edhe kjo krizë do të përballohet disi dhe se kundërshtari do të goditet në pritën e radhës. Për më tepër një ndryshim i këtillë konceptual është më se i nevojshëm për bashkësinë ndërkombëtare, që të tejkalojë rolin e zjarrfikësit.

“Negociata e fundit” do të lidhej me tërë listën e problemeve të hapura që i ka vendi në vendosjen e legjitimitetit demokratik të institucioneve të veta të zgjedhura, duke filluar prej listave zgjedhore.

Ndryshimi i dytë konceptual është ai i natyrës së ndërmjetësimit. Në njëzet vjetët e fundit, siç u pa edhe në formë të skajshme, bashkësia ndërkombëtare ka pasur një ndërhyrje, krizë pas krize. Kjo ka krijuar një instinkt të “crisis response” (“përgjigje ndaj krizës), ndaj problemeve të Shqipërisë. Ardhja në vitin 2011 e dy diplomatëve të lartë amerikanë e europianë, Steinberg dhe Lajçak, me mision shtendosjeje të acarimit mes pushtetit dhe opozitës, është reagim i këtij instinkti.

Natyra e ndërhyrjes amerikane dhe asaj europiane mund të ndryshojë. Së pari, duke mos e përsëritur veten: Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë “shuttle diplomacy” në Bulevard, ku diplomatët amerikanë dhe europianë i kalojnë disa qindra metra prej Kryeministrisë e bashkisë për t’u siguruar që palët do të kenë mirësjellje. Tashmë palët në konflikt, pushteti dhe opozita, duhet të shkojnë në një pikë të caktuar takimi, në tryezën e bisedimeve. Dhe, tryeza nuk duhet të jetë as në Strassbourg e as në Bruksel, por në Tiranë, te Presidenti i Republikës.

Por, për dallim prej përpjekjeve të mëhershme për ndërmjetësim te Pallati i Brigadave, diplomatët e lartë europianë dhe amerikanë, do të duhej të ishin përkrahë Presidentit të Republikës, si përforcues të procesit negociator.

Dhe, për dallim prej mënyrës se si ka filluar ndërhyrja europiane dhe ajo amerikane, do ndryshuar profili i mesazhit euroamerikan. Këto negociata nuk duhet të jenë edhe një në listën e zgjidhjes së krizave, por negociata që futen në kuadër të ambicies europiane të Shqipërisë. Në ndarjen burokratike të BE-së, një negociatë e këtillë më shumë se me zyrën e baroneshës Ashton do të duhej të ishte e lidhur me zyrën e Stefan Fuhles. Konceptualisht, këtë krizë do ta sjellë në kontekstin e zgjerimit të BE-së, e jo në atë të “revolucioneve të jaseminit”.

Siç u pa me liberalizimin e vizave, me një cak të përcaktuar dhe të matshëm, Shqipëria mund t’i bëjë reformat e nevojshme. Një kornizë e këtillë, me caqe të përcaktuara dhe të matshme në integrimin europian, janë të nevojshme për tryezën e Presidentit, gjegjësisht për “negociatën e fundit” në Shqipëri. “Negociata e fundit” për zgjedhje në Shqipëri duhet të jetë e lidhur me statusin e kandidatit të vendit. Pa e arritur pajtimin, Shqipëria nuk mund ta fitojë këtë status.

Një këso liste caqesh janë më së të nevojshme për natyrën e jetës politike në Shqipëri, e cila ka mbërritur në pikën e fundit të humbjes së legjitimitetit të politikanëve - një strukture që nëpërmjet korrupsionit është duke ngrënë substancën e konceptit të demokracisë në vend.

Kuti matës për politikën ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht: prej gjendjes së tanishme të shumës së ryshfetit në gjendjen e indikatorëve të kaptinave të negociatave me Bashkimin Europian.

 

Kosova buzë greminës (3)

 

Kosova po drejtohet me shpejtësi të madhe nga modeli i “shtetit të dështuar”, ndërsa riparimi i kësaj krize nuk mund të bëhet në kornizat e tanishme.

9. Krahasuar me dy krizat e tjera të shoqërive shqiptare, ajo e Kosovës është më e ndërlikuara dhe gjendet buzë asaj gremine kur mund të bëhet e pariparueshme.

Shteti i papërfunduar, me mungesë shtrirjeje të autoritetit në tërësinë tokësore, me legjitimitet të kontestuar ndërkombëtar, me ekonomi mbijetese bazike, institucione të dobëta qeverisëse dhe një mungesë qartësie të pranisë e kompetencave të “protektorit europian”, Kosova ka hyrë në një cikël negativ politik të paprecedentë.

