Home | Opinion | Zhurmimi politik i dialogut Kosovë-Serbi

Zhurmimi politik i dialogut Kosovë-Serbi

image
Natyrisht, shumë gjëra, përfshirë edhe rrjedhën e negociatave Kosovë-Serbi, varen nga qëndrimi i qendrave ndërkombëtare të vendosjes, por në fund të fundit...

 

 

 

 


Sylë Ukshini

 


Duke pasur parasysh qasjen e deritanishme të Beogradit ndaj Kosovës, respektivisht pretendimet e hapura territoriale të shtetit serb ndaj Kosovës, dhe veçanërisht përvojën nga negociatat shqiptaro-serbe në të kaluarën, kur asnjëherë nuk pati ujdi, mbetet pak për të shpresuar se nga këto negociata Kosovë-Serbi mund të arrihet ndonjë marrëveshje konkrete, edhe për vetë faktin se Serbia nuk e njeh as shtetin e Kosovës si partner të barabartë dhe as dokumentin e Ahtisarit. Por, Serbisë i duhet të paktën proforma të dialogojë me Kosovën pa qenë e domosdoshme që të arrijë rezultate të prekshme. Po të ishte ndryshe, BE dhe qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes nga Serbia do të kërkonin respektimin e Planit të Ahtisarit, të cilin e ka refuzuar, ashtu siç i ishte kërkuar Milosheviqit të pranonte Marrëveshjen e Rambujesë si kusht për përfundimin e fushatë ajrore të NATO-s. Në vend të kësaj, në çdo variant nga ky dialog kërkohet të arrihet një kompromis në llogari të Kosovës, nga pala shqiptare, e cila pas Pakos së Ahtisarit, ishte e detyruar në heshtje të pranonte në heshtje Planin gjashtë pikësh si parakusht për vendosjes e EULEX-it me mandat neutral ndaj statusit.

Për më tepër, BE-ja, duke mos qenë unike rreth shtetësisë së Kosovës, pasi pesë vendet anëtare të BE-se (që ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe refuzojnë t’i bashkohen konsensusit te shumicës, kanë penguar kështu një qëndrim të unifikuar të BE-se), nuk do të jetë në gjendje të ushtrojë trysni mbi Beogradin, qoftë për të arritur ndonjë marrëveshje politike, qoftë për ta respektuar atë, pasi Brukselit i mungon komponenta e detyrimisë. Bile shpeshherë ka ndodhur që Kosova të ketë më shumë mbështetje nga vendet e rajonit sesa nga vetë BE-ja, i cili do të duhej të hiqte dorë nga qëndrimi mes Kosovës dhe Serbisë dhe në vend të kësaj, Serbia do të duhej t’i përshtatej BE-së ashtu si pesë vendet anëtare duhet t’i përshtaten 22 vendeve tjera anëtare, të cilat e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Kosova në anën tjetër, pa liberalizim të vizave dhe e fundit në procesin e Stabilizim Asociimit (nuk është as afër që të nënshkruaj Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit), me institucione të brishta, me problemet e njohura në fushën e sundimit të ligjit, shkallën e lartë të korrupsionit, dhe së fundi edhe me imazhin e dëmtuar në planin ndërkombëtar për shkak të shkrimeve tejet negative të disa mediumeve ndërkombëtare, ndodhet në një pozicion defanziv, e për të cilën gjë përgjegjësinë e bartin krahas lidershipit vendor, edhe BE-ja, e cila me qëndrimin e saj jounik dhe të paqartë ka pranuar lojën e Serbisë, që Kosova të trajtohet si një çështje akoma “e papërfunduar”. Në këtë kuadër, edhe misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, pos premtimeve dhe fjalëve të mëdha ka bërë pak dhe në shumë pikëpamje i ngjason UNMIK-u, bile nëse krahasojmë rrethanat e veprimit, bilanci i misionit evropian për sundimin e ligjit mbase do të dilte me një bilanc edhe më i varfër.

