Sundimi i Pakicës
Formati i negociatave në Bruksel është pothuajse i dizajnuar për të gjitha palët që marrin pjesë në negociata.
Veton Surroi
Mësimi nga Rambouillet (i përsëritur pastaj në procesin Ahtisaari) është se procesi negociator ka nevojë për një konsensus mes palëve shqiptare që nuk pajtohen mes tyre në çështje të tjera të politikës së brendshme. Për dallim, negociatat e sapofilluara në Bruksel nuk u mbështetën në konsensusin shqiptar
1. Në më pak se një muaj, qeverisja në Kosovë ka arritur të tregojë se sa është afër fundi i pusit.
Në dy raste; zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe hyrjen në procesin negociator me Serbinë, vendi i është afruar pragut jodemokratik dhe atij të jofunksionalitetit të shtetit. Për më tepër, në rastin e Presidentit, Kosova mund të hyjë në librin ‘Guinness’ të rekordeve, sepse ndonja 15 minuta pasi kishte dhënë betimin dhe fjalimin inaugurues si President i vendit, B.Pacolli shkoi në karrigen e deputetit dhe ngriti dorën në cilësi të deputetit, për të zgjedhur Qeverinë. Në historinë e shteteve bashkëkohore me rregullim të demokracisë parlamentare, nuk besoj të ketë pasur shkelje kushtetuese të Presidentit brenda një periudhe kaq të shkurtër. Nuk besoj të ketë pasur, po ashtu, shpjegim më të cekët intelektual: “E kam shpirtin e bardhë, këtë do ta dijë edhe Gjykata Kushtetuese, ajo do ta dijë se unë nuk kam dashur të gaboja. As që mbaj mend për çka kam votuar, vetëm e di se e kam ngritur dorën për”!
2. Procesi negociator me Serbinë, i filluar me 8 mars të këtij viti, shënon një precedencë negative në politikën shqiptare të 20 vjetëve të fundit.
Fillimisht, sepse Qeveria, në mungesë të konsultimit parlamentar apo të një tryeze të rrumbullakët politike, vendosi të dërgojë një përfaqësim të vetin, një delegacion që do ta përfaqësonte atë, Qeverinë. E meqë kjo Qeveri përfaqëson pakicën elektorale shqiptare, si në numra votash ashtu edhe në përfaqësim parlamentar (një përfaqësim edhe ashtu me legjitimitet të dëmtuar), delegacioni i Kosovës i cili shkoi në Bruksel, përfaqësoi pakicën. Në njëzet vjetët e fundit, prejse ka filluar negociatat në një ambient pluralist, Kosova gjithnjë është përpjekur të ketë një bazë sa më të gjerë përfaqësuese shqiptare, dhe kjo u pa edhe në Rambouillet, ku me insistim të disave prej pjesëmarrësve kosovarë, e në fund edhe me insistimin amerikan, u ndërtua një delegacion i cili kishte përfshirjen më të madhe të mundshme.
Mësimi i dytë i Rambouillet (i përsëritur pastaj në procesin Ahtisaari) është se procesi negociator ka nevojë për një konsensus mes palëve shqiptare që nuk pajtohen mes tyre në çështje të tjera të politikës së brendshme. Për dallim, negociatat e sapofilluara në Bruksel nuk u mbështetën në konsensusin shqiptar.
Mësimi i tretë, të cilin do ta mësojë tash tërë shoqëria kosovare, është se ky proces negociator pa konsensus është në kundërshtim me vullnetin e shumicës, përkatësisht se ky proces negociator ka më shumë oponencë brenda Parlamentit, shoqërisë civile dhe opinionit publik sesa që ka ithtarë.
Më 8 mars Qeveria theu rregullat e pashkruara të 20 vjetëve të kaluar, rregulla pozitive që sollën lirinë e Kosovës dhe në fund pavarësinë e saj. Dhe, duke bërë këtë, instaloi precedencën e pushtetit të pakicës, një pushtet i cili në demokraci funksionon duke i thyer rregullat, një pushtet i cili nuk ka nevojë të kufizohet në shkelje vetëm në politikë të jashtme, por këtë mund ta bëjë edhe në çështje të tjera që kanë të bëjnë me politikën e brendshme (buxheti, privatizimet etj.), dhe kjo do të sprovohet shumë shpejt.
Një gjendje e këtillë nuk do ta stabilizojë vendin. Në aspektin e funksionimit, pushteti i pakicës po e sfidon popullatën që në ditët e para të qeverisjes. Popullata e sfiduar ka mundësinë që të amortizohet, pra të pranojë një zhvillim të këtillë, duke shpresuar se disi do të bëhet një vetërregullim (“bohet mirë”) ose do të krijojë përgjigje rezistence. Cilido që të jetë zhvillimi, do të jetë i një sinjali përkeqësimi.
3. Formati i negociatave në Bruksel është pothuajse i dizajnuar për të gjitha palët që marrin pjesë në negociata.
Dizajni bazik i këtyre, ndryshe prej të gjitha proceseve negociatore të deritanishme, është mungesa e strukturës, mungesa e parimeve prijëse dhe mungesa e cakut negociator. Në një kësi formati negociator, të tria palët duken sipërfaqësisht se janë fituese; Beogradi, Brukseli dhe përfaqësuesit e pakicës shqiptare nga Kosova. Ta marrim si shembull një çështje që po negociohet: hapja e hapësirës ajrore për fluturimet nga dhe drejt Kosovës. Deri tani fluturimet e Vjenës për në Prishtinë nuk mund të kalonin nga hapësira ajrore serbe, për shkak të mosnjohjes së autoriteteve kosovare të aviacionit nga Beogradi. Tash mund të arrihet një marrëveshje, dhe Beogradi mund ta hapë hapësirën ajrore të veten. Me këtë ka treguar kooperativitetin me Brukselin, e njëkohësisht do të përfitojë edhe në para, meqë aviokompanitë do të paguajnë taksën e fluturimit mbi Serbi. Brukseli do të fitojë, sepse do të tregojë se ka zgjidhur njërin prej problemeve më evidente në 12 vjetët e kaluar: çdo zyrtar europian që ka ardhur në Prishtinë ka qenë i vetëdijshëm për kohën tejet të gjatë të fluturimit. Do të fitojnë edhe përfaqësuesit e pakicës shqiptare nga Kosova, sepse mund t’u thonë qytetarëve të vet se tash fluturohet më shkurt për në Vjenë. Por, pyetja fondamentale është: përse i nevojitet Beogradit pëlqimi i Prishtinës për të hapur hapësirën e vet ajrore? Përgjigjja s’ka lidhje me hapësirën ajrore të Serbisë, ka lidhje me simbolikën politike. Serbia ka dy arsye për ta futur çështjen e hapësirës ajrore në negociata, e jo në një komunikim të drejtpërdrejtë me autoritetet e transportit ajror ndërkombëtar: së pari, sepse duke e futur në negociata e konsideron trafikun ajror mbi Kosovë ende të kontestueshëm e me dhënien e një zgjidhjeje kompromisi e shndërron në një çështje “përkohësisht të zgjidhur” dhe së dyti, sepse me këtë “zgjidhje të përkohshme” Beogradi tregohet si pala konstruktive në këto negociata. E në negociata, koncesioni në hapësirën ajrore do të kërkohet të këmbehet më vonë nga ndonjë koncesion prishtinas.
Comments (0 posted)
Post your comment