Në nivel të opinionit ndërkombëtar, ka rrezik të shndërrohet në një vend të izoluar e të rrethuar me një kordon sanitar politik. Me muaj të tërë, në opinionin relevant perëndimor Kosova po vlerësohet si vend i udhëhequr prej një zinxhiri mafioz-politik. Këtij vlerësimi nuk i ndihmon zgjedhja e dyshimtë (për shumëkënd e turpshme) e një Presidenti, emri i të cilit ka më shumë lidhje me afera shpëlarje parash të Jelcinit e liderëve të Azisë Qendrore sesa me angazhimin për demokraci e sundim të ligjit.

Në nivel të brendshëm, Kosova ka pasur zgjedhje me legjitimitet të kontestuar dhe të kontestueshëm, që kanë prodhuar një qeveri tejet të brishtë nga aspekti i përkrahjes bazike të shumicës shqiptare dhe një President të kontestuar edhe para se të zgjidhet në rrethana jolegjitime.

Në një gjendje të këtillë negative, vendi do të sfidohet edhe më. Tashmë ka filluar një proces negociator me Serbinë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, i cili ka për qëllim esencial që të sigurojë statusin e kandidatit të Serbisë për anëtarësim në BE nëpërmjet zgjidhjesh kompromisi në marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, kompromis i ndërtuar mbi kompromisin gjeneroz të arritur mes Kosovës dhe Presidentit Ahtisaari.

E izoluar nga procesi historik i integrimeve europiane, Kosova është protektorat i butë (dhe deri tani joefikas) i BE-së. Dhe, në formën e vet të funksionimit, u afrohet edhe kontinenteve të tjera e kohërave të kaluara: sfida kryesore ekonomike e vendit për qeverinë nuk është rritja e prodhimit apo e punësimit, por shitja e aseteve kyç, siç është PTK-ja, për të mbushur vrima të mëdha të buxhetit për këtë vit. Edhe kur të kryhet kjo shitje, do të shtrohet pyetja e ardhshme: Çfarë duhet shitur nga pasuria kombëtare për të mbushur buxhetin e vitit 2012?

Vendi po drejtohet me shpejtësi të madhe nga modeli i “shtetit të dështuar”.

Riparimi i kësaj krize nuk mund të bëhet në kornizat e tanishme, sepse korniza e tanishme mund të prodhojë një gjendje siç vijon:

- Negociatat me Serbinë: ngrirjen e mëtejme të veriut të Kosovës, shndërrimi i tij në objekt negociatash për vite me radhë dhe mungesë perspektive e prekshme europiane me Kosovën.

- Ekonomia: cikli vicioz i shitjeve të aseteve për mbushje vrimash buxhetore që bëhen më të mëdha, për shkak se mungon rritja e prodhimit.

- Skena politike: institucione me mungesë gjithnjë e më të mëdha legjitimiteti të brendshëm e të jashtëm të përdorura për negociata me Serbinë dhe të lëna që të luftojnë (qoftë edhe me dhunë) për ruajtjen e pushtetit.

10. Kosova mund të ecë edhe më tutje drejt greminës, por masa kritike e energjisë në vend është opozitare. Energjia opozitare, nëse nuk mungon ndërmjetësimi institucional (vendime në Kuvend, marrëveshje politike pushtet-opozitë) mund të dalë në rrugë, me të vetmen kërkesë: rrëzimin e pushtetit. Kosova, nga të gjitha krizat shqiptare mbase është më së afërmi frymës së tanishme të vendeve të Magrebit, por, për dallim prej Egjiptit, e madje edhe Tunizisë, nuk do të kishte as edhe një institucion të besueshëm që mund ta luante rolin stabilizues, siç e bëri ushtria në ato vende. Rrëzimi i pushtetit në rrugë do të mund të ishte pjesë e së njëjtës rrugës drejt greminës, të shthurjes së mëtejme institucionale, me shpresë të largët se në fund të kësaj ecjeje negative do të dilte një kontekst i ri politik.

Por ndoshta ekziston ende mundësia që konteksti i ri politik duhet kërkuar dhe gjetur në institucionet e vendit. Ato në krizën e tanishme duhet të ndërmarrin dy hapa në dy fushat ku rrezikohet substanca e shtetësisë së Kosovës.

