Emigracioni shqiptar në dorën kujt?
Ngritja e Ministrisë së Emigracionit në vendin tonë mbetet ende një ëndërr, edhe pse në shumë vende të BE, ekzistenca e saj po e menaxhon për bukuri këtë fenomen.
Nga Shpëtim Zinxhiria
Koha ka treguar se premtimet dhe angazhimet e herëpashershme të partive të ndryshme politike, në fushata elektorale përballë halleve dhe problemeve të emigrantëve kanë mbetur vetëm premtime dhe asgjë tjetër.
Ngritja e Ministrisë së Emigracionit, një ëndërr shumë vjeçare
Edhe pse kanë kaluar mbi 20 vjet nga emigracioni shqiptar, vendi ynë ende nuk ka shifra të sakta për shpërndarjen dhe qëndrimin e emigrantëve tanë kudondodhur. Por sipas regjistrimit të popullsisë kryer nga INSTAT, në vitin 2001 numri i përafërt i emigrantëve llogaritet në 710 mijë njerëz. Mungesa e një e serioziteti për politikën e emigracionit në Shqipëri ka ndikuar që ende akoma të flitet me “përafërsisht”, “pjesë” dhe “gjysma” kur duhej të flitej me “përqindje” për numrin e tyre. Deri më sot, shteti shqiptar ka treguar paaftësinë apo indiferentizmin për të patur një pasqyrë sa më të plotë në këtë drejtim dhe për këtë mjafton vetëm regjistrimi i përafërt i kryer nga INSTAT më 2001, si dhe studimi i Strategjisë Kombëtare të Imigracionit i vitit 2004-2006. Sot, ky problem shihet nga vendet e BE si një problem numër një, ndërsa në vendin tonë i kujdesi i është lënë vetëm rastësisë, kur dihet që rreth 30% e shqiptarëve janë emigrantë, duke e renditur vendin e parë të Evropës Lindore. Fatkeqësisht, Shqipëria ende nuk ka një regjistrim të saktë të popullsisë, ndërsa Ministria e Jashtme mendon dhe ngritjen e një harte të prezencës së shqiptarëve të kudondodhur, në një kohë kur infrastruktura për këtë ende nuk ekziston.
Është folur dhe publikuar se ky fenomen do të kalojë nën varësinë e Institutit të Diasporës, në një kohë kur duhej të ishte nën varësinë e Ministrisë të Emigracionit, ku ende pritet të ngrihet akoma nga qeveria aktuale. Barazimi i emigracionit të sotëm me emigrantët e vjetër shqiptarë të viteve 1920, si parim duket se është një zgjidhje naive, por politikisht reale, pasi në mes “strumbullari” mbetet problemi i votës së emigrantëve.
Ngritja e shumëpërfolur e një ministrie emigracioni do të ndryshonte klimën ekzistuese të emigracionit shqiptar, pasi shumë studime, si dhe lidhja me Diasporën do të ishte një nevojshmëri për kushtet aktuale të vendit tonë. Diaspora dhe emigracioni, në shumë raste ka zbuluar të metat që ekzistojnë në marrëdhëniet shtet-emigracion. Si një vend i madh emigrimi dhe vend pritës për emigrantët e tjerë, del si domosdoshmëri ngritja e kësaj ministrie me një njerëz specialiste të kësaj fushe.
Italia, edhe pse problemin e emigrimit e ka zgjedhur para 60-70 vjetësh, edhe pse ekonomia e vendit nuk bazohet nga emigrantët e saj, ka sot Ministri Emigracioni. Shteti shqiptar duhet të shohë pak më larg, të marrë eksperiencën më të mirë të vendeve fqinjë që emigruan shumë vite para nesh. Midis problemeve të tjerave, shteti shqiptar po jep shembullin më të keq përsa i përket emigracionit shqiptar kudo ndodhur, që kohët e fundit është bërë problemi kryesor në axhendën e BE. Edhe pse kanë kaluar kaq vite emigrimi, prezenca e tij ka qenë pothuajse zero. Kjo çështje kërkon mbi të gjitha një unitet dhe solidaritet politik si dhe një administrim mbarë kombëtar në lidhje me vendet ku kanë emigruar shqiptarët. Për këtë, nga shteti shqiptar kërkohet një politikë konkrete, duke lënë mënjanë mashtrimet dhe premtimet.
Ngritja e Ministrisë për Emigracionin, një ëndërr shumë vjeçare
Ngritja e Ministrisë së Emigracionit në vendin tonë mbetet ende një ëndërr, edhe pse në shumë vende të BE, ekzistenca e saj po e menaxhon për bukuri këtë fenomen. Zëvendësimi i këtij dikasteri me Institutin e Diasporës, për mendimin tonë është një zgjidhje naive dhe tej i nxituar. Mungesa e kësaj ministrie ka bërë që fati i emigracionit të varet nga MPJ, duke e konsideruar emigrantin e sotëm në Greqi të barabartë me emigracionin e brezit të tretë në SHBA, Kanada apo Australi, me premtimin e qeverisë për ngritjen e qendrave kulturore në Athinë, Romë, Londër Nju-Jork apo Toronto.