Cila është agjenda e bisedimeve

Edhe pse kanë kaluar disa muaj prej se është miratuar Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme e OKB-së, të cilën e kanë përkrahur 27 shtetet e BE-së, asnjëherë nuk është thënë qartë dhe pa ekuivokë, as në Prishtinë, as në Beograd, as në Bruksel dhe as në Uashington se cila do të jetë agjenda e bisedimeve midis dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë, respektivisht pse bëhet kaq zhurmë e madhe rreth këtij dialogu dhe njëkohësisht nuk precizohet se cilat janë tema e vogla dhe të mëdha. Nuk mjafton të ripërsëritet vetëm refreni se “veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës” dhe se “integriteti i Kosovës është i paprekshëm”.

Ndërkohë, derisa Prishtina ripërsërit refrenin se nuk do të ketë negociata për statusin e Kosovës, mbetet pikëpyetje e madhe dhe hapësirë e gjerë mes kësaj që deklarohet dhe çështjeve të cilat mund të hapen në ndërkohë me insistimin e Serbisë dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Pala kosovare do të duhej gjithsesi të mos hiqte dorë nga pozicioni i vitit 2007, që përtej Planit të Ahtisaarit nuk mund të ketë më kompromise, edhe për faktin se pavarësia dhe njohja ndërkombëtare e shtetit të Kosovës u bë duke përdorur si referencë dhe argument dokumentin e Ahtisarin dhe shterjen e të gjitha mundësive për të gjetur një zgjedhje politike me Beogradin. Parë, në këtë linjë, Beogradi nuk ka ndryshuar nga pozicioni i vitit 2007 dhe pas shpalljes së pavarësisë. Madje Serbia, e cila deri më tani ka arritur ta mbajë Kosovën në kategorinë e një çështje akoma të “papërfunduar” dhe bartja e Kosovës tek BE-ja do të provoj të krijojë avantazhe të reja, kur kihet parasysh fakti se deri më tani Bashkimi Evropian nuk ka shpërfaqur një qëndrim unik dhe të qartë rreth statusit të Kosovës, madje më tepër është parë një pozicion imponues i pesë vendeve evropiane që nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës.

Madje, BE-ja ka pranuar qëndrimin e Serbisë, edhe në njërën anë, Beogradi zyrtar e ka sabotuar misionin evropian në Kosovë, në anën tjetër ka vazhduar me insistimin për të fituar statusin e kandidatit në BE. Dhe pikërisht, në këtë sfond duhet parë edhe nxitimin e Serbisë për të nisur dialogun me Kosovën, dhe jo ndonjë vullnet të mirë për të zgjidhur kontestet fqinjësore me Kosovën, ndaj së cilës nuk ka ndërruar qëllimet, por vetëm mënyrat dhe mjetet e veprimit. Por Serbia ka edhe një synim, që nga temat e teknike të kalohet në temat politike, respektivisht tek bisedimet për veriun e Kosovës, ku synohet të çimentohet dhe thellohet ndarja e Kosovës në baza etnike, pra krijimi i entitetit autonom serbë në veri e të cilit pastaj do të mund t’i bashkoheshin edhe komunat e reja të formuara sipas Planit të Ahtisarit, duke synuar që në një të ardhme jo të largët të amtutohet (apo amputohet) tërësia territoriale dhe shtetërore Kosovës, synim ky i kahershme tradicional i qarqeve politike dhe akademike serbe.