E para është fusha e legjitimitetit të institucioneve. Vendi ka nevojë për zgjedhje të besueshme të Presidentit të vendit dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme lokale dhe parlamentare. Fatmirësisht e në parim, ekziston një konsensus bazik i spektrit politik që Presidenti i vendit të zgjidhet me votim të drejtpërdrejtë. Duke shfrytëzuar këtë konsensus, vendi duhet nëpërmjet të amendamentit kushtetues të zgjedhë Presidentin, pa i ndryshuar kompetencat e Presidentit, të cilat janë të mjaftueshme për këtë demokraci parlamentare. Alternativa mund të imponohet me vendimin eventual të Gjykatës Kushtetuese mbi veprimin antikushtetues të Pacollit (apo zgjedhjen e tij jokushtetuese), me ç’gjë duhej larguar me të shpejtë Pacolli prej postit. Por edhe ndaj këtij veprimi përgjigjja do të mund të ishte zgjedhja e drejtpërdrejtë e Presidentit. Amendamenti i thjeshtë i Kushtetutës, me vetëm mënyrën e zgjedhjes së Presidentit, do të mund të bëhej në qershor të këtij viti. Zgjedhjet do të mund të mbaheshin brenda këtij viti, edhe me të gjithë rreziqet e precedencës negative të zgjedhjeve të kaluara. Dy avantazhe në këto precedenca negative do të ishin mobilizimi i shtuar për mbikëqyrje të zgjedhjeve, si në vend ashtu edhe nga vëzhguesit e huaj; gjithashtu fakti se do të ishin zgjedhje teknikisht të thjeshta, pa shumë operacione të ndërlikuara numërimi (siç është rasti me ato parlamentare).

Dhe, po ashtu sivjet, duhet të fillohet me reformat e nevojshme zgjedhore që do të sigurojnë që zgjedhjet e ardhshme lokale dhe parlamentare (është çështje në diskutim ende, a do të jenë të hershme apo të rregullta).

Fusha e dytë është ajo e ardhmërisë europiane të Kosovës. Duhet të ndërpritet modeli i tanishëm i fillimit të negociatave mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara prej Bashkimit Europian. Arsyet janë shumë të thjeshta: në mungesë të tanishëm legjitimiteti, Kosova nuk mund të flasë me një zë të përbashkuar për interesat e veta jetike. Nga ana tjetër, këto negociata janë të vendosura në asi formati që për dy nga tri palët e përfshira është e qartë perspektiva: për Beogradin statusi i kandidatit në BE, për ndërmjetësin europian avancim institucional të politikës së re të jashtme pas Traktatit të Lisbonës. Për Prishtinën ardhmëria europiane mbetet e njëjtë, krejtësisht e paqartë.

Në vend të këtij modeli, e pas konsolidimit të legjitimitetit bazik institucional (të garantuara me zgjedhje të lira presidenciale) Kosova dhe BE-ja duhet të hulumtojnë një format bisedimesh që i garanton Kosovës barazi themeltare, barazi krahasuar me vendet tjera në perspektivën europiane.

11. Vendimet që merren sot në tri krizat shqiptare kanë implikime për dhjetë vitet e ardhshme, e ndoshta më shumë. Gjatë këtij dhjetëvjetëshi, shqiptarët në Ballkan do të tundohen (në kushte krejtësisht të reja) nga dy ide bazike integruese. E para është ideja e Bashkimit Europian, një projekt që është gjithnjë në zhvillim e sipër. E dyta mund të jetë ideja lindore që mund të përforcohet këto ditë nga një energji e re. Energjia e re lindore po ndërtohet nga Turqia, një shteti me institucione demokratike dhe ekonomi kompetitive në nivel botëror. Po ndërtohet po ashtu nga përjashtimi konceptual që i bëhet Turqisë si anëtar eventual i Bashkimit Europian, duke e lënë Turqinë që të ndërtojë sferën e vet integruese “neotomane”, me shtetet që ishin të sunduara dikur nga Stambolli. Dhe kjo energji mund të zhvillohet nga zhvillimi revolucionar në Magreb e Lindje të Mesme që do të kërkojë si pikë reference një shtet mysliman demokratik e funksional, Turqinë e padëshiruar nga BE-ja.

Dikund në mes të këtyre dy ideve, shqiptarët mund të kenë edhe një tundim. Mund të tundohen apo detyrohen të tundohen me pyetjen se a do të bashkohen mes vete territorialisht, me aksidentalitetin e historisë, apo me një projekt të determinuar historik, brenda një konteksti të gjerë europian. Mbase edhe neootoman?

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
5.00