Ka vite që është hedhur ideja për ngritjen e një ministrie për diasporën, po dhe kaq vite po heshtet. Asnjë politikan nuk ka marrë mundimin të diskutojë për këtë problem në altarin më të lartë të shtetit, në Parlamentin Shqiptar. Jo pak herë, ish presidenti Alfred Moisiu kishte kërkuar krijimin e kësaj ministrie për diasporën, po kërkesa e tij deri më sot, ka mbetur në sirtarët e indiferentizmit dhe burokracisë së shtetit të sotëm. Shqipëria po përballet me sfidën më të madhe në rrugën e procesit të integrimit europian, ku përveç problemeve të tjera të brendshme, një problem të madh ka edhe emigracionin, ku për këtë duhet të përmbushë të gjitha detyrimet morale-politike. Me sa duket, çelësi i zgjidhjes për emigracionin njëlloj si dhe në vendet të tjera të BE është ristrukturimi, pra ngritja e një institucioni shtetëror. Është një proces që mbart kosto politike dhe ekonomike, që kërkon mbi të gjitha shumë punë dhe vullnet të përbashkët në vijën politike. Për të qenë sa më efektiv, duhet të bëhet e mundur që qeveria të hartojë dhe t’u përgjigjet strategjive të qarta për emigracionin por edhe për diasporën, për problemet që dalin për një zgjidhje efikase dhe të efektshme. Si një bord drejtues, kjo ministri do të luajë një rol të rëndësishëm për përcaktimin e drejtimin strategjik, vijën politike të qeverisë e të shtetit shqiptar në diasporë, që deri më sot ka munguar. Studimet e dala nga ky institucion shtetëror në bashkëpunim me institucionet e tjera të vendit do të ndikonin faktikisht në organizimin e copëtuar të emigracionit. Për të patur këtë kërkon vullnet politik nga ana e qeverisë. Por nuk është çudi që në ngritjen e këtij institucioni do të ketë edhe rezistencë të kundërt, edhe pse emigracioni po ndeshet me të drejtat morale, të punësimit, të respektimit dhe konsolidimit të drejtave të tyre, nga mospërfillja nga organet shtetërore të vendeve pritëse në mungesën e respektit dhe dinjitetit.
Shteti nuk e di sa ka dhe ku i ka emigrantët e tij
Në momentet e sotme shteti shqiptar nuk di sa ka dhe ku i ka emigrantët e tij, nuk di saktësisht se a u mbrohen të drejtat më elementare të tyre, por është mjaftuar vetëm me ndonjë relacion të dërguar nga ndonjë ambasadë e tij. Këto realicione në të shumtën e rasteve kanë treguar se, kanë qenë të kundërta me realitetin, pasi në krye të stafit drejtues ambasadori ishte emëruar si diplomat politik dhe një përçues i vijës partiake. Koha ka treguar se premtimet dhe angazhimet e herëpashershme të partive të ndryshme politike, në fushata elektorale përballë halleve dhe problemeve të emigrantëve kanë mbetur vetëm premtime dhe asgjë tjetër.
Premtime dhe vetëm premtime
Në një takim të fundit me përfaqësues të emigracionit shqiptar nga Greqia, kryeministri shqiptar në Tiranë (6/05/2009) është shprehur se: “Qeveria është e angazhuar plotësisht të pajisë gjithë shtetasit e vet, kudo që ndodhen, me karta identiteti dhe pasaporta biometrike, duke i dhënë një shans lëvizjes tuaj të lirë në hapësirën shqiptare dhe evropiane. Me mund, përkushtim dhe me djersë ju arritët të jeni tashme një faktor dinjitoz në zhvillimin e shtetit fqinj dhe një element i rëndësishëm në miqësinë midis dy popujve. Qeveria shqiptare ka përgatitur të gjitha lehtësitë e mundshme fiskale e ligjore për lehtësimin, inkurajimin dhe transferimin e bizneseve dhe investimeve tuaja në vendlindjet dhe trojet tuaja në Shqipëri. Ne jemi vend mikpritës për të gjitha investimet e huaja, por më të gëzuar jemi, natyrisht, për iniciativat e bashkatdhetarëve tanë”. Si në vitet e shkuara por edhe sot, shteti shqiptar nuk po tregon një interes të veçantë për legalizimet e tyre, për pensionet në vendet ku punojnë, për shërbimin mjekësor, arsimin dhe kulturën. Marrëdhëniet e politikës shqiptare me emigracionin i janë lënë momentit dhe rastit, pasi ambasadat shqiptare të kudo ndodhura e me personel përkatës, jo vetëm që nuk kanë kohë, dëshirë dhe vullnet të mirëfilltë për të bashkëpunuar, por fatkeqësisht janë kthyer thjesht në punonjës të rëndomtë në ciklime dhe vulosje dokumentesh etj.
