Home | Opinion | Imponimi i radhës

Imponimi i radhës

image
Pa miratimin e Kuvendit, bisedimet filluan apo më mirë të thuhet vazhduan, me që rast u pa fakti se kërkesa e qeverisë për miratimin e Kuvendit për...

 

 

 

 

Besnik Berisha

 


Dialogu i ashtuquajtur nga BE mes Prishtinës dhe Beogradit, për arsye të neutralitetit të saj karshi statusit të Kosovës, tashmë ka filluar edhe zyrtarisht. Pa një agjendë publike, pa një rezolutë nga parlamenti i Kosovës, pa një konsensus të brendshëm, megjithatë ai filloi. Dikush tha të ishin bisedime teknike e dikush tjetër politike. Dikush për këto bisedime dëgjon tani, dikush kishte dëgjuar të përflitet si në mjegull edhe më herët, dikush kishte edhe një platformë për këto bisedime dhe ishte në rrjedha të këtyre bisedimeve që nga viti i kaluar.
Pa miratimin e Kuvendit, bisedimet filluan apo më mirë të thuhet vazhduan, me që rast u pa fakti se kërkesa e qeverisë për miratimin e Kuvendit për fillimin e këtyre bisedimeve ishte krejtësisht formale dhe jo serioze dhe padyshim me këtë u shkel dhe u nënçmua mendimi i organit të zgjedhur drejtpërdrejtë nga populli. Kryeministri sipas fjalimit të tij në Kuvend dëshmoi se bisedimet kishin filluar nga vetë ai qysh vitin e kaluar, atëherë ndoshta kur një subjekt opozitar mëtonte të kishte bisedime fshehurazi me Serbinë, edhe pse ata nuk ishin të gatshëm të faktonin një gjë të tillë. Mirëpo, për një gjë të tillë nuk dinte, e edhe sot nuk e din shumë, populli shumicë në Kosovë, atij të cilit i takon dhe nga i cili buron sovraniteti. Atë kohë kryeministri patë deklaruar se nuk ka kurrfarë bisedimesh të fshehta dhe se deklarimet e AAK-së ishin shpifje të rëndomta të opozitës, tashmë na del e kundërta. Nëse një gjë e tillë është e vërtet atëherë Kryeministri i vendit duhet të jap përgjegjësi para Kuvendit për punën e tij prapa krahëve të popullit, pasi që një gjë e tillë parashihet edhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Vlen të ceket se transparenca për këto bisedime ishte dhe vazhdon të jetë zero. Ka shumë paqartësi rreth asaj se cili është interesi ynë tani të hyjmë në këto bisedime. Populli nga vota e së cilit edhe janë krijuar këto institucione është shumë pak i informuar rreth këtij procesi.

Problemet e shumta të grumbulluar tash e 11 vjet e sidomos varfëria e skajshme duhet të ishin prioritet i çdo qeverie që do ishte tani në pushtet. Për qeverinë aktuale bisedimet teknike duket të jenë më me interes. Disa nga temat të cilat pritet të trajtohen në këto bisedime nuk janë tema që donë shumë diskutim, për më shumë këto do të duhej të ishin parakushte për fillimin e çfarëdo bisedimi me Serbinë, siç është tema e të zhdukurve, dëmet e luftës, Marrëveshja e CEFTA-s etj. Tani më shumë se kurrë, ne si Kosovë jemi në gjendje të kushtëzojmë palët në këto bisedime, kjo për faktin se ne tani për tani nuk na ngutet dhe se është Serbia ajo që ka interes nga këto bisedime me inicimin e së cilës edhe ka filluar ky proces.

Nga të dy palët si ajo kosovare po ashtu edhe ajo serbe janë të vendosur të mos pranojnë asgjë që është në dëm të vendeve të tyre. Të dy vendet hynë në bisedime pa një konsensus të brendshëm megjithatë pala serbe është zotuar që në këto bisedime të veprojë në bazë të Kushtetutës së Serbisë e që në të Kosova parashihet si pjesë e pandashme e saj. Ky fakt shkon në dëm të Kosovës pasi që më këtë zbehet roli i Kosovës si shtet sovran në këto bisedime. Këto bisedime më shumë shihen si negociata mes Serbisë dhe BE për Kosovën si “pjesë e Serbisë”. Është e qartë se epilogu i këtyre bisedimeve do të jetë në favor të Serbisë dhe se Kosova përveç zbehjes së rolit të saj si shtet sovran në opinionin ndërkombëtar, nuk do të arrij të fitoj shumë nga ky proces.

Këto bisedime, për këtë kohë, për Kosovën, më shumë janë të imponuara se sa të dëshiruara për të, dhe konsekuenca e tyre është zgjatja e zgjidhjes së njëmend të problemeve ekonomike – sociale të Kosovës. Se deri kur do të vazhdojnë imponimet nga bashkësia ndërkombëtare dhe se kur ne vërtet do të sillemi si shtet mbetet të shihet.

 

Subscribe to comments feed Comments (0 posted)

total: | displaying:

Post your comment

  • Bold
  • Italic
  • Underline
  • Quote

Please enter the code you see in the image:

Captcha
Share this article
Tags

No tags for this article

Rate this article
0