Në këtë kontekst nuk janë aspak inkurajues as qëndrimet e BE-së, e cila ende pa filluar dialogu Kosovë-Serbi, megjithëse pranon se palët do të trajtohen si të barabartë në dialog, nuk deklarohet qartë se statusi dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të jenë pjesë e dialogut. Sado që një opsion i tillë duket i pamundur, nga deklarimet e zëdhënëses të përfaqësueses së lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, lidhur me agjendën e bisedimeve, se “vendimet në Bashkimin Evropiane merren me konsensus të të gjitha vendeve të saj anëtare”, lë për të nënkuptuar se pesë vendet anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ia kanë imponuar lojën e tyre 22 vendeve tjera që Kosova të trajtohet edhe më tej si një problem i hapur. Ky qëndrimi i paqartë i BE-së është në kundërshtim me linjën që përfaqëson Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i cili edhe në deklaratën nga takimi i fundit në Bruksel, nënvizoi se ky dialog duhet të jetë “midis dy shteteve të pavarura dhe sovrane”, duke përsëritur mbështetjen e plotë për tërësinë territoriale të Kosovës.

Po kështu, edhe pse në BE deklerativisht shprehet entuziazëm për mbështetjen që shprehin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dialogun që do ta ndihmojë BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit, janë evidente dallimet që ekzistojnë në këtë pikë, por duket se për veriun ka një pajtueshmëri si në Uashington ashtu edhe në Bruksel, gjë që lë të kuptohet se kjo nuk do të kundërshtohet as nga Prishtina. Shikuar nga deklarimet e zyrtarëve të lartë amerikanë dhe veçanërisht nga ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, duket e qartë që tani se bilanci i bisedimeve Kosovë-Serbi do të jetë një status special për komunitetin serbë. Dhe ky kompromis nuk do të arrihej pa bekimin e amerikanëve të cilët janë të vetmit që mund ta bindin lidershipin e Kosovës për të bërë një koncesion të tillë. Këtë e ka paralajmëruar Christopher Dell, i cili pos që ka ripërsëritur qëndrimin se SHBA-të do të luajnë një rol konstruktiv dhe të dobishëm në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, ai ka vënë në dukje mundësinë e negociatave për veriun dhe për një status tjetër të serbëve në këtë pjesë të Kosovës. “Sa i përket veriut, ne e kemi thënë shumë qartë. Së pari, veriu është dhe do të mbetet pjesë e Kosovës. Në të njëjtën kohë ne e kuptojmë se kjo pjesë është e ndryshme në disa aspekte nga pjesa tjetër e Kosovës, pasi ajo ka një shumicë serbe”, ka theksuar Dell.

Natyrisht, shumë gjëra, përfshirë edhe rrjedhën e negociatave Kosovë-Serbi, varen nga qëndrimi i qendrave ndërkombëtare të vendosjes, por në fund të fundit, një qëndrim këmbëngulës dhe parimor i palës kosovare mund të jetë përcaktues, pasi si zgjidhje dhe kornizë e vetme do të mund të shërbente Plani i Ahtisarit. Derisa Serbia do të insistojë të krijojë një entitet politik për serbët në Kosovë, mënyrë që Serbia përveç Bosnjë e Hercegovinës, do ta kontrollojë edhe Kosovën, duke privuar që Beogradi të shpërfaqet si faktor i fuqishëm për stabilitetin në rajon, një primat që e gëzonte në kohën e konfliktit Lindje-Perëndim. Por, pa marrë parasysh këto intenca të Beogradit ndaj Kosovë dhe vendeve të tjera fqinje, të gjitha proceset politike evropiane dhe ndërkombëtare që nga rënia e Murit të Berlinit e këndej janë në divergjencë të plotë me ideologjitë dhe politikat e vjetra hegjemoniste të Serbisë. Prandaj, edhe suksesin e bisedimeve të ardhshme Kosovë-Serbi duhet trajtuar jo vetëm jashtë këtij konteksti që e projekton Beogradi, por gjithsesi duhet bartur brenda të kontekstit të procesit të integrimit evropian, që do të nënkuptonte njëkohësisht anëtarësim të vendeve që kanë dalë nga luftërat midis njëri-tjetrit.

(Autori është Drejtor në Arkivin Shtetëror të Kosovës)

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0