Emigracionit në duart e dy specialistëve
Drejtoria e Emigracionit pranë Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale, e ngritur apostafat me një personel të pakët prej dy specialistësh nuk mund të përballojnë dot problemet e mëdha të emigracionit shqiptar të shpërndarë në 60 vendet e botës. Koha po tregon se vendi ynë i ka kthyer kurrizin jo vetëm emigracionit të brezit të parë, por edhe fëmijëve të tyre.
Kush organizëm merret sot me emigracionin?
Lind pyetja. Cili organ dhe dikaster merret me emigracionin shqiptar? Cili organ dhe dikaster ka verifikuar realizimin ose jo të objektivave të Strategjisë Kombëtare të Imigracionit Shqiptar hartuar në vitin 2006. Një strategji që jo vetëm bëri bujë, por edhe shpenzimet nuk ishin të pakta, pasi hartimi u bë jo vetëm pa studiuar emigracionin aktual, por u hartua nga të huajt (Italia), duke mos i përshtatur aspak vendit tonë. Sot për këtë strategji shqiptare me “gjeneral të huaj” po heshtet dhe askush nuk merr përgjegjësinë, të thotë se sa janë realizuar objektivat… Futja në NATO, si dhe më pas në BE, nevojat e vendit bën të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni shtetëror. Shumë emigrantë, intelektualë, shkencëtarë në emigrim u kanë rënë kambanave të para për të dhënë alarmin jo vetëm për komunitetin, por edhe për vetë shtetin shqiptar se dikush duhet të merret me problemet e tyre. Arsimi, kultura, sigurimet shoqërore dhe biznesi shqiptar janë lënë në mëshirën e fatit, thua se këta nuk i përkasin Shqipërisë shqiptare. Po në qoftë se do të kishte patur një institucion shtetëror (ministri) të organizuar apostafat për bashkëpunim nëpërmjet shtetit dhe emigracionit, problemet do të ishin krejt ndryshe.
Po pse hezitohet akoma?...
Emigracioni ka nevojë për të, jo për bukë dhe ujë. Administrimi sa më i drejtë i emigracionit kërkon padyshim edhe kushtet normale. Në të gjitha fushat Emigracioni është një potencial i madh jo vetëm ekonomik dhe politik, por edhe në aspektin social dhe kulturor. Aktivitet e bëra deri më sot në diasporë mbajnë vulën e vetë emigrantëve. Seminaret e ndryshme, festivalet e filmave shqiptarë, festivalet e fjalës artistike, hapja e ekspozitave, panairet e librave si dhe i biznesit janë bërë kryesisht me forcat e tyre.
Politikanë mund të justifikohen se shteti ynë nuk ka fuqinë financiare njëlloj si shtet e tjera, por të kujtojmë se sa para futen në vit nga emigrantë, sa para u merren atyre për ciklimet e dokumenteve pranë ambasadave tona, (ku shteti vulos po shtetin). Mund të themi se po të kishte një vullnet të mirëfilltë, kjo ministri do të ishte ngritur prej kohësh në Shqipëri.
Shqipëria në të ardhmen, vend pritës për emigrantët e huaj.
Asgjë nuk mbetet siç ishte më parë. Ndryshimi klimaterik do të ndikojë në një zhvendosje të madhe tektonike të popullsive të vendeve të ndryshme. Futja e Shqipërisë në BE, e bën më shumë se kurrë të domosdoshme ngritjen e këtij institucioni, pasi lëvizja e emigrantëve nga një vend në tjetrin do të jetë i lirë. Shqipëria e sotme matet me Europën e dikurshme që emigronte për në kontinentet e tjera, ndërsa sot Europa është bërë vend pritës i emigrantëve që përbëjnë rreth 10-12 % të popullsisë. Po e njëjta gjë do të ndodhë edhe në Ballkan. Besoj se nuk do të jetë e largët ajo ditë kur vendi do të ndeshet përballë emigracionit klandestin nga vendet e Azisë dhe Afrikës. Për këtë duhet që shteti shqiptar të përgatitet jo vetëm për të sotmen, për emigrantët e tij të kudo ndodhur, por për të hartuar një strategji kombëtare për emigrantët që do të vijnë. Shqipëria nuk ka më se çfarë humbasë, kur në diasporë ndodhen rreth 25%-30% së popullsisë, në një kohë kur duhet të mendojë për të mirën e kombit, se emigracioni nuk është një problem partiak por mbarë kombëtar. Në të kundërt kur dëshira, vullneti, shqetësimi dhe angazhimi janë në një shkallë të lartë, kjo pengesë komplekse inferioriteti bëhet më e lehtë dhe shumë shpejt e kapërcyeshme. Mendoj se ka ardhur koha për ngritjen e këtij institucioni për të mirën e kombit, për një menaxhim sa më të mirë, por edhe për hartimin e një harte demografike, për atë që deri më sot na mungon.
Comments (0 posted)
Post your comment